21.7 C
Tirana
E hënë, 21 Shtator 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj Historia, kujtesa dhe siguria në rrugëtimin e shtetit shqiptar

Historia, kujtesa dhe siguria në rrugëtimin e shtetit shqiptar

0
Pajtim Ribaj

Të nderuar lexues, ky studim nuk është thjesht vetëm një punim shkecor për të kaluarën nga Prof. Dr. Pajtim Ribaj, por është edhe një përvojë jetësore, dhe njëkohësisht një ftesë për të kuptuar të tashmen dhe për të menduar të ardhmen. Lexojeni me vëmendje, sepse pas çdo përfundimi historik fshihet një mësim për sigurinë dhe shtetin. Ndoshta disa prej këtyre refleksioneve do tju bëjnë të ndaloni, të mendoni dhe të rishikoni atë që besoni se dini. Ky punim shkencor: „Lufta si fenomen historik, politik dhe shoqëror“, meriton të lexohet jo vetëm për atë që thotë, por edhe për pyetjet që i lë lexuesit.

Historia e një kombi nuk është vetëm kujtesa e asaj që ka ndodhur. Ajo është edhe përpjekja për të kuptuar se pse ndodhi, në çfarë rrethanash ndodhi dhe çfarë pasojash la pas vetes. Për një vend si Shqipëria, historia dhe siguria janë shpesh të ndërthurura në mënyrë të pazgjidhshme. Pozita gjeografike, madhësia e territorit, marrëdhëniet me fqinjët, interesat e Fuqive të Mëdha, ndryshimet e sistemeve politike dhe përpjekjet e vazhdueshme për ruajtjen e identitetit kombëtar kanë ndikuar drejtpërdrejt në mënyrën se si është formuar dhe mbrojtur shteti shqiptar. Materiali historik që paraqitet në këtë pjesë nuk duhet lexuar vetëm si një rikthim kronologjik në të kaluarën. Ai synon të vendosë përballë njëra-tjetrës historinë dhe mësimin që ajo ofron për sigurinë e së ardhmes. Pikërisht këtu qëndron një nga vlerat e këtij trajtimi: historia nuk përdoret vetëm për të kujtuar, por për të kuptuar më mirë rreziqet, dobësitë, zgjedhjet dhe mundësitë që shoqërojnë ekzistencën e një shteti.

Rrethanat historike në të cilat është zhvilluar Shqipëria kanë qenë shpesh të ndërlikuara. Shteti shqiptar është përballur me periudha ku çështjet e territorit, sovranitetit, sigurisë dhe identitetit kanë qenë të lidhura ngushtë me zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare. Në këtë kuptim, historia shqiptare nuk mund të kuptohet e shkëputur nga historia e Ballkanit dhe nga raportet ndërmjet fuqive që kanë vepruar në këtë hapësirë. Një lexim i tillë na çon drejt një përfundimi të rëndësishëm: siguria nuk është vetëm mbrojtja e territorit në momentin e një kërcënimi. Ajo është edhe aftësia për të kuptuar rrethanat që e prodhojnë kërcënimin, për të njohur dobësitë e brendshme dhe për të ruajtur kapacitetin e shtetit për të marrë vendime të pavarura dhe të informuara.

Në këtë perspektivë, kujtesa historike merr një dimension të veçantë. Një shtet që nuk e njeh mirë të kaluarën e vet rrezikon të përsërisë jo domosdoshmërisht të njëjtat ngjarje, por të njëjtat gabime të të menduarit. Historia duhet të shërbejë si një sistem paralajmërimi: të na kujtojë se vendimet politike, dobësitë institucionale, mungesa e informacionit, keqvlerësimi i rrethanave ndërkombëtare apo nënvlerësimi i interesave të aktorëve të tjerë mund të prodhojnë pasoja që shkojnë përtej një brezi. Pikërisht për këtë arsye, pjesa historike e këtij materiali merr vlerë edhe si një përpjekje për të ndërtuar kujtesë strategjike. Kujtesa strategjike nuk është nostalgji dhe as interpretim i historisë vetëm përmes emocioneve.

Ajo është aftësia për të mbledhur përvojën historike, për ta analizuar në mënyrë kritike dhe për ta kthyer në dije që ndihmon vendimmarrjen e së ardhmes. Një tjetër element i rëndësishëm është marrëdhënia ndërmjet sovranitetit dhe kapaciteteve reale të shtetit. Historia tregon se sovraniteti juridik, sado i rëndësishëm të jetë, duhet të mbështetet edhe nga institucione funksionale, ekonomi, informacion, diplomaci, mbrojtje, teknologji dhe kohezion shoqëror. Nëse një shtet nuk arrin të mbrojë këto kapacitete, atëherë kufiri i tij formal mund të mbetet i paprekur, ndërsa hapësira e tij reale e vendimmarrjes mund të ngushtohet. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në kohën e sotme, kur nocioni i sigurisë është zgjeruar.

Krahas territorit dhe forcës ushtarake, siguria lidhet me informacionin, teknologjinë, energjinë, infrastrukturën kritike, të dhënat, ekonominë, demografinë, kulturën dhe aftësinë e institucioneve për të reaguar ndaj krizave. Për këtë arsye, leximi i historisë duhet të shërbejë edhe si një mënyrë për të kuptuar se cilat janë dobësitë që mund të përsëriten në forma të reja. Vlera e këtij materiali qëndron pikërisht në përpjekjen për ta parë historinë jo si një kapitull të mbyllur, por si një pjesë të arkitekturës së sigurisë së së ardhmes. Pyetja nuk është vetëm se çfarë na ka ndodhur, por edhe se çfarë kemi mësuar prej saj dhe nëse institucionet shqiptare kanë ndërtuar mekanizmat e nevojshëm që të mos gjenden përsëri të papërgatitura përballë ndryshimeve të mëdha. Në këtë kuptim, pjesa historike krijon një urë ndërmjet kujtesës dhe strategjisë. Ajo na kujton se siguria e një vendi nuk ndërtohet vetëm në momentin e krizës.

Ajo ndërtohet në kohë paqeje, përmes institucioneve, dijes, dokumentimit, arsimit, diplomacisë, kapaciteteve teknologjike dhe aftësisë për të menduar përpara. Prandaj, leximi i kësaj pjese duhet të bëhet edhe si një ftesë për një qasje më të përgjegjshme ndaj historisë. Jo për ta përdorur atë për të prodhuar ndarje, por për të nxjerrë prej saj mësime të verifikueshme për shtetin, shoqërinë dhe sigurinë kombëtare. Një komb që e njeh historinë e vet, por mbi të gjitha di ta analizojë atë në mënyrë kritike, ka mundësi më të mira të kuptojë të tashmen dhe të përgatitet për të ardhmen. Në fund të fundit, historia nuk na garanton se e ardhmja do të jetë më e sigurt. Por ajo mund të na japë një avantazh të rëndësishëm: të mos hyjmë në të ardhmen pa kujtesë, pa analizë dhe pa mësimet e së kaluarës.

Në parim, ky material nuk synon vetëm të rikthejë vëmendjen te historia, kujtesa dhe përvojat që kanë formësuar shtetin shqiptar, por të ngrejë një pyetje më të thellë për të ardhmen: si mund ta ruajë Shqipëria sovranitetin e saj në një botë ku kufijtë nuk janë më vetëm tokësorë, detarë apo ajrorë, por edhe institucionalë, ekonomikë, teknologjikë, informativë dhe kibernetikë? Përgjigjja kërkon më shumë se kujtesë historike; kërkon kulturë strategjike, institucione të përgjegjshme, ekspertizë, dokumentim, aftësi për të parashikuar skenarë dhe, mbi të gjitha, një vetëdije të qartë se siguria kombëtare fillon nga njohja e vetvetes dhe e rreziqeve që na rrethojnë.

Historia na mëson se dobësitë e një shteti nuk shfaqen gjithmonë në momentin e krizës; ato ndërtohen gradualisht, kur neglizhohen institucionet, humbet kujtesa, dobësohet përgjegjësia dhe mungon përgatitja. Prandaj, ruajtja e sovranitetit sot duhet të kuptohet si aftësi për të mbrojtur territorin, institucionet, informacionin, identitetin, burimet strategjike dhe vendimmarrjen kombëtare. Një shtet që e njeh historinë e tij, që dokumenton të tashmen dhe që përgatitet me përgjegjësi për të ardhmen, nuk e shmang çdo rrezik, por fiton aftësinë për ta përballuar atë me më shumë qartësi, qëndrueshmëri dhe dinjitet. Në këtë kuptim, kufiri i padukshëm i shtetit nuk është vetëm ajo që duhet mbrojtur; është edhe ajo që duhet kuptuar, kontrolluar dhe trashëguar nga një brez te tjetri.

Safet Sadiku


DiSA PËRFUNDIME E REFLEKSIONE

Prof. Dr. Pajtim Ribaj[1], President nderi Marshall Center Alumni Association-Albania    

  1. Lufta si fenomen historik, politik dhe shoqëror

Në një botë të ndryshimeve të vazhdueshme shfaqet një konstante e ashpër lufte dhe dhune apo siç shprehet Butros Gali “ një kulturë vdekjeje”.[2]

Luftrat janë akte të tmerrshme dhune, me të cilat është përballur në shekuj njerëzimi. Ato kanë shkaktuar miliona të vdekur, të plagosur, shkatërrime e vuajtje të panumërta, për ata të cilët kanë mundur t’u mbijetojnë. Në tremijë e katërqind vitet e fundit njerëzimi ka qënë në paqe vetëm 268 vjet, ose 8% të historisë së regjistruar.[3]

Lufta, menjëherë sapo fillon, bëhet mbizotëruese në jetën e të gjithë njerëzve, ashtu siç shkruante një romancier amerikan në vitin 1861… “Ajo është si një stuhi e fuqishme që i përfshinte të gjithë, përzihet me organon kishtare, fishkëllen nëpër rrugë, futet fshehurazi në vatrat familjare, troket gotat në pijetore, përpjetë ngre flokët e thinjur të burrave të shtetit, futet në auditorët e kolegjeve, fëshfërin fletët e zhubrosura të librave të studiuesve. Ajo përbën një provë të pashmangshme të besimit të njerëzve, të punës dhe të detyrës së tyre, të dashurisë individuale dhe përkushtimit publik, të parapëlqimeve vetjake dhe të lidhjeve shoqërore”.

Për më tepër, siç thekson Wollter Mills: “Ajo, në të vërtetë, sfidon çdo institucion të shoqërisë, drejtësisë, ekonomisë, sistemin politik, bazat, maturinë dhe qëllimet e politikës së jashtme. Ska aspekt të jetës, që të mos preket, ndikohet dhe ndoshta të ndryshohet plotësisht nga kërkesat e luftës”.

Lufta, si një sjellje shoqërore dhe politike, është ndikuar dhe ka ndikuar në zhvillimet historike. Këndvështrimi për të ka evoluar, bashkë me stadet historike dhe të formës politike brenda së cilës shtetet kanë qenë të organizuara. Prej epokes moderne, lufta është paraqitur si një fenomen i lidhur ngushtë me shtetin, popullin (kombin) dhe ushtrinë. Kjo perspektivë ka ardhur duke u bërë më pak e pranueshme me zhvillimet bashkëkohore në politikat botërore.

Periudha e pas Luftës së Ftohtë, njohu një përshkallëzim të konflikteve të armatosura brenda shtetit, ku lufta ndër-shtetërore filloi t’ia linte vendin luftës brenda-shtetit dhe formave të tjera të llojit asimetrik. Këtu filluan të binin në sy rritja e numrit dhe llojit të aktorëve jo-shtetërorë në fushën e betejës, të cilët nuk ishin pjesë e ekuacionit Clausewitz-ian për luftën. Për më tepër, fenomeni gjithëpërfshirës i globalizmit, bëri të paqartë kufirin se ku fillon dhe mbaron lufta, ku dallohet luftuesi (ushtari) nga jo luftuesi (civili), shteti nga aktorët jo-shtetërorë, burimet e ligjshme të financimit nga ato të paligjshme, etj.

Lufta përkufizohet si përdorim i forcës apo fuqisë ushtarake për të zgjidhur armiqësitë midis shteteve ose midis grupeve brenda të njëjtës shoqëri.[4] Përkufizimi i mësipërm është shumë afër përcaktimit të Klauzeviçit se lufta është vazhdim i politikës me mjete të tjera.[5] Pra, lufta është një akt politik dhe një instrument i politikës”.[6] Përmes luftrave janë përcaktuar kufij shtetërorë, sisteme politike dhe, në një nivel të caktuar, edhe organizimet shoqërore të shumicës së shoqërive të botës. Po kështu, ato kanë luajtur rol të rëndësishëm në proceset e ndërtimit të shteteve e kombeve. Roli i tyre shtrihet në nivele të ndryshme, duke filluar me çështjen e përcaktimit të kufijve ose bashkimin e territoreve deri te krijimi i solidaritetit kombëtar në përballjen e armikut të përbashkët.[7]

Por në ditët tona në vazhdim, ka dalë në plan të parë parandalimi i katastrofave humanitare. Në emër të së drejtave të njeriut janë realizuar ndërhyrje ushtarake. Ndërhyrja ushtarke për të parandaluar ose ndërprerë katastrofa të tilla, është luftë që është realizuar nga struktura ushtarake ndërkombëtare. Ajo është luftë për të parandaluar ose ndërprerë luftën që në ditët e sotme fillohet me synime nacionaliste. “Kjo nuk ishte si mjet i politikës, por ishte një luftë, në mënyrë që lufta si mjet i poltikës në Evropë të jetë gjithmonë në favor të pushtetit të së drejtës dhe mohimit të dhunës”,[8] do të deklaronte Ministri i Jashtëm gjerman Joschka Fischer më 30 korrik 1999, në Sarajevë të Bosnjë dhe Hercegovinës.

Të gjitha këto zhvillime dhe të tjera të papërfshira në këtë punim, na ftojnë të reflektojmë mbi ndryshimin në konceptimin dhe ushtrimin e luftës në një epokë post-moderne. Përsëri, kuptimi dhe jo vetëm shpjegimi i natyrës së luftës, sot, shfaqet si një nga detyrat më të rëndësishme përpara studiuesve të MN, politikanëve dhe ushtarakëve, jo për të thënë thjesht se lufta vazhdon të jetë e rëndësishme, por për të gjetur zgjidhje afatgjata që nuk kalojnë nga gryka e armëve.

2) Kufizimet strategjike, legjitimiteti dhe rendi ndërkombëtar

Kufizimet Strategjike, si formë e menduar padyshim se është një pjesë e rëndësishme që duhet t’i tundojë strategji-bërësit e strategjive “të mëdha” në të gjithë botën. Bota sot, sa më tepër globalizohet aq më e mbarsur duket me konflikte. Por a mund të jenë përplasjet e ushtrive të vendeve të ndryshme legjitime? Kjo, për fat të keq, nuk ndodh gjithmonë. Kjo, sipas mendimit tim, nuk ndodh për disa arsye. Në radhë të parë ende nuk mund të bëhet fjalë se demokracia e vërtetë mbisundon qoftë edhe në pjesën më të madhe të botës. Ende ka vende që nuk kanë pranuar të miratojnë dhe firmosin akt-marrëveshjet, kodet e sjelljes morale, njerëzore dhe ligjore që afrojnë organizatat e ndryshme të sigurisë në botë, qoftë edhe OKB-ja.

Ndikimi i kufizimeve në strategji vjen si nga politika e brendshme e një shteti ashtu edhe nga politika e jashtme. Vjen nga politika e brendshme pasi është populli ai që zgjedh politikanët, dhe politikanët në një demokraci të vërtetë, janë gjithnjë të detyruar t’i binden verdiktit legjitim të popullit. Kufizimet strategjike vijnë nga politika e jashtme pasi në kohën e sotme nuk mund të gjendet ndonjë vend në botë që nuk ka hyrë në marrëdhënie ndërkombëtare me një shtet tjetër, pa bërë fjalë për aleancat e tipeve të ndryshme që janë krijuar sot në të gjithë botën. Si rrjedhim, në hartimin e një strategjie, veç rregullave dhe legjislacionit të brendshëm të një shteti, determinante është dhe politika e tyre e jashtme. Koalicionet, gjithnjë janë parë si frutdhënëse, por ato gjithnjë bëhen mbi bazën e interesave. Aq sa thuhet që aleancat janë si martesat me leverdi, në qoftë se bien interesat, ato prishen. Aleancat e dëmtojnë legjitimitetin e një shteti aq sa edhe sovranitetin e tij dhe pse disa teologë legjitimitetin e barazojnë me sovranitetin.

Siç pohohet nga Robert Cooper, në epokën e globalizimit, legjitimiteti është element i rëndësishëm dhe në “rendin e ditës së sigurisë”. Ekzistenca e OKB-së që zotëron një legjitimitet ndërkombëtar që të ndërhyjë, por që është e paaftë dhe jo shumë funksionale dhe e Shteteve të Bashkuara, të cilat janë të de-legjitimuara, por që kanë fuqinë e duhur për të vepruar, e bëjnë shumë të vështirë arritjen e këtij qëllimi. Këtë, ndoshta, e mundëson Bashkimi Europian, por është shumë i ndarë dhe i pafuqishëm për të qënë në gjendje t’a bëjë sot. Prandaj, nuk ekzistojnë zgjidhje të lehta për të mund të siguruar strategji të përkryera dhe nëpërmjet tyre stabilitet dhe paqe.

Luftrat e kufizuara, dallojnë në mënyrë absolute nga fusha klasike e betejës, ku lufta zhvillohet në sensin e ngushtë, një konflikt i armatosur midis dy ose më shumë shtetesh, luftë e realizuar sipas normave të vendosura nga e Drejta Ndërkombëtare. Konfliktet jokonvencionale përfshijnë manifestimin e forcës që dhunon të drejtën e brendshme të shtetit të veçantë ose normat e së Drejtës Ndërkombëtare. Kjo kategori lufte përfshin edhe luftrat e kufizuara ose të përmendura si luftra jo konvencionale apo luftra me intensitet të ulët.

Lufta përfshin gjithë jetën aktivitetin e shtetit, dhe për fitoren e saj të shpejtë janë të angazhuar jo vetëm komandantë ushtarakë, por të gjitha institucionet shtetërore e private, mbarë shoqëria.  Ekzistenca e një kombi varet nga koncepti i tij për interesat kombëtare dhe mjetet me të cilat këto interesa sigurohen, demokracitë kërkojnë udhëheqje të shquar për mbrojtjen e këtyre interesave, populli është burimi i pashtershëm i sigurimit kombëtar.

Suksesi i luftës është fitorja, suksesi i paqes është stabiliteti. Lufta gjithmonë ka qenë faktor shkatërrues e ndëshkues, politika ka për detyrë të ndërtojë. Pushteti mund të japë gjykime, por burrat e shtetit duhet të shikojnë përtej realitetit të së tashmes. Operacionet pas konfliktit kërkojnë planëzim të hollësishëm dhe menaxhim konkret, për t’u përmbushur me sukses.

Lidhja e ndërsjelltë në rritje, midis funksioneve ushtarake dhe industriale, në shekujt XIX dhe XX çoi në rritjen e pjesëmarrjes së elementëve civile të shoqërisë në përgatitjen për luftë dhe zhvillimin e saj. Ishte pikërisht parashikimi i këtij zhvillimi që e bëri Engelsin të pyeste: “Kush i transferoi fitoret e Revolucionit Francez edhe në ushtri? Jo gjeneralët, por pushteti civil.[9]

3) Paleo-lufta, neo-lufta dhe format bashkëkohore të konfliktit

Pa u zgjeruar, por duke u përqëndruar në disa dallime të luftrave deri në Luftën e Ftohtë (që për qëllime studimi i quajmë pleo-luftra) dhe atyre pas Luftës së Ftohtë (neo-lufta) veçojmë se: Si në paleo-luftë ashtu dhe në neo-luftë e përbashkëta më e dukshme dhe e pakundërshtueshme është se ato zhvillohen si pasojë e poltikës. Pra, përcaktimi Klauzeviçian mbetet në fuqi, pavarësisht nga mënyra e niveli i të shprehurit. Ndërsa motivimi i synimeve në paleo-luftë ishte mposhtja e kundërshtarit për të përfituar territore apo pasuri në dëm të tij, motivimi i synimeve në neo-luftë priret për nga mbrojtja e vlerave nga antivlerat që rrezikojnë siguri rajonale apo ndërkombëtare. Bota moderne nuk mund të toleronte spastrim etnik, masakra, persekutime.

Lufta e sotme, ose neo-lufta, nuk ka kufij apo “vija kufitare” të prera, sic kishte paleo-lufta. Sipas Umberto Eco, shkrimtar e filozof i njohur Italian, që të sigurohej mundja e kundërshtarit do të duheshin plotësuar tri kushte, mbajtja sekret e qëllimeve, etj.; solidariteti në frontin e brendshëm, si edhe që gjithçka në dispozicion të përdorej për shkatërrimin e armikut.[10] Krahasuar me paleo-luftën, neo-lufta paraqitet ndryshe. Nëse në paleo-luftë, pala shtypte me dhunë çdo veprim kundërvënë në radhët e saj, apo të kundërshtarit, në neo-luftë gjendja paraqitet ndryshe, jo gjithçka është nën kontroll. Shumë herë është media që të nxjerr sekrete. Propagandën në dobi të armikut e ke të pranishme dhe të hapur, madje edhe të lejuar, dhe në territorin tënd.

Palët ndërluftuese vazhdojnë, por përfaqësitë diplomatike te njëri-tjetri po ashtu, mund të vazhdojnë funksionimin. “A është luftë kjo, me armikun në shtëpi, që bën propagandë? Në neo-luftë, çdo luftues e ka armikun në prapavijë dhe, duke i dhënë vazhdimisht fjalën kundërshtarit, mediat demoralizojnë qytetarët (ndërsa Klauzeviç kujtonte që kushti i fitores ëshë kohezioni moral i të gjthë luftuesve),” thotë Umbero Eco.[11] Të dyja llojet e luftrave janë komplekse, kanë aktorë e tyre. Por neo-lufta ka më shumë aktorë. Ajo nuk ka vetëm aktorët në uniformë dhe me armatim e pajisje. Shtohen shumë aktorë të tjerë.
Gjatë paleo-luftës armiku ishte më i qartë, pak a shumë dihej se nga ku do vinte, apo kur do realizohej ballafaqimi me të. Neo-lufta ka të bëjë më shumë me armik të padukshëm. Në paleo-luftë, mund të bëhej mobilizim kombëtar për të realizuar luftën, sigurisht duke u karakterizuar nga lëvizje tërësore me karakter dhe nën rregull ushtarak. Neo-lufta karakterizohet nga prani e madhe e sektorit privat. Kompanitë e kontraktura marrin përsipër shumë veprimtari sidomos të natyrës logjistike, për transportin, furnizmin e mbështetjen ushqimore, mirëmbajtjen.

Paleo-lufta karakterzizohej nga viktimat ushtarake, pra në radhët e luftëtarëve, por edhe të civilëve, por nuk ballafqohej me reaksion të dukshëm publik. Neo-lufta po përballet me nevojën e përzgjdhjes së objektivave dhe publiku është shumë i ndjeshëm ndaj viktimave civile. Paleo-lufta zhvillohej kryesisht me armë vrasëse të prodhuar në rrugë klasike. Neo-lufta ka nxjerrë e përdorur edhe armë të reja vrasëse siç janë kamikazët, apo përdorimi i jeteve të shërbimit civil si armë që sjellin dëme të mëdha në një kohë tepër të shkurtër. Asimetria po kthehet në karakteristikë e përhershme për neo-luftën. Ajo shprehet në forma të larmishme, të papritura dhe gati të paparashikuara. Përgjigja ndaj kësaj asimetrie, kurrësesi nuk ka si të jetë klasike.

Neo-lufta ka paraqitur edhe njerëz me maska, që në zë kanë qenë të njohur si miq e kolegë nga kundërshtarët e tyre. Ndërkohë, që kontrollet trupore të grave për të shqitur para edhe nga të brendshmet e tyre nuk kanë qenë të rralla.[12] Luftrat në ish-Jugosllavi kanë evidentuar në masë shëmbuj të kësaj natyre. Shembujt e kthimit prapa në traditat e vjetra të banditizmit në Ballkan, në këtë periudhë nuk kanë qenë të pakta.[13] Por, neo-lufta në masë ka nxjerrë edhe elementin kamikaz. Elemetët kamikaze kanë qenë jo vetëm meshkuj, por edhe femra. Të gjithë këta tregues prezantojnë kompleksitetet e luftës së sotme, si dhe kërkesa të veçanta për luftuesit e saj.

Në neo-luftë, gjithashtu, po përballemi me aksion ushtarak që synon parandalimin e katastrofave humanitare. Mizoritë e kryera fillimisht në Bosnje-Herzegovinë dhe mandej në një mënyrë të paimagjinueshme në Kosovë, bën që në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit të XX-të, fushatat ushtarake të paraqiten me një frymë të theksuar morale. Spastrimi etnik në Evropë në prag të shekullit të XX-të nuk mund të lejohej. Ndryshe nga paleo-lufta, neolufta prezantohet jo thjesht me teatrin e luftimeve, por me hapësira të gjera tokësore, ajrore, detare, jashtë teatrit të luftimeve, të cilat vihen në dispozicion të njërës nga palët, apo të aleancës përkatëse. Në rastin e konfliktit në Kosovë, Aleanca e NATO-s pati trupa të disllokuara rreth Jugosllavisë, gati në disa vende të Ballkanit. Për më tepër, ajo kishte të drejtën e shfrytëzimit të hapësirës ajrore të pothuajse të gjitha vendeve të rajonit dhe kështu edhe të ujërave detare. Kjo dukuri vërehet edhe në Luftën e Irakut.

Neo-lufta nuk mund të shmangë plotësisht karakteristikat e pleo-luftës, sidomos në periudhën filleastare të saj. Kjo evidentohet në shoqëritë totalitare, apo ato shoqëri që janë në dilemë për drejtimin që duhet të marrin. Rast tipik ishte ai i luftrave në ish-Jugosllavi, kur ushtria jugosllave, si mbrojtëse e Kushtetutës së Jugosllavisë, tradhëtoi misionin e saj në grahmat e fundit të Jugosllavisë.[14] Pikërisht, kjo ushtri shpërfytyroi pamjen e saj dhe oponionin ndaj saj pasi “lëkundjet e veta ajo i zgjidhi duke hedhur zarin me Milosheviçin dhe duke u bërë krahu ushtarak i nacionalizmit serb.”[15]

4) Trashëgimia historike dhe luftërat ballkanike

Viti 1878 quhet si Fillimi i Periudhës Bashkëkohore për Ballkanin. Ky vit përkon me Kongresin e Berlinit i cili shënon edhe fillimin e shpërbërjes së Perandorisë Osmane pas një jetëgjatësie prej rreth pesë shekujsh në territorin ballkanas, që prej vitit 1453 të rënies së Kostandinopojës e deri në fund të Luftës së Parë Botërore, më 1918. Të gjitha shtetet aktuale të Ballkanit Perëndimor kanë qenë nën influencën e Portës së Lartë, ndërsa Kroacia dhe Sllovenia[16] nën perandorinë Austro-Hungareze dhe për një periudhë më të shkurtër edhe Bosnje-Hercegovina. Influenca hungareze në Kroaci karakterizohej për një tolerancë më të vogël drejt popullsisë vendase në krahasim me atë austriake në Slloveni të quajtur edhe “austro-sllavizëm”, duke përmbledhur me këtë term faktin që Austria ka pasur rolin e kombit udhëheqës në jetën sllovene.

Megjithatë, nuk duhet harruar fakti që të dyja republikat kanë qenë teatër luftrash dhe konfliktesh që u përgjigjeshin rivalitetit të mbretërisë dykrerëshe austro-hungreze. Nga ana tjetër, lëkundja ndërmjet këtyre dy fraksioneve të perandorisë, kufizoi në mënyrë të konsiderueshme përhapjen e muslimanizmit në këto dy territore duke favorizuar prezencën e katolicizmit në Kroaci dhe përhapjen e reformës protestante në Slloveni. Në Bosnje-Hercegovinë u përhap në mënyrë masive islamizmi, ndoshta si përgjigje ndaj konvertimit masiv të bogomileve[17] në këtë territor, ndërsa në Serbi-Mal të Zi, islamizmi u përhap në mënyrë shumë të reduktuar për shkak të rrënjëve të thella të fesë ortodokse në kulturën dhe historinë e kësaj popullsie.

Megjithatë, bazë për kontrollin e territorit në shtetet ballkanike ka qenë gjithnjë “zotërimi kombëtar”, i cili nga njëra anë influenconte popullin mbizotërues të secilit rajon t’i shihte të tjerët si ndërhyrës apo pushtues, ndërsa nga ana tjetër, influencoi në mënyrë të konsiderueshme kalimin nga kontrolli fetar në atë laik në nivelin qeverisës[18].
Pesë shekuj nën këtë Perandori Osmane kanë lënë gjurmë të pakthyeshme në Ballkanin Perëndimor, duke pasur parasysh prapambetjen e sistemit feudal të kësaj perandorie. Një historian i studimeve orientale shkruante që në fund të viteve ‘700, prapambetja ekonomike e Ballkanit Perëndimor nuk mund të krahasohej me asnjë shtet tjetër europian, as me provincat më të prapambetura të perandorisë austro-hungareze.[19]

Në këtë sens, Kroacia dhe Sllovenia ekonomikisht dhe institucionalisht do të jenë një hap më përpara që në atë kohë, krahasuar me shtetet e tjera të Ballkanit Perndimor, që nën perandorinë osmane do të kenë më pak mundësi të bien në kontakt me pjesën tjetër të Europës, me risitë e revolucionit francez e idetë iluministe. Megjithatë, faktori ekonomik mbetet më deçisivi sesa ai politik. Në të njëjtin përfundim kanë arritur edhe dy studiuesit e Ballkanit Perëndimor, Jelavich, të cilët i përshkruajnë shtetet ballkanase pas periudhës osmane pa një klasë të mesme të gatshme për të influencuar vendimarrjen dhe pa një qeveri në gjendje të taksonte popullsinë tejet të varfëruar dhe të tërhiqte kapital të mjaftueshëm të huaj për investim[20].

Vartësia e shteteve ballkanike nga faktori ndërkombetar u vu re në mënyrë të theksuar që nga fillimi i dy luftrave botërore e deri në fund të tyre. Fuqitë e mëdha jo vetëm kanë përcaktuar kujtë territoriale të vendeve ballkanike, por edhe kanë inuencuar në krijimin e monarkive kushtetuese në këto vende. Po këta studiues bëjnë një vëzhgim shumë interesant kur thonë se ai lloj regjimi përfaqësonte një udhë të mesme ndërmjet dëshirave të perandorive habsburge dhe Ruse për regjime konsevatore dhe atyre të Francës dhe Britanisë për forma me regjimi më liberale.[21]

Luftrat Ballkanike – 1912-1913 – janë ngjarje nga më të rëndësishmet në historinë e popujve ballkanikë e më gjerë. Dy luftra në harkun e vetëm dhjetë muajve kanë ndezur Ballkanin midis tetorit 1912 dhe gushtit 1913. Studiues të vëmendshëm si dhe fakte të pakontestueshme na bindin se një nga shkaqet kryesore, në mos më kryesori, për shpërthimin e luftrave ballkanike janë kryengritjet shqiptare, sidomos Kryengritja e Përgjithshme e vitit 1912, gjë e cila detyroi Perandorinë Osmane më 17 gusht 1912 të pranojë kërkesat e kryengritësve për autonomi të Shqipërisë në katër vilajetet me sipërfaqe 90.100 km katrorë dhe popullsi 2. 725.410 banorë.[22]

Kështu, Lufta e Parë Ballkanike ishte shprehje i intolerancës, mendjengushtësisë dhe brutalitetit të këtyre vendeve, të cilat nuk njohën asnjëherë fqinjësinë e mirë me popujt, por gjithmonë ishin lakmitare të tërbuara të territoreve përgjithësisht shqiptare. Sikur të mos mjaftonte vetëm kjo, shqiptarëve iu shkaktua një mjerim akoma edhe më i madh nga vija e kufirit të caktuar “pa marrë parasysh çështjen etnografike”. Vija e kufirit është hequr midis krahinave të gjera dhe të vetmes qendre tregtare të tyre.

Për qëllime propagandistike dhe për të shtuar “moralin patriotik serb”, qeveria serbe do të dërgojë në Beograd disa mijëra robër lufte nga fronti i Kumanovës, të cilët do t’i detyrojë të parakalojnë në “defilete”. Në fillim të dhjetorit 1912, kur ushtria serbe do të deklaronte “çlirimin e tokave serbe të pushtuara nga Perandoria Osmane”, Princi Aleksandër Karargjogjeviç me këtë rast do të deklarojë para turmës së entuziazmuar serbe “unë dëshiroj që këtu të vijnë disa mijëra evropianë me përgjegjësi e të shohin shqiptarët, të cilët ne i kemi zënë robër dhe ata të binden se këta njerëz mezi mund të quhen njerëz dhe të përfitojnë bindjen se Ballkani pa tjetër duhet të pastrohet nga këto egërsira.”[23]

E rëndësishme është të theksojmë se ndryshimet e luftrave ballkanike të vitit 1912-13 nuk janë aq të theksuara me ngjashmëritë e luftrave të fundit që u zhvilluan në rajon në fund të shekullit të kaluar. Ashtu si e pa Fondacini Cornegier 1913,[24] veçoria e përbashkët e luftrave ballkanike, thuhet në raportin e vitit 1913, është se “lufta nuk bëhet vetëm midis ushtrive, por midis vetë kombeve. Prandaj këto luftra janë kaq të ashpra, prandaj ato mbyllen me aq shumë humbje në njerëz, dhe përfundojnë në zhdukjen e popullsisë dhe shkatërrimin e zonave të tëra”.

“Qëllimi i konfliktit të armatosur,” vijon raporti, “ishte zhdukja tërësisht e një popullsie të huaj”. Fshatrat shkatërroheshin, gratë e identitetit kombëtar “armik” dhunoheshin e shpesh vriteshin, robërit vriteshin, ose mbylleshin në ngrehina të vjetra ku vdisnin nga uria a të ftohtit, tregohej një zemërligësi e madhe ndaj të mundurve, etj. “Kjo e tejkalonte masën e mospërfilljes së thjeshtë për t’u futur në mbretërinë e mizorive të qëllimshme dhe të neveritshme” shkruan G. Kennan[25]. Masakrat, aktet e pabesueshme të dhunës, sidomos ndaj shqiptarëve janë tejet makabre.[26]

Nuk ka dyshim se feja luajti një rol të rëndësishëm në armiqësitë si motiv i luftës. Por, edhe sipas raportit të komisionit, do të ishte gabim ta quaje këtë motivim si shkaktarin kryesor. “Turqit që kanë qenë në shekuj, edhe kur ishin në kulmin e autoritetit të tyre në Ballkan, kanë qenë relativisht tolerantë në trajtimin e institucioneve fetare jo myslimane. Pra, faktori më i rëndësishëm, ashtu siç u vërejtën dhe në luftrat e fundit në Ballkan, ishte nacionalizmi agresiv, një nacionalizëm me nuanca të prirjeve fisnore” duke e parë kundërshtarin politiko-ushtarak si një armik të frikshëm e të pandreqshëm.”[27]

Deklarata e Vjenës, e përsëritur përmes ministrit të Jashtëm Berthold më 19 nëntor I. Qemalit, se “territoret e pushtuara shqiptare do t’i nënshtrohen gjykimit ndërkombëtar” kishin rëndësi të madhe sepse: a. Lufta e shteteve ballkanike kundër Perandorisë Osmane nuk do të konsiderohet “luftë çlirimtare”, siç propagandohej nga Serbia, Greqia, Bullgaria, Mali i Zi, por ajo do të jetë “luftë pushtuese”, që kryesisht shtriheshin në katër vilajetet shqiptare, ku kishte dhe popullsi joshqiptare, por me pakicë.

Çështja dytë, kishte gjithashtu rëndësi të madhe për shqiptarët dhe fatin e tyre, meqë konfirmoi atë që tashmë dihej, që Vjena dhe të tjerë e kishin thënë sa e sa herë se thyerjet e njëanshme të Status Quo-s, pavarësisht rezultateve të luftës, pashmangërisht kalonin nëpër “tryezën e gjelbër”, pra, i nënshtroheshin gjykimit ndërkombëtar që do të thotë se lufta nuk do t’i caktonte kahun politikës, por politika do t’i caktonte asaj fatin.[28]

II. LUFTËRAT BALLKANIKE DHE TRAGJEDIA E TROJEVE SHQIPTARE

Proklamata e Shkupit se shqiptarët luftojnë “për me i dalë zot tërësisë territoriale e lirisë së Shqipnisë” dhe për ta bërë të ditur se “pa marrë parasysh se si do të jetë fati i armëve, shqiptarët nuk kanë me pranue prej katër vilajete veçse një formë politike dhe në sundim” sqarojnë fare mirë esencën e luftës ballkanike, se ajo nuk do të jetë çlirimtare, por nxitim për të pushtuar tokat shqiptare. “Në të vërtetë, pushtimi i tokave shqiptare nga ushtritë malazeze, serbe, greke e bullgare, do të ndodhë brenda një kohe të shkurtër, pasi ata kishin shpartalluar ushtritë osmane në të gjitha frontet.

Ndërhyrja ndërkombëtare në Shkodër, që do t’i jepte fund pushtimit malazez, në historinë e Shqipërisë do të shënojë demonstrimin e parë ushtarak të Perëndimit në anën e shqiptarëve në konfliktet me malazezët.[29] Por, Shkodra dhe nxjerrja e saj nga pushtimi i huaj, nuk do të përsëritet në Janinë. Edhe ajo, thuajse, kishte një skenar shpërthimi dhe ashpërsimi, por ndryshonin aktorët dhe rolet, si dhe ndryshonin interesat e Fuqive të Mëdha. Fjala ishte për të njëjtën çështje, mbrojtjen e një qyteti shqiptar, por tash në jug të vendit, ku forcave osmane e shqiptare në mbrojtje, do t’u shkonin në ndihmë edhe vullnetarët e tjerë dhe kjo do të bëhej fakt me vendimin e Qeverisë së Vlorës të 28 janarit 1913. Në Janinë, Greqia do të fitojë më shumë nga e “drejta se kishte bërë luftë çlirimtare kundër pushtuesve osmanë” se nga e drejta etnike. Në Janinë shumica ishin shqiptarë.[30]

Fundi i luftrave ballkanike përbën një periudhë të shkurtër kohore, por shumë të ngjeshur me ngjarje të rëndësishme historike por dhe tragjike për çështjen kombëtare shqiptare. Është heroike se, shpallet Pavarësia e Shqipërisë, si ngjarje nga më të mëdhatë në historinë e kombit shqiptar. Ajo njëherazi është tragjike se, nga kjo kohë fillon shkelja flagrante e të drejtave njerëzore e kombëtare, për më tepër se gjysmën e popullit në trojet e shumta, që mbetën jashtë shtetit të shpallur në Vlorë. Në krahasim me periudhën para luftrave ballkanike, ndryshimet territoriale dhe demografike, pas Paqes së Bukureshtit, më 9 gusht 1913,të shprehura në % ishin: Bullgaria fitoi 29% territor dhe 3% popullsi më shumë, Greqia 68% territor dhe 67% popullsi më shumë, Mali i Zi 62% territor dhe 100% popullsi më shumë, Serbia 82% më shumë territor dhe 55% më shumë popullsi.[31] Faktikisht, në këto luftra harta e vendeve ballkanike u ndryshua në mënyrë rrënjësore duke marrë formën e asaj aktuale të viteve 1913 e 1914-1918, që erdhën më pas.

Ndërkaq, përfaqësuesit e Qeverisë së Vlorës deklaronin në Foreign Office: “Qëllimi i këtyre rregullimeve territoriale, që po bëhet tani, duhet të ishte vendosja e një paqeje të qëndrueshme, mirëpo mënyra se si po zgjidhej çështja shqiptare nuk mund të siguronte asnjë lloj paqeje dhe se e gjithë kjo nuk mund të përfundonte, veçse me një armiqësi të vazhdueshme.”[32] Kjo tragjedi me trojet shqiptare ndodhte kur ekzistonin raporte historiko-etnografike e memorandume jo vetëm nga përfaqësues elitarë nga kombi shqiptar si: Konica, etj., por edhe nga personalitete të paanshme botërore, të cilët argumentonin historikisht përbërjen kompakte etnike dhe origjinën historike të pandërprerë të popullit shqiptar. Kështu, në memorandumin e dërguar nga misionari amerikan Telford Erickson, i cili pasi argumenton me fakte dhe dokumente historike lashtësinë iliro-arbërore të shqiptarëve, pyet se: “Si mund të ndahet në mes kjo tokë antike dhe ky popull antik në mes aleatëve si një plaçkë luftë? Ne zotërinj kemi pas mësuar se drejtësia duhet të jetë guri themeltar i çdo rendi jetëgjatë në shoqërinë njerëzore.”[33]

Qasja ndaj problemit në fjalë nga ana e katër shteteve të Ballkanit dhe diplomacisë së Fuqive të Mëdha ishte qasje në frymën dhe atmosferën e nderë që mbretëronte para një kataklizmi të madh botëror, të cilën po e përgatisnin ata vetë.[34]

Pas konsumimit të historisë në luftra e konflikte etnike pa fund të këtyre shteteve, u duk sikur hasmëritë e vjetra gjetën njëfare paqe nën Jugosllavinë e Tito-s, i cili diti me shumë mjeshtëri t’i lëmonte ato. Pas vdekjes së tij gjërat ndryshuan, por ndërkohë Tito i kishte lënë trashëgim këtij territori një ndarje territoriale në mënyrë të tillë që nacionalitetet të mos përkonin me kufijtë e republikave duke sjellë konfliktet e luftrat e viteve ‘90 të shpjeguara më sipër. Për ironi të fatit, pikërisht në një rajon ku etniciteti dhe nacionalizmi zënë një vend parësor në kulturën e një populli, nuk do të zbatohen dy prej doktrinave mbizotëruese të shekullit të XX-të; ajo e së drejtës së popujve për vetëvendosje dhe ajo e barazisë së shteteve përballë së drejtës ndërkombëtare. Edhe sot e kësaj dite, Kosova është shembulli më i mirë dhe testi më i pastër se si komuniteti ndërkombëtar mund të transformojë një shoqëri pa eksperiencë në institucionet shtetërore në një shtet që funksionon.

1) Nacionalizmi, elitat politike dhe tranzicioni ballkanik

Tri fjalët kyçe të cilat mund të shpjegojnë konfliktet ballkanike, përveç faktorit ekonomik dhe atij të jashtëm, janë: nacionalizëm, konflikte etnike dhe elitë politike jo-efektive.

Nacionalizmi ishte ai që solli bashkimin e Italisë më 1861, atë të Gjermanisë më 1871 dhe shpërbërjen e perandorisë Austro-Hungareze më 1918. Ky proces ishte i sukseshem aty ku qeveritë dhe elitat qeverisëse ishin të konsoliduara dhe popullsia nuk ishte thellësisht e ndarë,[35] të dy këto elemente që mungojnë në background-in historik të Ballkanit Perëndimor. Kur nacionalizmi mbështetet edhe nga etniciteti, atëherë përzierja bëhet akoma më e rrezikshme. Një nga argumentet me të cilat Millosheviçi arriti të mobilizonte mbështetjen publike të popullit të tij në luftën kundër Kroacisë ishte kujtimi i krimeve të ustasheve kroate ndaj minorancës serbe gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe rievokimi i mitit të betejës së Kosovës e të djepit të kulturës ortodokse serbe në Pejë. Mitet e shkëputura nga e kaluara bëhen lehtësisht simbole rreth të cilave mobilizohen grupet etnike, duke legjitimuar dhunën ndër-etnike.[36] Këta dy faktorë nuk arrijnë të tejkalohen nga elitat politike, roli i të cilave është ai i neutralizimit të faktorëve destabilizues.

Në fakt, elitat politike ballkanase janë karakterizuar gjithnjë për nga dhënia e përparësisë ndaj interesit personal në drejtimin e zgjerimit të bazës së pushtetit që i ushqen e jo nga principi i “të mirës së përgjithshme”, kjo ndoshta për faktin se u është dashur gjithnjë të mbijetojnë në një ambjent kaq agresiv e të luhatshëm si ai i mozaikut të komplikuar ballkanik. Prandaj, dobësimi i pushtetit qendror i cili sjell gjithnjë një situatë pothuajse revolucionare pasi përcjell pasiguri ndërmjet një grupi kompakt e të mirëpërcaktuar dhe qendrës[37] do të jetë gjithnjë fatal për shtetet ballkanike. Në rastin e Ballkanit Perëndimor, grupet e mirëpërcaktuara të cilave u luhaten interesat dhe privilegjet do të jenë jo vetëm pakicat kombëtare, por edhe elitat të cilat do të heqin dorë shumë shpesh nga roli i tyre drejtues.

Jo më kot, eksperienca ka treguar se nga të gjithë vendet në tranzicion, ai i vendeve të Ballkanit Perëndimor ka qenë më i vështiri, ndoshta për shkak se këto vende e kanë pasur shumë të vështirë shkëputjen nga hijet e së kaluarës. Një prej arsyeve mund të jetë edhe fakti se akoma nuk është verifikuar një zëvendësim i plotë i elitave drejtuese. Në disa ambjente ekziston akoma nomenklatura e vjetër, ndërkohë që akoma nuk është kryer një studim dhe një përpunim kritik i së kaluarës komuniste ndërkohë që dominon një mentalitet populist dhe etnonacionalist. Rekuperimi i një mentaliteti europian në drejtimin e institucioneve demokratike dhe e shtetit të së drejtës, duket akoma i vështirë.

Sipas tezave provokuese të Huntington, popujve të Ballkanit juglindor të cilët kanë qenë nën sundimin osman u mungojnë disa arritje” të qytetërimit europiano-perëndimor si për shembull feudalizmi, rilindja, iluminizmi, revolucioni industrial e ai francez.[38] Disa historianë e kanë quajtur Ballkanin si Europa antike”, pra ajo pjesë e Europës ku historia ka filluar rreth dy mijë vjet më parë. Është interesant një këndvështrim tjetër i cili e quan territorin ku ka dominuar Perandoria Romake e Lindjes pikërisht si vendi ku është prodhuar ajo sintezë ndërmjet antikitetit klasik dhe krishtërimit nga njëra anë dhe e kulturës greke e traditës shtetërore romake nga ana tjetër, elementë këto që në fund të fundit janë në bazë të identitetit evropian.[39]

2) Siguria, integrimi dhe sfidat e shteteve të Ballkanit

Historikisht, Ballkani ka qenë një mjedis me rëndësi strategjike për Fuqitë e Mëdha, për shkak të marrëdhënieve Perendim-Lindje, Europe-Azi. Edhe në ditët e sotme pavarësisht nga ndryshimet në Gjeopoltikën Ndërkombëtare, rajoni i Ballkanit për nga rëndësia mbetet në vëmendjen e fuqive më me influencë në botë. Me rënien e Perdes së Hekurt, pikërisht në këtë mjedis u zhvilluan konfliktet më të përgjakshme pas Luftës së II Botërore. Shkaqet konsiderohen komplekse, duke filluar nga ato historike, ndikimet kulturore, zhvillimet ekonomike, etj. Luftrat në ish-Jugosllavi çuan në krijimin e shteteve të pavaruara të Sllovenisë, Maqedonisë, Kroacisë, Bosnje-Hercegovinës, Malit të Zi, dhe Kosovës.

Duhet theksuar se krijimi i këtyre shteteve të reja, pavarësisht nga mënyra e shkëputjes së tyre, përmes luftës apo në mënyrë paqësore, ato mbartin kërcënime e rreziqe për sigurinë, parasëgjithash për shkak se marrëveshjet që i dhanë fund luftës në ish-Jugosllavi ishin të imponuara, dhe jo marrëveshje të negociuara në mes palëve, dhe se ato nuk mund të shërbejnë më gjatë për të ruajtur stabilitetin. Në këto kushte, siguria e rajonit varet kryesisht nga shkalla e integrimit të tij në institucionet Euroatlantike. Ajo që ne mund të dallojmë është fakti se me gjithë nivelet e ndryshme të zhvillimit të gjitha vendet e Ballkanit aspirojnë për t’u integruar në institucionet Euro-Atlantike, NATO e BE. Aktualisht, vetëm Greqia është anëtare e NATO-s e BE, Kroacia tashmë si anëtare e NATO-s  ecën drejt rrugës për në BE.

Për Bosnjen, rruga drejt është e një integrimi të shpejtë në dy institucionet europiane është e largët megjithëse së bashku me Malin e Zi dhe Serbinë i janë bashkuar Programit të PfP në fund të vitit 2006. Maqedonia ndonëse ka kohë që ka bërë hapa drejt BE, ajo humbi shansin për anëtarësimin në NATO në vitin 2009 ku pritej t’i bashkohej Shqipërisë e Kroacisë për shkak të mosmarrëveshjeve me Greqinë lidhur me emrin. Mali i Zi, një shtet i dalë nga shpërbërja e federatës Serbi-Mali i Zi ka avancuar në procesin e integrimit, PfP, liberalizimi i vizave, etj. Kosova, e cila shpalli pavarësinë në shkurt të vitit 2008, nuk çoi në destabilizimin e brendshëm siç disa kancelari europiane por edhe faktorë të tjerë mendonin dhe kishin frikë se do të ndodhte. Por gjithësesi, Kosova ka përpara shumë sfida për të zgjidhur si në planin ndërkombëtar, për t’u njohur ndërkombëtarisht e anëtarësuar në institucionet ndërkombëtare dhe planin e brendshëm ajo paraqet dobësi në zhvillimin ekonomik me gjithë progresin që ka.

Shqipëria, pavarësisht progresit të gjithanshëm që ka bërë në drejtim të konsolidimit të demokracisë, zhvillimit të ekonomisë së tregut, respektimit të së drejtave të njeriut, përpjekjeve të vazhdueshme për konsolidimin e institucioneve të pavarura, nuk mund të jetë e imunizuar nga problemet që rajoni i Ballkanit mbart mbi vete dhe sfidave që i paraqiten sigurisë për shkak të këtyre problemeve. Ndër kërcënimet për sigurinë në rajon do të evidentonim situatën në Bosnjë, udhëkryqin ku ajo gjëndet për shkak të bllokimeve të herëpashershme që iu bëhen formimit të qeverisë, në  Kosovë, veçanërisht problemi i Mitrovicës. Në Maqedoni, si shkak i moszbatimit të së gjitha pikave të marrëveshjes së Ohrit, dhe së fundi, kriza e ekonomisë greke të cilat kanë ndikim mbi mjedisin e sigurisë në rajon.

Ideja e ndarjes së Bosnjes do të çonte vendin padyshim në  një precedent të rrezikshëm dhe do të rindizte një konflikt të ri në Ballkan, duke çuar në një konfigurim të ri të hartës së Ballkanit. Po cilat janë mundësitë që aktualisht Bosnja ka në dispozicion që të mos ndodhë ndarja e saj, dhe në çfarë rrugësh mund të shkojë ajo? Bugajski paraqet opsionin e izolimit, konfliktit dhe modernizimit. Në opsionin e parë, kemi ruajtjen e status quo-së që do të thoshte të vazhdonte staniacioni ekonomik dhe politik i vendit me tendencë të ashpërsimit të ndasive etnike, dhe mungesë të rritjes ekonomike, kjo veçanërisht në Republikën Serpska, e cila ka një ekonomi tejet të centralizuar, dhe jo rentable, përkundrejt federatës Boshnjako-Kroate, e cila gjithësesi ka një aparat të fryrë administrativ, ku korrupsioni është alarmues. Në opsionin e dytë, Bugajski merret me përshkallëzimin e konflikteve, duke argumentuar se kjo do të ishte me pasoja për mosfunksionimin e qeverisë, rritjen e nacionalizmave, rënies ekonomike, etj., duke shtuar këtu edhe ndikimin në rajon në rast se konflikti do të çonte në ndarje të Bosnjes. Në kontekst më të gjerë ballkanik, ndarja e Bosnje-Hercegovinës do të nxiste një sërë kërkesash për secesione, pavarësi dhe bashkime me shtetet fqinjë.[40]

Konfliktet, për të cilat është menduar se janë zgjidhur tashmë, do të shpërthenin në sipërfaqe dhe do të tejkalonin kështu mundësitë e bashkësisë ndërkombëtare për ndërmjetësim dhe parandalim të krizës. Pamundësia e SHBA-ve dhe aleancës së NATO-s për të parandaluar konfliktet apo shpërbërjen e shtetit, mund të zbulonin dobësi të cilat mund të shfrytëzoheshin nga ndokush tjetër.” Opsioni i tretë mbetet ai i rrugës së vazhdimit të thellë të reformave politike dhe ekonomike në drejtim të plotësimit të standardeve për integrim. Natyrisht, ky është opsioni për të cilin SHBA dhe BE kanë investuar prej kohësh. Duke parë situatën aktuale, Bugajski thekson se Misioni i tanishëm ndërkombëtar për shndërrimin e Bosnje-Hercegovinës në një shtet funksional, i cili të jetë në gjendje të ecë në rrugën drejt integrimit euroatlantik duket qartë se ka dështuar,[41]

Megjithëse Bugajski e shikon zgjidhjen tek një Mision i fortë i BE i aftë për të realizuar zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit, një mision i cili të kishte funksione mbikqyrëse mbi udhëheqësit boshnjakë që ata t’i përkushtoheshin reformave, shikon edhe si opsion nëse kushtet në vend do të përkeqësoheshin me lejimin e përshkallëzimit të konfliktit duke qënë i bindur për problemet që ai mbart, me idenë se kjo do t’i ndërgjegjësonte liderët dhe opinionin publik të kërkonin gjetjen e një stabiliteti të qëndrueshëm afatgjatë, por jo vetem ata por edhe BE për marrjen e një roli më aktiv në lidhje me reformat për anëtarësim në gjirin e saj. “Asgjë nuk e fokuson më mirë vëmendjen e botës ndaj Bosnje-Hercegovinës sesa fara e rrezikut që mbart ky shtet për fillimin e një konflikti ndërballkanik. Ndoshta, opsioni i tretë është i arritshëm vetëm nëpërmjet kërcënimit real të opsionit të dytë.”

Kosova, shteti më i ri në botë, me aspiratën për integrim në strukturat Euroatlantike, është një vend i pakonsoliduar në pikëpamje të shtetit ligjor e një demokracie funksionale. Veçanërisht, shtrirja e autoritetit shtetëror në të gjithë territorin mbetet ende një problem edhe rajonal. Mitrovica, për shkak të strukturave paralele serbe që veprojnë, mbetet një vatër tensioni permanente. Në këtë kontekst, ushtrimi i autoritetit të shtetit të Kosovës në të gjithë territorin do të ishte vendimtar që Kosova të zhvillohej si një shtet sovran, që respekton të drejtat e të gjithë qytetarëve të saj.

Analiza që shumë studiues kosovarë dhe të huaj i kanë bërë zgjidhjes së problemit të Mitrovicës ka konsistuar në dhënien e opsioneve të ndryshme që fillojnë nga përdorimi i elementit ushtarak, ekonomik, dhënia e autonomisë lokale, shkëmbimi i territoreve, deri tek e drejta e për vetëvendosje të popujve. Sipas Fehmi Ramadanit, sociolog, publicist kosovar, ai paraqet katër opsione për zgjidhjen e çeshtjes së Mitrovicës: Opsioni policor, ushtarak dhe policor, shkëmbimi i komunave të Leposaviqit dhe Zubin Potokut me dy komunat e jugut të Serbisë, Bujanocit dhe Preshevës, dhe integrimi i rajonit.[42] Sipas Z. Bexhet Pacolli, zgjidhja e problemit të veriut të Kosovës do të ishte përmes shpalljes së saj si “zonë e lirë ekonomike” nëpërmjet së cilës do të tejkalohen ndasitë etnike.”[43] Sipas tij kjo do të sillte si përfundim punësimin e banorëve, dhe asgjë më shumë në pikëpamje të ruajtjes së integritetit të Kosovës.

Kjo ide, mendoj se do të thotë të ruash status quo-në duke shpresur se kjo do të ndryshojë si çdo proces me kalimin e kohës, por kahja e saj mbetet e pa argumentuar ose disi jo racionale. Parë në mënyrë objektive, si nga pikëpamja e burimeve njerëzore e materiale, kapaciteteve si dhe reputacionit ndërkombëtar, e lidhjeve të Serbisë me botën besoj se edhe për shumë kohë Kosova nuk do të jetë më atraktive se sa Beogradi për serbët. Në këtë kontekts, opsioni i sovranitetit përmes integrimit duket paradoksal. Rexhep Qosja thekson se problemin e veriut të Mitrovicës mund ta zgjidhin ndërkombëtarët si në kuadër të ruajtjes së tërësisë territorial të Kosovës ashtu edhe në kuadër të marrëveshjes me Serbinë e shkëmbimit të territoreve të veriut të Mitrovicës me luginën e Preshevës. “Sikur të bëhej kjo në mënyrë vullnetare që Lugina e Preshevës t’i bashkohej Kosovës dhe si kompensim për këtë të bëhej një lëkundje e kufirit të Kosovës në veri, çka ka të keqe këtu?” [44]

Nr Opsionet Kosova Ndërkombetaret Serbia Rezultati
1 Ndërhyrje ushtarake + + +
2 Shkëmbim territoresh +
3 Zonë e lirë ekonomike
4 Statukoja +

 

Kosova tashmë e njohur ndërkombëtarisht nga shumica e vendeve të BE dhe SHBA, si një shtet sovran ka të drejtën legjitime të vendosë autoritetin e saj në të gjithë territorin pavarësisht çmimit të përkohshëm që mund të paguajë.

Maqedonia e Veriut, në përpjekjet e saj për tu anëtarësuar në NATO dhe BE ndeshet me dy sfida, të cilat duhen trajtuar me kujdes. Sfida e parë është sfidë e brendshme që ka të bëjë me zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, 13 Gushtit 2001, si dhe zgjidhjen e problemit të emrit me Greqinë, e cila do t’i sjellë pengesa në proceset integruese të saj, me efekte edhe në rajon. Sfida e brendshme do të jetë zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit, vonesat në zbatimin e saj do të ishin si një minë më sahat e cila mund të shpërthente në çdo kohë.

Republika e Shqipërisë si shteti amë i shqiptarvve në rajon gjithmonë ka qenë faktor stabiliteti. Sipas Vlerësimit të Shkallës së Stabilitetit në rajon, ekipi i vlerësimi e rendit Shqipërinë në vend të parë në lidhje më marrëdhëniet rajonale duke e vlerësuar me notën 8, vlerësim të cilin Greqia e ka 4, Bullgaria 7, Rumania 7, Sllovenia 7,  Kroacia 7,  Serbia 4, Maqedonia 6, Bosnja 4, Mali i Zi 7, dhe Kosova 4.[45]  Po ky, Ekipi i Vlerësimit duke marrë në konsideratë edhe faktorë të tjerë si përfaqësimin në institucionet multilaterale, rreziqet nga ndërhyrjet e jashtme, si dhe reputacionin ndërkombëtar ku Shqipëria vleresohet me 8 së bashku me Rumaninë, Greqinë, dhe Slovenia me 9. Duke marrë në konsideratë të gjithë faktorët e mësipërm Shqipëria renditet e dyta me vlerësimin total pikësh 92 së bashku me Rumaninë pas Sllovenisë e cila është vetëm dy pikë më lart 94. Padyshim që kjo është një meritë e politikës shqiptare në rajon duke i evidentuar ata si faktorë paqe e stabiliteti. Veçanërisht ky imazh është forcuar pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Por historia dhe zhvillimet duket se u kanë rezervuar edhe një rol tjetër në Ballkan, jo vetem si faktorë sigurie që buron nga politika e jashtme e Republikës së Shqipërisë, por edhe si aktorë destabiliteti në shtetet ku ata jetojnë për shkak të moszhvillimeve demokratike nga pengesat nacionaliste të ushqyera më së shumti nga liderë me mentalitete të së shkuarës. Përsa kohë shqiptarët në Serbinë jugore, Maqedoninë perëndimore, nuk do të jenë qytetarë të barabartë të vendeve respektive, ato do të përballen me ngadalësim të proceseve integruese si dhe premisat për destabilitet do të jenë në përpjestim me mungesën e të drejtave të shqiptarëve. Kjo do të çonte gradualisht që popullsia shqiptare t’i drejtohej opsionit të vetëvendosjes çka do ta rrezikonte ekuilibrin e brishtë në Ballkan.

3) Gjeopolitika, integrimi euroatlantik dhe analiza e konflikteve

Megjithë ndryshimet që ka pësuar rajoni i Ballkanit, situata e sigurisë ende mbetet e brishtë. Problemet e sigurisë në rajonin tonë varen kryesisht nga shkalla e integrimit të tij në institucionet euroatlantike. Në këtë kuptim, anëtarësimi i vendeve të rajonit në NATO dhe BE, do të kondicionohej me plotësimin e standarteve të një shoqërie demokratike, karakteristikë e të cilave është bashkëpunimi i gjithanshëm me interes reciprok, dhe shanset për konflikt humbasin. Sipas teorive të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, shtetet demokratike kanë pak shanse për të hyrë në konflikt me njëra-tjetrën.

Shqipëria është parë nga faktori ndërkombëtar më së shumti si asnjëanës lidhur me problemet e shqiptarëve në rajon, por kjo në të vërtet nuk përbën kontribut për sigurinë. Përkundrazi, kontribut do të ishte ndërtimi i strategjive me qëllim unifikimin e interesave të shqiptarëve në planin e brëndshëm, duke u dhënë mundësinë atyre të zgjedhin dhe të marrin në konsideratë balancën e fuqisë në rajon, në rast se interesat e tyre nuk plotësohen në shtetin ku ata jetojnë. Kjo kërkon parasëgjithash përdorimin e elementeve soft power, të cilat nuk bien ndesh me të drejtat ndërkombëtare, dhe aq me pak të bëhen rrezik për fqinjët. Mënyrat dhe mjetet mbetet të përcaktohen nga kjo strategji, duke marrë në konsideratë pa dyshim, çfarë e kërcënon implementimin e saj.

Kur përmendet fjala siguri çdokujt i vjen ndër mend mbrojtja e shtetit apo e rendit publik me anën e forcave të armatosura, diplomacisë, shërbimeve informative, etj. Ky është një gjykim i shëndoshë, për faktin sepse tradicionalisht me sigurikuptohet ruajtja e integritetit të shteteve sovrane, me anë të mjeteve ushtarake, diplomacisë dhe aleancave ushtarake ndërshtetërore, siç është NATO-ja. Megjithatë sot Ballkani përballet me një sfidë të përbashkët shumë serioze: “sfida e imazhit negativ rajonal që e ka karakterizuar historikisht dhe që ka ardhur duke u përkeqësuar edhe në njëzetë vitet e fundit.

Rajoni i Ballkanit ka prodhuar tri luftra lokale siç janë: Lufta e Parë Ballkanike (1912), Lufta e Dytë Ballkanike (1913), ka provokuar Luftën e Parë Botërore me vrasjen e Princit të Habsburgëve në Sarajevë (1914), ka marrë pjesë në mënyrë kontraverse në Luftën e Dytë Botërore, është karakterizuar nga pozicione tri dimensionale gjatë Luftës së Ftohtë (formula 2+2+2) dhe, së fundi, bëri një shpërbërje të dhunshme plot konflikte e luftra të ish-Jugosllavisë. Pas shpërbërjes së Jugosllavisë, Ballkani ka pasur një mungesë të theksuar sigurie si rezultat i problematikës së njohur.

Formimi dhe stabiliteti i institucioneve demokratike i vendeve të Ballkanit, konfliktualiteti politik i brëndshëm i këtyre vendeve, perceptoheshin si një kërcënim apo destabilizim i mundshëm, për sigurinë dhe stabilitetin e brendshëm europian, por politika e viteve të fundit të vendeve të Ballkanit, është një rast konkret i normalizimit dhe zgjerimit të saj. Por akoma probleme të natyrës ekonomike e sociale, shkalla e lartë e varfërisë në vendet e Ballkanit, funksionimi i dobët i ekonomisë së tregut të lirë, ekzistenca e një tregu të fuqishëm informal, vonesa e ndjeshme e këtyre vendeve, është një pengesë për t’u futur në tregjet globale.

Menaxhimi i lëvizjes ndërkufitare, lidhur me elementët e mundshëm terroristë, me kontrabandën, drogën, trafikimin e qënieve njerezore, është një nga kërcënimet reale për sigurinë e vendeve të veçanta dhe ato rajonale, drejt synimit të krijimit të një zone kompakte sigurie ballkanike. Kjo është dhe çështja më kritike lidhur me proceset integruese të vendeve tona, sidomos përsa i përket lëvizjes së lirë, (vizat Shengen). Ballkani, ka një pozitë gjeo-strategjike të tillë që e rrit vulnerabilitetin e saj ndaj kërcënimeve dhe rreziqeve të mësipërme, (por ky konsiderohet dhe si një oportunitet potencial për rritjen e shkallës integruese rajonale).

Vetëm pak dekada me parë situata e sotme gjeopolitike në Ballkan ishte e paimagjinueshme për më skeptikët dhe e largët për më optimistët. Për shumë vite rajoni i Ballkanit ka qenë i ndarë mes faktit të të ekzistuarit vetëm si pjesë fizike periferike e hartës së Evropës dhe vokacionit të saj për të qenë pjesë integrale e entitetit historik, kulturor, gjeografik të cilit i ka përkitur gjithmonë, por që si pasojë e së shkuarës së dhimbshme të shënuar nga pushtime të shumta e të gjata, luftra, sakrifica, e përpjekje për të mbijetuar, pse jo edhe rrethanave gjeografike ka përjetuar një realitet të ndryshëm.

Gjithsesi, aktorët rajonalë të Ballkanit, por edhe aktorë të tjerë, kanë pasur dhe kanë interesa gjeopolitike konfliktuale, prandaj problemet rajonale do të vazhdojnë të kërkojnë vëmendje në mijëvjeçarin e ri. Konfigurimi gjeopolitik i Ballkanit mund të thuhet se është akoma i papërfunduar për sa kohë që në rajon të mbeten pezull një sërë çështjesh që mund të rikthejnë vorbullën e dhunës.

Si pika më të nxehta mund të përmenden Bosnje-Hercegovina, Mitrovica (Veriu i Kosovës) si dhe vazhdimi i represionit ndaj shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë por edhe problemet etnike në Maqedoni. “Në këtë botë mund të ndodhin gjithfarë gjëmash, por është e vështirë që një popull ballkanas të thyhet nga një tjetër popull ballkanas. Kur popujt e gadishullit të ndërgjegjësohen për këtë të vërtetë, kur ata të kuptojnë se i vetmi shans për ta është e kundërta e konfliktit, ata do të vihen vërtetë në rrugën e shpresës.”[46]

Sikurse edhe më herët gjatë historisë, konfigurimi gjeopolitik i Ballkanit është bërë sipas interesave dhe ndikimit të fuqive dominuese të kohës. Fatmirësisht, këto fuqi dominuese sot janë ato forca demokratike që përveç që sollën paqen në Ballkan, tani nëpërmjet integrimeve ekonomike dhe ushtarake po krijojnë një stabilitet ekonomik dhe të sigurisë në rajon.

Ballkani tani është plotësisht i orientuar drejt Bashkimit Evropian, drejt kësaj organizate ku ata e shohin perspektivën e tyre ekonomike. Edhe BE-ja është zotuar për zgjerimin e saj në drejtim të Ballkanit Perëndimor, pra, të përfshirjes në gjirin e saj edhe të atyre shteteve që ende nuk janë të anëtarësuara në këtë organizatë. Gjithashtu, ajo që është pozitive në një analizë të sigurisë në Ballkan, është fakti se të gjitha shtetet pa përjashtim kanë shprehur interesimin e tyre për anëtarësimin në paktin NATO. Klima e volitshme ekzistuese e sigurisë e krijuar në këtë rajon është edhe meritë e shtrirjes së Aleancës Veriatlantike si dhe anëtarësimit në të të numrit më të madh të shteteve të Ballkanit.

Gjeopolitika e vendeve të rajonit, nuk ndikohet vetëm nga zhvillimet ndërshtetërore të vendeve të saj, por edhe nga ndikimi në mënyrë direkte i Fuqive të Mëdha nëpërmjet institucioneve ndërkombëtare politike, ekonomike dhe ushtarake. Ky problem përcillet nga historia[47] dhe ende vijon të jetë i pranishëm.

Sfidat ndaj sigurisë në Shekullin e Ri janë të natyrave të ndryshme dhe jo vetëm ushtarake, prandaj përballimi i tyre kërkon kontribute kolektive si të shteteve të rajonit gjithashtu edhe të komunitetit ndërkombëtar si dhe bashkërendim të aktorëve ushtarakë dhe civilë. Pra, nga analiza gjeopolitike që i bëhet rajonit mund të arrihet në përfundimin se ende ekzistojnë rreziqe të ndryshme që janë kërcënim jo vetëm për Ballkanin, por edhe për sigurinë evropiane. Ballkani tanimë ka hyrë në një rrugë të re, në atë të ndryshimit. Kjo frymë e re ka një bazë të gjerë ku mbështetet pasi Ballkani tashmë pas dhjetë vjet luftrash shkatërruese, problemesh të mëdha e të vogla, ngatërresash të të gjitha llojeve ka për herë të parë një pikëpamje të përbashkët. Është shumë me rëndësi që:

– Të gjitha vendet e rajonit kanë një sistem politik demokratik dhe kanë në themel ekonominë e tregut të lirë.

– Të gjitha vendet e rajonit pa përjashtim aspirojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

– Të gjitha vendet e rajonit pa përjashtim ose janë anëtare ose aspirojnë aktivisht anëtarësimin në NATO.

– Në mënyrë moderne, të gjitha vendet e rajonit pa përjashtim janë përfshirë në iniciativa rajonale të përbashkëta me të vetmin qëllim, zhvillimin, prosperitetin e ekonomisë, mirëqenies, paqes dhe sigurisë në vetë Ballkanin por edhe më gjerë. Arritja e objektivave politike e strategjike nga vendet e Ballkanit për integrim të plotë në BE dhe NATO, për ruajtjen e paqes e sigurisë është një angazhim sa individual aq dhe kolektiv.

Procesi i integrimit në strukturat evropiane dhe ato euroatlantike, është një proces i pa kthyeshëm për vendet e rajonit, për të cilat kërkohet një punë jashtëzakonisht e madhe në forcimin e konsolidimin e demokracisë, në forcimin e ekonomisë si dhe në bashkëpunimin rajonal me qëllim krijimin e një ambienti të volitshëm të sigurisë dhe mirëqënies. Nismat Rajonale të ndërmarra nga këto vende nuk janë gjë tjetër veçse marrëveshje bilaterale dhe multilaterale të monitoruara nga Institucionet prestigjioze Ndërkombëtare për ruajtjen e paqes e të sigurisë në rajon, për zhvillimin e tyre në të gjitha fushat si dhe për anëtarësimin e tyre, sa më parë në të gjitha Institucionet Ndërkombëtare. Prandaj, bashkëpunimi kërkon përshpejtimin e reformave ekonomike por edhe të fushave të tjera, siç janë: thellimi i luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafiqeve të të gjitha llojeve, si dhe zhvillim më tej të infrastrukturës së bashkëpunimit.

Profesori i njohur Walter Johnson, që ka më shumë se 20 vjet eksperiencë si shkencëtar profesionist, i cili shërbeu në Shtetet e Bashkuara në Trupat e Marinës, thotë: Analiza strategjike e konfliktit është një pjesë e politikës krahasuese. Kjo është një ide shumë e thjeshtë në teori, ku një konflikt specifik është analizuar në lidhje me shkaqet dhe pasojat e mundshme. Analiza duhet të jetë specifike për konfliktin dhe duhet të përfshijë një sasi të konsiderueshme të të dhënave historike në terren mbi grupimin aktual të luftëtarëve. Sipas tij, ekzistojnë katër lloje të analizave bazuar në modelet teorike të cilat mund të aplikohen për lloje të ndryshme të konfliktit. Njëra është analiza ekonomike. Kjo supozon se motivet për dhunën janë të bazuara në një ndjenjë e diskriminimit ekonomik apo statusin jo të favorizuar.

Një tjetër qasje ka të bëjë me një ndjenjë më të përgjithshme të ankimit. Dhuna ndodh, sepse grupet e ndjejnë veten qytetarë të dorës së dytë, drejtuar nga një qeveri që është e huaj në një kuptim. Shumë qasje të kërkojnë për të kombinuar nivelet e ndryshme ku është e aplikueshme.

Së fundi, nuk është modeli dinamik që parashtron se shkaqet e dhunës dhe pozicionet e saj si lufta.

Në bazë të kësaj analize strategjike të konflikteve në Ballkan që e studiuam për konfliktet e fundit del se p.sh. mësymja serbe në Drenicë pati tri pasoja që Millosheviçi me siguri se kishte parashikuar. Së pari, UÇK-ja erdhi duke u bërë dita-ditës më e fuqishme, sepse mijëra të rinj shqiptarë mbushën radhët e saj, Së dyti, Evropa Perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara u përfshinë më shumë në çështjet e këtij konflikti. Së treti, stabiliteti rajonal u turbullua nga polarizmi i shoqërisë malazeze dhe nga ngritja e tensionit në vendet fqinje, sidomos në Shqipëri e në Maqedoni. Por, kësaj i shtohet edhe se Kosova ka pozitë qendrore në Gadishullin Ballkanik. Edhe pse territor i vogël, pozita gjeografike e Kosovës ka luajtur një rëndësi të madhe gjeopolitike dhe gjeostrategjike. Kosova ka një përbërje homogjene etnike. Shumica e popullatës është shqiptare, mbi 90%, të tjerët serbë, turq, malazias, romë etj.

Me të drejtën e popullit shqiptar të Kosovës për shtet stabil përballë shteteve përreth dhe stabilitetit në rajon lidhet mendimi juridik: “Qui iure suo utitur nemin facit iniuram” (Ai që shfrytëzon të drejtën e tij nuk i sjell askujt padrejtësi).

Në drejtim të argumentimit të pavarësisë së Kosovës si faktor stabiliteti shkojnë edhe ngjarjet e fundit në Kosovë, lufta e ashpër për pavarësi, vuajtjet, masakrat, tragjeditë dhe vetë intervenimi i NATO-s ishte në këtë funksion. Andaj, do të nënkuptonte një territor dhe rajon të qetë, pa dhunë dhe tragjedi dhe vetë misioni i NATO-s ka satisfaksion dhe do të merrej si shembull për stabilitet të përjetshëm të Ballkanit.

Me mbarimin e Luftës së Ftohtë në bazë të kësaj analize strategjike dy kushte janë plotësuar, roli i Bashkimit Sovjetik në Evropën Qendrore dhe Lindore dukshëm është zvogëluar, roli i RF të Gjermanisë është rritur dukshëm, ndoshta jo në ndryshimin e gjërave, por sidomos në ruajtjen e status quo-së. Për herë të parë, të dy vendet janë vënë në pozitë që të mos shohin zgjidhjen e problemeve përmes forcës ushtarake jashtë kufijve të tyre nacionalë. Mendoj se një shembull të tillë për stabilitet në rajon duhet ta ndjekë edhe Serbia, e që do tregojë gatishmëri për momentin kur është në pyetje tërësia territoriale e KOSOVËS.

Anëtarësimi në BE është zgjidhje për shmangie të konflikteve, aksione të përbashkëta për të mirat kolektive ekonomike dhe politike, si një përvojë e parë në shtetet fqinje të Evropës perëndimore pas luftrave të fundit në Ballkan. Kjo e rrit besimin dhe si rezultat ka edhe sigurinë më të madhe. Balanci në rajon do të krijohej me këtë, sidomos në mes të shqiptarëve dhe serbëve, por edhe kroatëve, që në një mënyrë janë faktorë për ruajtjen apo prishjen e paqes në rajon. Praktikat e deritanishme kanë treguar se vetëm forcat e balancuara kanë krijuar paqen nga ndjenja e barazisë në mes tyre, por edhe kundërvënies në raste që njëra nga forcat e balancuara dëshiron të prishë paqen.

Njëherazi, argumente të mëdha legale, politike, strategjike dhe të sigurisë janë në favor të shqiptarëve dhe Kosovës. Siguria për popullin e Kosovës do të ishte plotësim i një të drejte natyrore, historike, demografike, legale, demokratike dhe mbi të gjitha satisfaksion për vuajtjet shekullore të këtij vendi dhe këtij populli dhe ndërtimi i perspektivës për ata dhe gjithë regjionin.

Lufta e Kosovës tregoi se aleanca midis evropianëve dhe amerikano-veriorëve, pasi përmbushi detyrën mbrojtëse në lidhje me kërcënimet për një sulm në shkallë të gjerë, që mund të kryhej me armë konvencionale, ende mund të përfaqësojë një mjet efikas që garanton sigurinë ndaj kërcënimeve të reja që rëndojnë mbi bashkësinë ndërkombëtare. Kontributi sigurisht do të përmirësohej sikur evropianët të bashkëpunonin burimet e tyre, ndarja e të cilave bie ndesh me teknologjinë e sotme ushtarake.

Në fakt, gjatë zhvillimit të operacioneve ushtarake, sipas Carlo Scognamiglio Pasini[48] u vunë re mangësi të theksuara në efektshmërinë e kapacitetit të forcave evropiane, që do të mund të eliminoheshin vetëm nëpërmjet grumbullimit të të ardhurave në një sistem mbrojtës evropian.

Si tregues do të sjell disa nga të dhënat, nxjerrë nga fushata e bombardimeve në Kosovë, që lidhen me forcat ushtarake evropiane:

  1. Ofensiva e aleatëve u realizua me një numër mjetesh që arritën shifra maksimale, deri në 900 avionë.[49] Ndonëse numri më i madh i tyre përbëhej nga avionë dhe ekuipazhe amerikane, forca relativisht ka qenë shumëkombëshe, sepse në të morën pjesë forcat holandeze, franceze, italiane, angleze, belge, kanadeze, spanjolle, turke, norvegjeze dhe gjermane. Administrimi i shtabit, i kontrollit dhe i mjeteve të komunikimit, në një operacion kaq kompleks, që kreu 36.000 misione[50] dhe dhjetra e qindra furnizime në ajër, ka qenë në fakt një mënyrë administrimi e integruar, – dhe e kryer shumë mirë, – nga shtabi operativ i NATO-s që ndodhej në Vinçenca, ku bënin pjesë ushtarakët nga vende të ndryshme të Evropës, duke filluar që nga shefi i saj, gjenerali Italian Leonardo Trikariko. Megjithatë, kjo u arrit vetëm në sajë të gatishmërisë që treguan amerikanët për të marrë pjesë në operacionet ushtarake. Në rast të kundërt, forcat evropiane nuk do të mund të vepronin me një sistem të integruar. Me fjalë të tjera, vetëm një pjesëmarrje aktive e SHBA-së mund të lejonte kalimin e forcave kombëtare të veçanta në një sistem të integruar të aleancës. Në këto rrethana, një veprim i ndërmarrë vetëm nga evropianët, do të rezultonte në mënyrë të pakrahasueshme më pak i efektshëm, jo vetëm për numrin e pakët të forcave, por sidomos për cilësinë që sistemi i integruar i përdorimit të forcave garanton në funksion të shtabit, të kontrollit dhe të mjeteve të komunikimit.
  2. Fakti që evropianët zotërojnë pajisje shumë të thjeshta në fushën e zbulimit elektronik, është tepër e njohur. Duke parë se evropianët kanë mungesa të theksuara të pajisjeve të zbulimit satelitor, të avionëve spiun U2 të lartësive të mëdha, të radarëve të tipit Awacas, të instaluara nëpër aeroporte që kontrollojnë hapësirën ajrore, të sistemeve të kontrollit ajror tip Star për mbikqyrjen e fushës së betejës (AGS), kontributi i tyre, ndonëse jo ekskluzivisht, është përqendruar te përdorimi i avionëve pa pilot (UAV) që vepronin nga territoret e shteteve fqinje me Kosovën. Megjithatë, numri i tyre i kufizuar dhe mundësia për t’u goditur lehtë nga kundërajrorët e avionëve gjuajtës-bombardues të aleatëve, bënë që kontributi i evropianëve për mbikqyrjen, për mbulimin e objektivave dhe për drejtimin e sulmeve ajrore të aleatëve, të ishte me një fjalë modest. Kjo nuk i pengon këto lloj pajisjesh që të përmirësohen nga ana cilësore dhe sasiore, megjithëse mjetet ajrore pa ekuipazh mund të përbëjnë vetëm një pjesë të zgjidhjes së çështjes të një zbulimi të përshtatshëm. Pra, pa kontributin e SHBA-së, aviacionit evropian për të zbuluar vendndodhjen e objektivave, do t’i duhej të vepronte me sisteme të kufizuara, që nuk ishin të përshtatshme për të administruar aktualisht kohën e duhur dhe në tërësi fushatën ajrore në Kosovë.
  3. Ecuria e pakënaqshme e ditëve të para të fushatës ajrore nuk erdhi nga shkaqe taktike po nga kushtet atmosferike. Faza e parë e fushatës, objektivi i së cilës ishte përqendruar në kontrollin dhe shkatërrimin e sistemeve kundërajrore armike, zgjati vetëm pesë ditë, nga 24 deri më 29 mars. Në fazën pasardhëse, që pati si qëllim shkatërrimin e forcave ushtarake serbe, dominoi moti i keq. Nga 21 netë, vetëm 7 ishin të kthjellta, duke lejuar që objektivat të përcaktoheshin me lehtësi dhe t’i shkatërronin me përdorimin e armëve konvencionale ose me rreze komanduese laser, duke pakësuar mundësinë për të shkaktuar viktima. Sidoqoftë, pajisja me rezerva armësh me precision, për evropianët ishte shumë e kufizuar.
  4. Por, 80% e bombardimeve u kryen nga aviacioni amerikan.[51] Nga kjo pikëpamje duhet parë edhe pohimi i ministrit të mbrojtjes britanike, George Robertson, (më pas Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s) sipas të cilit, evropianët kanë kontribuar vetëm një të pestën në fushatën ajrore.
  5. Një tjetër e metë e evropianëve ishte edhe numri i pakët i mjeteve ajrore që mbështetnin sulmin, veçanërisht furnizimet në ajër. Edhe këtu pasqyrohet qartë koncepti strategjik i prapambetur mbi të cilin janë krijuar forcat evropiane.
  6. Dhe së fundi, arritëm te çështja që i përket pjesëmarrjes së forcave ushtarake në operacione të kryera jo tërësisht me mjete ajrore. Është mëse e vërtetë se, duke marrë parasysh forcat e angazhuara sot në Ballkan, raporti midis kontributit amerikan dhe atij evropian ka ndryshuar (rreth 2/3 u takon evropianëve dhe ½ amerikanëve).

– Përkundër faktit se intervenimi i NATO-s në Kosovë duket i kufizuar (janë vetëm 78 ditë të veprimit ushtarak të NATO-s) dhe kohërisht jo shumë e largët, kurse për ngjarjet historike thuhet se kërkohet distancë kohore për ta krijuar tërësinë e saj. – Shqyrtimi dhe analizimi i fakteve historike që kanë krijuar problemin e Kosovës, në kuadër të çështjes së pazgjidhur shqiptare, ishte një periudhë historike më shumë se njëshekullore. Në planin metodologjik, sinteza e tërë hulumtimit ishte mjaft e papërshtatshme.

Shqyrtimi i materialeve ka filluar që nga konferencat ndërkombëtare për çështjen shqiptare, që nga Kongresi i Berlinit, i cili copëtoi tokat shqiptare, deri të Konferenca e Rambujesë, që ishte konferenca e parë ndërkombëtare për Kosovën, në të cilën filloi të zgjidhet problemi i Kosovës, në historinë njëshekullore të pushtimit të saj. Materialet e këtyre konferencave ndërkombëtare dëshmojnë se aty janë vendosur çështje të rëndësishme të jetës historike të popullit shqiptar, jo vetëm pse ato bënin historinë e jetës së një populli, por sepse në to ishte vendosur fati i tij. Rruga e jetës historike të popullit shqiptar, që ishte përcaktuar në konferencat ndërkombëtare, kushtëzoi formimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në fund të shekullit njëzet, në njërën anë, e cila bëri luftën e fundit çlirimtare në Evropën demokratike, si dhe kushtëzoi ndërhyrjen e NATO-s mbi caqet ushtarake e policore serbe në Kosovë dhe në Serbi, në anën tjetër.

Krijimi i rrafsheve shqyrtuese të raporteve shkak-pasojë për ngjarjet historike që nga Kongresi i Berlinit (1878), deri te Konferenca e Rambujesë (1999), për jetën historike të shqiptarëve si popull dhe të problemit të Kosovës si pjesë e historisë kombëtare, përkundër përkushtimit, përherë lë hapur shumë dilema. Dilemat nuk e dëmtojnë tërësinë e rrjedhës së ngjarjeve historike. Shkrimtari ynë i madh, Ismail Kadare, ka thënë se gjatë shkrimit faktet janë torturuese, për arsye se është vështirë të hiqet dorë nga citimet. Ka një ngushëllim në tërë këtë proces, sidomos kur bëhet përpjekje të mos shtrembërohen të dhënat dhe faktet që mundësojnë krijimin e tërësisë së ngjarjeve historike.

III. SHPËRBËRJA E JUGOSLLAVISË DHE REALITETET E REJA HISTORIKE

Në tërësinë e ngjarjeve që janë shqyrtuar, doemos është trajtuar edhe shpërbërja e Jugosllavisë. Varësisht se cilat anë të çështjes janë trajtuar, janë vënë në pah rrjedhat historike të aktit të shpërbërjes, që janë disa:

Së pari, ai shtet ishte krijuar artificialisht. Është theksuar me të drejtë se është krijuar për llogari të koniukturave të ndryshme të politikës ruso-evropiane.

Së dyti, ai shtet ishte varr i popujve, veçmas i shqiptarëve. Përkundër këtij konstatimi, mund të dëshmohet me fakte se brenda asaj krijese janë krijuar realitete të reja historike.

Së treti, duke shqyrtuar shpërbërjen e Jugosllavisë, është hetuar krijimi i qëndrimit të ri botëror ndaj Ballkanit, sidomos ndaj çështjes shqiptare, qoftë edhe pa e përmendur fare, qoftë edhe përmes rrugëve anësore, por trajtimi i këtyre çështjeve ka qenë i vazhdueshëm.

Së katërti, përgjakja e popujve të tjerë gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë ishte program shtetëror i Serbisë, në të cilin ishte planifikuar që Kosova të zhbëhej fare me popullsinë autoktone shqiptare.

Prandaj, nuk është rastësi, sigurisht, se në një pjesë të këtyre periudhave historike nëpër të cilat ka kaluar problemi i Kosovës dhe i çështjes së pazgjidhur shqiptare në Ballkan, mund të jetë kjo temë e së ardhmes, kur proceset historike janë hapur me luftën e UÇK-së.

Kanë kaluar 100 vjet që përfunduan luftrat ballkanike dhe po aq vite nga vizita që bënë anëtarët e Komisionit Cornegier në atë rajon, si dhe afro 12 vjet nga përfundimi i luftrave të fundit. Parë nga aspekti kohor, periudha e viteve 1912-1913 duket një kohë shumë e shkurtër, por, në fakt, nga pikëpamja e ngjarjeve luftarake e diplomatike është periudhë e vrullshme në historinë e këtij gadishulli. Ku për çdo muaj, javë e deri ditë zhvilloheshin ngjarje të shumta dramatike, pasojë e së cilës, edhe pas 100 viteve të shpalljes së pavarësisë filloi të zgjidhej së pari, me fitimin e Pavarësisë së Kosovës, anëtarësimi në NATO i Shqipërisë. Tani shqiptarët kanë hapësirën e tyre në Ballkan shumë të rëndësishme me atë shtat që e meritojnë prej kohësh. Parë në një kah, është vendosur ekuilibri apo drejtpeshimi i prishur.

Duke depërtuar në të vërtetat e historisë së Ballkanit, bindemi se e drejta është me popujt e rajonit dhe veçmas shqiptarëve.[52] Kuptohet Evropa, e cila me të drejtë është gjykuar përfillëse, më shumë se mospërfillëse ndaj Ballkanit, veçmas ndaj Shqipërisë, tani ka korrigjuar shumë gjëra, bile themelore. Ajo së bashku me NATO, SHBA e ndihmoi kombin shqiptar në një luftë të armatosur për të mbrojtur të drejtat e tij. Vijimi i kryengritjes përfundimtare, këtë herë do të jetë fryt i përcaktimit të krerëve të Lëvizjes Kombëtare, të mbledhur në Stamboll (shkurt 1912), në Taksim. Arritja e madhe shqiptare e gushtit 1912, shënon ndërlidhjen e parë të suksesshme të bashkëveprimit politik me atë të rezistencës së armatosur, si dhe drejtimin e saj nga një qendër kombëtare e udhëhequr nga elita e patriotëve intelektualë të përfshirë në lëvizjen kombëtare shqiptare.

Kemi rastin e perceptimit të realizimit të një strategjie nga një lidership kombëtar që nuk manipulohet e keqpërdoret nga qarqe e aktorë të tjerë në dëm të interesave kombëtare. Në këtë situatë sprove të aksionit luftarak shkëlqeu aksioni brilant diplomatik i lidershipit politik të udhëhequr nga Ismail Qemali, në puqjen e shansit të interesit austriak e disi të atij italian, të çojë në aktin madhor, atë të pavarësisë kombëtare si akti i parë i objektivit strategjik madhor kombëtar, Pavarësia u quajt kombëtare dhe me këtë ajo i bëri një shërbim të madh Kombit Shqiptar, në të kundërtën pasojat gjeopolitike do të ishin fatale.

Akti dytë i këtij objektivi madhor strategjik pa dyshim është Pavarësia e Kosovës. Për arritjen e saj u bë një investim prej disa dekadash, përmes aksionit politik, diplomatik e luftarak me angazhimin e aktorëve kryesorë shqiptarë, që krijoi një mjedis të ri strategjik, ku shqiptarët shihen si një aktor gjeopolitik me ndikime strategjike në rajon sikurse Serbia dhe Greqia, tek të cilët strategjia e shmangies apo e likuidimit të çështjes shqiptare pothuajse është shmangur.

Në këndvështrimin e elitës kombëtare shqiptare, çështja kombëtare nuk konsiderohet asnjëherë e mbyllur në çdo fazë dhe vektorë (përbërës) të saj në kundërshtim me disa shkolla ndërkombëtare, sidomos ballkanase e ruse, se Pavarësia e Kosovës mund ta konsiderojë të mbyllur çështjen shqiptare. Pavarësia e Kosovës i jep jetë gjeopolitikës kombëtare shqiptare, çon drejt shuarjes së impakteve e vendimeve të konferencave të mëparshme të shek. XIX e XX, me pasojat e njohura tragjike ndaj çështjes shqiptare.[53]

Integrimi i shqiptarëve në BE nuk mund të thjeshtëzojë apo injorojë integrimin mbarëkombëtar. BE është e detyruar të lexojë edhe skenarët gjeopolitikë të shteteve ballkanike, të mbështetur dhe nga aktorë aleatë historikë.[54] Probleme të çështjes kombëtare shqiptare janë zgjeruar dhe janë qenësore, që duhen vlerësuar. Moszgjidhja e tyre mund të çojë në konflikte të armatosura. Që në 1918, Ismail Qemali paralajmëronte se: Paqja në Ballkan nuk mund të rivendoset pa iu shtuar Shqipërisë nga ana e veriut Kosova dhe nga ana e jugut Çamëria, nuk mund të shërohet qetësia në Sinisinë e Ballkanit.”[55]

Çështja kombëtare shqiptare pas pavarësimit të Kosovës parashtron një gjeopolitikë të re për avancimin e çështjes kombëtare shqiptare me prioritet hapësirën shqiptare nën zotërim nga aktorë jo shqiptarë (shtete të tjera). Ajo kërkon studim të vëmendshëm të hapësirës shqiptare nën aktorë jo shqiptarë, për të dhënë zgjidhje politike e strategjike e me një organizim unik administrativ e politik shqiptar. Dhe duke qenë se dy shtetet shqiptare kanë bërë përpjekje dhe kanë hartuar dokumente të strategjisë së sigurisë, përsëri kur vjen puna për çështjen kombëtare, interesin kombëtar, etj., shpesh trajtesa vuan nga retorika, etj.[56]

Rrethanat e kushtet e vitit 1912, tkurrën skajshmërisht hapësirën shqiptare dhe më keq. Vitet dhe dekadat më pas kultivuan një strategji pasive për hapësirë të imponuar. Ka ardhur koha ta kapërcejmë këtë paradigmë frenuese, sepse është jo e lehtë që mendësia e cila është mësuar ta shohë veten si fushë ndikimi të të tjerëve, të formojnë një fushë ndikimi të pavarur. Zgjatimi i këtij rinovimi psikologjik në kufijtë kombëtarë në ristrukturimin e politikës së jashtme, do të ishte përkufizimi i hinterlandit të vet, etj.[57]

Ne duhet t’u japim kuptim elementëve ku mbështetet fuqia e dinamizmit duke e qasur në këndvështrimin e ri, duke përcaktuar drejt veten si subjekt i historisë dhe jo si objekt çfarëdo, që detyrohet t’ia lëshojë veten rrjedhës, drejtuesve. Ne duhet të formësojmë elitën kombëtare dhe mbështesim ata që përkufizojnë identitetin e tyre me forcën psikologjike të pajisur me një optimizëm të buruar nga thellësia historike e gjeografike, të aftë të shpalosin një performancë strategjike, e cila të bëhet përcaktuese në proceset shndërruese progresive, të mbështesim fort ata që kuptojnë dinamikën e sistemit ndërkombëtar të marrëdhënieve, mes fushave lokale e globale, përgatisin truallin që “do t’i bënte brezat e ardhshëm subjekte të ndërruara e dinjitoze në histori.”

Në dobi të kësaj, ne duhet të dallojmë mirë kufijtë shtetërorë me kufijtë kombëtarë, etj. Kjo, kur dihet se territoret jashtë Shqipërisë politike të aneksuara nga fqinjët, kishin shembur jo vetëm komunikimin ndërmjet të gjitha viseve dhe kombit shqiptar, por dhe komunikimin njerëzor gjithfarësh, komunikimin ekonomik, kulturor, politik, etj.[58] Pos të tjerash, u masakruan dhe u ndërprenë arteriet kryesore, tri korridoret kryesore, ku prej shekujsh komunikohej me bregdetin Adriatik dhe Jon.[59] Copëtimi i vitit 1912 ka qenë fatal për kombin shqiptar. Kombi shqiptar humbi vlerën ekonomike, kulturore, politike, gjeografike e gjeostrategjike, ushtarake, të sigurisë, etj.[60]

Është e qartë se që të jesh duhet të kesh, dhe ne potencialet kombëtare i kemi. Nëse nuk do të gjendet rruga e lejueshme qytetëruese, që do t’i bashkonte të gjitha kapacitetet e shqiptarëve në kuadër të një objekti të përbashkët kombëtar, atëherë këto kapacitete do të shfrytëzoheshin nga të tjerët.[61] Tashmë ne duhet të mendojmë madhërishëm. Jemi një komb i madh[62] në Ballkan; të lexojmë mirë dhe dinamikën demografike, moshën, etj., dhe së bashku me diasporën numri i shqiptarëve dyfishohet, etj. Kjo forcë dhe suport që i vjen nga jashtë Shqipërisë për shkak të kësaj përhapje demografike është parë dhe me xhelozi në rajon, e nuk është e tepërt të thuhet se është ndjerë si kërcënim për sa kohë në strategjitë e vendeve të caktuara fqinje janë shprehur dhe ndjenjat e “kërcënimit”[63] për shkak të fuqizimit të shqiptarëve, veçanërisht në rajon si rezultat i realitetit të ri gjeopolitik siç është Kosova, etj.

Duke u orientuar nga e ardhmja, ne duhet të ecim përpara, dhe jo si disa shtete në rajon që thonë “të ecim përpara me kokën mbrapa”. Kjo kërkon orientim te gjeneratat e ardhshme, forcë parashikuese, strategji, më saktë Strategjia e Madhe që na ka munguar, e domosdoshme në shekullin e ri të shqiptarëve. Dhe për këtë ka mjaft arsye e sfida. Sfida serioze është se shoqëritë shqiptare janë ende të pa standardizuara, sidomos nga objektivi i vlerave kombëtare. Vështirësia e hartimit të një Strategjie të Madhe kushtëzohet dhe nga pamjaftueshmëria teorike strategjike e elitave tona.

Megjithëse shkolla shqiptare ka përgatitur ekspertë dhe specialistë të mirë, në tërësi ka munguar elita me kulturë strategjike e aftë për të ndikuar mbi hartimin e politikave dhe përgatitjen e strategjive, etj. Strategjia e Madhe vë në lëvizje politikën e jashtme. Të gjithë kombet kanë Strategji të Madhe, megjithëse kjo nuk do të thotë se të gjithë kombet arrijnë objektivat e tyre strategjike.” Strategjia e madhe është kaq thellë e ngulitur në ADN-në e kombit dhe shfaqen kaq natyrshëm dhe qartë, sa politikanët dhe gjeneralët jo gjithmonë janë të vetëdijshëm për këtë.”[64]

Me gjithë brishtësinë e kërkesave në rritje, nuk mund të themi se ka munguar në tërësi një strategji apo platformë kombëtare. Mjafton të kujtojmë për këtë veprën madhore “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet” e Sami Frashërit. Megjithëse një vepër iluministe, pra jo shkencore, ajo është një model i konceptimit e perceptimit të Strategjisë Kombëtare të shqiptarëve, ku identifikohen qartë vlerat, interesat dhe objektivat kombëtare dhe mbi të gjitha analizohet drejt mjedisi dhe trajtohen saktë rreziqet dhe kërcënimet e kohës për shqiptarët, etj.

Dhe, pa dyshim, shembulli më i qartë është akti i pavarësisë kombëtare me një program vizion për Strategjinë e Madhe nga Qeveria e Vlorës, që u bë lajtmotiv frymëzues për arritjet e mëdha të shqiptarëve, deri te akti i dytë madhor, pavarësia e Kosovës. Avancimi më tej për realizimin e objektivit madhor strategjik, që duhet të promovojë Strategjia e Madhe, si detyrim ndaj investimit njerëzor e kombëtar të breznive shqiptare, si amaneti i Atit të Pavarësisë Kombëtare, etj., realizohet së pari me mbajtjen gjallë e ushqimin e kësaj ideje, kur flitet, shkruhet e diskutohet si dhe për sendërtimin e saj punohet seriozisht e në vazhdimësi.

Dhe kur trajtojmë tema të tilla madhore duhet jo vetëm dëshirë, po mbi të gjitha vullnet dhe strategji, sepse pa to, përbërësit e fuqisë kombëtare nuk marrin jetë. Para së gjithash, kjo kërkon një njohje sa më të plotë të situatës e të mjedisit të përgjithshëm për hartimin e një programi apo strategjie sa më reale,[65] që parashikon objektiva bindës dhe të mundshëm, njeh rrugët efikase të realizimit dhe që mban mirë në konsideratë mjetet apo resurset. Se në fund të fundit, kur është fjala për ideologema kombëtare, shkruan akademiku i ndjerë G. Zajmi, nuk është tepër të theksohet se çdo mendimtari dhe krijuesi në retorikën kombëtare i kanoset një rrezik i mundshëm “që të flasë bukur por të jetë gabim.”[66]

1) Çështja e Kosovës dhe kompleksi ballkanik i sigurisë

Çështja shqiptare është një proces i cili ka në themel bashkimin e pjesës dërmuese të gjeohapësirës shqiptare në një shtet të vetëm, i përcaktuar ky si objektivi madhor strategjik dhe i diktuar nga: domosdoshmëria për t’i bërë ballë kërcënimit ekzistencial ndaj kombit dhe gjeohapësirës shqiptare; nevoja për rikthimin e aftësisë së plotë të zhvillimit të përgjithshëm kombëtar; nevoja për përparimin dhe barazimin e shqiptarëve me kombet e tjerë; domosdoshmëria për rishpërndarjen e fuqisë dhe vendosjen e ekuilibrit, vendimtare kjo për paqen dhe sigurinë në rajon e më gjerë, proces i cili nuk duhet të bjerë ndesh me trendin e integrimit euroatlantik të shqiptarëve dhe të vetë rajonit.

Pa u zgjeruar, le të qasim analizën për përbërësin më themelor të çështjes kombëtare, Kosovën. Siç thekson dhe E. Staveleci[67]se në kohën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, në rrymimet mendore, në lëvizjet mendore, në lëvizjet politike si dhe të arriturat institucionale të saj, por dhe në kryengitjet shqiptare, nuk egzistonte “çështja e Kosovës si çështje e veçantë, por egzistonte vetëm çështja shqiptare, si çështje e përbashkët e të gjitha trojeve-vilajeteve shqiptare në kuadër të Perandorisë Osmane. Çështjen e Kosovës fizikisht e sajoi shpata okupuese serbe e futur nëpërmes trungut etnik shqiptar. Këtë coptim të territorit etnik të kombit shqiptar “fait accompli” e miratoi dhe Konferenca e Londrës (1913) për ta vulosur së dyti Konferenca e Versajës (1918-20) me raportin e vet të forcave ndërkombëtare.

Që nga koha e ndarjes gjeopolitike të Kosovës nga trungu i përgjithshëm etniko-teritorial shqiptar në Ballkan, çështja e Kosovës nëpërmjet zigzakeve të ndryshme historike, varësisht nga rrethanat gjeopolitike dhe të tjera, gjithësaherë mbante vulën e aspirimit të popullit shqiptar të Kosovës qoftë për identitetin e tij kombëtar, qoftë për bashkim kombëtar, qoftë për barazi kombëtare. Në mes të dy luftrave botërore, çështja e Kosovës u gulfat nga nacionalizmi shtetëror serb, por u kufizua dhe nga sistemi i Versajës, i cili mbretëronte në këtë periudhë historike të Evropës. Realitet politike të Shqipërisë në mes të dy luftrave botërore (por e dhe pas Luftës së Dytë Botërore) nuk qe në gjëndje për ta prezantuar çështjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Analiza e ftohtë të shpie në përfundimin se pushteti dhe regjimi serb i kohës, përveç orekseve të shtuara gllabëruese ndaj tokave shqiptare që lidheshin me daljen në bregdetin shqiptar, duke e vënë Shqipërinë “në pozita defensive të mbrojtjes të kufijve të reduktuar etnikë, inhibonte çështjen e Kosovës nga çdo mundësi e  frymarrjes ndërkombëtare. Pos të tjerash, nxitja dhe imponimi i shpërnguljeve të shqiptarëve nga Kosova, derdhja e lumenjve të kolonistëve serbë e malazezë në Kosovë, përqendrimi i formacioneve ushtarake në Kosovë, sajimi i programeve për ndërtimin e strukturës etnike të popullsisë, etj, “janë fakte të pulsimit të çështjes së Kosovës si nëpërmjet strukturës mentale obsesionante mbi rikthimin e mesjetës serbe, ashtu dhe nëpërmjet lëvizjes çlirimtare në këtë periudhë me të gjithë baticat dhe zbaticat e saj.”[68]

Ndodhja e Kosovës brenda Shqipërisë (edhe vetë të robëruar) në kushtet e Luftës së Dytë Botërore, pa marrë parasysh se në ç’kushte ishte bërë ky ristrukturim etnik shtetëror dhe për çfarë leverdie të forcave të Boshtit, “flet jo vetëm rindarje gjeopolitike që zakonisht bëhen kushte të luftrave me karakter planetar, por edhe për ekzistimin e çështjes së Kosovës, si një çështje e padrejtësive të mëdha etniko-teritoriale.”[69]

Në mënyrë më të spikatur dhe kulminative, çështja e Kosovës, si çështje e strukturës së saj kombëtare dhe si çështje e vetvendosjes kombëtare, gjeti shprehje në Rezolutën e Konferencës së Bujanit (31.12.1943 – 2.01.1944) në të cilën duke u mbështetur në parimin e vetëvendosjes, të afirmuar në dokumentet ndërkombëtare gjatë luftës, flitet për Kosovën si territor me shumicë shqiptare dhe për vullnetin e kësaj shumice për bashkimin kombëtar me Shqipërinë.

Se çështja e Kosovës nuk u mbyll, për këtë flasin më së miri ndryshimet e njohura në pozitën kushtetuese dhe politiko-shtetërore të Kosovës (vitet: 1967, 1968, 1971, 1974, 1989, 1990, 1992), të cilat, në esencë, në të gjitha rastet, ishin në fakt reflekse kushtetuese-juridike dhe politike-shtetërore të proceseve politike në truallin e Kosovës, si dhe në përgjithësi në truallin e ish-Federatës multinacionale jugosllave.

Deklarata kushtetuese e “2 Korrikut” (1990) mbi pavarësinë dhe barazinë e Kosovës, alias, për ndarjen e Kosovës nga çfarëdo lloj kornize kushtetuese në kuadër të Serbisë, si dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës (7 Shtator 1990), e cila u nxorr para Kushtetutës së re të Serbisë, ishin njëkohësisht akte burimore të vetërespektit dhe të vetëafirmimit, edhe akte të kundërvënies së natyrshme dhe të drejtë ndaj posesivizmit serb mbi Kosovën, posesivizëm ky jo vetëm pa bazë etnike, por njëherazi edhe me cilësitë më të rënda etnokratike.”[70]

Çështjen e Kosovës, sikurse edhe në çështjen e shqiptarëve në ish-Jugosllavi, Gazmend Zajmi i trajtoi në dy këndvështrime: si çështje të barazisë së plotë politiko-institucionale të popullit shqiptar në ish-Jugosllavi dhe si çështje të unitetit kombëtar në Ballkan. Duke konsideruar se këto dy opsione, nga aspekti teorik-shkencor, “nuk janë në kundërshtim me njëra-tjetrën”, ai pohoi se “ato paraqesin opsione komparative të zgjidhjes së çështjes kombëtare shqiptare në Jugosllavi, ku vlerësimi real dhe përparësia praktike e njërës apo qasjes tjetër, e njërit apo solucionit tjetër, varet nga kushtet konkrete gjeopolitike dhe historike”.

Megjithatë sipas tij, “nuk ka kurrfarë dyshimi se uniteti kombëtar shqiptar, nëpërmjet rrugëve demokratike të një rendi të ri të organizimit dhe të integrimit të Europës, ka përparësi parimore”. Lidhur me këtë, përkujtoj se “gjithësaherë ka qenë e drejtë natyrore e çdo populli të jetojë bashkë, ose të paktën të tentojë të jetojë bashkë, në hapësirën unike shtetërore-kulturore dhe natyrisht në territorin unik,” se “sikur vetëdija evropiane dhe vetëdija e të gjithë shteteve në to të ishte në nivelin më të lartë të pranimit të vullnetit të të lirë të popujve që të ndjekin parimin etnik me konsekuencë…kishte për të qenë tejet i natyrshëm dhe i drejtë pasioni i bashkimit të Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe i trevave të tjera me shumicë etnike shqipëtare…” Mirëpo, meqë sot për sot ende nuk ekziston një Evropë e tillë, e aq më pak një Ballkan i tillë, zgjidhja më e balancuar sot e çështjes së Kosovës ishte zgjidhja ndërkombëtare që do ta pranonte dhe do ta garonte Kosovën si shtet të ri të pavarur evropian…”

Duke vështruar çështjen e Kosovës dhe të shqiptarëve në ish-Jugosllavi, si dimension i çështjes shqiptare në Ballkan, ai vërejti se ish-Jugosllavia ishte, “një krijesë shtetërore me kompontente të theksuara të padrejtësisë në dëm të kombit shqiptar në Ballkan”, madje potencoi dy rrafshe të padrejtësisë së saj ndaj shqiptarëve. “Nëse rrafshi i parë i padrejtësisë së ish-Federatës multinacionale të Jugosllavisë ndaj kombit shqiptar në Ballkan ishte ndarja e tyre në dy gjysma të kundërta të kundërvëna gjeopolitikisht, përmes kufijve të jashtëm të kësaj Federate; rrafshi i dytë i padrejtësisë ndaj kombit shqiptar ishte mospranimi i statusit të barabartë politik institucional të gjysmës së kombit shqiptar në Ballkan, që u gjet në kuadër të Federatës multinacionale”. Pra, sipas Gazmend Zajmit, “një padrejtësie të parë në rrafshin gjeopolitik të jashtëm i shtohej një padrejtësi e dytë në rrafshin gjeopolitik të brendshëm”[71].

Zgjidhja e çështjes shqiptare i jep jetë sigurisë rajonale edhe pse koncepti i sigurisë rajonale në Ballkan nënkupton studimin dhe analizimin e sigurisë së secilit aktor në rajon, në kompleks dhe të lidhur ngushtë me sigurinë e aktorëve të tjerë ballkanikë. Në studimet e sigurisë termi “rajoni” përveç aspektit gjeografik nënkupton edhe atë dinamik, bashkëveprimin e aktorëve. Dhe rajoni i Ballkanit në konceptin e sigurisë nënkupton një hapësirë të krijuar si rezultat i bashkëveprimit të detyruar dhe ndikimit të ndërsjelltë të aktorëve ballkanikë në çështje të sigurisë, duke formuar kështu kompleksin ballkanik të sigurisë.

Analiza e kompleksit ballkanik të sigurisë na jep çelësin për shpjegimin e çështjeve të sigurisë në rajonin e Ballkanit dhe të raporteve të ndërsjellta të çështjes shqiptare me të. Kjo analizë, përfshin katër nivelet (elementet konstituitivë) të kompleksit ballkanik të sigurisë në Ballkan, përkatësisht rendin, stabilitetin dhe sigurinë e shteteve në rajon (niveli brenda shtetit); marrëdhëniet midis shteteve të rajonit të Ballkanit (niveli rajonal), bashkëveprimin e rajonit të Ballkanit me rajonet fqinje (niveli ndër-rajonal) si dhe rolin e fuqive botërore në rajon (niveli global) të cilat, të ndërlidhura së bashku, përbëjnë konstelacionin e sigurisë (modelin e formuar nga bashkëveprimi i katër niveleve: të brendshëm, rajonal, ndërrajonal dhe global) në Ballkan. Në vijim të analizës së kompleksit ballkanik të sigurisë konkludohet se:

Çështja shqiptare në rajon, mënyra dhe shkalla e zgjidhjes së saj, është ndikuar dhe ka ndikuar në vazhdimësi dhe në një masë të konsiderueshme në polaritetin dhe ekuilibrin e fuqisë në Ballkan (niveli rajonal). Moszgjidhja në kohë e çështjes shqiptare dhe përjashtimi i shqiptarëve gjatë procesit të konfigurimit të ekuilibrit rajonal të fuqisë pas përmbysjes së Perandorisë Osmane e në vazhdimësi, ka bërë që ky ekuilibër në Ballkan të jetë i brishtë dhe kompleksi rajonal i sigurisë i kërcënuar. Zgjidhja gjysmake e çështjes shqiptare në vitet 1912-1913, duke lënë më shumë se gjysmën e gjeohapësirës shqiptare së bashku me tri nga katër qendrat e vilajeteve shqiptare jashtë kufijve të shtetit të cunguar shqiptar ndikoi negativisht në polaritetin e kompleksit ballkanik të sigurisë, në shpërndarjen e padrejtë të fuqisë në disfavor të shqiptarëve, në shkeljen sistematike deri në ditët e sotme të të drejtave kombëtare të shqiptarëve në rajon, në marrëdhëniet mes vetë shteteve fqinje, si dhe pengoi zhvillimin dhe prosperitetin e kombit dhe shtetit shqiptar, duke ndikuar kështu negativisht dhe në kompleksin ballkanik të sigurisë.

Krijimi i Shtetit të Pavarur të Kosovës si dhe angazhimi i tij për marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët, përfshirë dhe Republikën e Serbisë, ka kontribuar pozitivisht në sigurinë rajonale. Krijimi i shtetit të pavarur të Kosovës dhe nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, ndikoi në korrigjim, ndonëse jo të plotë, të polaritetit në kompleksin ballkanik të sigurisë. Kjo çoi në një rishpërndarje të fuqisë në rajon në dobi të shqiptarëve. Kjo po ndikon pozitivisht në kompleksin ballkanik të sigurisë dhe po i kontribuon mundësive për më shumë harmoni dhe paqe në Ballkan.

Çështja shqiptare ka zënë një vend të rëndësishëm në bashkëveprimin e Ballkanit me rajonet fqinjë (niveli ndër-rajonal). Hapësira gjeopolitike shqiptare, me një pozicion gjeostrategjik të lakmueshëm buzë Adriatikut, u bë një vend ku përplaseshin jo vetëm interesat e shteteve rajonale, por dhe interesa të shteteve nga rajone të tjera, konkretisht të Italisë, Austro-Hungarisë dhe Rusisë. Italia dhe Austro-Hungaria për të përfituar pjesë të gjeohapësirës shqiptare, ndërsa Rusia për të shembur digën (çështjen shqiptare) që pengonte depërtimin e sllavëve të jugut e të saj drejt Detit Adriatik.

Gjeohapësira shqiptare është mjaft e rëndësishme për kompleksin ballkanik të sigurisë. Moszgjidhja e çështjes shqiptare rrezikonte jo vetëm Ballkanin, por edhe kompleksin fqinjë, Bashkimin Evropian si dhe interesat e aktorëve të tjerë të fuqishëm ndërkombëtarë shtetërorë e jo shtetërorë, si SHBA dhe NATO. Prandaj, çështja shqiptare u sigurua prej tyre. Përveç luftës dhe përpjekjeve të shqiptarëve, ishtë ndërhyrja vendimtare e NATO-s, SHBA-së dhe BE-së, aktorë këta nga rajonet e tjera, të cilat bënë të mundur që Kosova sot të jetë shtet i pavarur. Ishte gjithashtu ndërhyrja dhe presioni i tyre që i detyroi shqiptarët të nënshkruajnë Marrëveshjen e Ohrit dhe atë të Konculit.

Çështja shqiptare në Ballkan është ndikuar në një masë të konsiderueshme nga roli i fuqive botërore në rajon (niveli global), por dhe ka ndikuar në marrëdhëniet mes tyre. Çështjen shqiptare në Ballkan e krijuan Fuqitë e Mëdha të kohës. Këta aktorë kryesorë gjeopolitikë nuk e lejuan në atë kohë popullin shqiptar për të ndërtuar shtetin e tij të pavarur në të gjithë hapësirën gjeopolitike shqiptare. Nga analiza e lidhjes së ndërsjellë mes shkallës së zgjidhjes së çështjes shqiptare me katër nivelet (katër elementet konstituitivë) të kompleksit ballkanik të sigurisë, arrijmë në përfundimin se çështja shqiptare ka ndikuar dhe vazhdon të ndikojë në katër elementët konstituitivë të kompleksit ballkanik të sigurisë, duke ndikuar kështu në sigurinë rajonale. Krijimi i shtetit të pavaruar të Kosovës dhe zgjidhja e çështjes shqiptare deri në nivelet e tanishme ka ndikuar pozitivisht në kompleksin ballkanik të sigurisë.

Por, ndërveprimet mes katër elementeve konstituitivë të kompleksit ballkanik të sigurisë përcaktojnë ndryshimet në strukturën thelbësore të këtij kompleksi, përkatësisht në kufijtë e kompleksit ballkanik, strukturën e tij anarkike, polaritetin-ndarjen e fuqisë mes aktorëve rajonalë si dhe në ndërtimin e modelit miqësi/armiqësi mes tyre. Dhe ndryshimet në strukturën thelbësore i krijojnë kompleksit ballkanik mundësinë për transformime të brendshme, të cilat përfshijnë ndryshime në strukturën anarkike, të polaritetit dhe në modelin dominuese e miqësi/armiqësi. Ato krijojnë mundësinë dhe për transformime të jashtme, për ndryshimin e kufijve të kompleksit ballkanik të sigurisë.

Pavarësia e Kosovës si pjesë e procesit të zgjidhjes së çështjes shqiptare në rajon dhe si hap i rëndësishëm drejt zgjidhjes përfundimtare të saj, ka zvogëluar në një masë të konsiderueshme, por jo përfundimisht, shkallën e kërcënimit ekzistencial ndaj kombit dhe gjeohapësirës shqiptare në rajon. Në vazhdim të kësaj logjike, bashkimi i pjesës më të madhe të gjeohapësirës shqiptare në një shtet të vetëm si zgjidhje përfundimtare e çështjes shqiptare në rajon do të ndikojë pozitivisht akoma më shumë jo vetëm në sigurinë rajonale, por edhe në procesin e integrimit euroatlantik të Ballkanit Perëndimor.

Procesi i bashkimi kombëtar dhe ai i integrimit euroatlantik si dy objektivat strategjikë të shqiptarëve, jo vetëm që nuk kundërshtojnë, por plotësojnë njëri-tjetrin. Duk avancuar në procesin e integrimit evropian, shqiptarët kanë avancuar edhe në drejtim të bashkimit kombëtar dhe anasjelltas, avancimi drejt bashkimit kombëtar i kontribuon proceseve integruese euroatlantike të shqiptarëve dhe rajonit. Megjithatë, qënia e dy aktorëve shtetërorë shqiptarë në gjeohapësirën ballkanike e lehtëson në mënyrë të konsiderueshme zgjidhjen e çështjes shqiptare në rajon. Pas kësaj, ekzistojnë të gjitha mundësitë që Shqipëria dhe Kosova, në një kohë të përshtatshme, duke qenë dy shtete të pavarura dhe sovrane, me vullnetin e qytetarëve të tyre të shprehur në referendume popullore, në kushtet e moskundërshtimit të aktorëve kryesorë ndërkombëtarë, të bashkohen në një shtet të vetëm.

Bashkimi në të ardhmen i dy shteteve shqiptare në Ballkan, zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit në mënyrë të plotë dhe pa asnjë ekuivok, respektim i plotë i të drejtave kombëtare të shqiptarëve në Malin e Zi dhe Kosovën Lindore-Luginën e Preshevës, si dhe fillimi i procesit të kthimit të pronave dhe të shtetësisë për komunitetin çam, duke qenë së nuk cënon kufijtë e shteteve të tjera në Ballkan, do të përbënin një zgjidhje të pranueshme nga ndërkombëtarët dhe të detyrueshme për shqiptarët, njëkohësisht dhe një zgjidhje përfundimtare optimale të çështjes shqiptare në Ballkan. Në këto kushte, kërcënimi ekzistencial ndaj çështjes shqiptare në rajon do të ulej në nivele minimale. Çështja shqiptare do të desigurizohej dhe trajtimi i saj në vazhdim do të bëhej brenda politikave standarde të shtetit shqiptar dhe shteteve që kanë brenda kufijve të tyre politikë pjesë të gjeohapësirës shqiptare.

Përpjekjet për bashkimin e pjesës më të madhe të gjeohapësirës shqiptare në një shtet të vetëm, si zgjidhje përfundimtare e çështjes shqiptare në rajon, nuk do të thotë përpjekje për Shqipërinë e Madhe, por përpjekje për krijimin e Shtetit Kombëtar Shqiptar, dhe korrigjim i një padrejtësie të madhe. Paralelizmi që bëhet shpesh me përpjekjet e serbëve për Serbinë e Madhe apo grekëve për Greqinë e Madhe është antishqiptar. Kjo pasi në themel të përpjekjeve shqiptare për bashkim kombëtar është koncepti modern i shtetit etnik kombëtar, ndërsa në themel të projekteve serbe e greke është koncepti perandorak mesjetar.

2) Strategjia e sigurisë, bashkëpunimi rajonal dhe vizioni për të ardhmen

Strategia e Sigurimit si koncept ekziston në dy fusha: Së pari në fushën e politikave ndërkombëtare, të diplomacisë, të aleancave, të balancës së forcave dhe të përdorimit të drejtpërdrejtë dhe jo të drejtpërdrejtë të forcës ushtarake; Së dyti në fushën e politikave të brendshme që lidhet me spektrin politik me grupet shoqërore dhe me grupe me interesa të ndryshme, përfshirë dhe interesat dhe qëllimet e tyre të kundërta.

Ashtu si çdo fushë tjetër, edhe strategjia e sigurimit është produkt i ndërthurrjes së shumë faktorëve, ndërmjet të cilëve mund të përmenden: kultura e mbrojtjes, e parë në sfondin e përvojës historike, karakteri dhe aftësia e përgatitjes dhe morali i ushtrisë niveli intelektual e shkencor, organizimi social i vendit, faktorët demografikë, fuqia ekonomike, gjendja gjeopolitike dhe balanca e forcave, si dhe dinamika politike në lidhje me kundërshtarët e mundshëm ose aktualë.

Qëllimet politike dominojnë të gjithë strategjinë kombëtare, ndoshta kjo është edhe ideja e dhënë nga Clausewitz’ në citatin e famshëm “Lufta është vazhdimi i politikës me mjete të tjera.

Strategjia e Sigurisë Kombëtare është e ndryshme në kontinente të ndryshme, e ndryshme në shtete brenda një kontinenti dhe e ndryshme brenda një rajoni siç është ai i Ballkanit Perëndimor të marrë si rast studimor.

Gjatë dekadës së fundit, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë përpunuar një numër impresionues të dokumenteve strategjike të sigurisë. Këto dokumente, në shumicën e rasteve, përbëjnë një sistem shumëshkallësh të qasjeve strategjike.

Duke konsideruar për efekt analize, elementët e Sigurisë Kombëtare kam konstatuar që shtetet e Ballkanit Perëndimor në Strategjitë e tyre kombëtare i kanë kushtuar vëmendje të ndryshme të njejtit element, ndërkohë që nënshkruhen marrëveshje që përcaktojnë detyrime dhe të drejta rreth elementeve të sigurisë kombëtare.

Gjithësesi, në dokumentet kryesore strategjikë të vendeve të BP ka ende kufizime kryesisht: mungesë diferencimi midis sfidave, kërcënimeve dhe rreziqeve; mungesë dallimi midis niveleve të ndryshme (të brendshme, rajonale, globale); mungesë interpretimi të kërcënimeve të reja në kontekstin lokal (p.sh. terrorizmin); ngatërrim konceptesh bazë, p.sh. siguri kolektive përkundrejt mbrojtje kolektive, etj. Pos të tjerash ka ndër to, si rasti i dokumentit serb, ende perceptime të kapërcyera nga vetë sistemi ndërkombëtar.

Drama e Ballkanit, e cila sipas shkrimtarit të madh shqiptar Kadaresë,[72] meriton një shqyrtim të thellë dhe kjo aspak për të poshtëruar ndonjërin prej popujve, por përkundrazi, për respekt ndaj të gjithëve, duke përfshirë natyrisht edhe popullin serb.

Ndërsa Sistemet Politike janë të orientuara drejt përshtatjes së tyre me BE dhe NATO, kultura dhe historia e popujve dhe e lidershipit të tyre ka akoma shumë rrugë për të bërë.[73] Kjo mospërputhje prodhon vonesë integrimi dhe kërcënime potenciale për Sigurinë Kombëtare.

Koncepti i sigurisë kombëtare përmbledh në vetvete disa dimensione që duhen mbajtur në konsideratë gjatë hartimit të SSK: siguria politiko-ushtarake, siguria njerëzore, siguria ekonomike dhe siguria e mjedisit. Pos të tjerash, siguria njerëzore duhet vlerësuar për një perceptim më të saktë të nocionit siguri, evoluimi dhe përmbajtja në kohët moderne; shmangia e perceptimeve të gabuara të konceptit siguri; ndihmesë në perceptimin dhe pasqyrimin real sipas teknologjisë moderne në dokumentet strategjike si: SSK, etj.

Bëhet më e domosdoshme kjo kur duhet të pranojmë fakte reale që shprehen dhe nga Gyermati, i cili thotë “dokumentet strategjikë kombëtarë dhe mendimi i njerëzve reflektojnë një prirje artificiale të kërcënimeve të sigurisë” si rrjedhojë, situata aktuale në Ballkanin Perëndimor mund të karakterizohet si “siguri virtuale” me “kërcënime atificiale”.

Teksa analizojmë strategjitë kombëtare dhe dokumentet e tjera në fushën e sigurisë, kuptojmë se siguria njerëzore është shumë pak e përfshirë dhe aspak e prioritarizuar krahasuar me kërcënimet e jashtme dhe rajonale. Kjo krijon një hendek midis njerëzve dhe instutucioneve shtetërore duke pasur parasysh se kryesisht perceptimi i rreziqeve dhe kërcënimeve në publikun e gjërë është lidhur ngushtë me “sigurinë njerëzore” që ka ndikim të drejtpërdrejtë tek ta, ndërkohë që i japin më shumë rëndësi rreziqeve dhe kërcënimeve të sigurisë shterore e territoriale ku interesat kombëtare mund të preken.[74]

Siguria kombëtare arrin stabilitet kur këto masa çojnë në rritjen e qëndrueshmërisë ekonomike-financiare, grupet njerëzore dhe individët ndiejnë rritjen e mirëqënies, arsimimit dhe kulturës dhe të sigurisë njerëzore, përfaqësimin dhe respektin individual, kushte këto edhe për legjitimitetin e çfarëdo qeverisje. Por në botën reale, rrallëkush mund të gjejë perfekten. Prandaj edhe strategjitë e sigurisë kurrë nuk e përjashtojnë konfliktin, por vetëm sa e kufizojnë atë dhe pasojat e tyre. S’ka se si të mos jesh dakord edhe tani pas një shekulli me observimin e sociologut klasik, Max Webber, i cili shkruante: “Raportet e panumërta stabël e përmbajnë (bllokojnë) konfliktin, por konflikti qëndron i maskuar, ai rri nën sipërfaqe në saje të ekzistencës së legjitimitetit.”[75]

Sipas shkencëtarit strukturalist gjerman, Fritz Schraph, duhen tri kushte të domosdoshme për mbështetjen dhe ruajtjen e qeverisjes legjitime: Së pari, legjitimiteti i orientuar nga inputet, siç është përfaqësimi me votimin e lirë dhe proçedura të ndershme. Së dyti, legjitimiteti i orientuar nga outputet, si p. sh., politika efiçiente, performanca e qeverisjes, etj. E treta, është kërkesa normative e identitetit të përbashkët kolektiv, e cila e bën vendimarrjen e bazuar në inpute të pranueshme nga pakica nga njëra anë, dhe nga ana tjetër vlerësohet eficienca e qeverisjes.[76] Nuk do shumë argumente për të kuptuar domosdoshmërinë e plotësimit kushteve të pranimit në NATO dhe në BE për vendet aspirante, të cilat në ¾ janë të njëllojta dhe masa konkrete për arritjen e legjitimitetit.

Proçesi i percaktimit të interesave duhet të përfshijë çështjet dhe pyetjet vijuese për të siguruar mundësi sa më të madhe për zhvillimin e interesave të përshtatshme dhe të mbështetshme për çdo aktor. Një pjesë e kësaj modelohet me përcaktimin se ku përshtaten në proçes realizmi dhe moralshmëria, duke shmangur subjektivizma që shpesh përfundojnë në ambicie të sëmura, etj. Çdo burrë shteti, shkruan Kissinger, duhet të përpiqet të pajtojë atë që konsiderohet e drejtë me atë që konsiderohet e mundshme. Ajo që konsiderohet e drejtë varet nga struktura e brendshme e shtetit të tij; ajo që është e mundshme varet nga burimet, pozicioni gjeografik e vendiosmëria si dhe nga vlerësimet, vendosmëria dhe struktura e brendshme e shteteve të tjera.

Të gjitha shtetet e BP janë angazhuara me përshtatjen dhe hartimin e legjislacionit në përputhje me direktivat e OKB, BE, NATO-s dhe krijimin e institucioneve të nevojshme për Sigurinë.

Detyra kryesore e qeverive tё Ballkanit Perëndimor mbetet forcimi i sigurisё dhe stabilitetit tё brendshёm, si investimi mё i madh, por i domosdoshёm pёr tё garantuar sigurinё e korridoreve energjitike tё sistemeve tё tranzitimit tё lёndёve nga burimet pёr tek tregjet dhe konsumatorёt europerëndimorë.

Sfidat nё fushёn e sigurisё janё tё mёdha ndaj asnjё vend nuk mund t’i pёrballojё i vetёm, pa bashkёpunim apo vetёm me bashkёrendim tё njёanshёm. Dhe në Ballkan dihet se grekët, shqiptarët, sllavët nuk janë vetëm tri popuj bashkë në zonat e veta, por janë tri qytetërime, me tri kultura, me tri gjuhë (madje secila me alfabetin e vet: latin, cirilik dhe grek). Ballkani nuk mund të përfytyrohet, qoftë dhe pa njërin prej këtyre përbërësve.”[77]

Bashkёpunimi dhe integrimi i sistemeve energjetike rajonale tё bёhet element substancial i proçeseve tё integrimit tё vendeve tё Ballkanit sё bashku me kriteret dhe kushtet tjera.

Tё merren masa preventive pёr rreziqet e mundshme nё drejtim tё sigurisё, duke pёrdorur pёr kёtё edhe ndihmёn dhe mbёshtetjen e instrumenteve tё sigurisё euroatlantike.

Tё zhvillojnё e financojnё projekte të përbashkëta kёrkimore e shkencore, qё marrin nё konsideratë burimet dhe rezervat e tyre natyrore pёr tё shtuar pёrdorimin e burimeve tё energjisё sё rinovueshme, për diversifikimin e burimeve tё kushtёzuara nё aspektin sasior dhe politik. Shqipёria dhe Kosova nё kёtё drejtim ka resurse që mund tё ofrojё nё bashkёpunimin rajonal në burimet hidroenergjetike dhe rezervat e naftёs, erёs, etj.

Sigurimi i bashkёpunimit rajonal, vlerёsimi i rreziqeve dhe dobёsive, pёrgatitja me kohё e planeve qё parandalojnё dhe eleminojnё rreziqet, marrёveshje multilaterale tё të gjithё vendeve tё Ballkanit Perendimor, fqinjёsia e mirё dhe krijimi i “komunitetit tё energjisё” tё vendeve tё rajonit, stabilizimin e Ballkanit dhe ndёrtimi i besueshmёrisё edhe pёrmes integrimit tё sistemit tё sigurisë.

Në botën globale që po përjetojmë, shtetet e vogla kanë çfarë japin në përballjen me sfidat e sigurisë. Ato janë një aktor i denjë i marrëdhënieve ndërkombëtare, si dhe janë rreshtruar në kahun e duhur të aleancave ndërkombëtare në të mirë të paqes, mbrojtjes, stabilitetit dhe sigurisë globale. Diplomacia publike e shteteve të vogla është pjesë e infrastrukurës sa ligjore, por edhe superstrukturës shpirtërore të të gjithë aktorëve publikë, të cilët shohin te ky instrument çelësin e promovimit të interesave të tyre kombëtare, evidentimin e avantazheve te tyre konkurruese, si edhe potencialeve që ato kanë dhe ofrojnë në të mirë paqes rajonale, globale dhe rendit botëror. Kontrubuti i tyre në sfidat ndaj çështjeve të sigurisë, terrorizmit, ka ndikuar së tepërmi në suksesin global ndaj këtij fenomeni. Shqipëria ka bërë progres me rritjen e imazhit të saj kombëtar, ka dizenjuar një  diplomaci publike në mbrojtje të vlerave dhe interesave kombëtare, në të mirë të mirëqënies kombëtare, sigurisë, paqes, bashkëpunimit dhe fqinjësisë së mirë.

Ajo është pjesë e denjë e koalicionit ndërkombëtar në luftën ndaj terrorizmit, si dhe aleancës të mbrojtjes kolektive. Terrorizmi luftohet në mënyrë frontale, duke përfshirë të gjithë aktorët dhe faktorët kundër gjithë rrjetit terrorist, dhe kjo arrihet krahas edhe me ndërmarrjen e të gjithë masave të duhura ligjore, institucionale, etj. Diplomacia publike ka luajtur një rol domenthënës dhe të dorës së parë në promovimin e vlerave universale në audienacat e vendeve të tjera, që kanë mbrotjur, apo eksportuar terrorizmin. Ajo ka fituar zemrat e njerëzve të atyre vendeve, si dhe ka ndikuar në demokratizimin e jetës shoqërore, politike, forcimin e institucioneve demokratike dhe të shtetit të së drejtës, luftës ndaj krimit të organizuar, etj.

Sfidat nё fushёn e sigurisё janё tё mёdha ndaj asnjё vend nuk mund t’i pёrballojё i vetёm, pa bashkёpunim apo vetёm me bashkёrendim tё njёanshёm. Dhe në Ballkan dihet se “grekët, shqiptarët, sllavët nuk janë vetëm tri popuj bashkë në zonat e veta, por janë tri qytetërime, me tri kultura, me tri gjuhë (madje secila me alfabetin e vet: latin, cirilik dhe grek). Ballkanet nuk mund të përfytyrohen, qoftë dhe pa njërin prej këtyre përbërësve.”[78]

Si përfundim, përsa na përket ne shqiptarëve, duhet të mblidhemi rreth një qëndrimi që të mos miratojmë kërkesa për sakrifikimin e interesit kombëtar “për hir të paqes ballkanike”. Politika dhe diplomacia shqiptare duhet të humultojë dhe të gjejnë udhët për kundrimin dhe shtrimin e çështjes së pazgjidhur shqiptare si një dhe të bashkuar. Çështja shqiptare ende nuk cilësohet dhe nuk njihet si çështje e një populli dhe një kombi të ndarë padrejtësisht.

Angazhim më të madh në përhapjen e së vërtetës mund të llogarisim se bota, më në fund, do të mësojë realitetin e Shqipërisë Etnike (më drejtë Natyrale), e cila veçanërisht në qarqet serbe, paraqitet si “Shqipëri e Madhe”. Sintagma “Shqipëri e Madhe” nuk paraqet një doktrinë të shqiptarëve, siç paraqesin, për shembull, “Naçertanija”  serbe dhe “Megalideja” greke.

Çështja e Kosovës “u vështirësua institucionalisht” që kur Bashkësia Ndërkombëtare atë e konsideroi si çështje mes shqiptarëve të Kosovës dhe Serbisë, madje të dy palëve serbe: të serbëve të Kosovës dhe atyre të Serbisë.

Nëse  janë hapur bisedimet, pse të përjashtohet Shqipëria si palë në to? Pavarësia e Kosovës do të mund të kuptohej si kompromis vetëm me atë kusht. Defekti serioz është se Bashkësia Ndërkombëtare është përpjekur të gjejë zgjidhje nëpërmjet formave “të lidhjeve të Kosovës me Serbinë”, në vend se të mendojnë për lidhjet e mundshme “mes Kosovës dhe Shqipërisë”. Në këtë mënyrë “do të mund të sigurohej” një shkallë më e lartë e ekulibrit rajonal që, qoftë në të ardhmen më të afërt ose më të largët, do të duhej të vendosej në Ballkan.

Duhet të ecim nëpër një proces të konsolidimit të brendshëm kombëtar. Kjo nuk përbën vetëm një detyrë, por edhe një borxh kombëtar që duhet paguar. Veprimi i parë që do të duhej të bënim ne shqiptarët sot është që të ndryshojmë raportet nëpër të cilat kemi kaluar deri më tani. Jemi sjellur dhe vazhdojmë të sillemi në mënyrë komode përballë çështjes sonë të pazgjidhur kombëtare, sikur, siç shprehen ndonjëherë, të ishim gjashtë popuj dhe të kishim gjashtë çështje.[79]

Veprimi i dytë që duhet të bëjmë është që të bashkohemi në projekte kombëtare që do të thotë: të ulemi në sofra kombëtare, përpara se të bisedojmë në tryeza kombëtare. Sot përballemi me pyetjen: a duhet të pëlqejmë atë që kemi, nëse nuk kemi atë që pëlqejmë? Paraprakisht, duhet t’i përgjigjemi pyetjes: Si “të ecim bashkë të ndarë”.

Pa nënçmuar kontributin shumë të çmueshëm të Bashkësisë Ndërkombëtare, SHBA-ve, NATO-s dhe BE-së, duhet të kemi parasysh se nuk mund të amnistohemi nga përgjegjësia për të nesërmen tonë për të cilën po vendoset sot. E theksojmë këtë që të jemi shumë të kujdeshëm për veprimet tona të mëtejshme, në mënyrë që, siç thuhet ndonjëherë figurativisht, duke “i hequr vetullat, të mos i heqim sytë”.

Shqiptarëve u duhet një imazh i ri dhe një vision i ri në politikën kombëtare për të kuptuar realitetin që i rrethon, por edhe për të marrë një qëndrim karshi atij realiteti, në mënyrë që të mos rriten si popull, e të rrudhen si komb. Prandaj, shkruan Stavileci, “Ju lutem, veçanërisht juve këtu në Shqipëri: mos na quani kosovarë, sepse ne jemi shqiptarë të Kosovës! Ndryshe, do t’i ndihmojmë rrudhjes së kombit. Edhe Kushtetuta e Kosovës “ka hequr dorë nga identiteti kombëtar”, për hir të “indetitetit shtetëror!” Kushtetuta e Kosovës “ka përligjur” edhe një qëndrim tjetër poltik të Grupit të Kontaktit, se “nuk mund të bashkohet me asnjë shtet dhe me asnjë të një shteti tjetër”. Nuk mendoj se mund t’i qëndrojë kohës një qëndrim i tillë, sepse, tek e fundit, është çështje e sovranit se a do t’i bashkohet dhe kujt do t’i bashkohet. Problemi është më serioz nga ai që e mendojmë dhe më serioz se ai që paraqitet në dukje të parë.

Pavarësia e Kosovës nuk është një “zgjidhje përfundimtare”. Arsyeja qëndrore është se statusi politik-kushtetues i Kosovës nuk përbën as tërësinë e statusit politik-kushtetues të shqiptarëve që kanë jetuar në hapësirën e ish-Jugosllavisë dhe as statusin poltik-kushtetues të popullit shqiptar në tërësi, sado që statusi i Kosovës përbën thelbin e tij.

Një gjë që duhet të theksohet edhe me këtë rast është se, “sikur vetëdija evropiane dhe vetëdija e gjithë shteteve në to të ishte në nivelin më të lartë të pranimit të vullnetit të lirë të popujve që të ndjekin parimin e lirë etnik me konsekuencë të plotë, nëpërmjet rrugës paqësore, pa sjellje poltike me standarte të dyfishta, kishte për të qenë tejet i natyrëshm opsioni i bashkimit të Shqipërisë dhe Kosovës dhe i trevave të tjera me shumicë etnike shqiptare si territore kontinuele në esencë me strukturë të njëjtë dominate kombëtare.”[80]

Ballkani nuk mund të qetësohet për derisa nuk do të zgjidhej drejt e përfundimisht çështja kombëtare shqiptare. Kriza poltike në Ballkan do të mund të evitohej vetëm atëherë, kur secili komb, pra edhe kombi shqiptar, do të marrë hisen e vet, ndërkohë që edhe Gazmend Zajmi[81] shprehej se “Nëse do të hartohej ndonjë projekt i madh mbi stabilitetin afatgjatë në Ballkan, është e sigurt se problemi i zgjidhjes parimore të çështjes shqiptare me kritere objektive etnike dhe demografike, do të zinte një vend qëndror në të.” Dhe siç shprehet Kadare[82] se duke njohur tërë vështirësitë që lejon mundësia e ndryshimit të kufijve në kohën e tanishme, “duhen pritur, nëqoftëse është e domosdoshme, kohë më të qeta e më të emancipuara, për aplikimin e madh të vetvendosjes së popujve. Evropa nuk duhet gjithësesi, në mënyrë arrogante të përpiqet të varrosë këtë ide shpëtimtare. Ajo është e vetmja ide ndërtuese që na lejon të shohim dritën e daljes nga tuneli. Mbyllja e kësaj drite është baraz me provokacionin më të rëndë që mund t’i bëhet një populli: dekretin për heqjen e të drejtës së lirisë. Asnjë popull në botë nuk mund ta pranojë këtë, e aq më pak një popull në Evropë”


BIBLIOGRAFIA:

  1. Akademik Gazmend Zaijmi. Çështja e Kosovës në kuadër të çështjes shqiptare dhe si sfidë madhore e kohës dhe ndaj kohë
  2. Autorë të Strategjisë Moderne.
  3. Avduli, Tahir. “Hasan Prishtina”. Prishtinë, 2003. Cituar nga Jusuf Buxhovi, Kosova, libri i dytë, Prishtinë, 2012.
  4. Bugajski, J. “Nevoja e terapisë shock në Bosnje-Hercegovinë” publikur nga gazeta “Standart”, 4.11.2010.
  5. Davudoglu, Ahmet. Turqia: Thellësi Strategjike.
  6. Dictionary of the Social Sciences, edited by Graig Calhoun, OXFORD University Press, 2002.
  7. Fischer, Joschka. Vitet kuq-gjelbër, Poltika e jashtme gjermane –nga Kosova e deri më 11 shtator , Koha, Prishtinë, 2007.
  8. Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Tiranë, 2008, vëllimi i tretë.
  9. Franzinetti, Guido. I Balcani: 1878-2001”, Roma: Carocci Editore, 2001.
  10. Friedman, George. 100 Vitet e Ardhshme.
  11. Garde, Paul. Vie et mort de la Yougoslavie, Paris, 1992.
  12. Gayrmati, Istan; Stancic Darko. Study of the Assessment of Rehgional Security Threats and Challenges in the Western Balkan. DCAF.
  13. Guxolli, J. Kosova, pjesa e dytë, Prishtinë
  14. Harvey, Frank P. Primordialism, Evolutionary heory and Ethnic Violence in the Balkans: Opportunities and Constraints for heory and Policy, Canadian Journal of Political Science/Revue canadienne de science politique, Vol. 33, No. 1, Mars 2000.
  15. Hösch, Edgar. Storia dei Balcani”, Bologna: Il Mulino, 2006.
  16. Hoti, Ukshin. Filozofia e çështjes shqiptare, Tiranë, 1995.
  17. Huntington, Samuel P. Lo scontro delle civiltà e il nuovo ordine mondiale, Milano: Garzanti, 2000.
  18. Jane’s Sentinel Country Risk Assessments
  19. Jelavich, Charles; Jelavich, Barbara. Themelimi i shteteve kombetare te Ballkanit, 1804-1920”, Tiranë: Dituria 2004.
  20. Kadare, Ismail. “Ballkani i Jugut”, Tiranë
  21. Kadare, Ismail. Intervistë me gazetaren Branka Bogavac, për Revistën”NIN”, revista më e rëndësishme në Serbi.
  22. Kadare, I.; Sinic, P.; Frckovski, L.; Hasa, Y. Ballkani i Jugut, Perspektiva nga rajoni, Tiranë, 2001, cituar nga Ribaj, Pajtim, Njohje me kuptimin e mendimit strategjik; Disa ide të strategjisë së XXI, Akademia e Mbrojtjes,Tiranë, 2003.
  23. Kugley, Charles. W. Politikat Botërore, UFO Press, Tiranë, 2009.
  24. Lufta kundër luftë
  25. Luftrat e tjera ballkanike, Shtëpia Botuese Onufri, Tiranë, 1993.
  26. Mema, Sh. Shqipëria dhe shqiptarët në veprat e udhëtarëve anglezë, Tiranë 1998, cituar nga Gjeopolitika, Universiteti “M. Barleti”, Tiranë, 2008, Nr. 1.
  27. Ottaway, Marina. Nation Building”, Foreign Policy, No. 132, Shtator-Tetor 2002.
  28. Pasini, Carlo Scognamiglio. La Guerra del Kosovo, përkthyer shqip, GEER, 2004.
  29. Poulton, Hugh. The Balkans: Minorities and States in Conflict, London: Minority Rights Publications, 1993.
  30. Dr. Xheladin Shala, Çështja shqiptare dhe diplomacia serbe 1912-1913, Prishtinë, 2006.
  31. Projekti i SSK, 2008.
  32. Puto, Arben. Pavarësia Shqiptare dhe Diplomacia e Fuqive të Mëdha, Tiranë, 1978.
  33. Qazimi, Pellumb. Albania, the military and the Foreign Institucional (1912-91), Zagreb, 2012.
  34. Qosja, Rexhep. 9 korrik 2009 “Zgjidhja e problemit të veriut varet nga ndërkombëtarët. Mendoj se kjo mund të jetë në interesin e Kosovës, në interesin e qytetarëve të Kosovës por mund të jetë edhe në interesin e vetë Serbisë.
  35. Ramadani, Fehmi. “Katër opsione për zgjidhjen e çështjes së Mirovicës”, 30.05.2010.
  36. Schvill, Ferdinand. The History of Balkan Peninsula from the earliest temes to the present day, 1953. Marrë nga inerneti adresa: http://www.ina.Orkino.not.indekx.php ? id= 2407.
  37. Scimecca, Joseph A. “Theory and alternative dispute resolution: Acontradiction in terms?”, ne Dennis J. D. Sandole dhe Hugo van der Merwe: “Conflict Resolution theory and practice, Integration and application”. Manchester University Press, USA, 1993.
  38. Schrapf, Fritz në artikullin e Weiner, Antje: “The Puzzle of the British No’to Schengen”, (Institute for Political Science, University of Hanover, February1999).
  39. Sinha, Lt. General S. K, Of Matters Military.
  40. Staveleci, Esat. Rrugëtimet dhe labirintet të Kosovës dhe të Shqiptarëve, Gjakovë, 2009.
  41. Stavileci, Esat. Vazhdimësia e mendimit për Kosovën dhe çështjen shqiptare, Lidhja Shqiptare në Botë, Tiranë-Prishtinë-tetovë, 2001, cituar nga Esat Stavileci, vepër e cituar.
  42. Vojenaja Enciklopedia, Moskva, 1978, vëllimi i parë,f. 374-376.
  43. Tilly, Charles. States and Nationalisms in Europe, heory and Society”, 23, No. 1, Shkurt 1994.
  44. Verli, M. cituar nga Gjeopolitika, Universiteti “ Barleti”, Tiranë, 2008, Nr. 1.
  45. von Clauzewitz, On War, Oxford University Press, 2008.
  46. Zgjidhja e problemit të veriut, krijimi i zonës së lirë B. Pacolli, 22.4.2010, Intervistë tek Zëri i Amerikës.
  47. Xhaferi, A. Skicë e Mbrothësisë Shqiptare, cituar nga Gjeopolitika, Universiteti “ Barleti”, Tiranë, 2008, Nr.1.
  48. Zajmi, Gazmend. Vepra 1, Botime të vecanta XXVII, Libri 9, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Seksioni i shkencave shoqërore, Prishtinë, 1997, cituar nga Esat Stavileci, vepër e cituar.
  49. Zimmermman, Warren. Burimet e një Katastrofe.
  • [1] Ka kryer studimet në Akademia Ushtarake “Skënderbej”, Akademinë e Mbrojtjes,Shkollën e Lartë të  Filozofisë, studimet në European Center For Security Studies ”George C.  Marshall”, Gjermani si dhe disa seminare kualifikuese dhe trajnime në Pernedim.Ka një përvojë të gjatë drejtuese pedagogjike e studimore  në detyra të ndryshme si pedagog ,  shef katedre, shef departamentit,  Drejtor i Qendrës së Studimeve Strategjike, sekretar shkencor,Drejtues i Akademisë së Mbrojtjes .Është vlerësuar Personalitet i vitit 2002, nga Interanacional Biographical Center  Cambridge, “2000 Autstandig Intelektuals of the 21 Century”.  dhe Personaliteti i vitit 2003 nga “The American Biographical Institute”,  “The   conteporal vho,s Vho”. Democratia per Fidem et Concordiam; European Centre for Security StudiesCentre ”GEORGE  MARSHALL”, 2016Mban Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”. Ka disa vleresimenga shoqata atdhetare e institucione si : ‘Personalitet i shquar i Laberise”. “Anetar Nderi i Shoqates Atdhetare Mallakastra”, “ AnetarNderi i Shqates Adhetare Dukagjini”, etj

Është autor dhe bashkautor i disa librave dhe teksteve  nga fusha e strategjisë, sigurisë dhe gjeopolitikës . Është  organizatori i disa konferencave shkencore dhe mbajtës i dhjetra referateve dhe kumtesave brenda e jashtë vendit;Ka pergatitur  dhe botuari disa dhjetra artikujve shkencor si dhe ka udhëhequr dhjetra disertacione dhe tezave Masteri brenda e jashtë vendit. . Është dalluar sidomos në zhvillimin e kritikës shkencore për mjaft probleme të mprehta të strategjisë.Ëshë anëtar  në disa  redaksi dhe borde , Drejtues i Bordit  Shkencor të Revistës Mardhënie Ndërkombëtare, President ndrei Marshall Center Alumni Association-Albania. Adresa e e-mail: pajtim_ribaj@yahoo.com

[2] Kugley, Charles. W. Politikat Botërore, UFO Press, Tiranë, 2009,  f. 358.

[3]  Kris Hedger, cituar nga Kugley, Charles. W. Politikat Botërore, UFO Press, Tiranë, 2009,  f 358.

[4] Dictionary of the Social Sciences, edited by Graig Calhoun, OXFORD University Press, 2002, f.509. Shih dhe:

Qazimi, Pellumb. Albania, the military and the Foreign Institucional (1912-91), Zagreb, 2012, f. 1-2.

[5] von Clauzewitz,  Carl. On War, Oxford University Press, 2008, f.28.

[6] Sinha, Lt. General S. K, Of  Matters Military,  f.1. Shih dhe: Qazimi, Pellumb. Albania, the military and the Foreign Institucional (1912-91), Zagreb, 2012, f. 1.

[7] Dict of Social Sciences, edited by Graig Calhoum, f. 509.

[8] Fischer, Joschka. Vitet kuq-gjelbër, Poltika e jashtme gjermane –nga Kosova e deri më 11 shtator , Koha, Prishtinë, 2007.

[9] Autorë të Strategjisë Moderne, f. 174-175.

[10] Lufta kundër luftës, f 81.

[11] Po aty, f. 81-82.

[12] Lufta kundër luftës, f.268.

[13] Zimmermman, Warren, Burimet e një Katastrofe, f. 152.

[14] Zimmermman, Warren, Burimet e një Katastrofe, f. 186.

[15] Po aty, f. 186.

[16] Në këtë pikë nuk duhet harruar fakti se në periudhën 1805-1809, territoret kroate dhe sllovene u pushtuan nga ushtria e Napoleonit. Në këtë periudhë, aty u aplikua jurisdiksioni francez dhe territori quhej me emrin les provinces illyrienes”, ndërkohë që u krijuan kontaktet e para me barazinë civile përpara ligjit e cila qëndronte në bazë të këtij juridiksioni.

[17] Bogomilet janë një sekt i konsideruar si heretik nga autoritetet e krishtera. Ky sekt lindi rreth shekullit të X-të dhe u përhap në Ballkan nga shekulli XII, sidomos në Bosnje-Hercegovinë. Disa autorë ia atribuojnë prezencën e këtij sekti konvertimit masiv në muslimanë të boshnjakëve, por ka debate të ndryshme mbi këtë argument.

[18] Charles dhe Barbara Jelavich, Themelimi i shteteve kombetare te Ballkanit, 1804-1920”, Tiranë: Dituria 2004, f. 294-300.

[19] Franzinetti, Guido. I Balcani: 1878-2001”, Roma: Carocci Editore, 2001, f. 56.

[20] Charles dhe Barbara Jelavich, ”Themelimi i shteteve kombetare te Ballkanit, 1804-1920”, Tiranë: Dituria 2004, f. 294-300.

[21] Charles dhe Barbara Jelavich, Themelimi i shteteve kombetare te Ballkanit, 1804-1920”, Tiranë: Dituria 2004, f. 294-300.

[22]Prof. Dr. Xheladin Shala, Çështja shqiptare dhe diplomacia serbe 1912-1913, Prishtinë, 2006.

[23]Avduli, Tahir. “Hasan  Prishtina”. Prishtinë, 2003, f. 171, cituar nga Jusuf Buxhovi, Kosova, libri i dytë, Prishtinë, 2012, f. 602.

[24]Luftrat e tjera ballkanike, Shtëpia Botuese Onufri, Tiranë, 1993, f. 10.

[25] Po aty. F. 11.

[26] Mjafton t’i referohemi një letre të një ushtaraku serb në gazetën serbe “Radniçki Novine’ më 9/22 tetor. Pos të tjerash, ai habitet e shkruan si mund të bëjë njeriu mizori të tilla. “Po të them vetëm kaq që “Luma (një krahinë shqiptare gjatë lumit me të njëjtin emër) nuk ekziston më, nuk ka asgjë veç kufomave, ka fshatra me nga 100, 150, 200 shtëpi, ku nuk ka mbetur asnjë njeri, në kuptimin e plotë të fjalës, asnjë. Ne i mbledhim njerëzit me grupe dyzetë deri në pesëdhjetë vetë pastaj i vrasim të gjithë duke i shpuar me bajonetë.

[27] Po aty.

[28] Shih dhe Guxolli, J. Kosova, pjesa e dytë, Prishtinë, f. 600.

[29] Po aty.

[30] Shpesh çdo arsyetim me qeveritë përkatëse ndeshet në një mur të shurdhët. “Megalomania e idealit kombëtar” nuk linte shteg as për arsyetim e as për kompromise. Si histori lufte, pasojat dhe rezultatet morale janë të tmerrshme. “Kombet që kishin qenë në aleancë dhe që i ishin drejtuar zotit t’i çlironte, papritmas filluan të urrenin njëri-tjetrin për vdekje. Urrejtja dhe mëria kombëtare, dyshimi i ndërsjellë mjaftonin për ta filluar dhe për ta çuar më tej luftën më brutale dhe më të kotë të kohës”. Ata që luftuan krah për krah në Katallxhie dhe në Adrianopojë tani janë gati të vrasin dhe të torturojnë. Shih: Luftrat e tjera ballkanike, Shtëpia Botuese Onufri, Tiranë, 1993, f. 11.

[31] Dhe sipas “Obzor”, 24, XII 1913, Zagreb: Serbia nga luftrat ballkanike zmadhohet gati dyfish në pikëpamje territoriale. Ajo i afrohet Detit Egje dhe Detit Adriatik, fiton krahina të pëlleshme, kufij të përbashkët me Malin e Zi, sigurim të lirë të transportit në Selanik, etj. Para luftrave ballkanike kishte 48.803km2 dhe 2.911.701 banorë (diku rreth 2.700.000 banorë), kurse pas luftrave ballkanike 87.358km2 me 4.393.315 banorë. Po kështu, sipas gjeneral armate Janos Bitos, ushtria greke çliroi e mori territore në Maqedoni, Epir dhe ishujt në veri dhe në lindje të detit Egje. Pas bashkimit të Kretës, Greqisë iu rrit dhe statusi strategjik i Greqisë në Mesdhe.

[32] A. Puto. Pavarësia Shqiptare dhe Diplomacia e Fuqive të Mëdha, Tiranë, 1978, f. 503.

[33] Schvill, Ferdinand. The History of Balkan Peninsula from the earliest temes to the present day, 1953, f. 471. Marrë nga inerneti adresa: http://www.ina.Orkino.not.indekx.php ? id= 2407.

[34] Pas një viti të traktatit, konventave dhe aleancave dhe pas dy luftrave, zona ballkanike arrin në krizat evropiane tashmë të dukshme akoma të fraksionuara: “ndarjet” vijnë së jashtmi nga konflikti botëror që do ta shohë Greqinë, Serbinë, Malin e Zi dhe Rumaninë në krahë të Antantës, ndërsa Bullgaria dhe Turqia zgjidhnin aleancën me Gjermaninë dhe Austro-Hungarinë, gjithnjë në tentativë për të fituar territoret e humbura në luftrat ballkanike. Vikonti Grey, Sekretari i Jashtëm Britanik, në kohën e luftrave ballkanike, më pas ka shkruar se “Traktati i Bukureshtit e la Bullgarinë të lënduar e të grabitur nga ato që besonte se i përkisnin. Sa kohë të mbetej në fuqi Traktati i Bukureshtit, çdo paqe e ardhshme në Ballkan qe e pamundur. Edhe Turqia, natyrisht, qe e zemëruar dhe e grabitur. Kështu, kur një vit më pas erdhi lufta e madhe, ishin dy fuqi Bullgaria dhe Turqia, të etura për revansh e gati për të kaluar në anën e cilës do palë, që do t’u hapte rrugën për të. Natyrisht, një palë e tillë ishte ajo e Austrisë dhe Gjermanisë.Për më gjerë shih: Vojenaja Enciklopedia, Moskva, 1978, vëllimi i parë,f. 374-376.

[35] Ottaway, Marina. Nation Building”, Foreign Policy, No. 132, Shtator-Tetor 2002.

[36] Harvey, Frank P. Primordialism, Evolutionary heory and Ethnic Violence in the Balkans: Opportunities and Constraints for heory and Policy”, Canadian Journal of Political Science/Revue canadienne de science politique, Vol. 33, No. 1, Mars 2000.

[37] Tilly, Charles. States and Nationalisms in Europe, heory and Society”, Vol. 23, No. 1, Shkurt 1994.

[38] Huntington, Samuel P. Lo scontro delle civiltà e il nuovo ordine mondiale”, Milano: Garzanti, 2000, f. 86.

[39] Hösch, Edgar. Storia dei Balcani”, Bologna: Il Mulino, 2006, f. 92.

[40] Bugajski, J. “Nevoja e terapisë shock në Bosnje-Hercegovinë” publikur nga gazeta “Standart”, 4.11.2010.

[41] Po aty.

[42] Ramadani, Fehmi. “Katër opsione për zgjidhjen e çështjes së Mirovicës”, 30.05.2010.

[43] Zgjidhja e problemit të veriut, krijimi i zonës së lirë ekonomike. B. Pacolli, 22.4.2010, Intervistë tek Zëri i Amerikës.

[44] Qosja, Rexhep. 9 korrik 2009 “Zgjidhja e problemit të veriut varet nga ndërkombëtarët. Mendoj se kjo mund të jetë në interesin e Kosovës, në interesin e qytetarëve të Kosovës por mund të jetë edhe në interesin e vetë Serbisë

[45] Jane’s Sentinel Country Risk Assessments 2010.

[46] Kadare, Ismail. “Ballkani i Jugut”, Tiranë 2005, f. 15.

[47]“Ne jemi pjesë e situatës së përgjithshme të Evropës”, sikurse shkruan shkrimtari Slloveno-Amerikan gjatë vizitës në Sarajevë në 1933, “ne nuk kemi mundësinë për të arritur qëllimin final. Ne jemi pjesë e dinamikës së politikës ndërkombëtare të Fuqive të Mëdha”.Shih: Hugh Poulton, The Balkans: Minorities and States in Conflict, London: Minority Rights Publications, 1993.

[48] Pasini, Carlo Scognamiglio. La Guerra del Kosovo, përkthyer shqip, GEER, 2004, f. 223-228.

[49]  Po aty, f.224.

[50]  Po aty.

[51] Po aty, f. 326.

[52] Në librin “Luftrat Ballkanike” Jakob Gould Schuman ndër të tjera shkruan “Se popujt e Ballkanit janë pengje të Fuqive të Mëdha, të cilat janë përgjegjëse në mënyrën e drejtpërdrejtë për kushtet e vajtueshme që ekzistojnë edhe sot mes tyre. Natyra elementare njerëzore nuk është disiplinuar kurrë dhe nuk ka kaluar nëpër shkollën e jetës dhe përvojës. Shpirti i konfliktit dhe i ndarjes mbizotëron aty; ata janë të sunduar nga një instinkt i pakontrolluar i egoizmit  kombëtar dhe  lakmisë”.

[53] Ne duhet të lexojmë në mënyrë racionale përqendrimet e faktorit ndërkombëtar Ky faktor është njohur për çështjen shqiptare (pra dhe për luftrat ballkanike) përmes burimeve e analizave të servirura nga shtete fqinje, të cilët interesin e vet strategjik të shpalosur me projekte shoviniste e shihnin në copëtimin e trojeve shqiptare. Gjithashtu, aktorë të fuqishëm ndërkombëtarë kanë qenë të prirur në politikat ballkanike të njehësohen me interesat gjeopolitike (politike, religjioze, hapësinore) me shtetet që operonin në hapësirën shqiptare dhe përgjithësisht e shihnin çështjen shqiptare në asimilimin e hapësirës shqiptare nga shtetet fqinje.

[54] Çështjen shqiptare në Ballkan e krijuan Fuqitë e Mëdha dhe ato kanë detyrimin. Por “ato nuk merren me zgjidhjen e çështjeve të tilla pa u bërë inicimi i zgjidhjes së çështjeve të tilla nga vetë faktori politik shqiptar.” Mr. Ukshin Hoti, Filozofia e çështjes shqiptare, Tiranë, 1995, f. 60.

[55] Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Tiranë, 2008, vëllimi i  tretë, f. 1778-9.

[56] Shihet qartë kjo dhe në vlerësimet e Projektit të SSK të vitit 2008, fq. 8 ku shkruhet: Çështja Kombëtare Shqiptare. Stabiliteti rajonal konsiderohet si kusht drejt integrimit të vendeve të rajonit në Evropë. Shqipëria synon të jetë një partner aktiv në politikën rajonale. Konsolidimi i shtetit të Kosovës, njohja e saj nga shtetet e tjera, forcimi i institucioneve dhe ekonomisë kosovare, anëtarësimi i saj në institucionet dhe strukturat ndërkombëtare të sigurisë shihen me rëndësi të veçantë nga RSH. Po ashtu, Shqipëria e konsideron me rëndësi jetike stabilitetin dhe integritetin e Maqedonisë. Themelore në këtë drejtim konsiderohet respektimi dhe zbatimi i përpiktë i Marrëveshjes së Ohrit. Republika e Shqipërisë e vlerëson rolin paqësor të minoritetit etnik shqiptar në Mal të Zi.

[57] Për më gjerë shih dhe Ahmet Davudoglu, Turqia thellësia strategjike, f. 126-27.

[58] M. Verli, cituar nga Gjeopolitika, Universiteti “M. Barleti”, Tiranë, 2008, Nr. 1, f. 53-55.

[59] Drejtimi i I-rë përmes Tivarit, Ulqinit, Lezhës, Shkodrës qendra kryesore vijon Prizren-Kosovë. Drejtimi i II-të, Durrës-Elbasan, bigëzohej Dibër-Ohër-Manastir; Drejtimi i III-të Bregdeti i Çamërisë, Prevezë–Janinë-Korçë-Kostur-Follorinë deri Thesali etj. Për më gjerë shih edhe: Sh. Mema, Shqipëria dhe shqiptarët në veprat e udhëtarëve  anglezë, Tiranë 1998, f. 176-193, cituar nga Gjeopolitika, Universiteti “M. Barleti”, Tiranë, 2008, Nr. 1, f.54.

[60] Sipas historikut të Qarkut të Kukësit, viti 1981, në vitin 1912 vetëm Luma kishte rreth 500 mijë bagëti të imta. Për shkak të humbjes së bazës kullosore dimërore, në vitin 1939, ajo mbarështronte vetëm 50 mijë bagëti të imta.

[61] A. Xhaferi, Skicë e Mbrothësisë Shqiptare, cituar nga Gjeopolitika, Universiteti “M. Barleti”, Tiranë, 2008, Nr.1, f 83.

[62] Numri i shqiptarëve në Ballkan llogaritet 8,67 milion banorë: në botë mbi 15 milion.

[63] Gjenden vlerësime të tilla në SK të Serbisë, etj.

[64] Friedman, George. 100 Vitet e Ardhshme, f. 75.

[65] Kjo, pos të tjerash, kërkon nga elita jonë njohjen e sistemit ndërkombëtar dhe impaktin e tij, sidomos në rajon dhe në hapësirën shqiptare. Kjo do të mundësojë analiza racionale për rezultatet e perspektivën e studimeve historike, etj. Dhe nëse njohim mirë sistemin e Koncertit të Evropës, lulëzimin e tij, por dhe rënien e shuarjen e tij me vrasjen në Sarajevë 1914, do të jemi më të bindur për kushtëzimet, madhështinë e Aktit të Pavarësisë Kombëtare, por dhe pasojat tragjike për kombin shqiptar. Po kështu duhet të lexojmë mirë Lidhjen e Kombeve, si sistem i parë i sigurisë kolektive, me vakumet e njohura që la pas, për të vijuar me OKB-në e Luftën e Ftohtë me karakteristikat e njohura, që përfshiu gjithë globin, çdo shtet, etj. Perspektiva historike dhe sigurisë posLuftës së Ftohtë, sistem ende i paidentifikuar qartë, nuk të lë gjithmonë “gradë lirie” për vendime të pastra dhe sfidat e tij do të ndihen dhe në rajon e  në hapësirën shqiptare.

[66] Shih dhe: Akademik Gazmend Zaijmi, Çështja e Kosovës në kuadër të çështjes shqiptare dhe si sfidë madhore e kohës dhe ndaj kohës, f. 246.

[67]  Për më gjërë shih: Staveleci, Esat. Rrugëtimet dhe labirintet të Kosovës dhe të Shqiptarëve, Gjakovë, 2009, f.91-97.

[68]  Po aty.

[69]  Po aty, f.94.

[70] Gazmend Zajmi, Vepra 1, Botime të vecanta XXVII, Libri 9, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Seksioni i shkencave shoqërore , Prishtinë, 1997, cituar nga Esat Stavileci, vepër e cituar, f. 97.

[71]  Po aty, f. 98.

[72]  Kadare, Ismail. Intervistë me gazetaren Branka Bogavac, për Revistën”NIN”, revista më e rëndësishme në Serbi. Jam i bindur, vijon autori, se mendimi i heqjes dorë nga xanxa (obsesioni) i Kosovës është i pranishëm në shoqërinë serbe. Kjo është një gjë pozitive. Kjo është në të mirën dhe vetëm në të mirën e Serbisë. Është koha për një zëvendësim idesh. Më parë në një pjesë të Ballkanit përdorej shprehja çlirimi i Kosovës nga Serbia. S’është ndonjë çudi që tani të thuhet çlirimi i Serbisë prej Kosovës.

[73]  Sipas Kadaresë, ndjesia për Europë është disi e ndryshme te ballkanasit. Është i njohur admirimi i pakusht i shqiptarëve për Europën dhe SHBA-në. Kjo ndoshta vjen ngaqë humbjen e Europës ne e kemi përjetuar më tragjikisht se të tjerët.

[74] Gayrmati, Istan; Stancic Darko. Study of the Assessment of Rehgional Security Threats and Challenges in the Western Balkan. DCAF.

[75] Scimecca, Joseph A. “Theory and alternative dispute resolution: Acontradiction in terms?”, ne Dennis J. D. Sandole dhe Hugo van der Merwe: “Conflict Resolution theory and practice, Integration and application”. Manchester University Press, USA, 1993, fq. 214- 215.

[76] Schrapf, Fritz në artikullin e Weiner, Antje: “The Puzzle of the British Noto Schengen”, (Institute for Political Science, University of Hanover, February1999), f. 9.

[77] Kadare, Ismail. vepër e cituar.

[78] Kadare, Ismail, vepër e cituar.

[79] Staveleci, Esat. Rrugëtimet dhe labirintet të Kosovës dhe të Shqiptarëve, Gjakovë, 2009, f.738-740.

[80] Gazmend Zajmi, Vepra I, Akademia e Shkencave dhe arteve e Kosvës, Prishtinë, 1997; Paul Garde, Vie et mort de la Yougoslavie, Paris , 1992; Esat Stavileci, Vazhdimësia e mendimit për Kosovën dhe çështjen shqiptare, Lidhja Shqiptare në Botë, Tiranë-Prishtinë-tetovë, 2001, cituar nga Esat Stavileci, vepër e cituar, f.755.

[81] Gazmend Zajmi, vepra I, Akademia e Shkencave dhe arteve e Kosvës, Prishtinë, 1997. cituar nga Esat Stavileci, vepër e cituar, f.758

[82] I. Kadare, P. Sinic, L. Frckovski, Y. Hasa, Ballkani i Jugut, Perspektiva nga rajoni, Tiranë, 2001, cituar nga Ribaj, Pajtim, Njohje me kuptimin e mendimit strategjik; Disa ide të strategjisë së shek.XXI, Akademia e Mbrojtjes,Tiranë, 2003.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.