Në pamundësi për ta shpalosur veprimtarinë e plotë të atdhetarit Hetem Ramadan Ajeti në një shkrim gazete, kësaj radhe lexuesve do t’ua prezantojmë vetëm episodin e përleshjes së tij me policin famëkeq Apostol Llaziq.
Hetem Ramadan Ajeti lindi më 21 shtator të vitit 1947, në fshatin Sfeqël të Podujevës. Sipas disa dokumenteve të ruajtura nga vëllezërit Mehmet dhe Ismail Ajeti-Bushi, vërtetohet se trualli i përhershëm i kësaj familjeje ka qenë fshati Sfeqël i komunës së Podujevës.
Këtë familje e gjithë treva e Llapit e njeh për bujari, mikpritje dhe përpjekje të pareshtura për çlirimin e tokave shqiptare. Ajetajt, në asnjë rrethanë apo situatë, nuk devijuan nga porosia e të parëve të tyre se për Atdhe e identitet kombëtar duhet dhënë edhe koka.
Këtë amanet do ta jetësojë Ismail Ajeti, i shkolluar si autodidakt dhe mik i shtrenjtë i vegjëlisë dhe i zgjimit nacional.
Ai, më 23 dhjetor të vitit 1945, në fshatin Kranjë të Prespës, në trekëndëshin që ndan kufirin Maqedoni-Shqipëri-Greqi, ia mundëson arratisjen në Greqi, me katërqind luftëtarë, Muharrem Bajraktarit, ish-udhëheqës i “Ballit Kombëtar”.
Po ky burrë fisnik dhe trim i pashoq, më 8 shkurt të vitit 1950, derisa po e kryente detyrën e gardianit në burgun e Mitrovicës, ua hap dyert të gjithë të burgosurve politikë, ku, së bashku me ta, arratiset edhe ai.
Djali i Llapit dhe Kosovës, që bëri këtë heroizëm të radhës në mbrojtje të gjuhës, tokës dhe nderit shqiptar, të dyja herët u dënua me vdekje.
Ai i shpëtoi ekzekutimit falë intervenimit me urgjencë të Fuqive të Mëdha të Kontrollit Ndërkombëtar mbi ish-Jugosllavinë. Pas këtij dekreti, Presidiumi i atëhershëm i ish-Jugosllavisë lëshoi urdhër zyrtar që të gjithë të burgosurit politikë të liroheshin, pavarësisht pozitave të tyre.
Nga kjo amnisti do të përfitojë edhe patrioti trim dhe i paepur Ismail Ajeti-Bushi. Ai lirohet nga kazamatet e ish-Jugosllavisë më 15 shkurt të vitit 1960.
Mirëpo, duke qenë i pakënaqur me pozitën e popullit të tij nën Jugosllavi, ai prapë riorganizon djem e vajza të Llapit, që në çdo kohë ishin të gatshëm për mobilizim, ngase jeta nën çizmen sllave ishte bërë e padurueshme.
Kontaktet me ta i mban ndaras, për hir të moszbulimit të tyre nga ana e pushtuesve dhe disa lojalistëve shqiptarë, të cilët veten në atë sistem e ndienin rehat.
Ismaili shpeshherë shpjegonte se si, në atë kohë të pakohë, të gjithë ata shqiptarë që kundërshtonin atë regjim skllavërues ekzekutoheshin pa gjyq dhe pa asnjë provë.
Gjithashtu, metodë disiplinimi ishte bërë edhe internimi dhe mbajtja e tyre në kampe përqendrimi. Arsyeja e vetme ishte përkatësia e tyre etnike.
Për shumë vjet, emrat e personaliteteve më të shquara të kombit tonë u anatemuan dhe u fshinë nga historia.
Rinisë sonë, në ato pak shkolla shqipe që punonin me planprograme serbe, u ofroheshin tema nga jeta dhe vepra e autorëve të elaborateve që si detyrë të ngutshme kishin spastrimin etnik të Kosovës.
Që nga bankat e tetëvjeçares e deri në Universitet, si lektyrë shkollore shqiptarët kishin autorë si: Spiridon Gopçeviq, Gjoka Perina, Ilija Garashanin, Vasa Çubrilloviq, Jovan Cveiq, Dobrica Qosiq, Ivo Andriq etj.
Po ashtu, u bëhej publicitet edhe partizanëve famëkëqij si: Dushan Mugosha, Milladin Popoviq dhe kolaboracionistit Ali Shukriu, të cilët, në bashkëpunim me diktatorin Enver Hoxha, Shqipërinë e kishin kthyer në varr kolektiv të shqiptarëve demokratë dhe properëndimorë.
Këto dhe shumë forma të tjera të shtypjes bënë që Ismail Ajeti të jetë përherë në ballë të lëvizjeve tona për çlirim. Ai, edhe pse e përjetoi ferrin në burgjet e ish-Jugosllavisë, deri në vdekje qëndroi përkrah të rinjve të Llapit, të cilët, si atëherë ashtu edhe sot, e vlerësojnë lart figurën e tij.

Ismaili, duke u bërë shembull vetëflijimi dhe sakrifice brenda familjes Ajeti, do t’i përgatisë për rezistencë të rinjtë Hetem Ramadan Ajeti, Ali Adem Ajeti dhe Murat Mehmet Ajeti, duke e zgjeruar ndërkohë gamën e veprimit edhe me qindra djem të tjerë trima e të shkathët për aksione.
Me moral dhe qëndresë, ai përgatit edhe gratë trimëresha si: Maliqe Jupolli Ajeti, Hyrë Monolli Ajeti, Shehide Begolli Ajeti, Zyhrije Sadaj Ajeti, Vahide Podvorica Ajeti, Kadife Çitaku Ajeti, Nurije Sheholli Ajeti etj., të cilat, me gjithë dhunën, burgosjet dhe vrasjet e vazhdueshme, asnjëherë nuk ranë në dëshpërim e gjendje të pashpresë.
Meqë Hetemi kishte një zhvillim fizik dhe mendor për t’ia pasur zili, Ismaili e trajtonte sikur fëmijën e tij. Ai në Hetemin shihte përfaqësuesin e ardhshëm e të vërtetë të luftëtarit trim e të pamposhtur.
Hetemi, edhe pse ende shumë i ri, me mish e shpirt do të mobilizohet në luftën për çlirim kombëtar. Ai, me armë në dorë, do të luftojë kundër mendësisë së ngushtë të shovinistëve serbë, të cilët përdorën të gjitha mjetet represive për të na shkombëtarizuar e për të na lënë emërharruar në tokën tonë.
Duhet pranuar se të luftoje pabarazinë dhe padrejtësitë atëbotë ishte më e vështirë dhe më e ndërlikuar nga s’dukej në pamje të parë.
Por idealizmi rinor i të rinjve të Llapit dhe viseve të tjera të Kosovës nuk njihte vrushkujt e ujit, as kërbaçët, as tytat e armëve, as zhurmën e poterën shurdhuese të tankeve dhe avionëve luftarakë të kolonialistëve serbë.
Të gjithë këta të rinj idealistë e atdhedashës ishin pajtuar që jetën ta shkëmbenin me vdekjen, pasi që ajo nën okupim s’kishte kurrfarë vlere.
Kështu, më 27 nëntor të vitit 1968, në Podujevë, në shenjë revolte e pakënaqësie, organizohen demonstrata në kërkim të simboleve kombëtare dhe të së drejtës për Universitet në gjuhën shqipe.
Hetem Ajeti, me të dëgjuar fjalimin me aq zjarr të studentit të inxhinierisë Sabit Ibrahim Syla para Kuvendit Komunal të Podujevës, del nga punëtoria ku mësonte zanatin e marangozit dhe futet në rreshtat e parë të demonstruesve.
Në këtë demonstratë, zanatçiu i ri Hetem Ajeti sikur edhe bën betimin. Ai, që nga ky moment, bëhet pjesë e të gjitha lëvizjeve kryengritëse në Llap e më gjerë.
NJË SITUATË PËR JETË A VDEKJE
Dita e 25 janarit 1969 do të jetë një test tjetër i radhës për Ajetajt e Sfeqlës së Llapit.
Derisa djali i tyre, Hetemi, po e priste trenin e linjës Podujevë-Polenicë, në kafenenë e stacionit hekurudhor papritmas u shfaq një i ri serb, së bashku me të dashurën e tij.
Ai, pa arsyen më të vogël dhe për habinë e të gjithëve, nisi të grushtojë një djalosh të pafajshëm, rreth të njëzetave, nga Gllamniku i Podujevës.
Sipas Hetem Ajetit, dëshmitar okular i kësaj ngjarjeje, me gjithë kaosin e krijuar dhe pështjellimin, i riu shqiptar shpejt u këndell.
Ai rrëmbeu një karrige dhe, me tërë forcën, e përplasi mbi trupin e serbit. Serbi, që kishte natyrë të dhunshme dhe represive, u gjend në nokaut klasik. Pas pak minutash, i provokuar nga ky akt dhe i turpëruar përpara të dashurës së tij, filloi të gjuajë kuturu me sende të forta në turmën e njerëzve të pranishëm.
Ai sikur donte ta kthente besimin te serbët e tjerë, e sidomos te e dashura e tij. Fyente me fjalët më të pista shqiptarët. Hetemi, i pezmatuar nga këto skena të turpshme, ia kthen këtij huligani me të njëjtën shtizë.
Po ashtu, i tërheq edhe vërejtjen se, nëse nuk pushon, do ta pësojë edhe më keq. Nuk vonoi shumë dhe, pas këtij debati të nxehtë, u dëgjua një bori e pandërprerë alarmi, që u pasua nga frenimi i ashpër i makinës së policisë.
Njerëzit e tubuar në kafene menjëherë filluan të ikin, si bletët nga një koshere që kishte marrë flakë.
Hetem Ajeti, trim i lindur, as që kishte lëvizur nga vendi. Mbi të u vërsulën policët e armatosur mirë.
Ndër ta, me temperamentin e tij të dhunshëm, u dallua polici Apostol Llaziq, i cili, duke e ndier veten tamam si gangster, Hetemit iu drejtua me fjalët: “Ty të kam në regjistrin tim që nga 27 nëntori i vitit të kaluar.”
Pastaj vazhdoi: “Ky është vetëm fillimi. Do të bëj që, kur të më shohësh të vij, të vjellësh.”
I rrëmbyer nga momenti i ngjarjes dhe i inatosur, Hetemi ishte përgjigjur: “Ditët në vijim do të shohim se a do të vjell unë apo ti.”
Ai, i tronditur nga kjo ngjarje e papritur, duke bërë monolog me vetveten, kthehet në shtëpi.
Porsa mbërrin në oborrin e shtëpisë së tij, në fshatin Sfeqël të Podujevës, e ëma, me shikimin plot kureshtje, e heton atë të gërvishtur në fytyrë. Ajo, bukur e shqetësuar, i thotë Hetemit: “Çfarë të ka ndodhur, djali im?”
Hetemi me kohë kishte parapërgatitur një shpjegim lehtësues për nënën Hyrë. Si gjithnjë i kujdesshëm ndaj saj, thotë: “Asgjë, asgjë, nënë. Rrëshqita nga vigu duke kaluar lumin.”
Në mënyrë që t’ia largonte plotësisht dyshimin nënës, ai kishte lagur qëllimisht edhe rrobat.
Në ato çaste, e ëma u ndie e lehtësuar dhe e përqafoi Hetemin, me çka edhe e lehtësoi emocionalisht.
Në anën tjetër, ajo mallkonte lumin Dumnica, i cili, nga të reshurat e pandërprera të atyre ditëve, kishte dalë nga shtrati i tij, duke i përmbytur përreth edhe arat e mbjella me grurë.
NË STACIONIN E TRENIT NDODH SKENA E REVANSHIT
Stacionin e trenit në Podujevë polici Llaziq e konsideronte si vendin më të përshtatshëm për të provokuar ndjenjat e shqiptarëve. Ai, edhe pse kolonialist, e ndiente veten superior.
Punëtorët shqiptarë që punonin në Korporatën Energjetike të Kosovës në Kastriot (ish-Obiliq), pa aguar mëngjesi, merrnin trenin e orës katër e një çerek, Podujevë-Prishtinë-Fushë-Kosovë, dhe anasjelltas.
Ky farë polici aventurier, me dëshirën e fortë për fyerje e poshtërim të tyre, së bashku me kolegët e tij Kuzmanoviq e Parazanoviq, i shqetësonin ata duke mos i lejuar të uleshin në ulëset e lira të vagonëve të trenit.
Me një zë kërcënues u drejtoheshin duke u thënë: “Të gjitha vendet janë të rezervuara.” Këto gjeste të vazhdueshme të këtyre policëve do ta pezmatonin edhe më tepër Hetemin.
Ai, më 29 janar 1969, pa grimë mëshire, në hyrje të kafenesë që gjendej brenda stacionit të trenit, rreth orës 9:00 të mëngjesit, e çarmatos policin zullumqar Llaziq, duke e goditur disa herë me levë në kokë.
Polici i përgjakur përplaset përtokë. Hetemi, edhe pse asnjëherë nuk e kishte dëshiruar një skenë si kjo, shfryn pezmin e tij, duke e paaftësuar për jetë policin Llaziq, i cili adhurohej rrejshëm nga serbët lokalë të Podujevës.
Pas kësaj ngjarjeje, ai mendon të arratiset. Mirëpo, kushëriri i tij Mehmet Ajeti, një burrë autoritativ dhe i mençur, nga frika se Hetemi mund të vritej nga policia jugosllave, e bind që të vetëdorëzohet në stacionin e policisë në Podujevë.
Edhe pse e dinte se atje do të haste në disa policë të predispozuar për dhunë ndaj shqiptarëve, sidomos ndaj atyre që kishin marrë pjesë në demonstratat e nëntorit të vitit 1968.
“Rilindja”, si gazetë e përditshme e popullit shqiptar të Kosovës, përleshjen e Hetem Ajetit me policin Apostol Llaziq e pasqyron nëpërmjet këtij artikulli.

Arratisja e Hetemit do ta rrezikonte seriozisht edhe jetën e kushëririt të tij Ismail Hasan Ajeti, i dënuar dy herë me vdekje.
Mehmeti kishte shpenzuar shuma të majme parash për lirimin e Ismailit nga burgjet jugosllave. Ai, përpos që kishte shitur tokë, bagëti dhe drithëra, kishte marrë para hua edhe nga farefisi dhe miqtë.
Pas dhënies së një shume të konsiderueshme parash për Ismail Ajetin, dënimi i shqiptuar me vdekje i kthehet në dënim të përjetshëm.
Pushtuesit serbë e malazezë, me sjelljet e tyre të egra, mendonin se nëpërmjet dhunës, përndjekjes dhe burgosjeve do t’i eliminonin ideologët shqiptarë që luftonin për liri dhe bashkim kombëtar.
Hetemi kujton fare mirë se si njëri, ashtu edhe tjetri prej shtatë-tetë policëve serbë që ishin të pranishëm në çastin e dorëzimit të tij, i ishin drejtuar me fjalët: “Kush të mësoi të veprosh kështu?”
Madje, Kuzmanoviq e Parazanoviq i thonë: “Paske qëndruar besnik në zanatin që të la Ismail Ajeti, armik i deklaruar i Jugosllavisë.
Por ti do të pësosh edhe më keq se ai. Ne nuk durojmë një akt të tillë poshtërues të uniformës sonë.”
Ata, duke e trajtuar tmerrësisht keq e me përbuzje Hetem Ajetin, e fusin në veturën e errët me rrjeta hekuri dhe e transferojnë, ashtu të përgjakur, në burgun e Prishtinës.
Ishte një ditë e ftohtë dimri kur Hetemin e merr në pyetje një inspektor pijanec dhe, nën ndikimin e vazhdueshëm të dhunës, më tepër kërkon nga ai informacione rreth demonstratave të vitit 1968 sesa rreth sulmit të tij mbi policin Llaziq.
Aq sa flet muri, aq i përgjigjej Hetemi. Inspektori, i nevrikosur nga heshtja e Hetemit, nis ta fyejë atë në baza kombëtare.
Të nesërmen, në një rrethanë aq kritike dhe në një gjendje aq të rëndë shëndetësore, Hetem Ajetin e vendosin në qelinë numër 25. Era e qelbur dhe një dyshek gjithë myk mbi një sustë të ndryshkur e kishin rënduar edhe më tepër gjendjen e tij.
Në atë qeli aq të ngushtë gjendej edhe studenti i historisë Hasan Dërmaku, nga Shipashnica e Dardanës (ish-Kamenica). Ai në këtë burg mbahej me shumë shokë të tij si organizator i demonstratave të vitit 1968.
Një ditë, herët në mëngjes, Hetemin e nxjerrin nga qelia dhe e dërgojnë në pyetje.
Hasani shfrytëzon këtë kohë të përshtatshme dhe, nëpërmjet një forme që e njihnin shumë pak të burgosur, bisedon me shokun e tij të jetës dhe aktivitetit, Xheladin Rekaliun, i cili ndodhej në qelinë pranë.
Xheladini ishte po ashtu një i burgosur politik nga Podujeva, i cili akuzohej si njëri nga kryeorganizatorët e ngjarjeve të vitit 1968.
Hasani i shpjegon atij se si në qeli i kanë sjellë një çun të ri nga Podujeva. Pas kërkesës së Xheladinit se si e quanin atë djalë, Hasani e portretizon në hollësi të porsavendosurin në qelinë e përbashkët.
Duke thënë: “Xhelë, i burgosuri lë përshtypjen e një njeriu miqësor dhe të besueshëm.”
Pastaj vazhdon: “Ky i ri thotë se është pre e përleshjes me një kolon serb nga Orllani i Podujevës, i cili, i punësuar si polic, duke keqpërdorur profesionin, i torturonte pa shkas banorët e pafajshëm të Llapit.
Thotë se quhet Hetem Ajeti dhe është i Ajetajve të Sfeqlës së Podujevës. Paska bërë punën prej zanatçiu te Hysen Jetullahu i Dëbërdolit, i vendosur në Sfeqël.”
Xheladini, nga përshkrimi bindës dhe i argumentuar i Hasanit, menjëherë kuptoi se fjala ishte për bashkëmoshatarin e tij, Hetem Ramadan Ajeti, i cili, vetëm tri ditë pas përleshjes së ashpër me policin mizor Llaziq, ia kishte dalë të hakmerrej ndaj tij.
Rekaliu e dinte që hakmarrja do të ndodhte shpejt. Po ashtu, ishte i sigurt që Hetemi, i rritur dhe edukuar nën autoritetin e Ismail Ajetit, në asnjë mënyrë s’do ta lejonte poshtërimin e tij dhe të llapjanëve të tjerë nga një ardhacak i rritur në stallë derrash.
Llaziq, vetëm pse i tekej, shpeshherë i provokonte qytetarët e kësaj ane, mbi supet e të cilëve rëndonte varfëria e tejskajshme dhe një mijë halle të tjera.
Xheladini i thotë Hasanit: “Nëse e kthejnë Hetemin në qeli, mësoja, të lutem, metodën e komunikimit me gjysmë zëri, pastaj vetë do të bisedoj me të.”
Pasdite vonë, dera e qelisë u hap më rreptë sesa pritej. Dy gardianë e përplasën me rrëmbim Hetemin, të bërë qull nga djersët dhe të verdhë dyllë, mbi shtratin e papastër të qelisë.
Hasanin e acaruan tepër këto sjellje të paligjshme të tyre. Ai publikisht e dënoi sjelljen e këtyre njerëzve të papërgjegjshëm, duke i denoncuar ata edhe te eprori i tyre. Atë natë të rëndë, ushqimin e tij të paktë Hasani ia jep Hetemit, kurse vetë mbetet pangrënë fare.
Dalëngadalë u afrua edhe koha e ndërrimit të rojeve të burgut. Hasani ia mësoi Hetemit mënyrën e bisedës me zë të ulët.
Ai, duke ndërmarrë masa sigurie, vëzhgonte te dera e qelisë, kurse Hetemi bisedonte me Xheladinin. Xheladini, me humorin e tij të lehtë dhe të këndshëm, e përgëzon Hetemin për qëndresë, duke i thënë: “Hetem, ti praktikisht tregove atdhedashurinë me levë.”
Pastaj, Xheladini i flet Hasanit edhe rreth të bëmave të Ismail Ajeti-Bushit, i cili, i heshtur dhe në rrethana tepër të rënda gjatë viteve 1945-1950, manifeston akte të rralla trimërie.
Hasani, pa e përfunduar mirë bisedën me Xheladinin, e merr në përqafim Hetemin. Që nga ky moment, ata janë të pandarë me njëri-tjetrin.

Stafi udhëheqës i burgut të Prishtinës, duke hetuar veprimet e sinkronizuara të këtyre dy djemve të rinj, llogariste edhe mundësinë e arratisjes së tyre nga burgu.
Atëkohë, burgu i Prishtinës ishte shndërruar në çerdhe ethesh për qeveritarët jugosllavë dhe të përkëdhelurit e tyre.
Në këtë burg mbahej elita udhëheqëse e demonstratave të vitit 1968. Studentë e nxënës, së bashku me shtresa të tjera të popullit, të prirë nga ideologu i tyre Adem Demaçi, që po vuante dënimin e gjatë në burgjet e ish-Jugosllavisë, kishin bërë përgatitjet për avancimin e statusit të Kosovës.
Prandaj, ethet ishin një dukuri e rëndomtë për autoritetet jugosllave dhe disa lojalistë shqiptarë, që veten e konsideronin si turq e jugosllavë.
Të mbërthyer nga frika, përgjegjësit e burgut Hetemin e ndajnë nga Hasani dhe e çojnë në dhomën numër 29. Mirëpo, edhe kësaj radhe ai do të jetë me fat. Në dhomë do t’i sjellin Muharrem Hazir Thaçin, e Carallukës së Malishevës, i cili ishte nip i të njëjtit fshat me Hetem Ajetin.
Muharremi, i përmbajtur dhe tejet serioz, në burg mbahej po ashtu për një vepër që meritonte të admirohej.
Ai, pas 21 vjetësh, ishte hakmarrë për vrasjen e babait të tij. Më 10 shtator të vitit 1948, njëfarë Pero Sava Reshetar, nëpunës në Zyrën e Këshillit Popullor të fshatit Llashka-Drenoc, komuna e Drenasit (ish-Gllogoci), kishte vrarë Hazir Hamzë Thaçin vetëm pse atij i mungonin 400 kilogramë grurë nga totali i caktuar prej 4.000 kilogramësh.
Sasinë e dhënë prej 3.600 kilogramësh Haziri e kishte siguruar me insistimin e gruas së tij, Sofije Beselica Thaçi.
Ajo, nga frika se mund t’u ndodhte ndonjë e keqe fëmijëve të saj, Azemit, Muharremit, Ademit dhe Xhezides, së bashku me Hazirin shkon derë më derë për mbledhjen e drithit, të të ashtuquajturit rekuizim (otkup), të caktuar nga pushteti gjakpirës serbo-sllav.
Serbët dhe malazezët ishin ata që, nëpërmjet kësaj takse ndëshkuese, përpiqeshin t’i gjunjëzonin shqiptarët, duke i sprovuar edhe me uri.
Pas këtij akti të shëmtuar e tipik fashist, Pero Sava Reshetar kinse ishte dërguar për pesë-gjashtë muaj në vuajtje të dënimit në burgun e Nishit.
Rexhep Bunjaku, njëri nga ish-të burgosurit politikë në këtë burg, në shkrimet e tij rrëfen sjelljet prej krimineli të Pero Sava Reshetarit ndaj të burgosurve shqiptarë.
Reshetari, i “dënuar”, shumë shpejt kthehet në Kosovë dhe avancohet në pozitë udhëheqëse si drejtor i Sektorit të Përgjithshëm të PTT-së në Prishtinë.
Muharremi, 42 vjeç, gjatë kësaj kohe gjendej në Shkup, ku punonte si punëtor në ndërmarrjen ndërtimore “Granit”.
Ai, gjatë qëndrimit atje, ishte acaruar edhe më tepër. Shokët e punës, duke menduar se po e ngushëllonin, i kishin treguar që me metoda të njëjta sllavo-maqedonasit kishin likuiduar edhe shumë shqiptarë autoktonë të Maqedonisë së Veriut.
Edhe pse nga duart e Muharremit sigurohej buka e familjes, ai vendos ta lërë punën dhe të kthehet në shtëpinë e tij në Carallukë të Malishevës.
Sipas rrëfimeve të shokut të tij të burgut të Prishtinës dhe të Nishit, Hetem Ramadan Ajeti, shpeshherë Muharremi kishte thënë që vrasja e babait të tij dhe puna e rëndë fizike ia kishin dëmtuar shëndetin.
Muharremi, për një kohë të gjatë, kishte vuajtur edhe nga disa ulcera peptike të shfaqura në zonën e ezofagut.
Ai po ashtu kishte sqaruar se si e kishte kapluar ndjenja e ankthit dhe frikës se po vdiste pa ia dhënë hakun e merituar Pero Sava Reshetarit.
Muharremi disa ditë ishte vënë në përcjellje të tij. Kur e identifikon mirë e mirë dhe vërteton se ai gati çdoherë po drekonte në restorantin “Union-Express”, që gjendej ngjitur me Teatrin Kombëtar të Kosovës, kthehet i relaksuar në shtëpinë e tij.
Më 31 mars të vitit 1969, herët në mëngjes, niset nga Caralluka, fshati ku edhe jetonte, për në Prishtinë.
Pasi vërteton që Reshetari kishte dalë në punë dhe sillej me tre-katër veta brenda hapësirave të Postës, i shkon mendja të shtijë mbi të.
Mirëpo, e frenon veten me arsyen plotësisht të shëndoshë se krimin e Pero Reshetarit është mëkat ta paguajnë me jetë njerëzit e pafajshëm.
Muharremi katër-pesë orë do të shëtisë në qytet, me shpresën se rastësisht mund ta takojë Reshetarin në ndonjë vend ku mund ta ekzekutojë pa dëmtuar askënd tjetër përveç tij.
Ky ishte edhe qëllimi i kahershëm i Muharremit. Ai, si burrë i një vatre të vërtetë shqiptare, edhe pse e kishte mundësinë, s’donte të hakmerrej ndaj Savës, babait të tij, e as ndaj vëllezërve të tij, Milenit, Jagoshit dhe Andreas.
Këtë ditë kritike, Muharremi, në vakt dreke, niset kah restoranti “Union-Express”. Kur vëren që aty ishte edhe Reshetari, ai, gjakftohtë dhe i përmbajtur, zë vend në një qoshe jo larg tij.
Muharremi, me të hetuar që Reshetari po i afrohej arkës për të paguar, nxiton dhe i del përpara.
I qetë si përherë, i thotë: “Sot unë paguaj për ty.” Me shpejtësi të paparë nxjerr nga brezi revolverin “Zbrojovka” dhe ia numëron një breshëri plumbash. Në ndarje i thotë: “Të fala nga Haziri dhe fëmijët e tij.”
Fshatarët e kësaj ane i gëzohen tepër këtij lajmi. Ata me dhjetëra herë kishin rrëfyer mbi keqtrajtimet që Reshetari ua kishte bërë atyre qoftë edhe për një kilogram drithë të munguar.
Të gjithë e dinin që ky farë “otkupi” ishte shpikur me pretekstin e vetëm për të ushtruar dhunë dhe vrasje ndaj shqiptarëve.
Krismat e armës së Muharrem Thaçit dhe leva e Hetem Ajetit ishin paralajmërim i mirë se kolonialistët serbë e malazezë asnjëherë s’mund të bëhen zot në tokë të huaj.

EPISODI I GJYKIMIT TË HETEM AJETIT DHE DËRGIMI I TIJ NË BURGUN E NISHIT
Hetem Ajetit, pas qëndrimit prej tetë muajsh në paraburgim, Gjykata e Qarkut në Prishtinë ia shqipton dënimin prej tri vjetësh burgim të rëndë, duke e cilësuar si të rrezikshëm për rendin dhe shoqërinë.
Periudha kur Hetemi ishte dënuar ishte mjaft e acaruar dhe e nderë, sepse në të njëjtën kohë u dënuan edhe kryeorganizatorët e demonstratave të vitit 1968.
Prokurori publik Mentor Çoku, pasi analizon provat, konstaton se është provuar fajësia e të akuzuarit Hetem Ajeti.
Madje, ai kërkon zgjerimin e aktakuzës, duke nxjerrë si provë rënduese pjesëmarrjen e Hetemit në demonstratat e 27 nëntorit të vitit 1968, të mbajtura në Podujevë.
Këto demonstrata, edhe pse ishin të ligjshme, regjimi komunist i ish-Jugosllavisë i cilësonte si armiqësore dhe si orvatje të hapur të shqiptarëve që Kosova të fitonte statusin e Republikës së shtatë në kuadër të Federatës Jugosllave.
Një kërkesë si kjo i tmerronte serbët e malazezët në Beograd e Podgoricë. Rehat nuk ndiheshin as maqedonasit dhe një grup bukur i madh i të hibridizuarve gjithandej ish-Jugosllavisë.
Po ashtu, kolonët serbë e malazezë të vendosur në Kosovë i frynin zjarrit me rrëshiqin e shtrigës, vetëm e vetëm që shqiptarët të mbeteshin rrogëtarë të përjetshëm të tyre.
Prokurori Çoku kishte këmbëngulur që Hetem Ajeti të dënohej sipas ligjit në fuqi për dy vepra penale.
Derisa Riza Fazliu, gjykatës i rastit Ajeti, po përgatiste konfirmimin e dënimit, reagon Tadej Rodiqi, i cili konstaton sjellje dhe qëndrim jokorrekt ndaj të shpallurit fajtor, Hetem Ajeti.
Me kërkesën e Rodiqit u zhvillua edhe seanca për këshillim, ku u bë korrigjimi i gabimeve.
Pas përmirësimit të këtyre lëshimeve, Hetem Ajeti dënohet me tri vjet burgim. Tadej Rodiqi, drejtor dhe mësimdhënës në vitet ’50 në Progjimnazin e atëhershëm të Podujevës, kishte ruajtur konsideratën e tij të lartë ndaj Mehmet Hasan Ajetit-Mehës, të cilin e vlerësonte për mençuri dhe përpjekje pozitive që çështja shqiptare të avancohej me përfshirjen e gjithmbarshme të rinisë shqiptare në shkollat me mësim në gjuhën shqipe.
Rodiqi, në një ndejë, i kishte thënë ish-nxënësit të tij, Ymer Adem Llugaliut, se thëniet e Mehmet Ajetit-Mehës do t’i kujtonte përherë: “Derisa të jemi të paarsimuar, me ne do të luajë dreqi dhe i biri. Dashurinë për Atdheun nuk e krijon bartja e plisit të bardhë, por penda e dijetarit të mirëfilltë.”
Mehmet Ajeti ishte treguar largpamës dhe vizionar pikërisht në kohën kur disa, të manipuluar nga regjimi sllavo-komunist, mendonin se shkolla të duhura për shqiptarët ishin vetëm ato me përmbajtje fetare.
Rodiqi gjatë gjithë jetës do t’i jetë mirënjohës Mehmet Hasan Ajetit, i cili, me reputacionin që gëzonte në Llap, kishte ndikuar te shumë familje që të rinjtë e këtij regjioni të vijonin shkollimin e mëtejshëm në Progjimnazin e atëhershëm të Podujevës.
Madje, Mehmeti kishte dhënë vetë shembullin praktik, duke e dërguar në këtë gjimnaz edhe të birin, Xhevatin.
Në fillim të viteve ’70, Xhevat Ajeti, së bashku me Shaip Latifin, Salih Ilaz Ejupin, Fadil Rasim Çitakun, Xhemshit Beqir Vokrrin, Enver Xhelil Breznicën, Selim Fetah Ejupin dhe Sabit Fazli Ejupin etj., shkojnë për studime në Tuzllë të Bosnjë-Hercegovinës, ku edhe diplomojnë në fushën e gjeologjisë.
Ndërkohë, ata kthehen si kuadër me përgatitje superiore në minierat e Trepçës, Hajvalisë, Goleshit dhe në Korporatën Energjetike të Kosovës në Kastriot (ish-Obiliq).
Rodiqi këtë kontribut të Mehmetit do ta shpërblejë me rastin e gjykimit të familjarit të tij, Hetem Ramadan Ajeti. Ai do t’i shfrytëzojë të gjitha mjetet e mundshme juridike, në mënyrë që i akuzuari Hetem Ajeti t’i shmanget dënimit me burgim afatgjatë.
Falë përpjekjeve të Rodiqit, i akuzuari Hetem Ajeti dënohet vetëm me tri vjet heqje lirie.
Me të kuptuar rastin, të pakënaqur me vendimin, udhëheqësit e drejtorisë së burgut, në bashkëpunim me organet e larta ekzekutive të Kosovës, që ishin në varësi të Serbisë, më 12 prill të vitit 1971, nën masa të rrepta sigurie, Hetem Ajetin dhe Muharrem Thaçin i transferojnë nga burgu i Prishtinës në atë të Nishit.
Hetemi dënimin do ta vuajë në burgun famëkeq të Nishit, së bashku me idealistët dhe organizatorët e demonstratave të vitit 1968: Osman Dumoshin, Ilaz Pirevën dhe Skender Kastatin.
Dy-tri muaj më vonë, nga burgu i Prishtinës në atë të Nishit përcillet edhe Kadri Osmani, i dënuar për shkak të organizimit të grevave të punëtorëve në ndërmarrjen “Napredak” të Prishtinës.
Xheladin Rekaliu, në atë periudhë student i Shkollës së Lartë Teknike në Mitrovicë, nga regjimi sllavo-komunist shihej si rrezik serioz për sistemin, andaj transferohet nga Prishtina në burgun-skëterrë të Goli Otokut, në Dalmaci.
Rekaliu, si 19-vjeçar, në këtë burg qëndron me kriminelë dhe recidivistë të krimeve të rënda. Edhe pse heq të zitë e ullirit, mbetet i pathyeshëm. Ai, deri më 17 janar të vitit 1999, kur edhe vdiq, pati një jetë plot tallaze dhe vuajtje.
Shumë herë ka qenë i arrestuar dhe i izoluar nga regjimi sllavo-komunist. Më 2 maj të vitit 1999, në Studime të Epërme të Vushtrrisë, Xheladinit, kriminelët serbë ia masakrojnë motrën, Sevdije Rekaliu Gjata, dhe nipin 23-vjeçar, Meriton Shefki Gjata, nga fshati Bajçinë i Podujevës.
Kryepersonazhi i këtij shkrimi, Hetem Ajeti, miqësinë e para tridhjetë vjetëve me Xheladinin jo vetëm që do ta ruajë, por edhe do ta forcojë.
Përkundër faktit që UDB-ja jugosllave i mbante në vëzhgim, Xheladini, Ismaili dhe Hetemi arrinin që të takoheshin mes vete në odën e Muhamet Latifit, në Pollatë të Podujevës.
Të gjithë të përmendurit i preferonin takimet në Pollatë, ngase Ismail Ajeti e kishte vajzën e madhe, Shqipen, të martuar me Muhametin. Kurse Hetemi ishte nip i Ajet Latifit.
Edhe Xheladini mund ta arsyetonte qëndrimin në këtë fshat, pasi që babai i tij, Jetishi, i kishte dajallarët te Demajt e Pollatës.
Në Pollatë, të shumtën e herëve, skicohej programi për organizimin dhe mbajtjen e protestave kundër pushtuesve serbo-sllavë. Po ashtu, bëhej edhe strehimi i atyre që rrezikonin kapjen nga policia serbe.
Rruga e gjatë deri te mëvetësia e plotë e Kosovës u karakterizua me keqtrajtime, burgosje dhe vrasje të shumta.
Viktimë e kësaj dhune të shfrenuar ishte edhe Hetem Ajeti, i cili, në demonstratat e 1 dhe 2 prillit të vitit 1981, të mbajtura në Podujevë, plagoset rëndë.
Ndaj tij, nga lokali “Beko”, kishin shtënë persona të sigurimit shtetëror të Serbisë. Ky dyqan rrobaqepësie ishte pronë e një koloni serb, prindërit e të cilit në Podujevë kishin ardhur me valën e ardhacakëve serbë e malazezë ndërmjet dy Luftërave Botërore. Pasojat e kësaj plagosjeje ai i ka vuajtur gjatë gjithë jetës.
Ndërkaq, më 30 maj të vitit 1989, çuni i të vëllait, Ali Adem Ajeti, bie heroikisht me armë në duar, duke mbrojtur nxënës e studentë llapjanë, që atë ditë kritike po protestonin në mbrojtje të kushtetutshmërisë së Kosovës.
Hetem Ajeti konsiderohet edhe si njëri nga guerilasit e parë në Llap. Ai, më 22 qershor të vitit 1998, së bashku me Zejnullah Zejnullahun-Zenën, i lënë lukset e Zvicrës dhe aktivizohen në radhët e UÇK-së, Zona Operative e Llapit.
Ata, edhe pse në atë periudhë ishin 50, përkatësisht 47 vjeç, në këtë Luftë Çlirimtare japin kontribut të jashtëzakonshëm.
Si Hetemi, ashtu edhe Zejnullahu, posedonin njohuri të mjaftueshme mbi armët, ngase studimin dhe përdorimin e tyre që në rininë e hershme ua kishin imponuar regjimet gjakatare të Serbisë dhe ish-Jugosllavisë komuniste.
ARIF EJUPI
P.S. Ky material gëzon mbrojtje ligjore sipas legjislacionit në fuqi për të drejtën e autorit.
Çdo riprodhim, shpërndarje, publikim ose shfrytëzim i tij, tërësisht apo pjesërisht, pa autorizimin paraprak të autorit, është i ndaluar dhe sjell përgjegjësi juridike sipas ligjit.











