Njerzit janë të përkohshëm por vepra e tyre rron dhe kujtohet në breza. Unë kam patur shumë kontakte me mësuesin Rami Nela, pavarësisht se nuk kam punuar direkt më të. Ramiun e kam njohur fillimisht në seminaret apo mbledhjet metodike që organizonte “Shtëpia Mësuesi” në Tiranë. Më pas e kam takuar kur ishte mësues në shkollën Bastar-Murrizë, jemi takuar disa herë në seminaret metodike në Shkollën e Qendrës. Më pas ruajtëm kontakte të vazhdueshme me të.
Nga fillimi i njohjes dhe në vazhdim ruaj për të respekt dhe konsideratë të veçantë. Ai qe modeli i një mësuesi të përkushtuar, i thjeshë, korrekt, kërkues ndaj vetes e nxënësve, një metodist shumë i mirë. Kudo që ai shkonte rrezatonte kulturë. Nga duart e tij dilnin nxënës me nivel të mirë. Këto nuk janë vetëm fjalët dhe konsideratat e mia, por janë mendimet e shumë nxënësve, kolegëve dhe prindërve. Njerzit ikin fizikisht, por kur ata lënë gjurmë si mësues Ramiu mbeten në përjetësi…
Vdekja e parakohshme e tij më lëndoi shumë. Prej kohësh kisha një peng të brendshëm, të bëja një shkrim për të! Kjo qe gjëja më e vogël që unë mund të bëja për mësuesin Rami Nela. Ai qe një mësues që krahas punës me nxënësit, bëri një punë shumë të mirë edhe për promovimin e vlerave të fshatit Selitë e Malit dhe të zonës sonë. Ai qe shumë bashkëpunues për plotësimin e të dhënave për arsimin në Selitën Malit, në kuadrin e librit “Benda në rrjedhën e historisë”. Për të marrë disa të dhëna me datën 14.06.2022 tek kafe “Europa” pimë një kafe dhe bëmë një bisedë me djalin e Ramiut, Arbenin.
Arbeni ka qenë nxënës ekselent në Shkollën e Mesme të Bashkuar Zall-Bastar. Ai ruan kujtimet më të mira për stafin pedagogjik të shkollës të asaj periudhe. Biseda qe tepër e sinqertë dhe ringjalli kujtime… Ai e mirpret me shumë dashamirësi shkrimin për babain e tij të ndjerë Ramiun, kërkon të saktësojë disa të dhëna dhe lamë një takim me datën 23.06.2022. Në bisedën e kësaj date, Arbeni ka një “kusht” : -“Më ka lënë mbresa takimi që patëm bashkë para disa ditësh. Më solle në kujtesë emocione të paharrueshme gjatë kohës që unë ndiqja mësimet në gjimnazin Zall-Bastar (1989-1993).
Pas shumë vitesh unë takova ish mësuesin tim, një profesionist i përkushtuar, një personalitet i asaj shkolle. Një mësues autoritar në paraqitje, por një njeri me zemër të madhe, një drejtues dhe administrator i shkëlqyer i asaj shkolle. Gjatë këtij takimi, kujtuam një episod rebelimi timin, ndaj mësuesit të punës prodhuese. Ju me shumë mirësjellje njoftuat babain tim, e kolegun tuaj, të ndjerin Rami Nela. Mbaj mend që babai im erdhi menjëherë dhe diskutoi me Ju duke i kërkuar në prezencën time ndjesë kolegut të tij, lidhur me sjelljen time. Më pas ju pitë një kafe dhe diskutuat gjatë me njëri-tjetrin. Të jam shumë mirënjohës mësues Ibrahimi”- përfundon Arbeni. Këto radhë mendoj e plotësojnë edhe më shumë figurën e Ramiut si mësues, prind dhe intelektual, ndaj mendova ti hedh ashtu siç i ndjen Arbeni…
Rami Selim Nela lindi më 20.08.1948 në fshatin Selitë e Malit të rrethit Tiranë. Ai lindi në një familje të thjeshtë, punëtore, mikpritëse, bujare dhe me tradita atdhetare. Ai ishte fëmija i parë i Selimit dhe Dejes, qe vëllai i dy motrave, Shames dhe Shpresës. Shkollën fillore e kreu në Selitë të Malit në vitet 1955-1959. Mësuesi i tij i parë ishte Njazi Durrësi. Duke qenë se në fshatin Selitë e Malit nuk kishte shkollë 7 vjeçare, babai i tij Selimi e dërgoi Ramiun për të ndjekur shkollën në qytetin e Lezhës.
Atje u sistemua në konviktin e shkollës duke patur një përkujdesje të veçantë nga mësuesi dhe drejtori i konviktit Ahmet Reçi. Babai na ka treguar se ai i trajtonte nxënësit me dashuri dhe përkujdesje. Pas mbarimit të klasës së pestë në Lezhë, Ramiut i ndodh një fatkeqësi familjare. Ai humb babain e tij Selimin. Për këtë periudhë, Arbeni shton: “Në këto rrethana, kushëriri i tij Ibrahim Shima me miratimin e drejtorisë së shkollës e transferon Ramiun në shkollën 7 vjeçare Kamëz.
E mbaron shkollën 7 vjeçare në vitet 1960-1962 me rezultate shumë të mira. Në vitet 1962-1964 vazhdon shkollën e mesme në qytetin e Fierit. Gjimnazin e Fierit ai e kujtonte si një shkollë me mësues elitarë”. Më pas në vitet 1964-1966 përfundon shkollën Pedagogjike “17 Nëntori” në Tiranë”. Pas përfundimit me rezultate shumë të mira të shkollës, Ramiu me datën 21.09.1967 fillon punë si mësues në ciklin e ulët të shkollës Mëner i Epërm, ku punoi deri në qershor të vitit 1968. Për këtë, Arbeni shton: “Babai im Ramiu na fliste me përshtypjet më të mira për nxënësit, prindërit dhe banorët e Mënerit të Epërm. Si vlerë të madhe për këta, ai vinte në dukje, mikpritjen e tyre“. Shkëputet për të kryer shërbimin ushtarak në vitet 1968-1970 në Elbasan. Në ushtri qe i dalluar dhe ka marrë disa fletë nderi nga komandanti dhe komisari i repartit ku shërbeu.
Pas kthimit nga ushtria, ai më 12.01.1971 fillon punë si mësues në shkollën 8 vjeçare Bastar Murrize deri në vitin 1974, me një shkëputje prej disa muajsh në shkollën 8 vjeçare Selbë. Pas rikthimit, punoi për 3 vjet në shkollën Bastar-Murrizë. Këtu në këtë shkollë ai bëri një punë shumë të mirë si mësues dhe pati shumë rezultate me nxënësit. Beni për këtë plotëson: “Babai im tregonte se shkolla e Bastar-Murrizës qe model, kolektivi i përkushtuar, fshati shumë arsimdashës, nxënësit të etur për shkollë. Gjatë kësaj kohe shkolla pati rezultate të mira dhe kujtonte me shumë respekt mesuesin Manun Ceka dhe disa kolegë të tjerë”. Në muajin prill 1974, Ramiu u transferua në shkollën 8-vjeçare Selitë e Malit, aty ku edhe banonte.
Ai punoi si mësues në atë shkollë deri në vitin 2013, kohë kur doli në pension. Për këtë periudhë kohore të Ramiut si mësues, kolegu i tij mësuesi Myslym Sida, shton: “Mësues Ramiu qe model për ne të tjerët. Ai lexonte shumë, rrinte mbi libra, përgatitej për orën e mësimit, i kushtonte shumë kohë asaj. Ai qe shumë korrekt dhe i donte shumë nxënësit. Nxënësit e tij bënin diferencën kur vinin në shkollën 8-vjeçare. Kurrë nuk abuzonte me orën e mësimit dhe qe një koleg mjaft i mirë për ne”. Ramiu ka qenë një mësues dhe edukator që me punë impononte respekt tek nxënësit dhe komuniteti i prindërve. Ai ishte një mësues me përgatitje të lartë nga ana metodike dhe profesionale. Disa prej nxënësve të tij janë: Ymer Ademi, Dilaver Hoxha, Hamit Basha, Haxhi Basha etj, të cilët kanë patur sukses në fushat e tyre.
Në shkollën Selitë e Malit ai së bashku me kolektivin e tij në vite, punuan pa u lodhur për ngritjen e arsimit në nivele më të mira dhe kaluan breza të tërë nxënësish. Për këtë, Arbeni shton: “Babai vlerësonte shumë drejtoret Bujar Poçari dhe Vasil Dhamo, të cilët punuan me përkushtim për pajisjen e shkollës së Selitës me bazë materiale për kabinetet, dhe organizimin e zhvillimin e mësimit dhe veprimtarive kulturore dhe artistike në shkollë dhe jasht saj. Po kështu babai na fliste me fjalët më të mira për të gjithë kolegët dhe drejtorët e mëvonshëm”. Si mësues për një kohë të gjatë në këtë shkollë ai ka patur marrdhënie shumë të mira me komunitetin e prindërve. Banesa e tij ishte si një shkollë e dytë, ku edhe pas përfundimit të mësimit ai ndihmonte nxënësit e tij. Ramiu qe një koleg i thjeshtë, bashkëpunues dhe mikpritës për të gjithë mësuesit e tjerë “jabanxhinj” që kanë punuar në shkollën 8-vjeçare Selitë e Malit.
Ai qe një kryefamiljar shumë i mirë dhe u kujdes për gjithë familjen e zgjeruar. U kujdes edhe për dy motrat e tij, të cilat i shkolloi, dhe me pas ato u martuan e krijuan familjet e tyre. Ramiu u martua me Fatime Lilën.dhe kanë lindur, rritur dhe arsimuar, katër fëmijë, të gjithë kanë mbaruar arsimin e lartë. Arbeni, me profesion prokuror prej 20 vitesh, zv/drejtues prokurorie Fier dhe Tiranë, aktualisht tani është pedagog dhe avokat.
Dafina, me profesion Specialiste në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. Selimi me profesion avokat dhe Reshati me profesion mjek. Të gjithë kanë krijuar familjet e tyre. Ramiu ndërroi jetë më 01.10.2019 duke lënë pas gruan, fëmijët dhe të afërmit e tjerë të familjes. U përcjell për në banesën e fundit nga familja, të afërmit, ish nxënës, miq, shokë dhe shumë dashamirës të tjerë. Njerëz si Ramiu i bëjnë nder familjes, fisit, fshatit Selitë e Malit, zonës dhe më gjerë…
Ibrahim Kabili
Tiranë më 23.06.2022
I nderuar i te nderuarve Ibrahim Kabili; Pene *mjalte*, me te lumte ajo mendie komanduar ate PENE, sa pershkruar me mjeshteri sa ZEMER-vertet NJERIU-, kete figure, te mesuesit te ndiere tashme-Rami Nela,-une njohur qe nga femijnia e Tij, si drejtor shkoole ato vite nga Zall-mneri ne Zall-Dajt. Ramiu sa dale mesues, me gjithsa thoni ju,qe ju mbeshtes, sa ju falenderoj, sa djalin e Tij, te mirin-Arben, si Ramiu i ndiere, ne ndergjegjen e tij.
Dite njemije atyre pasardhesve femije,qe ishin dhe jane KRENARI e asaj Familie.Ju prifte e mira.Une nga 1966-deri 1973 ne Zall-mener e Zall-Dajt,(si e dini Drejtor shkolle,deri te mesmen- hapur1971),familien NELA te Selites Malit,me ate baba te nderuar-kryefjale, njohur qe ne vite 50t, si Korier i Tuneleve*(njeheres nxenes ne Tirane,im vella,Stavri Mihali, Drejtor i kantjereve te ndertimit te atij Hidrocentrali, nga kantjeri I-re te i IIIte,sa u perurua.-ne Nendor 1951)… Nje Rroman sa film serial,do te ishte pake, per ate figure sa ate familie te nderua NELA, pasuar..si tere selitasit, sa ajo krahine arsim dashese.
Dite njemije ju uroj- une 86 vjecari,(aktualisht tej oqeanit,shpene kohe qe jetojme), pas femijeve te suksesshem, si kjo e te ndierit; Rami Nela. Uroj-I perjetshem kujtimi i Tij sa juve, mbrodhesi, i nderuar Ibrahi Kabili, nje jete, mesuese e Drejtues shkolle sot*PENE NAIMJANE po ju quaj, une 86 vjecari-Dh.Xhoga-Guri Naimit D. (nipit dhene emrin, sot e 18 vjet, kaluar ate rrerzi vdekie, deri Ishemi Cerebrale, mire qe, fal sherbimeve mjeksore,deri tej oqeanit, mbertur tranzitore.)
Lidhiet mbajtur me Ate zone sa Ju, pasardhes i denje-MESUES e drejtues shkolle, edhe tej oqeanit,ndihem krenar, sa ruaj lidhjet sa mundohem te pasoj traditat e asaj zone, si po beni ju dhe shoket pasues-me Selitasit- ne balle…
Nga Toronto, 86 vjecari tere nostalgji-ju uron-MBRODHESI, 25-06-2022.
Faleminderit për vlerësimin, profesor Dhimitri!
Unë thjesht po bëj disa shkrime bubliçistike dhe asgjë më shumë. Po mundohem të nxjerr në pah vlerat e krahinës dhe disa prej njerëve më me kontribute të saj.
Jetë të gjatë dhe mbarësi në familje!