ZBULESA POETIKE E HESHTJES

0
156

Prend Buzhala Prend BUZHALA

Përsiatjet për heshtjen ngërthejnë thellësi të peshuar zbërthimesh e brendi të pasur shpirtërore në poemën “Sytë e heshtjes” [1] të Anton Nikë Berishës. “Në heshtje shpirti flet me zë të lartë”, do të thoshte pedagogia gjermane Helga Schäferling. Këtë vepër mund ta lexojmë si një rendje të folësit lirik, rendje herë e qetë e herë dramatike nëpër rrathët e meditimeve. Është një shkarkim i vetvetes që nga rrethi i parë e deri tek ai i tridhjetetreti, aq pjesë sa ka libri. Ta krijon mbresën e ngjasimit me atë shtegtimin imagjinar shtatë ditësh tek tri pjesët e tridhjetetre këngëve të poemave danteske të “Komedisë hyjnore”.

  1. Simbolika e numrit dhe paradigma tekstuale e heshtjes

Le ta lexojmë këtë poemë, pra, si një shtegtim meditimesh që ndërthur përvojën jetësore e krijuese të autorit në fushë të artit e në mbretërinë e heshtjes. Një krijim poetik i Nënës Tereze mban titullin “Ta dëgjojmë heshtjen” e që autori e vë si korrespondencë lirike edhe në kuadër të këtij kompleti veprash ku përfshihet kjo poemë. Të tridhjetetri përsiatjet poetike shënjojnë ato momente të mendimit të thellë, kur secili prej nesh takohet, ndeshet dhe ballafaqohet me vetveten në mikrokozmosin e pakufi të heshtjes… Ligjërimi poetik i ngjason të folurit të Hyjit; ai na drejtohet përmes heshtjes së maleve, ujërave, blerimit të fushave, apo përmes një drithërime gjethi… Nëna Tereze thoshte:

Kontemplativët dhe asketët e të gjitha periudhave dhe të të gjitha religjioneve, e kanë kërkuar Zotin në heshtje e në vetmi të shkretëtirës, të pyllit, të maleve, edhe Krishti i ka kaluar dyzet ditë në shkretëtirë dhe në male, duke hyrë me orë të tëra, në bashkësi me Atin në qetësinë e natës. Edhe në jemi të grishur të tërhiqemi, herë mbas here, në një heshtje të thellë dhe në vetmi me Zotin, për të qenë vetëm me të,, jo me librat tanë, me mendimet e me kujtimet tona, po të shkëputur krejtësisht nga çdo gjë, për të banuar me dashuri me praninë e tij: të heshtur, zë zbrazët, në pritje, të qëndrueshëm.”[2]

ose:

“Pastaj e kemi heshtjen e syve, e cila gjithmonë do të na ndihmojë ta shohim Hyjin. Sytë tanë janë si dy dritare nëpërmjet të cilave Krishti ose bota hyn në zemrën tonë. Shpesh na duhet shumë guxim që t’i mbajmë të mbyllur. Sa shpesh themi: “Dëshiroj të mos e kisha parë atë”, por nuk lodhemi shumë që ta mundim dëshirën të shohim çdo gjë.”[3]

Në disa vëllime shqip të Nënës Tereze, gjejmë dhe tekste të tëra e meditime mbi heshtjen.
[4]
Duke u marrë, nëpër shumë tekste, me lutjen, autori Berisha përsiat edhe për heshtjen:

“Në uratë dhe përsiatje secili e provon thelbin e qetësisë dhe të paqes shpirtërore; aty e njeh veten më mirë, depërton më thellë në shpirtin e vet dhe në vlerën që ka. Duke hyrë, përmes lutjes, në të fshehtat e vetvetes, duke e njohur më mirë veten, secili bëhet më shumë i vetvetes. Kur bëhet mirëfilli i vetvetes, bëhet më shumë edhe i Hyjit…”[5]

Heshtja dhe lutja te Nëna Tereze janë pothuajse një, identifikohen si universe përshpirtërie. Ajo e shqipton, e ligjëron me fjalë e në heshtjen e shenjtë Lutjen si zgjim shpirtëror, nga e cila burojnë forcat dhe energjitë e brendshme shpirtërore, mu në situatat më të rënda të jetës e të historisë. Lutjen për të hapur udhë shpirtërore, për të krijuar ndjesi shpirtërore, për t’i manifestuar dhuntitë e shërbimit e të bamirësisë:

Fryt i heshtjes është lutja,
fryt i lutjes është besimi,
fryt i besimit është dashuria,
fryt i dashurisë është shërbimi,
fryt i shërbimit është paqja.

Nëna s’ka mundur ta kuptojë ndryshe as misionin e saj përveçse si heshtje të shenjtë, si lutje, besim, dashuri, shërbim dhe paqe. Për të ecur me butësi e guxim. Për ta mundur të keqen që nuk ndalet në shkatërrimin e veprave njerëzore. Nëpërmjet lutjes ajo njësohej me Hyjin; lutja ishte epistemologjia e saj e qenies dhe universi i saj i njohjes; nëpërmjet saj i kthehej identitetit shpirtëror të vetvetes, kuvendimeve të mistershme, krijimit të energjive shpirtërore për ta vënë në vepër dashurinë ndaj Hyjit e ndaj të tjerëve; i kthehej krye-kodit të saj ekzistencial, jetësor e qenieplotë – bashkëjetesës me dashurinë ndaj Hyjit e ndaj të tjerëve…

Mos të harrojmë se i gjithë projekti i saj jetësor-shpirtëror, është Dashuria, si ai URDHRI I PARË biblik i dekalogut të Hyjit për Dashurinë (“Duajeni njëri – tjetrin! Sikurse unë ju desha juve” (Gjn 13, 34) dhe “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!” (Mt 22, 39).

Ky zë i shqiptuar i heshtjes poetike, vjen i përsëritur tridhjetë e tri herë, në krye të secilit varg fillestar të tridhjetë e tri pjesëve të kësaj poeme, me thënien: “Heshtja është …”. Ndërkaq, secila pjesë është një sonet më vete. Autori përfill strukturën sonetike prej katërmbëdhjetë vargjesh, në këtë rast, pa e ndarë sipas skemës strofike, me rimë të bardhë. Soneti (a tingëllima) sugjeron harmoninë e përsosur. Rimariumi i bardhë sugjeron harmoninë e brendshme të kuptimit të fjalëve… deri te leximet a kuptimet alternative. Kështu, numerologjia simbolike biblike, mistike apo letrare, vjen këtu me numrin 33, me harmoninë kumbuese të të gjitha pjesëve si në një orkestrim simfonik që na dhuron universin e heshtjes, na dhuron një hapësirë përsiatjesh të intelektit krijues. Ky numër është dhe një arketip, sipas numerologjisë simbolike, me atributet që përmban.

Sipas Steve Desrosiers[6], numri 33 “në planin shpirtëror, përfaqëson vetëdijen shpirtërore, zhvillimin nëpërmjet përvojës dhe një dëshirë për të arritur një plan më të lartë të shërbimit… Krishti në Ungjijtë realizon 33 mrekulli, nga të cilat 24 janë shërime… Davidi mbretëroi 33 vjet në Jeruzalem. (1 Gjonit,3,4). Jakobi kishte 33 fëmijë nga gruaja e tij e parë Lea, duke përfshirë bijën e tij, bijtë e tij dhe nipërit e mbesat e tij. (Gjn 46,15)… Ka 33 mjekë të Kishës, ose teologë, të cilëve Kisha katolike njeh një autoritet të veçantë si dëshmitarë të doktrinës… Tridhjetë e treta e një personi është mosha e përsosur, ajo e plotë zhvillim… Në këtë epokë Jezu Krishti u kryqëzua, kur i kishte 33 vjeç. Shën Jozefi ishte edhe 33 vjeç kur u martua me Virgjërën Mari… Bazilika e Shën Pjetrit në Romë ka 33 kisha... “ e të tjera, ku ky autor paraqet një listë të gjerë përdorimesh referenciale e semantike të këtij numri në traditat indase, hebraike, kineze e tek popujt e tjerë.

Përmendet, te rruzarja e lutjeve… Përgjithësisht, e konsideron si numër që përfaqëson përsosmërinë dhe veprimtarinë e vullnetshme të ekzistencës e të organizimit të botës; përfaqëson krijimin e lirë të planit të Hyjit nëpërmes dashurisë dhe drejtësisë.

Kësaj radhe, këtë ndarje në tridhjetë e tri njësi poetike përsiatjesh, le ta lexojmë si kërkim evokues autorial të harmonisë, dashurisë, përsosmërisë dhe kuvendimit të mistershëm me heshtjen. Në harmoni me përqasjet e mësipërme, do lexuar ato që i thotë teksti jashtë tekstit, nëntekstet, apo heshtjet e brendshme të tekstit, si do të thoshte Roland Barthes.

  1. Përsiatjet poetike dhe metaforika e syrit të heshtjes

Edhe zhanri ngërthen paradigmën e vet semantike. Shëmbëllyeshëm zhanrit të lutjeve dhe teksteve të Nënës Tereze, e cila shpesh i quan përsiatje[7], edhe A. N. Berisha i quan përsiatje poetike, ashtu sikundër e përkufizon si të tillë edhe veprën e tij poetike “Prushi i bukurisë”.[8]

Përsiatja poetike është akt krijues, akt përkushtimi që e përgatit njeriun të hyjë në shtegtimet shpirtërore nëpër situatat e jetës së përditshme, nga njëra anë; një depërtim në mikrokozmosin e mistershëm të botës së brendshme dhe në makrokozmosin e hirit të perëndishëm:

Heshtja është hiri i Hyjit,
ngrohtësi e pashuar dashurie
e ngjeshur me misteret e Tij,
që nëpër qiell e në tokë
përhapet me shkëlqimin e yjeve
të qëndisur me bardhësi resh

Kështu e nis rrugëtimin e përsiatjeve të autori Berisha. Meditimi është i vazhdueshëm, i pandërprerë, si një zbrazje e përkushtimit dhe e shenjtërimit të qenies.

Dhe sa e sa poetë e poetesha e ndiejnë këtë mister ligjërimi!

Kësisoj, heshtja ndeshet me atë të universit, a me heshtjen e SUBJEKTIT tjetër, prandaj dy heshtje shkaktojnë PLASARITJE! Drama e plasaritjes njerëzore ndodh në heshtje, me dy protagonistë-antagonistë që përbëjnë AGON-in e heshtjes dramatike! Heshtja është periudhë e ndërtimit të urtisë. Ata zëra urtakë, prandaj, na thonë në HESHTJE: DËGJO! Atëherë vjen Paqja e Mendjes. Me anë të durimit…

Dhe praktika e tillë urtake, ta dhuron një jetë të re.
Sa e sa zbulime njerëzore janë bërë në heshtje. Sa e sa ndjesi ka ajo!
Heshtja ka zbulesën e saj sa poetike aq edhe hyjnore:

Heshtja është ndriçimi hyjnor
që të mbështjellë me paanësinë e vet

Përsiatja e tillë i kërkon përgjigjet dhe i jep nëpërmes një tipi të figurës retorike të epanaforës: “Heshtja është”, për t’i kërkuar përgjigjet dhe zgjidhjet. Përgjigjet shumëzohen nga heshtja. Kërkimet zhyten në thellësi drejt pafundësisë; thellësia përjetohet si madhësi e madhështi hapësinore, pafundësie; ajo thellësi mund të na mrekullojë me bukuri të mahnitshme; vetëm poeti arrin t’i shquajë thellësitë e shpirtit njerëzor përtej pamjes së dukshme të njerëzve e të ngjarjeve:

është joshje që nuk resht,
kërkim i skajeve të thellësive
që të robërojnë me prirje të pafundësisë;
ujëvarë ndriçuese e vrushkujve
ngjizur dhe me penjtë e errësirës:
dallgëzim i vijueshëm i shpirtit –
përshkuar nga drithërima rrëzëllitëse.

Ky akt përsiatjeje mbi heshtjen e në heshtje, shndërrohet në simbol të thellësisë për ta shënjuar të vërtetën; e vërteta nuk është sipërfaqësore, as e lartë, por e thellë. Përtej një kundrimi të së dallueshmes, të dukshmes, ka një zhytje në thellësi. Madje, edhe kur kundrohet e sipërfaqshmja, ajo që shihet, poeti sheh diçka tjetër përmes këtij akti: “ujëvarë ndriçuese e vrushkujve / ngjizur dhe me penjtë e errësirës: / dallgëzim i vijueshëm i shpirtit”.

Poeti ka farkëtuar dhe një metaforë shumëkuptimore që në titullin e veprës: “sytë e heshtjes”. Heshtja ka sy! Heshtja antropomorfizohet, kundrohet si një qenie e gjallë, e madhërishme. Platoni, si duket, i pari ka përdorur shprehjen “syri i shpirtit” (Republika 533d;cf527e). Dante shkruan për “dy sytë e qiellit” ku kanë lindur Apollo e Artemisa, Diana, Dielli dhe Hëna… Flitet dhe për “Syrin e Tretë” të mbi-mendjes, ashtu sikundër dhe për Sytë e Perëndisë që shënjojnë hyjnoren, apo për Sytë heterotopikë etj. Shekspiri thoshte se sytë janë dritare të shpirtit.

Dhe, sa herë e kemi dëgjuar shprehjen e tillë: “Sytë janë pasqyrë e shpirtit.” Patosi romantik i thënies i ka joshur edhe psikologët, edhe shkencëtarët, dhe, gjithsesi, edhe teologët e poetët. Sytë nuk dëshirojnë të gënjejnë, kur ne nuk duam ta themi të vërtetën. Nuk e fshehin ndriçimin e shpirtit, pastërtinë dhe ndershmërinë e brendshme. Leonardo da Vinçi (piktor italian, piktor, skulptor, arkitekt dhe inxhinier 1452-1519) theksonte: “Syri e sheh një gjë në mënyrë më të qartë në ëndrra se me anë të imagjinatës, kur je zgjuar.” Të tjerët e ndërlidhin shqisën e shikimit me intelektin dhe mendjen: “Syri sheh vetëm atë që mendja është e përgatitur për ta kuptuar” (Henri Bergson). Mandej, identifikimi me qenien e Tjetrit, mishërohet nëpërmes shikimit dhe syrit, mu ashtu siç është heshtja e mishëruar:

është vështrimi yt në sytë e tjetrit,
prushësi e dashurisë së pakursyer
që përhapet si puhizë në shpirtin tënd

Njerëzit janë të prirë ta kenë dhe KUNDRIMIN E BRENDSHËM, si vlerë vetë vëzhgimi, ri-zbulimi, apo meditimi, aty ku ka mistere e të fshehta:

ku visaret e shpirtit fshihen
si në sy lotët e dashurisë –

“Hapni sytë, shikoni brenda. A jeni të kënaqur me jetën që jeni duke jetuar?” (Bob Marley). Kjo do të thotë, se vështrimi ynë i drejtohet emocionit dhe mendjes, ashtu sikundër drejtohet edhe kah thellësitë e qenies, me anë të reflektimit të thellë. Drejtohet kah universi i pa skaj, e ku bukuria e hapësirës përjetohet vetëm nëpërmes këtij shikimi njerëzor: “Qielli është buka e përditshme e syve” (Ralph Waldo Emerson).

Dhe, vërtet, jeta ka shumë ngjyra, ka kontrastimet e saj… dhe këto nuanca i dallojmë nëpërmes pamjes… Secili e sheh jetën dhe botën përreth, sipas vështrimit të tij unik… Dikush e ka thënë se krejt çka shkruhet në jetë, e shkruajnë sytë, është e shkruar në sy… aty ku e gjejnë strehën e tyre mendimet, ndjenjat, dëshirat, shpresat, por edhe frika apo makthet, apo dhe gjendja psikike, e brendshme, e njeriut…

Dashuria vjen në qenien tonë nëpërmes syve.

Poetët krijojnë aq shumë vargje për sytë, duke i shndërruar në metaforë të zbukurimit më të epërm të qenies sonë, aty ku e ka vatrën e vet kategoria estetike e të madhërishmes, e erosit apo emocionit të bukur të dashurisë. Ndërkaq, në jetën e përditshme, i pari kontakt që e përjetojmë, janë shikimet ballë për ballë. I lexojmë sytë e njeriut të shqetësuar që bredhin sa andej-këndej, pa një përqendrim. Apo shikimin e turpshëm, ku tjetri nuk dëshiron “të na zhgënjejë”. Sytë dëftojnë dëshpërimin, lodhjen, gjallërinë…sikletin apo mërzinë, mungesën e interesimit apo kureshtjen. Shikimi i dikujt është ftohtë, i tjetrit është i zemëruar…

Mirëpo, ky sy heshtjeje është aq miqësor e meditativ, sa sikur na duket se po na merr përdore atyre thellësive. Ekziston, pra, edhe shikimi, që tregon njeriun e hapur, njeriun miqësor, dhe pikërisht të tjerët e vlerësojnë këtë virtyt të miqësisë…

  1. Heshtja, rezonancat e referencave kuptimore

Muza e heshtjes bredh nëpër çaste vuajtjesh, nëpër hovet shekspiriane të mesazheve lirike (“kur pikëllimi e mbulon si re e dendur / e mëdyshja i shtrin rrënjët, helmim shllige”); është ajo besëlidhja krijuese me aktin estetik si akt i heshtur shpëtimi me Fjalën, kundruall kaq kontrastimeve në jetë:

Heshtja është fryma e bukurisë,
hir i amëzimit të pafund të etjes,
ngrohtësi e ujëvartë që e mbroth shpirtin
të dallgëzuar nga e liga, nga shëmtia […]
është frymësi jetike, mishërim i mistershëm
i të madhërishmes, ngadhënjim mbi kohët,
që kudo ndodhet rrezaton tek ti e unë

Pothuajse, secila pjesë bart një strukturë të caktuar tekstore mesazhesh, vrojtimesh, thëniesh meditative. Shtrirja e kësaj heshtjeje në hapësirën makrokozmike, vjen sikur një ilaç për shpirtin, për ta zbutur atë në thellësitë e tij. Është ai kërkimi shërues i paqes së brendshme e të thellë; ajo situatë e posaçme e kësaj brendie heshtake, ku njeriu merr e jep, ku qenia njerëzore vepron në një tjetër rrafsh, në atë të qetësisë absolute, të ndryshëm nga qenësia dhe vetëdija e së përditshmes, sikundër këto na i jep poeti të sintetizuara te pjesa e pestë:

Heshtja është paqja brenda nesh
shkëlqim i çiltër që duhet mbëltuar,
edhe në djepin e shtrëngatës së egër
ose kur deti tundet nga tallaze të trishtë
që stuhia pa mëshirë i përplas
thuajse duan ta përpijnë njëri – tjetrin;
është bardhësia që e mban ndezur
qiriun e prehjes dhe të qetësisë,
të rrahurit e zemrës, njomësinë e shpirtit
për diçka më të vlertë, më njerëzore,
se paqja jonë i takon dhe tjetrit
dhe e ngjall dashurinë e ndërsjellë–
e cila fuqishëm lartësohet e ngadhënjen
mbi të papriturën, mbi çdo ligësi.

Folësi lirik i përsiatjeve, pothuajse, shndërrohet në një qenie magjike, siç do të thoshte shkrimtari Karlos Kastaneda: “Qetësia e brendshme e heshtjes, si gjithçka tjetër në botën e qenieve magjike, zbulohet kur ndodh diçka e jashtëzakonshme dhe e rëndësishme, diçka që na trondit.”[9]

Ka një grishje zërash të vazhdueshëm, të brendshëm, që folësi lirik i shqipton nëpërmes përjetimeve, ku folësi ligjëron nga një distancë objektive e vetes së tretë, për t’u njëjtësuar me Tjetrin (“paqja jonë i takon dhe tjetrit./ dhe e ngjall dashurinë e ndërsjellë”).

Kompleksiteti i këtyre ligjërimeve, ndjek një rrugë unike këndimi e përsiatjesh, nëpër tërthore e pesha të rënda; është ajo ndërlikueshmëria e jetës sonë brenda nesh, brenda kulturës sonë të shpirtit, aty ku gjëllin lufta e vështirë për ta ndërtuar një vetëdije njerëzore e shoqërore, aq e shkaktuar nga situatat postmoderne të ndryshimeve; ku nuk maten fjalët, as nuk peshohen mendimet, ku e keqja kanoset vazhdimisht (pjesa e 11-të):

Heshtje është vetëpërmbajtja […]
është vatra ku gjen burimin e fuqisë,
e ngadhënjimit edhe mbi vetveten
edhe kur në ty rëndon pikëllimi,
më i rëndë se pesha e Pashtrikut tonë,
ose vuajtjet palë – palë rriten brenda teje
si shtresat e borës në Bjeshkët e Nemuna
që nuk shkrihen as në vapën e gushtit.

E çka dhe si duhet heshtur, aty ku plagët ende nuk shërohen, kur ato mbesin të shushatura, të fshehura; a nuk qenka, në këso çastesh, një pëlcitje e brendshme mes pëlqimit a mospajtimit, mu si në ato situatat shekspiriane (“Heshtja është veprimi hamletian, / shushunjë që nuk shkoqet nga lëkura, nga mishi”), është sfida e hedhur e dikotomisë së sfilitjeve të brendshme dhe dilemave, e shtypjes së fjalës së pathënë, të shtypur egërsisht nga rrethana të jashtme (pjesët 21 dhe 22), është diçka më shumë se mungesë e fjalës së shqiptuar (Heshtja është të folurit pa zë” pjesa e 3-të), në paradoksin e saj kur ajo thyhet, mes ngurrimeve dhe mësymjeve, për të qenë ose jo vetvetja:

Heshtja është krymbi i dyshimit
që të vë në peshojën e ndërgjegjes:
të mbesësh ai që je e duhet të jesh
apo të luash hijen e vetes sate;
të fundosesh në rrjetën e mëdyshjeve
që i japin jetë plimit të vegimeve

e mandej ajo e rimerr vetveten, me tone shpirtërore, mu si qenia njerëzore. Ka dhe ajo retorikën e saj (në të mosfolurit karshi tjetrit a mes pauzash të të folurit), ka dhe ritin e saj spiritual, ka rezonancat e referencave kuptimore, paska dhe fuqinë a dobësinë e saj! Ka dhe aso situatash, kur hierarkia ideologjike përdor heshtjen si mjet shtypës:

për pasojat që e kanë tronditur tokën, qiellin
që të shpojnë në ndërgjegje, të zhbëjnë
ose të japin kurajë të mësosh nga pësimet
e të ecësh më tej e jetën ta gëzosh.

(kujto heshtjen e qëllimshme të veprave të Fishtës etj. në kohët e diktaturave shqiptaro-jugosllave; kujto dhe heshtjet e dhunshme të intelektualit karshi diktatit të dhunshëm politik).

Ka, pra, shumë tipa heshtjesh!

Është dhe shtegu për të vënë dialog me Tjetrin, për ta kapërcyer situatën e dhunës. Luce Irigaray thotë: “Duke u takuar me Tjetrin, ne duhet të flasim me njëri-tjetrin dhe ky është kapaciteti ynë ose pranimi i heshtjes… Heshtja është fjala, ose fjala e pragut – një hapësirë prej takimit të mundshëm, për mikpritjen e mundshme me njëri-tjetrin… nuk mund ta kuptojmë heshtjen pa e kuptuar fjalën e shqiptuar në proceset e komunikimit.”[10]

Fjala, heshtja, urtia – një trinom vlerash supreme, që e gjejnë dinjitetshëm shqiptimin e tyre në poezi, përmes një PORTRETI KOLEKTIV të urtakëve, qendrestarëve, njerëzve të fjalës…

Ka heshtje të shenjtë në tempujt fetarë, aty ku njerëzit luten në heshtje. “Kohët e heshtjes janë kohë me dhe për Perëndinë. Kështu që dikush vjen në Perëndinë, ndjen diçka nga heshtja e përjetësisë.” (Afschin Kamrani). Ka një heshtje edhe aktive.

Edhe fjala, edhe heshtja, i kanë kohët e veta, kur duhet të përdoren.

Mirëpo, fjala, të folurit dhe shkrimi komunikojnë me heshtjen. Me heshtjen aktive, mu si është një akt i tillë edhe shkrimi i përsiatjeve poetike. Një dijetar thotë se Fjala është fuqia e parë në botë, kurse Heshtja është Fuqia e dytë.

Në heshtje njeriu është vetvetja: me ngazëllimet, me qetësinë shpirtërore a me përjetimet dhe pësimet.

Mos lejoni që të përdoreni si një mjet i thjeshtë, mos u bëni skllav i mendimeve dhe i modës. Merrni pak heshtje për hir të shpirtit tuaj. Zhurma nuk sjell të mira, e mira nuk bën zhurmë”, thotë Papa Gjon Pali I. Dhe, në thellësitë e heshtjes, folësi lirik i përsiatjeve zhytet i tëri, për ta rizbuluar shpirtin e vet. Komunikimi me kohën nuk është i lehtë… sepse dalin detyrime të forta shpirti, mendjeje, krijimi, etike e estetike… dhe kërkohen fuqi të pashtershme reflektimi, lutjeje e krijimi.

  1. Trajtat e diskursit lirik dhe të përvojave krijuese

Në këtë mënyrë, edhe trajtat e diskursit lirik vijnë të nduarnduarta: aty lexojmë heshtjen e shenjtë, ashtu sikundër e përjetojmë dhe reflektojmë për përsiatjet dhe mendimet poetike mbi heshtjen; e ndiejmë atë ritëm të heshtjes së Nënës Tereze që i shqiptonte luajtjet në heshtjen hyjnore, ashtu sikundër ligjërimi i tillë na vjen si zgjim shpirtëror, ku burojnë energjitë dhe forca e brendshme; heshtja është dhe lutje, besim, paqe, dashuri, shërbim… me një të folur tjetërfare. Ligjërimi poetik e zëvendëson heshtjen, vijnë në gërshet me njëra-tjetrën përvojat ligjërimore autoriale, me ato të jetës dhe të përsiatjeve. Është bota e bukur e vetmisë krijuese, aty ku te mediumi poetik pikëtakohen e shikohen vetvetja dhe bota përreth. Sy më sy pikëtakohen etika dhe estetika e këtij shpirti njerëzor.

Me një fjalë, ku takohen Fjala dhe Heshtja që i dhurojnë e marrin diçka njëra-tjetrës, siç ndodh në veprën “Sytë e heshtjes” të Anton Nikë Berishën.

Maj 2019


[1] Anton Nikë Berisha, Sytë e heshtjes. Përsiatje poetike. Argeta LMG, Tiranë 2018. Me disa ndryshme botohet te kompleti “Nëna Tereze në shtatë shpalime”, 1 – 7. Botoi “Faik Konica” Prishtinë dhe Kuvendi Françeskan, Gjakovë, 2019.

[2] Shih Anton Nikë Berisha, Nëna Tereze në shtatë shpalime. Vëllimi i katërt: “I desha njerëzit me dashurinë e hyjit” (Doracak për Nënën Tereze,), botoi “Faik Konica” Prishtinë dhe Kuvendi Françeskan, Gjakovë, 2019, f. 264.

[3] Shih: http://www.misioni-aarau.ch/nene_tereza_meditime_janar.php

[4] Nënë Tereza, Në zemër të botës: Meditime, rrëfime dhe lutje, DEON – AB, Prishtinë 2014. përktheu Alfred Beka, f. 17-23. Nënë Tereza, mërmërimë shenjtoreje. Përzgjodhi dhe poetizoi Visar Zhiti, botimet OMSCA 1, Tiranë 2003, f. 106.

[5] Shih Anton N. Berisha, Thelbësorja e besimit dhe e lutjeve të Nënës Tereze. Studim, Fjala Hyjnore, Prishtinë 2005, f. 61.

[6] Steve Desrosiers, Les nombres: symbolisme et propriétés, Përfunduar për t’u shtypur në shtator 2005 në Quebec City. Libër elektronik, f. 142.

[7] Nënë Tereza (Gonxhe Bojaxhiu), Takohemi nëpër lutje. Poezi. Zgjodhi e përktheu: Visar Zhiti, shtëpia botuese “Çabej”, 1997.

[8] Anton Nikë Berisha, Il fulgore della bellezza. Riflessioni poetiche sull’ arte della parola. Traduzione a cura di Albana Alia. Luigi Pellegrini Editore. Cosenza 2014. Botimi i dytë Shtëpia botuese “Beqir Musliu”, Prishtinë 2015.

[9] Carlos Castaneda, Put u Ixtlan: pouke don Juana, prevela Marina Horkić, Zagreb : V.B.Z., 1997, f. 318.

[10] Luce Irigaray, How Can We Meet the Other?’, Otherness. A Multilateral, Perspective, eds. Maria Beville, et al. Oxford: Peter Lang, 2011, f. 114. Libër elektronik.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.