NGA KALOSH ÇELIKU
Im Atë, Emin Çeliku pranë oxhakut me struken krahëve rrëfente shumë ngjarje historike interesante për atë kohë qorre, kur Zonja Vdekje na ecte hap pas hapi përpmbrapa si hije pas shpine. Nuk e dije se, ku ta ka vënë pritën: pas Çuke, te xhamia, në Çarshi të Kërçovës… Livadhi i “Xha Nefruzit”… Apo, në Lëmë, pas gardhit te Pragu i Shtëpisë.
Gjyshi im, rrëfente im Atë plot krenari: ka qenë trim mbi trima. Unë, si pasardhës i tij, jo vetëm që trashëgova emrin e tij, por edhe mësova shumë në jetë nga strategjia e tij luftarake kaçake. Vërtetë ishte, një shkollë lufte. Jetën e kaloi maleve. Mallë e kishim ta shohim në shtëpi. Edhe, kur vinte për vizitë, vinte pasmesnate. Askush nuk e dinte se kur vinte në Shtëpi, cilës dhiare, ose rruge. Vetë, apo vetë i treti.
Strategjia e tij luftarake, mua ma shpëtoi jetën si “ballist”. Parashikimi i Mahmut Dumanit, i cili gjatë një vizite në shtëpinë tonë natën, më tha: a, sheh në lëmë? Jo, iu përgjigja. Përveçse, terr. E, unë, shoh edhe në lëmë. Koha, është të parashohim Larg. Eca në jetë gjurmëve të gjyshit, kaçakut me dy “nagëntë” në brez. Shkaku, se: mund të ndodhë ndonjëri të ngatërrohet, mos shkrepë. Bir, miku më i mirë besnik i burrit, është arma në brez. Ose, mauzerri hedhur krahut nën gunën e zezë. Dita, ose nata vjen më këmbë, kurrë arma nuk paguhet me para. Dardhat “turke” (kashikarat e serbit), gjithëmonë duhet t’i kesh me vete në xhepat e strukes.
Edhe mollët e kuqe të italjanit. Nuk i bija të njëjtës rruge. Herë pas Çuke, herë nga xhamia e herë nga Kolibaret, teposhtë kodrave përmes lisave dhe dardhave gorricë, ende të pashartuara me sharrë të Xha Derallës, te “Përroni i Thanës”. “Mrizet e Zanave” me lisa siç, u ka kënduar Gjergj Fishta. Dhiare malore të cilat edhe ma shpëtuan jetën mes pusive. Pak vetave u zija besë asaj kohe. Porosia e gjyshit: Besë ki, por besë mos i zi askujt! Edhe këmishës tënde, që e ke veshur në trup. Rrëfente plot krenari im Atë, i thelluar në mendime pranë zjarrit oxhakut, dromaxhakut me kokë gjarpëri, në mes të dhomës shtëpisë.
Im Atë, në mesin e atyre rrëfimeve historike, padashtas një ditë ma rrëfeu edhe vrasjen e Vojvodës, ulur mbi një shkam me tri këmbë. Ende e kam parasysh atë shkam me lëkurë dashi. Ende e mbaj mend, e kam parasysh sesi e ndreçi vetë atë shkam me tri këmbë nga cungu i lisit, që e preu në fund të Livadhit për Dimër. Ishte shkami i tij personal. Nuk ishte mbretëror nga ari, por ishte i kaçakëve të malit me lëkurë ogiçi. Askush nuk guxonte të ulet në atë shkam. Nana ime e ndjerë, shpeshëherë thoshte pas ikjes së tij nga mesi ynë familjar: Po, t’i thoshe se do të jetosh sa ky shkam, me siguri do të zemerohej, nxirrte “nagëntin “ nga brezi.
Kurrë nuk shtriheshte në shtrat pa “nagëntin”, një hanxhare nën jastëk dhe mauzerrin mbi krye. “Kashikarat” e serbit në xhepat e strukes varë pas dere. Mollët e kuqe të italjanit. Nata, thoshte nuk ka besë. Edhe, muret e shtëpisë kanë sy e veshë. E përsëriste shpesh këtë nga përvoja e tij si kaçak mali. Ngjarjen e filloi ashtu papritmas: Një vojvodë bënte shumë dëme në anën e Dibrës. Emin Çeliku (Xhambazi), dhe shoku tij i pushkës, kaçaku Halil Reka nga Dibra e Madhe, vendosën që ta vrasin natën në shtëpi.
Pasmesnate, kur i gjithë fshati ishte në gjumë, ato i hynë për baxhe të çatisë në shtëpi. Por, kur arritën te dhoma e gjumit, përçudi ishte e mbyllur me reze. Nuk mund të hynim brenda, kryejnë porosinë e Atdheut. Papritmas, u kujtuam, se: gruaja e vojvodës herët në mengjes do ta hap vetë derën, ngrihet të gatuaj bukën. Ashtu, edhe ndodhi. Para se, të zbardhë agimi gruaja e vojvodës u zgjua nga gjumi, e hapi derën dhe zbritii poshtë në dhomën tjetër ta gatuaj bukën. Kaçakët tinëz, u përvodhën nëpër çardak dhe hynë në dhomën e fjetjes të vojvodës. E vranë vojvodën, në gjumë. Vrik e vrik u ngjitën në tra, përsëri të dalin nga kishin hyrë për baxhe, e jo nga oxhaku.
Në ndërkohë, gruaja e vojvodës kur kthehet në dhomë dhe e sheh burrin e larë në gjak, e rrëmben pushkën e tij dhe delë në çardak. Emini më veç kishte dalë mbi çati, Halil Reka pas tij dilte për baxhe. Përçudi, papritmas gruaja e shkrepë pushkën. Edhe, në krahët e kaçakut e vrau Halil Rekën. Kohë, nuk pati që të kthehet pas gruas së vojvodës. Shkaku se, zbardhi drita maleve. Fshati po zgjohej nga gjumi. Iku me Halil Rekën e pajetë mbi shpinë përmes lisave. Në malet e Dibrës, pranë një burimi e varrosë shokun nën një hije lisi.
Hakmarrja për shokun e luftës nuk e lente të qetë as në gjumë. Një ditë, vendosi që t’ia marr hakun. Por si, dhe kur?! Gruan e vojvodës si ta vriste, marrë hakun shokut të pushkës. Aty për aty, iu kujtua: gruaja e vojvodës, patjetër një ditë të dilte do të shkoj te varret, vizitojë burrin. E ruajti, gjithë natën. Dhe, ditën e dielë, erdhi gruaja te varri. Tinëz e nxorri thikën dhe ia preu kokën. I vu zjarrin shtëpisë të vojvodës. E mori hakun e Halil Rekës. Tashti, tha me vete: rehat mund edhe ta vazhdoj luftën kundër turqve. Ditën e nesërme iu bashkangjitë Kryengritjes të Dervish Carës. Dhe, i përkushtoi edhe një këngë trimërie, të cilën herë pas here sa qe gjallë na e këndonte plot mall në Katund.
Im Atë, rrëfente se: Gjyshi i tij, Emin Çeliku (Xhambazi) krah për krahu me Dervish Carën dhe kryengritësit e çliruan edhe Shkupin (1844). Betejën e përgjakshme luftarake e vazhduan në Katllanovë (afër Shkupit), për të vazhduar pastaj me çlirimin e Velesit, Manastirit dhe Prilepit. Por, nuk u eci fati. Papritmas, Krynegritja Shqipatere e Dervish Carës shpartallohet nga ushtria turke. Gjyshi me disa shokë delë në Kosovë e Mal të Zi për ta vazhduar luftën kundër turqëve.
Vite më vonë, pas gjithë atyre betejave të përgjakshme për Liri në Kosovë, një ditë kthehet në Katund, shkaku pleqërisë me mbiemrin e vërtetë si Emin Çeliku. Turqëve, edhe kësaj radhe ua hodhi si kaçak mali. Ato e kërkonin si Emin Xhambazi, e Kaçaku i maleve bënte jetë të qetë pranë familjes si Emin Çeliku, në Katund.
Turqit mëkot e kërkonin Emin Xhambazin te familja Xhambazi, kur ajo familje e fshatit Cërvicë edhe sot e kësaj dite, ende nuk ka pagëzuar një person me një emër të këtillë në mëhallë. Shkaku, përndjekjeve të kaçakëve malit nga turqit. Emin Çeliku (Xhambazi) ndërroi jetë në moshën 102 vjeçare në Katund nga dita e vet, e jo nga dora e turkut ballë për ballë në luftë.
Sot për sot, ai burrë i pushkës pushon mes varreve, pranë Tyrbes të Babashehut, në Katund. Babai, si i vogël shpesh më merrte për dore dhe më dërgonte te ai varr, nën një hije lisi me një pllakë të madhe guri. Bir, ky është varri i kaçakut të maleve Emin Çeliku, më rrëfente Babai. Kaçakut të maleve që gjithë jetën luftoi me armë në dorë kundër turkut. E, mua si fëmijë, në atë kohë më mundonte realiteti që e shihja me sy mbi varr: Si është e mundur gjithë këtë pllakë të madhe guri, Babai ta sillte nga malet mbi kët varr familjar?!
Histori tjetër më vete është ajo se, sot: dudumët e Shkupit përpiqen ta heshitn Kryengritjen Shqiptare të Dervish Carës (1843 – 1844), i cili asaj kohe hyri i pari me kryengritësit në Shkup. Betejat e tij të përgjakshme në Katllanovë. Marshimin e tij luftarak drejtë çlirimit të Velesit, Prilepit dhe Manastirit. Ditën e nesërme në Kosovë dhe Mal të Zi. Përfshirjen e gjithë shqiptarëve në Kryengritje kundër Turqisë dhe shpalljen e Pavarësisë të Shqipërisë. Vallë, a nuk ka një vend në Shkup edhe për Dervish Carën, sheshe kur sot përmendoret e “vëllezërve” të shtetit “përbashkët” na lindin si këpurdhat pas shiut?! Thirrja, u bëhet vetëm Partive Politike Shqiptare. Ideologëve të tyre “strategjik”, që gjithë jetën mbetën duke u fotografuar para kamerave televizive nëpër poste politike në Qeveri dhe varre të dëshmorëve të Luftës.
Nuk prish punë. E kanë thënë moti Rilindasët tanë që e shkrinë pasurinë dhe trurin për Atdheun. Imzot, mos ua merr për të madhe! Nuk është puna, që nuk duan, por nuk dinë, aq e kanë fuqinë e trurit në legen. Ose, Filip Papajani do të shkonte edhe më larg me hoxhën: “Njeri i soçëm me tru të moçëm”. Nateditë fotografohemi para kamerave telelvizive duke u vënë lule mbi kokë të vdekurve. E, shumë pak merremi me të gjallët. Kulminacioni i ironisë: Sot, kur përditë shpallim dëshmorë e heronj lufte: familjarët, miqtë, hajdutët, farefisin e spiunët. Trimat pas lufte, që deri më sot nuk e shkrepën asnjë fishek për Liri. Pikëpyetja, si na durojnë ato dëshmorë lufte, nuk çohen nga varret si burra pushke dhe me dy-tri shpulla të na përzënë në Katund?!
Dëshmitari vetëm i bandave serbe që masakruan katundarët e fshatit Cërvicë, te dëllinjat, është Emin Çeliku i Riu. Ose, siç i pagzuan më vonë pasardhësit e tyre: “Te të vramët”. Varri i tyre masiv i përbashkët, edhe sot rrëfen histori. Gjaku i tyre, ende vazhdon të rrjedhë damarëve teposhtë “Përronit të Thanës” për në Katund. “Lugut të Ymerit” bartë me vete mbi shpinë histori. Rrugës nëpër Katund, përcjellë porosi: Fusha jonë nëpër shekuj nuk u mbollë vetëm me grurë, misër dhe djersë, por edhe me gjak. Lulekuqe, që sot shpërthejnë për çdo pranverë mes fushës dhe ngrejnë kryet në qiell përkarshi Diellit që zbret më këmbë teposhtë nga mali Çelvjollca. Vendlindja e kaçakëve të maleve.
Stërnipërit e tij, në vitin 2016 mes varreve, pranë Tyrbes të Babashehut, Kaçakut maleve të kësaj ane, që luftoi krah për krahu me Dervish Carën për çlirimln e Shkupit i ngritën edhe përmendore, rrëzë Çukës Ilire. E zbuluan me një Akademi përkujtimore në të cilën morën pjesë historianë, poetë e gazetarë nga të gjitha Trojet Etnike Shqiptare.
Largpamsinë e tij për Ditën e Nesërme…
Fragment nga antiromani: HËNORJA (Shkup, 2021).