MBI NJË GUR ANËS SË DETIT SOT HIMARA QAN

0
663
Dhimiter Varfi

Timo Mërkuri - Sarandë Timo Mërkuri

Sot është një ditë e trishtë në Himarë; era vjen si kujë e stërkalat mbi shkëmbinjtë e bregut bien si lot. Zogjtë heshtën, kënga isopolifonike u rikthye në origjinën e saj vajtimore dhe: “mbi një gur anës së detit sot Himara, qan[1]“. Sot pushoi së rrahuri zemra e Dhimitër Varfit, Zotit të vërtetë të këngës himariote dhe s’ka zemër bregasi që nuk u drodh nga kjo goditje rrufeje; Himara ka “valëvitur” si flamur krenarie këngët e Dhimitër Varfit (me tekst të Neço Mukos), ato këngë që dhe Zoti vetë i dëgjonte me mahnitje.

Askush si Dhimitër Varfi gjer më sot nuk e lëmoi këngën himariote gjer në shkëlqimin e dritës, askush gjer më sot nuk futi te zërat e këngës himariote flladin dhe tramudanën e detit bashkë, përzier me erën dhe aromën e malit në prill, nën një paqe ungjillore ullinjsh. Askush si ai gjer më sot nuk e vuri zemrën himarjote si shenjë identiteti në flamurin e këngës, që rrihte në valëvitjen e isos së saj. Ai na bëri të ecnim me ballin lart te krenaria dhe të ishim të pranishëm dhe aty ku mungonim, mjaftonte të shkonte kënga jonë.

Ai u bë pjesë e jetës sonë, rritëm i rrahjes së zemrave tona, ndaj sot ndjejmë një shtrëngim në gjoks, një dhimbje që më kot mundohemi t’a fshehim, por nuk e ndalim dot lotin, që me gjëmime të heshtura rrokulliset faqeve.

Na ka hije loti për ty o Dhimitër Varfi, siç na kishte dje hije kënga bashkë me ty.

Ishe i këngës dhe në parajsën e këngës do jesh.

Këngë t’u bëftë në këtë përcjellje edhe vaji ynë.

Sarandë, më 30 gusht 2022


VAZHDIMËSIA…

Pjesë nga libri “Vajz’ e valeve”

[…] Nuk mund të mbyllet ky libër pa evidentuar këtë kolos të këngës himarjote, bashkëkohësin tonë, Dhimitër Varfi… jo vetëm si vazhdues të veprës së Neço Mukos, por si artistë që i dhanë kësaj kënge atë finesë, harmoni dhe ëmbëlsi shpirti që ka sot .

Dhimitër Varfi është vazhduesi më i denjë i Neço Mukos në kultivimin dhe përpunimin e këngës himarjote. Dhimitri është një nxënës i Pano Kokaveshit (antar i grupit isopolifonik të Neço Mukos), veçse ai ishte një nxënës që ja kalon mësuesit.

Tregojnë se kur ishte djalë i ri, rreth 17-18 vjeç këndonte me shokët në ditën e Pashkës së Madhe. Aty kalonte dhe e dëgjoi Pano Kokaveshi, ndaloi hapin dhe pasi mbaroi kënga, ju drejtua me fjalët profetike, gati urdhëruese:- Ti more djalë, shumë shpejt do bëhesh marrësi i këngës himarjote, por vazhdo e këndo çdo ditë.

Sikur të mos mjaftonte kjo, Dhimitri filloi  punë këpucar bashkë me Panon, duke u bërë dy nga mjeshtrit më të mëdhenj si këpucarë, me emër dhe kërkesa dhe nga Vlora e Saranda. Aty, te këpucaria ishte shkolla muzikore e Dhimitër Varfit me “mësuesin” e rreptë dhe të dashur Pano Kokaveshin. Realisht Pano Kokaveshi nuk ishte pjesëtar i grupit të Dhimitër Varfit, por ishte ai që e drejtonte këtë grup në fillimet e tij.

Dhimitër Varfi renditet dhe vlerësohet si ndër këngëtarët më të shquar të iso-polifonisë së Bregut të gjysmës së dytë të shek. XX. Ndër këngët e arta të repertorit të tij janë këngët e grupit të Neço Mukos. Në grupin e tij iso-polifonik bënin pjesë: Dhimitër Varfi-marrës, Spiro Dhimaleksi -kthyes, Llambro Kiço -hedhës si dhe iso nga Leko Leka në fillimet e veprimtarisë në vitet 47-50 si dhe: Dhimitër Varfi – marrës, Llambro Gjomema-marës, Andrea Dhimojani- kthyes, Thodhori Goro -hedhës si dhe Pano Naçi, Simo Kallushi- iso në vitet pas 1950.

Grupi i Dhimitër Varfit doli në skenë i afirmuar në vitet 1950, periudhë kur bëri edhe incizimin e parë në radio, duke vazhduar të jetë pjesëmarrës në katër festivale kombëtare.

Merita e Dhimitër Varfit dhe grupit të tij qëndron në faktin se ai « lëmoi » mermerin e  monumentit «Kënga Himarjote », duke e bërë atë më fin dhe më harmonik në detajet e tij me tërësinë, dhe për pasojë më të ëmbël, më shpirtëror. Në qoftë se Koço Çakali, si marrës kishte një zë metalik, zë « gryke » Dhimitër Varfi kishte një zë gjoksi, ose më saktë, një zë shpirti, të ëmbël e të ngrohtë.

Grupi i këngës himarjote karakterizohej nga një harmoni e shkallës së lartë. Elementët thelbësor të kësaj kënge evidentoheshin qartësisht për periudhën kur kjo këngë u këndua.

Marrësi i saj Koço Çakali, kishte një zë metalik lirik dhe emërtohej nga shoqëria PATHE si tenor (amator) me diapazon të gjerë. Koçua dallohej për kulturë të lartë interpretimi, fantazues i melodive dhe edukatë muzikore, jo vetëm për iso-polifoninë por edhe për këngët e tjera me karakter lirik, operistik, parodik dhe epik që incizoi apo këndonte.

Kthyesi i këtij grupi Andrea Bala, ishte një bas i thellë, që të kujton gjëmimet e rënda të maleve të Vetëtimës, të cilat parathonë stuhi apo dëbore të madhe. Kontrasti i madh midis tij dhe marrësit përbënte asokohe një dukuri në “modë” për iso-polifoninë, e cila korri një sukses të padiskutueshëm, por që më vonë u pa si një pengesë për evoluimin e kësaj kënge. Kthyes tjetër i këtij grupi ka qenë edhe vetë udhëheqësi artistik Neço Muko, por që më shumë ka mbushur mungesën e Andrea Balës se sa ka arritje të vetë artistike.

Elementi i ri i futur tërësisht në këngën himarjote, falë gjenisë së Neço Mukos , është hedhësi i kësaj kënge. Themi element i ri, se kënga himarjote, ashtu si edhe kënga labe në tërësi, nuk ka pasur hedhës kaq funksional, ndonëse ka pasur prerës. Ky inovacion, mendojmë se erdhi pikërisht kur disa këngë u incizuan të shoqëruara me instrumente muzikorë, se nuk mund të konceptohej nga specialistët e PATHE kënga pa instrumente.

Dhe pikërisht, kur këngët u shoqëruan nga këto instrumente dhe kënga shtihej, atëherë dilte në pah kërkesa harmonike për një hedhës, i cili do të “imitonte” zërin e tretë në muzikë, por natyrisht në një formë tjetër, krejt të natyrshme, që vetëm iso-polifonia himarjote e ka edhe sot e kësaj dite në një formë të përsosur, duke u vijuar edhe nga kënga pilurjote. Ky hedhës ishte Pano Kokaveshi, i cili ishte këngëtari me i ri i këtij grupi dhe që pati fat (për vete dhe për ne) të rronte e të na i transmetonte gojarisht këto inovacione që bëri grupi i këngës himarjote.

Nuk po vijojmë me ison, sepse kemi folur edhe më parë , por ndoshta duhet të theksojmë intimitetin dhe misterin që Neçua i ngarkoi isos së këtyre këngëve dhe që e ndryshoi dhe e bëri magjike.

Po të bëjmë një krahasim me grupin e Dhimitër Varfit, që interpretoi po këto këngë, por në një kohë tjetër e në një mënyre tjetër, do të shikojmë se tek grupi i dytë do të kemi një nivel artistik gati hyjnor, të krahasuar me nivele operistike botërore.

-Të tre elementët bazë të këtij grupi, marrësi, kthyese dhe hedhësi, janë të tre tenorë me zë koke dhe që shkrihen në një harmoni e përsosur. Me një vëmendje të vogël edhe isot e këtij grupi janë tenorë dhe shkojnë në unisom me tre të parët. Marrësi i saj Dhimitër Varfi është një nga këngëtarët më të fuqishëm të iso-polifonisë, i papërsëritshëm deri më sot. Ai është shpërthyes, lartësor, heroik dhe epik njëkohësisht dhe me një ritëm e kadencë të brendshme, që rrallë mund të përsëritet.

Kthyesi i këtij grupi, Andrea Dhimojani, është i kundërti i Andrea Balës, duke qenë njëkohësisht edhe vazhdues i tij, i ëmbël, i lehtë, i harmonishëm dhe i “kronometruar”, duke e çuar iso-polifoninë në një interpretim me “dirigjent” të padukshëm.

Hedhësi i këtij grupi, Thodhori Goro përbën tenorin tempo ritëm, që në momente të veçanta mund të mbulonte edhe “mungesën” e marrësit. Shfaqet rrallë, me atë “hajde de-në” e tij, por që të kujton majën ose kulmin, dhe pas kësaj kënga s’kishte ku të ngjitej më. Është “shkollë klasike” për të gjithë hedhësit e tjerë të këngëve iso-polifonike, në përgjithësi dhe atyre burrërishte në veçanti.

Tek grupi i Dhimitër Varfit kemi edhe katër “iso”, të cilët kanë harmoni të përkryer dhe të veçantë, me një tingull gjysmë note dhe hundor, e tillë që e bën të dallueshme ison himarjote në çdo vend e në çdo kohë.

Ndërsa te grupi i Neço Mukos, hedhësi i ngjan prerësit, te Dhimitër Varfi, hedhësi është në një shkallë klasike, i specializuar dhe i përsosur në rolin e tij që evidenton jo vetëm dhimbjen që mbart kënga por edhe finesën e kësaj dhimbjeje, të derdhur në këngë. Thyesi është në harmoni të plotë me grupin, aq sa të mos dallohet veçantia e tij, ndërsa te grupi i Neço Mukos, thyesi është si «kundrapedali» i grupit.

Te grupi i Dhimitër Varfit mbizotëron harmonia e zërave në shkallën më të lartë, sa që nuk dallon ndërhyrjen dhe ndërprerjen e njëri -tjetrit.

Për këto novacione, për kontributin në këngën iso-polifonike himarjote dhe për aktivitetin e tij të gjerë dhe cilësor Grupi i Dhimtër Varfit është nderuar e vlerësuar edhe nga organet e pushtetit lokal.

Me Vendimin nr. 105 datë 26.11.2012 Këshilli i qarkut Vlorë ka nderuar me titullin “Nderi i Himarës”, Grupin e këngës himarjote të vitit 1952, të përbërë nga Dhimitër Varfi, Llambro Gjomema, Andrea Dhimojani, Thodhori Goro, Pano Naci, Simo Kallushi, Leko Leka

Në 28 Nëntor 2020  Dhimitër Varfit iu akordua  dekorata e lartë “Kalorës i Skënderbeut”.

[1] Perifrazim i vargut “Mbi një gur anës së detit, qan e mjera qan” të këngës himariote “Vajz’ e valeve”.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.