Nga: Isak A H M E T I
I. Në vend të hyrjes
Faruk Tasholli, emër i njohur në letrat shqipe, si poet për fëmijë dhe të rritur, si prozator, gazetar dhe publicist, me përvojën e tij të gjatë si krijues, ka arritur tashmë kulminacionin e tij prej krijuesi, me vlera shhumështresore, si poet satirik. Krijimtaria e tij, e mbrujtur me shumësinë e vlerave, tashmë janë pjesë e çmuar letrare edhe nga kritika letrare, por edhe pjesë e trashëgimisë kulturore shqiptare dhe gjermane.
Ky poet dhe intelektual i mrëfilltë, ndonëse mbi tridhjetë vite në mërgim, kurrë emocionalisht nuk është shkëputur nga Kosova.Sot e kësaj dite, ai jeton në Ahen të Gjermanisë, një qytet me kulturë dhe traditë të lashtë, ku krijon poezi, prozë, publicistikë, satirë të përkryer dhe tekste këngësh të njohura për këngëtarët më të mirë shqiptarë. Përveç kësaj, ai dallohet për kontributin e tij, të veçantë dhe të pakursyer, në avansimin kulturor të komunitetit shqiptar për çka meriton një mirënjohje rë veçantë.
II. Disa shënime nga biografia e tij
Faruk Tasholli, është i lindur më 1950, në Gadime. Shkollën fillore e ka kryer në vendlindje, ndërsa të mesnen në Ferizaj.
Fakultetin Filologjik, Degën e Letërsisë dhe të Gjuhës Shqipe e ka kryer në Prishtinë, ku i ka ndjekur edhe studimet pasuniversitare.
Krahas studimeve, që nga viti 1980, Faruku ka punuar si gazetar dhe për disa vite me radhë edhe redaktor i rubrikës së kulturës në gazetën e studentëve “Bota e re” të Prishtinës. Nga viti 1988 ka kaluar në Redaksinë e Programit Kulturor të Radio Prishtinës ku ka punuar deri më 5 korrik 1990, kur forcat barbare policore serbe mbyllin Radiotelevizionin e Prishtinës në gjuhën shqipe.
Ka bashkëpumuar me gazetat dhe revistat siç janë: “Fjala”, “Zëri”, “Kosovarja”, etj.
Me 1994 ka emigruar në Gjermani, prej nga ka vazhduar bashkëpunimin me Programin satelitor të Radiotelevizionit shqiptar në Tiranë, pastaj është angazhuar në organet e shtypit shqiptar në emigracion si: “Ora”, “Bota sot” dhe”Fakti”. Një kohë ka punuar edhe në Radion shtetërore gjermane “Deutsche Welle”, programi në gjuhën shqipe në Këln.
III. Veprat
Autori, Faruk Tasholli, të cilin po ju paraqesim këtu, ka botuar këto vepra:
1. Mos u rrit pa mua (1978),
2. Rosat mësojnë patinazh (1990),
3. Drita të largëta (1984),
4. Tjerr fusharaku (1988), etj.
Së fundmi ka botuar librin me poezi satirike:
AKADEMIA E ZUZARËVE, LENA, Prishtinë, 1922.
Ky libër, që unë e vlerësoj si kryevepër të autorit, ëshë shpërblyer me çmimin “AZEM SHKRELI” nga Shoqata e Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Gjermani (Dyseldorf, Maj 2023).
IV. SATIRIKË THUMBUESE E AKTUALITETIT
Libri më i ri : AKADEMIA E ZUZARËVE, i poetit Faruk Tasholli, të cilin po ju paraqesim këtu, shfaqet si një ndërgjegje fërgëlluese, thumbuese, e aktualitetit shoqëror e politik të çrregulluar dhe të degraduar në Kosovë dhe jo vetëm. Zuzarët e Kosovës, të cilët i merr në shënjester poeti, edhe sipas FGJSH (Rilindja, Prushtinë, 1981, fq. 2250), janë kategori njerëzish që sillen kot rrugëve dhe bëjnë punë të këqija, janë rrugaçë që i futin hundët kudo, janë njerëz të poshtër që shkojnë pas grave, janë zuzarë! Prandaj le të theksojmë me këtë rast se poeti Tasholli këtu jo vetëm shfaqet si ndërgjegjegje fërgëlluese e aktualitetit, por edhe si zë i fuqishëm që i kundërvihet këtij procesi të gjerë të kthimit kokëposhtë të këtij realiteti!…
Ky libër me poezi humoristiko-satirike, (të cilin autori ma ka dërguar me dedikim të veçantë deri sa isha këto ditë në Koblenz të Gjernanisë e për çka e falënderoj nga zemra !), është me vlera shumështresore dhe brenda vetes, siç e ka vlerësuar me të drejtë edhe Milazim Krasniqi, përmban brenda vetes shenjat e aktualitetit shoqëror e politik të çrregulluar e të degraduar, të kombinuara edhe me shenjat e traditave shqiptare të deformuara e të harruara.
Autori, duke e njohur mirë dhe ndjekur traditën tonë poetike dhe duke qenë në njëfarë lidhmërie me frymën e poezisë satirike të Gjergj Fishtës, të Ali Asllanit, të Dritëro Agollit etj., ka arritur të shkruajë këtë vepër kulmore humoristiko-satirike që është e rrallë në mjedisin tonë letrar-kulturor. Madje jo rastësisht, Nexhmedin Spahiu, duke e pasur parasysh poezinë humoristiko-satirike të këtij poeti, do të shkruajë, citoj:
“Faruk Tasholli është Gjergj Fishta i kohës sonë dhe simbol i thjeshtësisë së Kosovës”(mbaron citati).
V. SI LINDI LIBRI: AKADEMIA E ZUZARËVE
Në vend të parathënies, poeti F. Tasholli e e ka vënë poezinë me titull: IZA E BALIT DAN PËR HIMNET KOMBËTARE të Ramadan Musliut, poezi kjo që ka qenë motivuese për poetin. Në lidhje me këtë poeti F. Tasholli rrëfen: Në vitin 2004 i shkrova paroditë “Himni i uçkurit” dhe “KUR KA RA UNMIKU N’KOSOVË”, para se t’i botoja, iu drejtova mikut tim Ramadan Musliut (1954-2020) për një vlerësim. Ai përgjigjen ma ktheu përmes poezisë: IZA E BALIT DAN… Letër drejtuar F. Tashollit) ku, ndër të tjera, poeti dhe studiuesi elitar, Ramadan Musliu, shkruan, citoj:
Prandaj, në paç edhe të tjera,
nxirri shpejt në dritë
se iku vera
bani të gjitha bashkë në një libër,
edhe atë himnin që bali Ibër,
e pat ba për qejf të vet
me e këndue
gjithë ky milet
si patroti, po edhe tradhëtari
dhe intelektuali me tru gomari
Se ti këtë himn
e ke qit në dyzen
me e këndue brezi që vjen
për me e ditë si u ba shteti,
ç’hoqi ky popull
lloj-lloj sikleti,
sa keq ka hequr u sa ka me vuejt
se çka të bajnë tu’t
s’ta bajnë të huejt” (fq. 5-6).
Pas poezisë së Danit, të vënë si parathënie, vijnë poezitë satirike me vlera antologjike siç janë:
1. Himni i uçkurit,
2. Kur ka ra UNMIKU n’ Kosovë dhe
3. Akademia e zuzarëve.sipas të cilës edhe është titulluar libri.
Për të shijuar bukurinë dhe frymën thumbuese të këtye poezive,po sjellim disa vargje:
“Përreth uçkurit të përbashkuar
Deputetë, ministra, tregtarë…
Për të gjithmonë jemi dëshmuar
Në luftë, në luftë jemi të parë”
(Himni i uçkurit, fq. 8-9),
“Kur ka ra UNMIKU n’Kosovë
Kur ka ra UNMIKU n’Kosovë,
Si Natën e Madhe kur çelet havaja
Erdhën me nji udhë belaja e sevdaja…”
(Kur ka ra UNMIKU, Kosovë fq. 10-11),
“Ndër politikanë, klerikë ,shkencëtarë
Ka posi nuk ka, me bollëk zuzarë.
Zuzarë që ta ndalin diellin në këtë jetë
Zuzarë që rrastë rrenën e bëjnë të vërtet.
Zuzarë kryedhtetit zuzarë parlamenti
Sa herë aty ngjiten poshtë rënkon vendi,
Zuzarë që s’i ndalë laurë as doganë
Zuzarë kokë urithësh që ta bëjnë hatanë“.
(Akademia e zuzarëve, fq. 12).
VI. KREJT NË FUND
Ky libër, katarsis, që lexohet me një frymë, që të bën me qajtë dhe me qeshë njëkohësisht, përmban vlera shumështresore, është vlerësuar lart për ligjërim të bukur, ironik dhe satirizues në raport me zhvillimet kulturore, shoqërore dhe politike në Kosovë. Dhe si i tillë ia vlen të lexohet dhe rilexohet!
Koblenz, shkurt 2024.