E SËMURA E BALLKANIT – SERBIA KFOR-i – E VETMJA FORCË USHTARAKE E ARMATOSUR E LEJUAR NË KOSOVË

0
280
Xhelal Zejneli

REZOLUTA 1244 KA KOHË QË KA VDEKUR

Xhelal Zejneli

Sipas Rezolutës 1244 të KS të OKB-së, përkatësisht Marrëveshjes së Kumanovës, e vetmja forcë ushtarake e armatosur e lejuar në Kosovë është KFOR-i, i cili si mision i NATO-s në kuptimin ushtarak, është i ngarkuar për sigurinë në Kosovë.

Në pikën 4 të Rezolutës parashikohet që “një numri të dakorduar të personelit ushtarak dhe policor jugosllav dhe serb, t’i lejohet kthimi në Kosovë, për të kryer detyra në përputhje me aneksin dy”, ndërsa në pikën 6 të këtij aneksi thuhet se “ky personel do të mbajë lidhje me UNMIK-un dhe me KFOR-in, do t’i shënojë dhe do t’i pastrojë fushat e minuara dhe do të jetë e pranishme në vendet e trashëgimisë kulturore serbe si dhe në vendkalimet kufitare kryesore.

Rezoluta 1244 e KS të OKB-së, e qershorit të vitit 1999, me të cilën u kërkua fundi i konflikteve luftarake në Kosovë dhe tërheqja nga Kosova e ushtrisë dhe e policisë së RF të Jugosllavisë së atëhershme, jep mundësinë që në kushte të posaçme një pjesë e personelit të mundë të kthehet, “me mbikëqyrjen e pranisë ndërkombëtare të sigurisë, e pikërisht në masë të kufizuar të darkorduar (qindra vetë dhe jo mijëra vetë”.

* * *

E ashtuquajtura rezolutë 1244 ka vdekur qëmoti. Pas kësaj rezolute:
– Kosova e ka shpallur pavarësinë e saj;
– Kosovën e kanë njohur 117 shtete të botës;
– Kosova e ka krijuar policinë e vet;
– Kosova e ka ndërtuar ushtrinë e vet;
– Policia e Kosovës ruan rendin edhe në veri të Kosovës;
– Policia e Kosovës kontrollon edhe disa pika kufitare midis kufirit Kosovë – Serbi.

Kërkesa e Beogradit për të vendosur në Kosovë një numër të caktuar ushtarësh të Serbisë, është bizare, groteske dhe absurde. Vetë kryetari i Serbisë – Vuçiqi, ka deklaruar: “E di se kjo kërkesë do të refuzohet nga KFOR-i”.

Kjo kërkesë e Vuçiqit dëshmon për qëndrimin destruktiv të Serbisë ndaj Kosovës dhe ndaj mbarë rajonit. Kjo kërkesë groteske e tij, nuk është veçse një ëndërr e parealizueshme për të ripushtuar Kosovën.

Një numër policësh serbë që ishin pjesë e policisë së Kosovës, luanin rolin e kalit të Trojës. Ata, në vend që të ruani rendin dhe rregullin në Kosovë apo në veri të saj, punonin për Serbinë. S’ka shtet në botë që e lejon një destruksion të tillë. Të hash bukën e Kosovës dhe të punosh për Serbinë.

Barrikadat në veri të Kosovës janë të orkestruara nga Beogradi dhe nga Vuçiqi. Këto farë barrikadash mbështeten vetëm nga Vladimir Putini si dhe nga bashkëmendimtarët e tij – Lukashenko dhe Kim Jong-un.

Kosova ka paraqitur kërkesë për t’u bërë anëtare e BE-së, Beogradi ndërkaq paraqet kërkesë për rikolonizimin e Kosovës. Kjo tregon se ora e Serbisë është ndalur në mes të shekullit XIX, në kohën e Garashaninit. Sikur akademikët dhe politikanët serbë të ishin racionalë dhe të shkonin në hap me kohën, aplikimin e Kosovës për t’u bërë pjesë e familjes demokratike, do ta përshëndetnin.

Kosova në BE është interes i të gjithë qytetarëve të saj, po edhe i rajonit. Sikur Serbia nuk është në Evropë, sikur nuk është në shekullin XXI. Politika serbe është metaforë e konfliktit, e konfliktit me të gjithë – me Kosovën, me shqiptarët, me kroatët, me malazeztë, me boshnjakët, me bullgarët. Ata ende mendojnë se kundër tyre na qenkëshin: CIA, Vatikani, Berlini dhe Vjena.

A ka inteligjencie kjo Serbi?! Turp!
Evropë, Amerikë! Serbia s’mbushte dot me mend pa ia bërë me dije në mënyrë të prerë se kolonializmi serb në Kosovë ka marrë fund sot e mot.

Ka zgjidhje për marrëzinë serbe: Kosova të pranohet në Këshillin e Evropës, në BE dhe në NATO, ndërsa Serbisë t’i mbyllen të gjitha dyert e kancelarive perëndimore. Le t’i mbeten të hapura dyert e Kremlinit, të Bjellorusisë dhe të Koresë së Veriut.

Serbia është shndërruar në të sëmurën e Ballkanit. E sëmurë për mend. Si ajo komedia e Molierit “I ligu për mend”. Gjithë Ballkani shikojnë para, serbët shikojnë Putinin dhe Sergej Lavrovin.

Para ca ditësh, ministrja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë Annalena Baerbock deklaroi: “S’ka hyrje të trupave ushtarake serbe në Kosovë”.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.