GANI MEHMETI “TOPONIMIA E KATUNDEVE TË LLAPIT”

2
320
Gani Mehmeti - Toponimia e katundeve të Llapit

Zymer Mehani

Është nder dhe krenari e veçantë për të shkruar diçka për librat e prof. dhe publicistit të talentuar z. Gani I. Mehmeti, për këtë penë majemprehtë të brumosur me dije dhe atdhedashuri, për njeriun me energji të pashtershme, i cili po e shkrin edhe moshën e tretë duke mos reshtur së shkruari perla të vërteta historiko-letrare dhe shkencore për trevën e Llapit dhe më gjerë.

Ky emër, tashmë i njohur dhe i respektuar kudo në botën shqiptare (edhe në diasporë) do t’i mbajë të gjalla natyrën dhe njerëzit, ngase ai është i pajisur me zemërgjerësinë prej shqiptarit të vërtetë, me zgjuarsinë e trashëguar e të lindur dhe të mëkuar nga prindërit, si dhe me dashamirësinë dhe bujarinë e pashoqe, madje unikate, me trimërinë e heronjve dhe të burrave të Kosovës.

Pra, për ne, që po mundohemi të themi sado pak për këtë personalitet nga fusha e arsimit dhe e publicistikës sonë kombëtare është edhe privilegj i veçantë, sepse ishim me fat që e patëm edhe mësimdhënës të latinishtes në ish-Gjimnazin “Nëntori” të Podujevës, në vitet ’80 të shek. XX, i cili na mësoi dhe edukoi në frymën krejt kombëtare, duke na ndihmuar kësofare që të bëhemi pjesë e pandarë e suksesit të tij.

Profesorit të shumë gjeneratave z. Gani Mehmeti i urojmë nga zemra suksese të mëtutjeshme në punën e tij krijuese e shkencore, që është në të mirë të kombit tonë, ngase te brezat e rinj përcjell atdhedashuri, e të cilët janë e ardhmja e sigurtë e kombit dhe e atdheut, por edhe garancë për Ribashkimin Kombëtar.

Ne kemi konstatuar se libri i prof. Gani Mehmetit “Toponimia e Katundeve të Llapit”, është një libër i veçantë, ngase trajton dhe paraqet emërvendet të një pjese të trevës së Llapit. E t’jua rikujtoj se disiplina shkencore që merret me studimin e emërvendeve quhet toponimi.

Pra, me TOPONIMI, sipas fjalorit të gjuhës shqipe kuptojmë tërësinë e emrave të vendeve (të krahinave, të qyteteve, të fshatrave, të lumenjve, të përrenjve, të maleve, të arave etj.).

Etnokultura, gjuha dhe historia e një vendi (në rastin tonë, e trevës së Llapit) nuk mund të njihen dhe të kuptohen si duhet pa e njohur mirë edhe toponiminë e tij, sepse këto janë shumë të ndërlidhura ndërmjet veti. Pa lëndë onomastike nuk ka gjuhësi, e pa fjalor të onomastikës nuk ka dhe nuk mund të ketë histori gjuhe dhe etimologji, thotë me të drejtë studiuesi Qemal Murati.

Prof. Gani Mehmeti, me vendosmëri e guxim i hyri një ndërmarrjeje vërtet të madhe, për vjeljen e emërvendeve të katundeve të Llapit, edhepse nga kjo fushë studimesh nuk kemi ndonjë projekt kaq të madh, që do të mund ta ndihmonte, qoftë edhe si udhëzues i thjeshtë. Por me këmbëngulësi ia arriti ta kurorëzojë punën e tij shumëvjeçare me botimin e librit që tani e kemi në duart tona.

Duke qenë si gjithmonë korrekt dhe i kujdesshëm me lexuesit, prof. Ganiu që në parathënie të këtij libri do të njoftojë se kjo është një punë e tij e gjatë, që nga viti 1974, kur për temë diplome kishte marrë për të trajtuar TOPONIMINË DHE MIKROTOPONIMINË E MAVRIQIT TË LLAPIT, në Fakultetin Filozofik, dega e Albanologjisë, siç quhej asokohe. Pra, kjo e cyti të merrej me këtë lëmi studimi, që e parashtroi relativisht gjatë gjithë jetës së tij deri më sot.

Sipas kërkimeve të deritashme të prof. Gani Mehmetit, në zonën toponimike të katundeve të Llapit (që ai e ka eksploruar) kryesisht hasen shtresime të burimit indigjen shqiptar. Pra, leksiku toponimik i katundeve të Llapit, sipas profesorit mbizotërohet nga toponimet me burim indigjen shqiptar, do të thotë se kemi të bëjmë me topoleksema të farkuara prej brumit autokton vendës. Një gjë të tillë e konstaton dhe e përmend edhe recensenti i librit prof. Tafil Thaçi, i cili shton se te shtresa me burim të huaj, fare pak vërehen emërtimet sllave e turke, edhepse Llapi në veçanti dhe Kosova përgjithësisht kanë qenë të pushtuara nga turqit dhe sllavët. E, siç shprehet Injac Zamputi, “Çdo pushtim sjell me vete edhe ndryshimet në onomastikë”.

Duke shfletuar librin e prof. Gani Mehmetit “Toponimia e katundeve të Llapit” doemos do të vërejmë se kryesisht emërvendet në këto fshatra (të lumenjve, të maleve, të livadheve, të brigjeve, të kodrave, të shtigjeve, të gurëve, të urave, të gurrave, të lugjeve, të mullinjve, të kalave, të kishave, të shpateve, të shpellave, të varreve etj. etj.) janë relativisht të rinj dhe nuk i takojnë periudhës antike.

Prof. Mehmeti në librin e tij “Toponimia e katundeve të Llapit” ka paraqitur material të vjelur nga fusha e toponimisë nga 38 katunde të tervës së Llapit, dhe siç na shpjegon vetë ai, këtu përfshihen zonat toponimike të katundeve më të largëta të Përmalinës- në V të Podujevës, duke zbritur teposhtë deri në kryeqendrën komunale, për të vazhduar më tutje. D.m.th., bëhet fjalë për katundet në veri të Podujevës, disa sosh edhe në perëndim.

Për t’u eksploruar në të ardhmen, qoftë nga vetë profesori, qoftë prej ndokujt tjetër, kanë ngelur ana jugore dhe lindore e trevës së Llapit.

Kemi vërejtur se prof. Mehmeti, me kujdes dhe përpikëri për këto 38 zona toponimike të Llapit, veç mikrotoponimisë së tyre, në libër ka ofruar edhe të dhëna etimologjike, topografike dhe të dhëna historike që kanë të bëjnë me vendbanimet e eksploruara, shënime statistikore sipas viteve për numrin e popullsisë, të dhëna për ndarjen e familjeve në fise e lagje etj., po ashtu ka evidentuar edhe të shpërngulurit me data e vende, prandaj e theksojmë se të gjitha këto elemente vërtet librit ia shtojnë vlerën edhe më tepër. Pra, profesori, nuk e ka lënë anash për asnjërën nga këto katunde as dokumentimin historik, që ne mendojmë se është tejet i rëndësishëm. Ai për çdo fshat ka paraqitur edhe informatorët me emër e mbiemër, si burim materiali toponimik.

Për ta mbarështruar mirë e mbarë gjithë këtë material: mikrotoponimet e 38 katundeve dhe shumë të dhëna të tjera topografike, etimologjike e historike, dhe për ta bërë lëndën më të kapshme e më konkrete, për lexuesit e të gjitha moshave, autori, ka ndjekur një metodologji të lehtë të punës, duke i ndarë ato nëpër fshatra e duke i radhitur sipas shtrirjes gjeografike të katundeve të Llapit, që autori i ka eksploruar.

Aparatura e duhur shkencore: fusnotat sipas standardeve të reja studimore (mbi 306 sosh) dhe literatura e bollshme, rreth 20 burime, shumë konsulentë e informatorë, ia shtojnë vlerën librit studimor “TOPONIMIA E KATUNDEVE TË LLAPIT”, duke e radhitur në  vargun e veprave më të plota e më të thukëta të kësaj fushe, të cilën, me plot gojën, mund ta konsiderojmë si një enciklopedi SHKENCORE nga fusha e toponomastikës.

Të hartosh një libër të tillë me kondita studimore-shkencore për një zonë të gjerë toponimike të trevës së Llapit si individ i vetëm, është tejet e vështirë, por nuk është e pamundshme. Këtë fakt na e vërteton pikërisht libri që kemi para vetes. Është nder dhe krenari edhe për ne, njëherësh edhe përgjegjësi e vetë autorit botimi i këtij libri studimor. Kjo është një punë kolosale…Është një punë tejet e mundimshme. Këtë e ka pasur parasysh edhe autori prof. Gani Mehmeti, andaj këtë punë e ka marrë me një seriozitet të veçantë, prandaj edhe ia ka dalë mbanë me sukses, gjë që, gjithsesi meriton një përgëzim të veçantë!

Duke bredhur si bleta punëtore lule me lule e kopsht me kopsh, pas një pune të mundimshme e të gjatë kohore (1974-2023), studiuesi entuziast, prof. Gani Mehmeti, me një përkushtim e pedantëri të pashoqe, ka arritur të grumbullojë një mal materialesh të interesit të tij studimor nga toponimia e katundeve  në fjalë.

Diskursi shkrimor i librit, të krijon mundësi që ai të lexohet edhe si studim historik, edhe si biografi, edhe si fatktografi, edhe si dokumentar, sepse të gjitha këto elemente gërshetohen dhe shkrihen mjaft mirë në tipin e një simbioze të bukur stilistikore e shumëdimensionale.

Dhe, fare në fund, pa pretenduar ta shkoqisim librin më në imtësi, ngase kjo punë do kohë dhe përkushtim, autorit të nderuar, prof. Gani Mehmetit, i dëshirojmë shëndet, mbarësi dhe suksese të mëtejme në fushën e krijimtarisë, ndërkaq librit lexim të merituar e mirëpritje nëpër shtëpitë e bibliotekat tona!

2 KOMENTE

  1. Mire eshte me u marre me toponime te vendbanimeve, por edhe ma mire eshte me u marre me emrat dhe mbiemrat arabo-shkavello-tyrqelik… qe i bartin shume Shqiptar per se rondi.

    Emrat Gani, Zymer, Mehmet…edhe qindra tjere, mbiemrat: Mehani, Mahmuti, Gafurri, dhe mbiemrat shkavellik, Novosella, Starasella, Vishesella, Gllavurda, Gllavica, Potoku, Zhinipotoku, Zhilivoda, Mutivoda, edhe mijera shembuj tjere te emrave dhe mbiemrave arabo-shkavello-tyrqelik jane poshtersia ma e madhe qe secili prej neve e bart…per se roni.

    • Këtu pajtohem pjesërisht me Ju z. Bytqi, disa prej këtyre mbiemrave janë ruajtur me fanatizëm nga vendbanimet shqiptare të banuara me shqiptarë në Sanxhakun e Nishit.

      Dihet fare mirë që nga trojet e tyre janë dëbuar dhunshëm me mijëra shqiptarë gjatë viteve 1877- 1878.
      Po ashtu Serbia për t’i humbur gjurmët shqiptare i ka bërë rrafshë me tokë mbi 600 fshatra kryesisht të banuara me shqiptarë.

      Mbiemrat : Rudari,Toplica, Nishliu, Mehana, Ratkoceri, Matarova, Zhinipotoku, Bllaca, Gërguri, Gubetini, Babatinca, Dabinovci, Raçi, Kapiti, Vllasa,Kushumliu, Sekiraça, Spanca, Arbanasha, Tihovci, Pllana, Kulla, Muzaqi etj, janë bartur nga vendbanimet ku kanë jetuar shqiptarët, që sot këto vende me emra të ngjashëm administrohen dhunshëm dhe padrejtësisht nga Serbia.

      Pastë ndjesë njëri nga mësuesit e parë në Llap, Vesel Gashi, i cili një kohë ka punuar edhe si ofiçar të gjithë muhaxhirëve të vendosur në komunën e Podujevës, u ka sugjeruar që me çdo kusht si mbiemra t’i vendosin emrat e vendbanimeve prej nga Serbia, i ka dëbuar me dhunë dhe reprezalje të tmerrshme.
      Prej viteve 90- të , kur Kosova paralajmëroi shkëputjen definitive nga Serbia, 90 % e emrave të fëmijëve tanë janë të burimit shqip

      Për keqardhje sot është që shumë shqiptarë fëmijët e tyre i pagëzojnë me emra të huaj edhe pse kemi me mijëra e mijëra emra të bukur në gjuhën shqipe.
      Ne gjeneratat e hershme i kemi pasur prindërit e paarsimuar dhe të ndikuar nga feja prandaj pa dëshirën tonë mbajmë mbiemra turko – arabë, për çfarë edhe nuk kemi grimë faji.

      Çdoherë pushtimet e huaja kanë lënë gjurmë negative. Ngjashëm edhe regjimet komuniste. Në Shqipëri fëmijët janë pagëzuar me emra rusë Vlladimir, Maksim, Çapajev, Andov,Kaçushë, etj. E, Kuçova deri me përmbysjen e komunizmit është quajtur qyteti Stalin.
      Në jug të Shqipërisë edhe sot kemi përplot emërtime sllave. Civilizimi i një populli matet me Arsimimin e tij.
      Deri vonë si në Kosovë ashtu edhe Shqipëri analfabetizmi ka qenë i pranishëm në shumë treva.

      Mendoj që për kaq pak kohë asnjë popull nuk ka bërë progres sa kemi bërë ne shqiptarët. Në të gjitha vendet e Botës, shqiptarët po ecin në hap me vendorët, duke kryer Fakultete e Shkolla të Larta.

      Patjetër duhet kujtuar pushtimi një shekullor i Kosovës nga Serbia dhe vrasja e Shqipërisë nga vetvetja për 50- vjet me radhë.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.