U mbajt Akademi Përkujtimore për Prof. dr. Shefki Sejdiun

0
Fadil Curri - promovim

Zymer Mehani

Fadil H. Curri, shkrimtar

Dje, më 19 shtator 2023, duke filluar në ora 12:00, në njërën nga sallat e Institutit Albanologjik të Prishtinës u mbajt Akademi Përkujtimore për Prof. dr. Shefki Sejdiun.

Takimin e moderoi shkrimtari Fadil H. Curri.

Për jetën dhe veprimtarinë prof. Shefki Sejdiut folën prof. Zymer Mehani, i cili në fjalën e tij hyrëse u shpreh se përgjatë historisë sonë kombëtare, populli ynë ka nxjerrë nga gjiri i vet emra të mëdhenj nga fusha të ndryshme. Në të gjitha kohërat, në rrethana të ndryshme dolën njerëz të shquar të pushkës e të penës që hapën shtigje për ne shqiptarët. Njëri prej tyre, që po e përkujtojmë sot me pietet, është edhe prof. dr. Shefki Sejdiu, për të cilin sado që të mundohemi të themi diçka, asnjëherë s’do të mund t’i themi të gjitha.

Ai ishte bir i denjë i Familjes Sejdiu nga Pakashtica e Llapit, vëlla e prind i mirë, e më vonë edhe gjysh i dashur. Për gjenerata të tëra ishte edukator dhe profesor i nderuar dhe shumë i çmuar, intelektual i denjë dhe shkencëtar i shquar, e mbi të gjitha ai ishte atdhetar dhe veprimtar i çështjes sonë kombëtare. Pse jo, ai ishte edhe trim, sypatrembur e mbrojtës i fuqishëm i të drejtës së Kosovës për pavarësi.

Prof.dr. Begzad Baliu, në fjalën e tij u shpreh i gatshëm që në bashkëpunim me familjen e prof. Sejdiut, atij t’i botohen dorëshkrimet në të ardhmen, në mënyrë që brezat e ardhshëm të studiuesve të kenë mundësi për t’i shfrytëzuar si literaturë të rëndësishme veprat në dorëshkrim të profesorit të ndjerë. Ai evokoi edhe kujtime nga e kaluara, kur ishte student i profesor Shefki Sejdiut.

Prof. dr. Sadri Rexhepi, në fjalën e tij tha se prof. dr. Shefki Sejdiun  ishte gjuhëtar, dijetar dhe intelektual i përmasave botërore, duke shtuar se ai  nga vitet e 70-ta ishte zgjedhur ligjërues pranë Fakultetit Filozofik, tani Fakulteti i Filologjisë në Degën e Gjuhës Frënge. Shkallën e tretë të magjistraturës dhe studimet e doktoratës i mbaroi në Universitetin e Zagrebit, po ashtu në gjuhën frënge. Prof. Dr. Shefki Sejdiu ishte njohës i shkëlqyeshëm i gjuhëve romane e në veçanti i gjuhës frënge, latine, i greqishtes së vjetër, sllavishtes së vjetër, spanjollishtes etj. Dr. Sadri Rexhepi, në fjalën e tij gjithashtu theksoi se nëpërmjet fjalorëve prof.. Shefkiu ka korresponduar në disa gjuhë botërore, ndërsa disa gjuhë i ka folur.

Pastaj fjalën e mori prof. Gani Mehmeti, bashkëvendës dhe ish-nxënës i prof. dr. Shefki Sejdiut, i cili në fjalën e tij rrëfeu shumë dromca nga jeta shkollore gjatë viteve ’60 e ’70, kur ai ishte nxënës e më pas student. Ai tha ndër të tjerash se meritor për hapjen e progjimnazit në Krypimeh ishte vetë prof. dr. Shefki Sejdiu, pastaj tregoi edhe për principet prej edukatori dhe mësimdhënësi të denjë, të prof. Sejdiut gjatë punës me nxënësit.

Në fjalën e tij, prof. dr. Nuridin Ahmeti, shef i degës së Historisë në IAP, evokoi kujtime nga vitet e hershme të punës me prof. dr. Shefki Sejdiu. Ai tregoi se si  profesori i ndjerë e kishte zbuluar vendin e ndërtesës së parë të Institutit Albanologjik të Prishtinës, gjë që qe vërtetuar edhe me fotografi të asaj ndërtese.

Për t’i falënderuar dhe përshëndetur pjesëmarrësit fjalën e mori pastaj edhe doktor Pleurat Sejdiu, i biri i prof. Shefkiut, i cili u shpreh i gatshëm që tërë materialin shkencor dhe bibliotekën personale të babait të tij t’ia dorëzojë ndonjërit nga institucionet kulturore e shkencore të Kosovës.

Disa pjesëmarrës të kësaj akademie përkujtimore qenë studentë të prof. Shefkiut, ca të tjerë kolegë e bashkëpunëtorë, e shumë të tjerë lexues e studiues të veprave të tij shkencore nga fusha e gjuhësisë.

T’jua rikujtojmë se Prof. dr. Shefki Sejdu (i lindur më 08. 06. 1936, në Pakashticë të Podujevës) u nda nga jeta në moshën 87-vjeçare, më 23 korrik të këtij viti (2023)

Biografia

Profesor dhe gjuhëtar, Shefki Hamit Sejdiu (i lindur me 08.06.1936) në fshatin Albonë (Pakashticë) pranë Besianës (Podujevës), ku kreu dhe shkollën. Studimet në filologji romanistike i përfundoi në Universitetin e Shkupit në vitin 1962, si dhe kreu hulumtime pasuniversitare në Zagreb, ku kreu doktoraturën në vitin 1985. Ka mbajtur ligjërata si profesor i ftuar në disa institucione shkencore: në Universitetin e Sofjes (1987) dhe në atë të Veliko Tërnovo-s të Bullgarisë (1987), në Universitetin e Zagrebit (1990), në Qerthullin linguistik të Zagrebit (1990) dhe në Universitetin e Elbasanit (2000). Eshtë anëtar i disa asociacioneve shkencore: Është anëtar i Asociacionit të Profesorëve Universitarë për të Drejtat e Njeriut me seli në Cape Town (1988) dhe të Asociacionit të Ballkanistikës dhe të Sllavistikës të Rumanisë (1991).

Me qëllim hulumtimi dhe thellimi të njohurive teorike qëndroi disa herë për specializim në shumë institucione shkencore të Ballkanit dhe të Evropës. Në Universitetin e Grenoble-it (1985); në Universitetin e Parisit (École des Hautes Etudes, Sorbonne III, IV) ku gjatë dy viteve universitare (1971/72 dhe 1974/75), ka përcjellë ligjëratat dhe ka ndjekur mësimet nga Gjuhësia e Përgjithëshme (dhe aksiologjia) te Andre Martinet, nga Indoevropistika (hetitishtja dhe italikishtja) te M. Bader dhe Michel Lejeune, nga Linguistika romane (frengjishtja e vjetër) te L. Wagner dhe nga semantika dhe linguistika logjike te Bernard Pottier; në Institutin e Linguistikës dhe në Universitetin e Lisbonës (Portugali) hulumtoi dhe studioi çështje të gjuhësisë iberoromane (1978/1979). Njohuri nga ballkanistika mori në Universitetin e Zagrebit, në Institucionet e Bukureshtit (1970, 1973, 1978, 1979, 1982) në atë të Sofjes (1987) dhe në Londër (1995) ku bëri hulumtime në fushë të antropolinguistikës dhe të etimologjisë.

Profesor Shefki Sejdiu, në komunikimin shkencor përdorë përveç gjuhës amtare edhe kroatishten dhe frengjishten, kurse literaturën profesionale dhe shkencore e shfrytëzon edhe në latinishte, italishte, portugalishte, spanjolle, rumanishte (dhe katalone, sardishte, retoromanishte), por edhe në anglishte, rusishte, bullgarishte, sllovenishte dhe polonishte.

Ishte mësues në rrethinën e Kumanovës (1956-1957), profesor i frëngjishtes dhe i latinishtes në Gjimnazin e Besianës (Podujevës), (1961- 1967) dhe në Gjimnazin ”Sami Frashëri” (Ish- Ivo Lola Ribar) të Prishtinës (1967-1972). Prej vitit 1972 është ligjërues, docent (1985) dhe profesor ordinar (1991) i Historisë së gjuhës frënge me frëngjishte të vjetër dhe i latinishtes pranë Degës së Gjuhës dhe Letërsisë Frënge të Fakultetit (Filozofik) Filologjik të Universitetit të Prishtinës. Ishte deputet në legjislaturën e parë të Kuvendit të Kosovës si anëtar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

Publikimet:
“Fitonomia shqipe e Kosovës”, IAP, Prishtinë, 1979
“Fjalorth etnobotanik i shqipes”, Prishtinë 1984;
“Çështje të onomasiologjisë fitonimike romane dhe ballkanike”, Prishtinë 1989;
“Sprova etimologjike”, Prishtinë 2002;
“Struktura, sisteme, raporte: etnolinguistikë”, Prishtinë 2002 e ndonjë tjetër.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.