Nexhat Halimi
Dashuria
dashuria është një zjarr me flakë të ylbertë
i fryn e drita fiket e ndizet strallit të vet
dashuria është vdekje e vjetër e prapë lind në urë
ndërmjet dhembjes që s’shuhet hirit dot kurrë
veç kokë qet mëndafshit të gërshetuar në gjumë
e tërë gjithësia e imagjinuar përmbytet në lumë
veç zgjohet iluzionit e shndërrohet në trëndafil
shndërrohet me katër fletë të përflakura në tërfil
më do s’më do deri në fund të frymës në hi
shuhet e prapë lind e gjithnjë mbetet veç poezi
veç agon dritës e shpërndahet flakë në dritare
veç agon dhe perëndon e ngel njëjtë qindvjeçare
e ti me fytyrë në pasqyrë s’njihesh me veten fare
dashuria nuk shuhet me ty ngal yll mbi pyll
e dhembjes në ag e në muzg e këndon me fy’ll
II
ti i mbyll sytë e unë humb udhën deri te yrti
kund s’e gjej dritën zgjimin të ecë te shpirti
ti i çel sytë unë e gjej etjen deri te flaka
zgjohem në fluturim të ashpër ndër shuplaka
ti i mbyll sytë e unë zhdukem në hapësirë
ti çel sytë e unë shfaqem në flatrim të lirë
ti vjen e çelin lulet thellë në shpirt e zgjohet etja
fedorë pa ty kurrë nuk do të arrij te vetja
ja zemër sesi bie e bie me furi gjaku dëborë
është pranverë dhe shpirti vjen e ik me kurorë