Foto, Avokat Sokol Mëngjesi
Jeta në Shqipëri është kthyer në një makth të përditshëm e të pafund…
Shkruar nga Gjergj Zefi
Ngjarja që tronditi Tiranën mëngjesin e sotëm, ishte dy herë shokuese. Një avokat, një njeri që jeton jetën e vet, që zgjohet në mëngjes, çon fëmijët në kopsht dhe niset për zyrë, goditet pa mëshirë në kokë e trup dhe pak orë më vonë mëson se rrezikon edhe jetën. Kjo ndodh në mes të ditës, në mes të qytetit, me një njeri që nuk është Askushi, përkundrazi, është avokat, është pedagog dhe i zoti e i njohur.
Kjo është një ngjarje akoma më shumë shokuese sepse unë e di çfarë do të thotë të të presin rrugën në mes të ditës dy njerëz anonimë dhe të të godasin pa mëshirë. E di se çdo të thotë të luhatesh mes pikëpyetjeve të pa fund, pse-ve, shpresës dhe premtimeve se autorët do të kapen dhe do të çohen pas hekurave.
Unë isha fatlum dhe i shpëtova një atentati të ngjashëm me atë që i bënë sot Sokol Mëngjesit. Lutem që edhe ai ta kalojë shpejt rrezikun e ti kthehet jetës e familjes.
Kjo pasiguri për jetën në Shqipëri duhet shkulur me rrënjë.
Jemi në Evropë e na pëlqen të sillemi si evropianë, por Shqipëria ka prekur fundin. Nisesh për punë të presin rrugën, të godasin, të plagosin, të hedhin tutje si send; del me familjen, por mund të jesh objektivi i një plumbi qorr, nisur për dikë a diku tjetër; kritikon të padrejtën, të kërcënojnë; demaskon krimin/vjedhjen të godasin për vdekje; nuk pranon të bëhesh pjesë e korrupsionit, të lënë pa punë e pa bukë.
Jeta në Shqipëri është kthyer në një makth të përditshëm e të pafund. Prandaj kjo duhet të marrë fund.
Sokol Mëngjesi është goditur në kokë e trup dhe aktualisht është në gjendje të vështirë. Lutem që ai ta kapërcejë shpejt këtë situatë të rëndë e t’i kthehet jetës e familjes që e pret. Por lutem edhe që drejtësia të vërë dorë, të gjejë shpejt dhunuesit e ti çojë aty ku e kanë vendin.
Uroj fort që rasti i Sokol Mëngjesit të mos harrohet si rasti im dhe i shumë të tjerëve që kanë pasur të njëjtin fat. Sepse në një vend si Shqipëria, ku e keqja ka zënë rrënjë, ndodh pikërisht kjo: harrohet shpejt. Harrohet viktima, i drejti, ai që lufton për drejtësinë dhe ngjarja rikthehet në vëmendje veç kur zbërthehet ndonjë aplikacion që nxjerr zbuluar krimin dhe kokat e tij, porositësit e atij atentati në mes të ditës që shënjestër kishte një njeri, një profesionist, baba, bashkëshort, që ishte nisur për punë, por disa kriminelë, për llogari të dikujt, i prenë rrugën dhe e copëtuan me hekura. /Pamfleti