Disa dukuri negative të familjes dhe lufta për eleminimin e tyre…

0
29
Ibrahim Kabili

Nuk më kishte shkuar kurrë ndërmend që familja shqiptare do të transformohej kaq shpejt. Unë dikur, kam “gabuar” rëndë në përceptimin tim për këto ndryshime radikale të familjes tradicionale shqiptare. Familja e sotme shqiptare, ashtu si edhe ajo e djeshmja teadicionale, është celula bazë e shoqërisë. Familja ka evoluar shumë në aspektin pozitiv. Ajo është “fidanishtja” e nesërme e shoqërisë. Siç është familja sot do të jetë shoqëria nesër. Në këto vite tranzicioni krahas dukurive pozitive të familjes, që janë të shumta, janë shfaqur edhe disa aspekte negative.

Këto shfaqje të shëmtuara po e bashkëshoqërojnë familjen shqiptare sot. Krahas arritjeve shumë pozitive, po shohim dhe prekim nga afër edhe disa skena makabre që po ndodhin në disa familje shqiptare. Rastet fatkeqësisht po shtohen! – Djali vret babain e tij në Shënavlash. Madje monstra vrastare i paguan edhe para punëtorit të familjes që ushqehej nga viktima, për zhdukjen e tij… “Djali” nuk mjaftohet me kaq, e hedh viktimën në pus dhe inskenon zhdukjen e tij…! Ky rast nuk është i vetëm. Krimet brenda familjes po bëhen gjithnjë e më të shpeshta. Për gjënë më të vogël kërcet arma, fishkëllen plumbi dhe vjen vrasja. Kjo nuk është zgjidhja. Përkundrazi është e kundërta e saj. Deri kur kështu, shqiptarë?

Ngarje të tilla, si: Krimi brenda familjes, inçensi, fenomeni i braktisjes së prindërve, problemet me edukimin e të rinjëve, largimi gjithnjë e më shumë nga leximi dhe libri, rendja pas telenovelave, braktisja masive e emisioneve kulturoro-artistike, futja e interesit në marrdhëniet familjare, shtimi i divorceve banale, injorimi i vlerave e traditave të trashëguara, përdorimi i lëndëve narkotike, etj. janë dukuri që po e tjetërsojnë gjithnjë e më shumë familjen tradicionale shqiptare. Përse kështu? A nuk mund ta përqafojmë të renë, duke ruajtur edhe traditën? Natyrisht që po. Kjo rrugë është më e gjatë, kërkon më shumë sakrifica, por është më e sigurtë. Këto fenomene negative që bashkëshoqërojnë shoqërinë tonë sot, e kanë bazën tek familja.

Si pasojë e ndryshimeve ekonomike, sociale, kulturore të shoqërinë shqiptare, këto dukuri do ta shoqërojnë familjen shqiptare. Kjo i dha një goditje të fortë celulës bazë të shoqërisë, familjes. Për shumicën e shoqërisë familja duhej të jetë e shenjtë. E tillë duhet të mbesë, ajo, edhe në të ardhmen. Në kahasim me familjen e dikurshme kemi arritje, por njëkohësish dhe dukuri të reja shkatërruese. Kështu mund të themi se sot ka plot djem dhe vajza që e përbuzin familjen. Jo vetëm kaq?, por edhe e braktisnin atë. Për më tej, djali vret babain për para, vjedh në familje, drogohet, dhe ushtron dhunë ndaj mamasë, dhunon pjestarët e tjerë të familjes, përdhunon ish-gruan, kryen inçens në familje…

Kjo tregon se në Shqipëri marrëdhëniet familjare pësuan një trondije të madhe. Dikur lidhjet tona me familjen, me gjyshërit, prindërit, motrat, vëllezërit dhe të afërmit e tjerë, ishin shumë të forta. Ne kishim dashuri dhe respekt të ndërsjelltë për antarët e familjes dhe të afërmit e tjerë. Babai dhe nëna gëzonin autoritet në familje. Ky autoritet vinte nga puna, përkushtimi dhe sakrificat që ato bënin për fëmijët dhe pjestarët e tjerë të familjes së përbërë. A pamë ndonjë të keqe nga kjo? Përkundrazi. Shumë të mira. Me gjithë varfërinë e skajshme që vinte nga sistemi i kohës, familja mbeti e shëndoshë dhe ne gjenim gëzim dhe kënaqësi pranë saj. Në atë periudhë ne kishim marrdhënje të mira me komshiun, farefisin, shokët, miqtë, etj. Ndihmonim njëri-tjetrin, shkonim dhe vinim me to, kishim solidaritet me njëri tjetrin. Po sot?

Fatkeqësisht krejt e kundërta po ndodh! Në vend që ti ruajmë e forcojmë këto vlera, bëjmë hapa kilometrik prapa. Familja dhe shoqëria është ftohur shumë. Nuk të troket më njeri te dera, edhe kur të vjen duhet të të lajmëroi në telefon… Njerëzit sot janë larguar nga njëri-tjetri, janë më indiferentë, më të pandjeshëm dhe mungon solidariteti midis tyre. Askush nuk habitet kur sheh burrin që rreh gruan në sy të fëmijëve, e dhunon fizikisht atë dhe i merr jetën asaj. Po çfarë është ky, burrë?!! Asgjë tjetër, veçse një mashkull burracak! Për fatin e keq të shoqërisë këto janë të shumtë. Nga ana tjetër kemi edhe gra që dhunojnë burrat e tyre. Madje burra të pajisur me “urdhërmbrojtje” dhunohet publikisht në lagje, fshat apo qytet. Këto rast janë më të pakta, por kanë ndodhur dhe po ndodhin…

Nga ana tjetër djali apo vajza ikin nga shtëpia e jetojnë më vete. Jetojnë më vete se e kërkon si kusht bashkëshortja. Kjo është më e pakta pasi ato, kërkojnë kandidatë për bashkëshortë “pa prindër” të gjallë, me makina dhe llogari bankare… Kur jetojnë më vete, prindërit i lënë në vetmi. Pra secili në punën e tij ashtu siç e mendon, djali apo vajza. Fëmijët marrin vendime sipas dëshirës së tyre dhe shpesh nuk merret parasysh qortimi i prindërve. Nusja rreh vjerrën, djali i pranishën, nuk ndërhyn tek bashkëshortja e tij… Ku po shkojmë kështu? Ku na shpien kjo rrugë? Si do jetë e ardhmja e shoqërisë nesër? Secili ka mendimin e vet dhe jep përgjigjen e tij. Në mendimin tim, familja ka pësuar një tronditje dhe depresion të madh. Nga ana tjetër, vëllai vret vëllanë për tokë, gardhe, pasuri apo edhe nderë… Ku po shkon familja, kështu? Për lesh po shkon, drejt degradimit… A duhet të shqetësohemi për këtë realiteti të hidhur shoqëror? Në kushtet e hapjes me botën kjo qe e pritshme. Mendoj se pavarësia e “tepruar” dhe “jeta moderne” jashtë ndikimit të prindërve po sjellin shqetësime në familje dhe shoqëri. “Gjella me kripë dhe kripa me karar” -thotë një fjalë e urtë popullore.

A duhet të shqetësohemi si shoqëri, për këto fenomene negative që përjeton familja sot? Patjetër që duhet të shqetësohemi. Faktorët dhe aktorët që duhet të reagojnë janë të shumtë, si: Familja, shkolla, media, shoqatat jo qeverirare, intelektualët, shteti me institucionet e tij, grupet e moshatarëve, etj. Edukimi i brezit të ri, në këndvështrimin tim po i lihet spontanitetit. Kjo është e patolerueshme. Mësimi dhe edukimi në shkollë duhet të shihen si të pa ndara nga njëri tjetri? A shihen realisht, kështu? Mendoj se, jo! Edukimi duhet të ketë edhe më shumë peshë në shkollë. Mediat nuk po e kryejnë si duhet punën e tyre në lidhje me edukimin. Në shumë media mungon motivimi e shembulli pozitiv dhe mbizotëron shembulli negativ. Është e pafalshme që shumë media dhe programe televizive kanë si kryefjalë drogën, vjedhjet, prostitucionin, vrasjet, krimet, dhunën, telenovelat, divorcin, martesat midis të njejtës gjini, jetën e vipave, etj. Natyrisht edhe për këto fenomene duhet të flitet pasi ne jemi shoqëri e hapur.

Po cili është raporti i temave të lartpërmendura, me temat me karakter edukativ, patriotik, atdhetar, kulturor, sportiv, të të rinjëve, shoqërisë, etj? Të parat mbizotërojnë në shumë ekrane. Kjo është fatkeqësi kombëtare. Përse kështu? Cili është qëllimi? Deri kur mund të vazhdohet kështu? Ku është AMA? Përse hesht politika? Përse heshtin specialistët e fushës? Po institucionet e edukimit përse nuk i trajtojnë sa duhet tema të tilla? Na “mbytën” në ekrane “pseudoanalistët” e politikës. Sa i shërbejnë çështjet që ato trajtojnë në ekrane, edukimit të brezit të ti dhe çështjes kombëtare? Kjo vlen për të dëshiruar. Një pjesë e mirë e tyre janë kthyer në “paloanalistë”. Atëherë ku është roli edukativ i medias? Pytjet retorike e kanë brenda përgjigjen e tyre. Sa më shpejt të reagohet nga institucionet, faktorët e interesit, shoqëria, aq më mirë do të shërohen këto plagë të rënda të shoqërisë sonë. Shpresojmë!

Ibrahim Kabili
Tiranë, më 13.09.2024

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.