Xhelal Zejneli
Tragjedia e Kumanovës është akt i dhimbshëm për shqiptarët kudo që janë. Faktori politik shqiptar në Maqedoni si dhe autoritetet e Kosovës, brenda këtyre 11 vjetëve nuk kanë bërë asgjë për t’u ndihmuar viktimave të tragjedisë së lartpërmendur. Bashkimi Demokratik për Integrim, derisa ishte në qeveri, lidhur me të dënuarit e Lagjes së Trimave nuk ndërmori asgjë. Vleni hyri në qeverinë e Mickovskit, pa arritur një marrëveshje për të dënuarit e Kumanovës. Sjellja e BDI-së dhe e Vlenit është e turpshme dhe e pafalshme. Injorimi dhe shpërfillja e pjesëtarëve të grupit të Kumanovës nga organet dhe nga institucionet e Kosovës, është akt i turpshëm dhe i pakuptueshëm.
Pjesëtarët e grupit të Kumanovës janë dënuar me dënime drakonike. Dënime të tilla nuk janë shqiptuar pas luftës së dytë Botërore në asnjë vend të Evropës. Me të tilla dënime Maqedonia e Veriut nuk meriton të jetë pjesë e Bashkimit Evropian. Faktori politik shqiptar tha dikur se lidhur me rastin e Kumanovës do t’i angazhojmë edhe ekspertët ndërkombëtarë. Nga kjo që u tha, nuk doli asgjë, kurrfarë angazhimi. Është për t’u habitur se si për dënimet drakonike ndaj shqiptarëve të Lagjes së Trimave nuk reagojnë as institucionet e BE-së.
Le të lihet mënjanë ana politike apo ideologjike e çështjes. Le të analizohet ana juridike. Cili është ai hetues apo ai gjyqtar që mund të konstatojë me saktësi se kush ka gjuajtur, kush ka qëlluar, kush ka vrarë, sa ka vrarë, cilin ka vrarë, cilin ka plagosur etj. – gjatë të shtënave midis dy palëve?!
Pyetësorët tregojnë se gjyqësisë në Maqedoninë e Veriut i besojnë jo më shumë se 2% e të anketuarve. Maqedonia e Veriut është një prej shteteve më të korruptuara në botë. Nga dënimet drakonike ndaj pjesëtarëve të grupit të Kumanovës mund të konstatojmë se në Maqedoni nuk kemi të bëjmë vetëm me gjyqësi antishqiptare. Kundër shqiptarëve është edhe politika dhe ideologjia e këtij vendi.
A e di gjyqësia e këtij shteti se të dënuarit e grupit të Kumanovës kanë: prindër, nëna dhe etër të moshuar, kanë bashkëshorte, kanë fëmijë të vegjël, fëmijë që rriten pa baballarë, kanë gjyshër, gjyshër në ditët e fundit të jetës së tyre, kanë motra e vëllezër, kanë nipa e mbesa, kanë shokë, miq, kolegë. Dënimi i tyre paraqet dënim për familjet e tyre, për anëtarët e familjeve të tyre. Çdo gjykatë në vendet demokratike e posedon edhe anën humane të aktgjykimit. Maqedonia është vend evropian dhe jo i ndonjë kontinenti ku figurojnë shtete me vlera demokratike të kufizuara apo të reduktuara. Evropa e Dekartit, e Volterit, e Rusoit, e Gëtes, e Kantit, e Dostojevskit, e Zolës, e Kafkës, e Hajdegerit, e Beketit, e Sartrit, e Kamysë – e hoqi dënimin me vdekje. Shteti nuk guxon të vrasë, të ekzekutojë, të varë.
Ku është Avokati i Popullit, ku është Komiteti i Helsinkit, ku janë shoqatat humanitare, të vendit dhe ato ndërkombëtare?! Ku janë shoqatat që mbrojnë liritë dhe të drejtat e njeriut?! Mos vallë janë bërë vegla, mjete dhe instrumente të verbra të shtetit, të pushtetarëve, të qeveritarëve?! Mos vallë janë bërë mercenarë dhe shërbëtorë të pushtetit?! Drejtësia nuk mbrohet me pseudo-avokatë, me avokatë injorantë dhe gjysmë-analfabetë!
Faktori politik shqiptar duhet të kërkojë nga organet kompetente të këtij vendi të bëjnë rishqyrtimin e procesit gjyqësor të të dënuarve të rastit të Kumanovës. Faktori politik shqiptar nuk duhet të hyjë në qeveri pa e zgjidhur tragjedinë e Kumanovës. Nuk është e arsyeshme që ministrat shqiptarë të akomodohen nëpër kolltukët e pushtetit, kurse shqiptarët, në Evropën e qindvjeçarit XXI të vuajnë dënime të përjetshme. S’ka dyshim se çdo njeriu racional i vjen keq për humbjen e jetëve të çdo personi, përfshi edhe vrasjen e 8 policëve të policisë së shtetit.
Do të ishte e arsyeshme që autoritetet e Kosovës dhe këto të Maqedonisë së Veriut të ulen e të bisedojnë që të gjithë të dënuarit e Republikës së Kosovës të transferohen sa më parë në Kosovë në mënyrë që dënimin ta vuajnë në vendin e tyre. Një hap i tillë duhet bërë edhe për arsye praktike. Anëtarët e familjeve të të dënuarve më lehtë do të mund t’i vizitonin të afërmit e tyre.
Po qe se për rastin e Kumanovës autoritetet e Maqedonisë së veriut nuk ndërmarrin ndonjë veprim human ndaj të dënuarve me dënime mesjetare, atëherë del se ky proces qenka politik dhe jo juridik.
Mbajtja e shqiptarëve nëpër burgje famëkëqija sllave nuk u ndihmon marrëdhënieve ndëretnike. Pushtetarët sllavë duhet ta dinë se s’ka shqiptarë në botë që e ka dënuar publikisht aktin e tyre. Rrjedhimisht del se për shqiptarët ata nuk janë terroristë. Dërgimi i tyre në Kosovë do të ndihmonte në konsolidimin e marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoninë e Veriut.
Historia e shqiptarëve në Maqedoni nuk fillon dhe nuk mbaron, as me BDI-së, as me Vlenin.
* * *
Historia e tragjedisë – Më 9 dhe 10 maj të vitit 2015, në “Lagjen e Trimave” të Kumanovës ndodhi konflikti i armatosur midis një grupi shqiptarësh, në një anë dhe policisë së Maqedonisë, në anën tjetër. Që atëherë kanë kaluar 11 vjet. Me këtë rast u vranë 9 shqiptarë. Tetë prej tyre u varrosën në Varrezat e Dëshmorëve në Prishtinë, më 26 maj të atij viti. Të vrarë ishin: Xhafer Zymberi, Mirsad Ndrecaj, Valon Kabashi, Tugaj Gashi, Samid Kastrioti, Hysen Rushiti, Fatlum Vishesella dhe Arben Rexhaj. I vrari i nëntë, Riza Begaj. ishte varrosur një ditë më parë në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në fshatin Gllogjan të komunës së Deçanit. Disa nga të vrarët kanë qenë pjesëmarrës në luftën e UÇK-së, të UÇPMB-së dhe të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni.
Në konfliktin e 9 dhe 10 majit 2015, u vranë edhe 8 pjesëtarë të sigurimit shtetëror të Maqedonisë. Midis tyre edhe shqiptari Isamedin Osmani.
Qeveria e Kosovës, përkatësisht institucionet e Kosovës zyrtarisht nuk i kanë mbështetur kosovarët që luftuan në Kumanovë, por për ngjarjen tragjike kanë kërkuar hetime të hollësishme.
Historia e rastit të Kumanovës – Më 9 maj 2015, në Kumanovë shpërthen një shkëmbim zjarri midis policisë së Maqedonisë, në një anë dhe një grupi shqiptarësh të armatosur, të identifikuar si Ushtria Çlirimtare Kombëtare (UÇK). Gjatë të shtënave vriten 8 pjesëtarë të policisë së shtetit dhe 9 luftëtarë shqiptarë. Sipas të dhënave të caktuara, janë plagosur 37 oficerë.
Të shtënat ndërpriten më 10 maj 2015 në një operacion të policisë sllavo-maqedonase. Me këtë rast arrestohen 28 luftëtarë shqiptarë. Nga autoritetet sllavo-maqedonase akuzohen për terrorizëm.
* * *
Ngjarjes tragjike në Kumanovë i paraprinte situata politike në Maqedoni – e përkeqësuar. Opozita publikonte përgjime apo “bomba”. Nga përgjimet rezultonte se pushtetarët sllavo-maqedonas flasin zi e më zi për bashkëqytetarët e tyre – shqiptarë. Midis tyre binte në sy qëndrimi antishqiptar i ministres së Punëve të Brendshme, Gordana Jankulovska.
Më 21 prill 2015 rreth 40 pjesëtarë të UÇK-së sulmuan policinë kufitare sllavo-maqedonase në Goshnicë pranë kufirit me Kosovën. Në këtë sulm nuk ka pasur të vrarë apo të plagosur.
* * *
Fillimi i përleshjeve të armatosura – Ka qenë ora pesë e mëngjesit të ditës së shtunë. Mediumet njoftojnë për të shtëna me armë zjarri. Në Lagjen e Trimave të Kumanovës fillon përqendrimi i forcave të mëdha policore sllavo-maqedonase. Lagjja e sipërthënë ka qenë e banuar kryesisht me shqiptarë. Në zonë fluturonin edhe helikopterët e shtetit. Të pranishme kanë qenë edhe forcat speciale. Një pjesë e madhe e banorëve janë evakuuar.
Në orët e vona të mbrëmjes të së shtunës, ministrja e Punëve të Brendshme, Jankulovska deklaron se policia po përballet me një grup terrorist, të armatosur rëndë, të përbërë nga shtetas të Maqedonisë por edhe të një vendi në kufi. Grupi synon të godasë institucionet e rëndësishme të vendit. Sipas saj, në radhët e policisë ka pasur viktima, ndërsa në radhët e popullsisë civile nuk ka të vrarë apo të plagosur. Të nesërmen, më 10 maj 2015 rreth orës 18:00 28 persona të armatosur të grupit janë dorëzuar dhe janë arrestuar.
* * *
Pas përfundimit të konfliktit, prokurorët sllavo-maqedonas 30 pjesëtarë të grupit shqiptar i fajësuan për terrorizëm. Sipas autoriteteve sllave, 18 nga të pandehurit kanë qenë shqiptarë nga Republika e Kosovës.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë, gjatë operacionit të forcave të armatosura të shtetit janë vrarë 8 policë dhe 14 persona të armatosur. Janë plagosur 37 oficerë. Gjatë kësaj kohe, kryetar i Maqedonisë ka qenë Gjogje Ivanov. Për oficerët e policisë që u vranë gjatë sulmit, qeveria e Maqedonisë shpalli dy ditë zie.
* * *
Policia sllavo-maqedonase shkatërroi shumë shtëpi shqiptare. Shumë shtëpi qenë të djegura apo të pabanuara. Shumë shqiptarë dolën refugjatë dhe u vendosën pranë fshatrave kufitare në Kosovës. Lidhur me shtëpitë e dëmtuara, autoritetet sllave nuk kanë dhënë të dhëna të sakta. Më 10 maj 2016, d.m.th. një vit pas rënies së ushtarëve shqiptarë, Organizata e Veteranëve të Luftës në Kosovë deklaroi: “Shqiptarët luftuan me ushtrinë maqedonase, për bashkim kombëtar. U tradhtuan dhe luftuan në raport 1 me 60”.
* * *
Pjesëtarët e grupit të Kumanovës, gjykata sllavo-maqedonase i ka dënuar me gjithsej 746 vjet burg. Për veprën u akuzuan 37 perona. Prej tyre, 7 me burg të përjetshëm. Ata janë: Andi Krasniqi, Dem Shehu, Fadil Fejzullahu, Nasuf Zeqiri, Valdet Zekaj, Bek Bajra dhe Fejzulla Rushitovski.
Me nga 40 vjet burg janë dënuar 18 veta. Këta janë: Esat Kafegjolli, Adrian Bujari, Shefqet Hallaqi, Betim Kabashi, Genti Sefaj, Enver Hoxha-Klajn, Rufki Dogani, Bajram Elshani, Nexhmedin Lika, Lirim Krasniqi, Sevdail Miftari dhe Fatmir Reçica.
Prej 37 të akuzuarve, 6 janë dënuar me nga 20 vjet burg. Këta janë: Fadil Elshani, Lirim Demiri, Hajrush Abdija, Lendrit Rustemaj, Mirsad Qerimi dhe Qenan Hiseini.
Të tjerët janë dënuar me nga 18 vjet burg e më poshtë. Ragmi Latifi është dënuar me 18 vjet heqjen lirie, Irfan Lutfiu me 14 vjet burg, Arsim Bajrami me 13 vjet burg, Musa Pajaziti me 12 vjet burg, Seadudin Abdullahu me 14 vjet burg, Elham Arifi me 13 vjet burg dhe Ebib Alimi me 12 vjet burg.
Shumica e të dënuarve janë shtetas të Kosovës. Sipas disa të dhënave, ata konsiderohen organizatorë të ngjarjeve të 9 majit të vitit 2015.
Si të pafajshëm, Gjykata Penale e Maqedonisë i ka liruar: Ibrahim Murtezanin, Besnik Bajramin, Fazli Osmanin dhe Besnik Ajdinin.
* * *
Në përleshjet dyditëshe më 9 dhe 10 maj të vitit 2015, u vranë 8 pjesëtarë të forcave policore sllavo-maqedonase dhe 10 pjesëtarë të grupit shqiptar të armatosur.
Sipas pjesëtarëve të grupit të armatosur, ata janë vendosur në Kumanovë për shkak të shkeljes së të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni.











