Besnik Fishta
Ekspozita ndërkombëtare e filatelisë Balkanfila XXI, e zhvilluar në Pernik (Bullgari) nga 29 prilli deri më 2 maj 2026, përfaqëson një nga forumet më të konsoliduara kulturore të rajonit ballkanik. Duke mbledhur koleksionistë, studiues, juristë ndërkombëtarë dhe institucione postare, kjo ekspozitë krijon një hapësirë të strukturuar për shkëmbimin e dijeve historike dhe kulturore përmes filatelisë. Ideja për organizimin e një ekspozite të përbashkët ballkanike daton që në vitin 1936, kur koleksionisti bullgar Simeon Charykchiev hodhi themelet konceptuale të një platforme rajonale për filatelinë.
Megjithëse rrethanat historike të shekullit XX penguan realizimin e menjëhershëm të kësaj nisme, ajo u konkretizua disa dekada më vonë, fillimisht në Varna me 1965 dhe më pas në qytete të tjera si Sofja, Beogradi, Athina, Bukureshti dhe Stambolli. Me kalimin e kohës, Balkanfila u institucionalizua si një aktivitet periodik, duke fituar patronazhin e Federatës Ndërkombëtare të Filatelisë (FIP) dhe të Federatës Evropiane të Filatelisë (FEPA), çka garanton standarde të larta organizative dhe vlerësuese. Një moment i rëndësishëm për Shqipërinë ishte organizimi me sukses i këtij eventi në Tiranë në vitin 2016, duke e pozicionuar vendin si një aktor aktiv në hartën filatelike rajonale.

Shqipëria ka qenë një pjesëmarrëse e qëndrueshme në edicionet e fundit të Balkanfila, duke paraqitur koleksione që përfshijnë një gamë të gjerë te klasave ekspozuese dhe periudhash historike, nga emisionet e para të shtetit shqiptar (1913), te periudha e Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, periudha e monarkisë, ajo socialiste, si dhe zhvillimet e filatelisë moderne. Një vend të veçantë zënë gjithashtu kartë-maksimumet, literatura filatelike, koleksionet tematike, si dhe përfaqësimi i filatelisë kosovare si pjesë e një hapësire kulturore të përbashkët shqiptare.
Këto prezantime nuk kanë vetëm vlerë estetike, por përbëjnë burime të rëndësishme për studimin e historisë postare dhe të komunikimit në kontekstin shqiptar. Në edicionet e fundit, koleksionistët shqiptarë kanë arritur rezultate të dukshme në vlerësimet ndërkombëtare, duke fituar medalje në kategori të ndryshme, dhe duke rritur profilin e filatelisë shqiptare në arenën evropiane. Këto suksese janë dëshmi e një pune kërkimore të mirëstrukturuar dhe e një përpjekjeje për të përmbushur kriteret bashkëkohore të ekspozimit filatelik, siç janë koherenca tematike, dokumentimi i burimeve dhe prezantimi analitik.

Edicioni i vitit 2026 në Pernik përfshiu mbi 500 panele ekspozuese, me pjesëmarrje nga vendet e Ballkanit dhe disa ekspozues ndërkombëtarë të ftuar. Shqipëria u përfaqësua me nente koleksione të konsoliduara, disa prej të cilave arritën vlerësimet nga më të lartat të deritanishme për filatelinë shqiptare në këtë forum, duke u nderuar me medalje të nivelit të lartë. Këto arritje tregojnë jo vetëm për cilësinë e materialeve të paraqitura, por edhe për pjekurinë metodologjike të koleksionistëve shqiptarë në përqasjen ndaj filatelisë si disiplinë studimore.
Në një këndvështrim më të gjerë, pjesëmarrja e Shqipërisë në Balkanfila duhet parë si pjesë e një strategjie kulturore për afirmimin e identitetit kombëtar dhe për ndërtimin e urave të bashkëpunimit rajonal. Përmes pullave postare dhe materialeve filatelike, historia shqiptare artikulohet në një gjuhë universale, të kuptueshme për publikun ndërkombëtar, duke e bere filateline te shndërrohet në një mjet diplomacie kulturore, që kontribuon në ndërtimin e një narrative të përbashkët ballkanike, pa humbur specifikat kombëtare.
Balkanfila XXI në Pernik dëshmoi edhe një herë se filatelia mbetet një instrument i rëndësishëm për ruajtjen dhe transmetimin e kujtesës historike. Për Shqipërinë, kjo ekspozitë nuk është vetëm një arenë konkurrimi, por një platformë për prezantimin e trashëgimisë së saj dhe për integrimin e saj në rrjedhat kulturore evropiane. Në këtë kuptim, suksesi i pjesëmarrjes shqiptare në këtë edicion përbën një hap të rëndësishëm drejt konsolidimit të mëtejshëm të filatelisë si një fushë me vlerë të veçantë kulturore dhe shkencore.











