13.2 C
Tirana
E mërkurë, 4 Nëntor 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj Ftesë në lexim

Ftesë në lexim

0

Zija Vukaj Zija VUKAJ, Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, Shkodër

Vëllimi poetik “Dhimbja e gurit” është prurja më e fundit e autorit Zef MULAJ. Para së gjithash kemi të bëjmë me një autor me rrezatim të dyfishtë intelektual dhe kulturor. Zefi vjen në domenin e letërsisë nga shkencat tautologjike, nga shkollime dhe formime të rrepta shkencore, pra nga fusha e mjekësisë farmaceutike dhe nga përkushtimet e gjata dhe të suksesshme në shumë disiplina të kësaj sfere, ku ka një opus të gjerë veprash e botimesh me jehonë kombëtare e ndërkombëtare. Nga ana tjetër, Zefi, duke pasur si pakkush “dvojnikun” tjetër të shpirtit, pra vokacionin e artit të fjalës- shprehur në poezi e prozë, ka debutuar herët në këtë lëmë të dashur, ku ka lënë gjurmë edhe me vepra të mëparshme.

Konkretisht ky vëllim poetik që kemi në dorë ka një strukturë ciklike, të përbërë prej dhjetë pjesësh apo grupe poezish të renditura sipas motiveve apo tematikave. Ky shestim kompozicional është tipik për autorë që kanë aftësi sintetizuese dhe qartësi konceptuale qoftë në krijimin e njësive të veçanta poetike, qoftë në shprehjen e kredove të qëndrueshme estetike dhe filozofike. Kështu kemi: “Gjurmët e dhimbjes”; “Rrugët e heshtjes”; “Hija e padrejtësisë”; “Nën telat me gjemba”; “Koha e plagosur”; “Zëri i lirisë”; “Plagët e barazisë”; “Rinia që kërkon agimin”; “Kthimi i kujtesës” “Rinia- agimi i së ardhmes”.

Përgjatë leximit të këtij libri, bashkë me kënaqësitë estetike, përsiatjet, meditimet dhe provokimet e ndryshme të intelektit, m’u kujtua thënia e famshme: “Le style c’est l’homme même” (që përkthehet “stili është vetë njeriu”) e natyralistit dhe shkrimtarit francez Georges-Louis Leclerc, Konti i Buffon-it. Kjo, për faktin se jo gjithmonë jeta e autorit jështë çelësi për të shijuar e kuptuar librin e tij, por në raste të ndryshme biografitë dhe përvojat intelektuale bëhen determinuese për të përcaktuar procedimet letrare apo për të kristalizuar artin e tyre në një rrymë, shkollë apo drejtim të caktuar artistik. Pa u tunduar të bëjmë taksonomi, pra shkencë klasifikimesh, por thjesht duke vëzhguar format dhe përmbajtjet e poezive të kësaj përmbledhjeje, gjejmë gjurmë të qarta të poezive gnomike (gr.gnome- urtësi, gjykim, maksimë), gjurmë që mund të jenë krejt rastësisht të ngjashme me veprat e poetëve gnomikë.

Ky lloj poetik, që vjen që nga lashtësia dhe ka udhëtuar nëpër historitë e kulturave të ndryshme, është rimarrë edhe në shekullin XX nga përfaqësues të shquar si Kavafis, Pena, Wilcock etj. Poezia me elemente gnomike në variantin e poetit tonë Zef Mulaj shfaqet si zona më sekrete dhe e lumtur e një veprimtarie shumëformëshe të shkrimtarit: e mënjanuar jashtë çdo ‘linje’, natyrisht elegante, e çliruar nga çdo veshje ideologjike, ajo dëshmon një urtësi të rrallë letrare dhe një maturi akoma më të rrallë psikologjike, ajo që nuk është dhuratë vitesh, por një cilësi aristotelike, që është ose nuk është që në lindje një ekuilibër midis të mundshmes dhe të së pamundshmes, një njohje që i paraprin njohjes.

Libri është ngritur mbi semiotikën e simboleve si ‘guri’, ‘heshtja’, ‘dera e mbyllur’, muri’, ‘ura’, ‘porta’, ‘plaga’, ‘kujtesa’, dhimbja; që të gjitha të animizuara, të personifikuar me anën e një figuracioni dhe stilematike antropomorfe, gjë që bie në sy që në titujt e poezive. Kështu te poezia “Guri që mban kujtesën” kemi monologun e gurit që transmeton domosdoshmërinë e ruajtjes së kujtesës, përmes simbolit të qëndrueshmërisë apo heshtjen si zë i brendshëm dhe kohë homogjene rrëfimi, por edhe si aktakuzë ndaj mungesës së reagimeve. Ndërkaq te “Plagët e kohës” autori jep vragat e individëve dhe breznive të pasqyruara në forma të larmishme e të pafundme. Përgjatë cikleve dhe poezive të këtij libri autori Mulaj merr e rimerr motive nga më të ndryshmet, ku përveç aspektit të realizuar artistik, mbizotëron fryma e bazuar në mësime morale, rregulla jetësore dhe urtësi. “Por çdo zë ka pasur një zemër./ Çdo heshtje ka pasur një arsye” (“Zërat e humbur”) ose: “Sepse çdo gur ka një histori./ Disa kanë mbajtur shtëpi./ Disa kanë parë ndarje./ Disa kanë dëgjuar lutje/ dhe fjalë lamtumire”. (“Gurët që presin”). “Hijet e së shkuarës/ mund të ecin pas nesh,/ por drita e së ardhmes/ duhet të jetë përpara nesh”. (“Hijet e së shkuarës”).

Një motiv i pranishëm dhe i pasqyruar me qartësi është edhe ecja e mundimshme e njeriut në jetë. “Ka rrugë që nuk maten me kilometra./ Ato maten me net pa gjumë,/ me pritje,/ me lot të fshehur./ Janë rrugë ku njeriu ecën/ duke kërkuar një dritë,/ por përpara tij shfaqen vetëm hije.” (“Rrugët pa dritë”) Por shpesh ecjet dhe mundimet e forcojnë njeriun, e trimërojnë dhe e bëjnë më të zgjuar (“Rrugët pa dritë/ nuk e humbin gjithmonë/ udhëtarin.” Por sadoqë pasqyrohen mundime ecje të vështira në jetë, mungesa të shumta e shpesh perspektiva të zymta, në vargjet e poetit Zef Mulaj nuk mbizotëron pesimizmi as fryma distopike. Drita e shpirtit bujar të poetit ndriçon më së shumti drejt horizontesh optimiste. Kjo shfaqet përgjatë gjithë vëllimit por sidomos te cikli i fundit “Rinia- agimi i së ardhmes”, ku fokusi i autorit drejt brezit të ri është përqendruar më me ngulm e vëmendje, duke parë te rinia shpresat e së ardhmes. “Të rinjë ecin drejt agimit/ jo sepse nuk kanë parë errësirën,/ por sepse besojnë/ se drita mund të vijë./ Ata mbajnë me vete/ ëndrrat e tyre,/ mësimet e së kaluarës/ dhe shpresën.”

(“Rruga drejt agimit”). Interesant është në këtë përmbledhje poetike kompozimi dhe përdorimi i metaforave sinestetike. Përtej fushës së neurologjisë, sinestezia është një figurë letrare që lind nga perceptimi simultan (i njëkohshëm) që fut në veprim shqisa të ndryshme. Kësisoj autori ka krijuar metafora mbresëlënëse, që kanë efekte befasuese dhe kumbime të ngulitura për çdo lexues. Në këtë vëllim poetik kjo është kthyer në një veçori që përshkon gjithë librin. Vetë titulli është i tillë: dhimbja e gurit. Po kështu: lotët pa zë, plagët e kohës, pesha e fjalës, kujtesa e plagëve, krahët e shpresës etj., që dëshmojnë fuqinë abstraguese të poetit Mulaj.

Përveç aspektit artistik dhe vlerave estetike të padiskutueshme, ky vëllim përbën një dekalog etik, një tërësi urtësish, përvojash dhe mësimesh për të gjitha tipologjitë e lexuesve. Kjo për shkak se autori ka futur në këtë vepër një timbër të shtruar, të butë e kontemplativ me një rrezatim didaktik të ëmbël dhe latent, larg moralizimeve të zhveshura nga manteli artistik i fjalës poetike. Gjithë kjo, falë marrëdhënieve të mira mes fjalëve dhe mendimit, elokuencës së shprehjes dhe empatisë njerëzore e poetike.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.