MANIPULIMET ME FUNDAMENTALIZMIN ISLAMIK

0
197
Xhamia, Projekti Prishtinë

Mehmet Kraja Akademik Mehmet Kraja

Të paktë janë ata nga bashkësia ndërkombëtare që arrijnë të kuptojnë se rreth 98% e kosovarëve janë popullsi myslimane jo pse ata e zgjodhën myslimanizmin si besim dhe bindje fetare të kohëve moderne, por nga një trashëgimi e kohëve të errëta të historisë. Konvertimi i kosovarëve nga të krishterë në myslimanë ka qenë një proces i gjatë i pushtimit, i detyrimit dhe i dhunës sistematike të Perandorisë Otomane, në njërën anë, kurse më anë tjetër ka ardhur si rezultat i luftës së gjatë mes kishës të Lindjes dhe të Perëndimit, të cilat i lanë besimtarët e tyre në Ballkanin Perëndimor pa udhëheqës shpirtëror. Konvertimi i paqëndrueshëm mund të ketë qenë një arsye, pse kosovarët dhe shqiptarët në përgjithësi përqafuan bektashizmin, si varianti më liberal i myslimanizmit, ose ndonjëherë i praktikuan dy fetë paralelisht, krishterimin dhe myslimanizmin.

Sido që të ketë qenë historia, shqiptarët në përgjithësi dhe kosovarët në këtë kuadër nuk e vendosen asnjërin besim fetar në themel të identitetit të tyre kombëtar. Deri në fund të shekullit XX në Kosovë u praktikua një islam i moderuar, me elemente të qarta të traditës egumenike dhe me një tolerancë të qëndrueshme ndaj besimeve të tjera fetare. Islami tradicional që praktikohej në Kosovë mbështetej kryesisht tek mësimet themelore të Kuranit dhe tek praktikat e hershme fetare, duke mos njohur deri vonë asnjë element të fundamentalizmit dhe të vehabizmit. Por edhe përkundër kësaj, që pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, Serbia filloi një propagandë intensive, duke afishuar para bashkësisë ndërkombëtare në të gjitha rastet, se popullsia e Kosovës përbëhej nga një popullsi myslimane e prapambetur dhe nga një shoqëri patriarkale e paarsimuar. Pamjet e Kosovës në televizionet jugosllave, por edhe në ato të huaja, rregullisht shoqëroheshin me minaret e xhamive dhe me ezanin e hoxhallarëve në sfond. Kosova nuk kishte qenë kurrë aq fetare, sa ç’donte ta paraqiste Serbia dhe një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare. Me një insistim këmbëngulës dhe me një propagandë intensive shumëvjeçare, nga viti 1981 dhe më pas, Serbia arriti që çështjet fetare në Kosovë t’i deformojë ndjeshëm, duke e instrumentalizuar fenë dhe besimin fetar në funksion të problemeve e pazgjidhura politike.

Pas vitit 1999, në Kosovë u dyndën shumë organizata të huaja bamirëse dhe fondacione të ndryshme me parashenjë fetare, midis tyre disa të tilla që ishin të lidhura ngushtë me rryma radikale islamike, përfshirë edhe ato vehabiste. Përmes donacioneve të ndryshme dhe përmes një propagande intensive, ato arritën të tërhiqnin në mbështetje të tyre një numër të konsiderueshëm qytetarësh të Kosovës, që praktikon fenë islame, veçmas të rinj. Gjatë gjithë gjysmës së dytë të shekullit XX, në Kosovë myslimanizmi tradicional ishte praktikuar gjerësisht, ndërsa pas vitit 1999, për shkak të këtyre fondacioneve dhe të klerit mysliman kosovar që përfitonte prej tyre, situata u përkeqësua ndjeshëm. Në këtë kuadër, veçanërisht u reflektua negativisht në Kosovë qëndrimi i luhatshëm i Turqisë në raport me fundamentalizmin islamik. Për shkak të historisë dhe traditës fetare, Turqia ka pasur gjithnjë ndikim të ndjeshëm te myslimanët e Kosovës, ndërsa së fundi fondacioni “TIKA”, i financuar drejtpërdrejt nga shteti turk, u bë sponsori kryesor i zgjerimit të bazës materiale propagandistike të organizatave fetare në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut. As Bashkësia e Fesë Islame e Kosovës, për shkak të lidhjeve të ngushta me Turqinë dhe me fondacionin “TIKA” dhe për shkak të interesave financiare të krerëve të saj, nuk mbajti qëndrim të prerë kundër rrymave radikale islamike, madje as në periudhën e shfaqjes së ISIS-it, për t’u detyruar së fundi, nën trysninë e institucioneve të shtetit dhe të opinionit publik, të tërhiqet gradualisht dhe të shprehet më qartë kundër radikalizmit fetar.

Më anë tjetër, të nxitur nga ideja e kërcënimit nga islamizmi radikal, që mund të vinte nga Kosova dhe Bosnja, disa shtete të BE-së, nga fundi i shekullit të kaluar filluan ta projektonin Serbinë si “vijën e parë të frontit” kundër radikalizmit islamik. Me Marrëveshjen e Dejtonin, Serbisë iu dha mundësia, që përmes Republika Srpska ta kontrollojë Bosnjën deri në defunksionalizim të plotë, madje duke ia dhënë kompetencat e pacifizimit të dhunshëm të mbarë territoreve të banuara me popullsi myslimane, përfshirë edhe Sanxhakun dhe Kosovën. Dhuna sistematike që u ushtrua në Kosovë u tolerua shumë gjatë, ndërsa suspendimi i autonomisë së Kosovës dhe funksionimi i Serbisë si “shtet unik” u afishua para bashkësisë ndërkombëtare si mbrojtje e domosdoshme kundër islamit radikal. Por, në të vërtetë, Serbia nuk shërbeu asnjëherë si “mur mbrojtës” i Europës kundër fundamentalizmit islamik, por ajo e keqpërdori këtë paranojë të Europës së krishterë, për të nxitur rrymat radikale islamike në Bosnjë dhe në Kosovë, në mënyrë që më pas ta përdorë veprimtarinë e tyre për të tërhequr mbështetjen e SHBA-së dhe të BE-së. Për disa analistë vendorë dhe ndërkombëtarë, Marrëveshja e Dejtonit për Bosnjën dhe “Pakoja e Ahtisarit” për Kosovën janë hartuar në atë mënyrë që nuk lejojnë funksionim normal të këtyre dy shteteve, teksa në prapavijë i japin Serbisë rolin e kujdestarit dhe të mbikëqyrësit, për të monitoruar islamizmin radikal, në një kohë që vetë Serbia këto prerogativa i keqpërdor për t’i bërë obstruksion dhe për të defunksionalizuar në çdo rrethanë jetën normale të vendeve të rajonit.

Ky stereotip vazhdon ende te funksionojë në perceptimet politike të Brukselit: Serbia destabilizon të gjithë shtetet e rajonit me pretekste të ndryshme, por gjithmonë në funksion të hegjemonizmit serbomadh. Ajo e destabilizon Kosovën, sa herë që mund ta përdor këtë rrethanë për politikat e brendshme, për të nxitur nacionalizmin, ose për t’i bërë obstruksion bashkësisë ndërkombëtare. Ajo tashmë e ka të sprovuar mënyrën si mund të bëjë këtë: e instrumentalizon dhe e përdor politikisht gjuajtjen me gurë të një shtëpie serbe, rrahjen e një plake serbe, dëmtimin e një kishe ose të një varreze, njësoj si në vitet ’80 të shekullit të kaluar, kur përgatitej terreni politik për suprimimin e autonomisë së Kosovës, të gjitha këto për t’i përfshirë në raportin e shefit të UNMIK-ut për KS të OKB-së, me synim për të treguar se Kosova është e paaftë të ndërtojë shtetin ligjor dhe të mbrojë pakicën serbe nga diskriminimi i shumicës shqiptare. Duke mbajtur një qëndrim të këtillë agresiv dhe gjithmonë manipulues për pakicën serbe, ajo nuk lejon përmirësimin e pozitës së kësaj pakice në Kosovë dhe integrimin e saj në shoqërinë kosovare.

Për ta tejkaluar këtë gjendje dhe për t’ia pamundësuar Serbisë manipulimin me fundamentalizmin islamik në Kosovë, është e domosdoshme që qarqet vendimmarrëse të bashkësisë ndërkombëtare të mënjanojnë nga diskursi i tyre këtë perceptim të gabuar për Serbinë si “mbikëqyrëse” ose “frenuese” e fundamentalizmit islamik në Ballkan dhe t’i jepet më shumë besim Kosovës, që ta menaxhojë vetë situatën me radikalizmin fetar, duke u mbështetur në resurset e veta të sigurisë. Kosova mund ta bëjë këtë, sepse shumica dërmuese e popullit të saj nuk e ka në mentalitet dhe në formim etnopsikologjik radikalizmin e dhunshëm, teksa shumica e kosovarëve janë europianë me kulturë dhe bindje dhe i kanë të qarta prioritetet e Kosovës dhe perspektivën e saj euroatlantike. Më anë tjetër, edhe në rrethanat e tanishme, Kosova mund të luajë rol të rëndësishëm dhe të vendosë një kontroll të brendshëm mbi rrymat radikale fetare edhe te shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.

[ Pjesë e shkëputur nga analiza e Akademisë në PDF, 36 faqe ]

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.