Akademik Mehmet Kraja
Që nga Mesjeta e hershme, Serbia e bëri Kishën Ortodokse Serbe pjesë të traditës së saj politike dhe kulturore dhe për disa shekuj me radhë nacionalizmi dhe shovinizmi serb gjeti strehën më të sigurt dhe më të qëndrueshme në oltarët e faltoreve serbe dhe në liturgjitë kishtare. Pothuajse nuk mund të gjendet asnjë lëvizje politike në Serbi, veçmas ato me parashenjë nacionaliste që nuk kanë marrë paraprakisht mbështetjen e gjerë të klerit dhe të qarqeve fetare të kësaj provenience. Nuk gjendet një tjetër organizim fetar si Kisha Ortodokse Serbe, me përjashtim të organizatave të islamit radikal, nga faltoret e të cilit thirret vazhdimisht për dhunë. Kjo ka bërë që Kisha Ortodokse Serbe të bëhet krah i fuqishëm i secilës klasë politike brenda Serbisë, e cila ndjek me konsekuencë idetë serbomëdha, ndërsa nxjerr jashtë radhëve secilin udhëheqës politik, i cili bie në konflikt me këto ide dhe me klanin radikal të klerit kishtar (rasti i Gjingjiqit).
Pa hyrë më tej në histori, mjafton të themi se përgjatë gjithë periudhës para dhe gjatë sundimit të Millosheviqit, që nga vitet tetëdhjetë të shekullit të kaluar dhe prapa, Kisha Ortodokse Serbe ka qenë bartëse e ideve të dhunës, të hegjemonisë dhe të diskriminimit, të segregacionit dhe të akteve gjenocidale të Serbisë mbi popullin e Kosovës. Ajo edhe aktualisht ushqen me nacionalizëm dhe shovinizëm secilin regjim dhe secilin lider politik të Serbisë, të cilët manifestojnë ide hegjemoniste në hapësirën ballkanike. Kisha Ortodokse Serbe është faktori kryesor i destabilizimit të Malit të Zi, duke përçuar idenë se kombi malazias është pjesë e kombit serb, ashtu sikundër që organizimi kishtar i Malit të Zi është pjesë e Kishës Serbe.
Kisha Serbe nuk lejon as pavarësimin e Kishës Ortodokse Maqedonase dhe marrëdhëniet aktuale të harmonishme mes Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut janë “pragmatizëm i urgjencave politike”, prapa të cilave fshihet një armiqësi e trashëguar dhe rivalitet i hapur me Kishën Ortodokse Bullgare dhe me identitetin bullgar. Por gjithsesi, në këtë kuadër, “brengë” më e madhe e Kishës Serbe, njësoj si i shtetit serb, dhe po aq i Kishës Ruse dhe i shtetit rus, është Mali i Zi dhe deti që shtrihet pranë tij.
Por, mbi të gjitha, Kosova është trashëgimia më nevralgjike e Kishës Ortodokse Serbe, jo pse ajo është “pjesa më e dhembshme e historisë”, por ngase përmes saj manipulohet më lehtë me idetë serbomëdha: një territor historik i perandorisë mesjetare serbe i pushtuar nga turqit që në Betejën e Kosovës (1389) dhe i lënë trashëgim shqiptarëve myslimanë. Dëshmi për këtë padrejtësi të supozuar janë monumentet e kultit në Kosovë, manastiret dhe kishat mesjetare, të cilat, sipas mendësisë së indoktrinuar serbe, në perceptimin perëndimor duhet të cilësohen si “fortesat e fundit” në luftë kundër depërtimit të islamit në Europën e krishterë.
Me këtë floskulë fetare-politike, e cila gjerësisht përfshin edhe liturgjitë kishtare serbe, është nxitur në mënyrë permanente shovinizmi serb dhe është ndërtuar një propagandë e tërë, është homogjenizuar populli i thjeshtë serb, duke u mobilizuar në mbështetje të udhëheqësve nacionalistë, përfshirë edhe Millosheviqin. Kisha serbe në Kosovë ka qenë “pararojë” e të gjitha veprimeve gjenocidale mbi popullin shqiptar, veçmas përgjatë viteve nëntëdhjetë, duke miratuar dhunën dhe duke “bekuar” vrasjet masive.
Krerët më të lartë të Kishës Ortodokse Serbe u bënë zëdhënës të regjimit të Millosheviqit, nxitën aktet e dhunës më barbare kundër civilëve shqiptarë, disa syresh morën pjesë aktive në fushatat e përgjakshme të njësive të armatosura, duke i kthyer kishat në kazerma paramilitarësh, ndërsa manastiret në depo armatimesh. Kisha Ortodokse Serbe edhe sot është qendra më radikale e nacionalizmit serb, burim i ksenofobisë dhe frymëzim i aktiviteteve luftënxitëse të institucioneve shtetërore të Serbisë. Ajo nuk është e ndarë nga shteti, siç pretendohet dhe siç thuhet shpesh, për të amnistuar veprimtarinë e saj.
Ajo është një nga institucionet supreme të shtetit të Serbisë, i shërben politikave të tij nacionaliste, veçmas kur bëhet fjalë për destabilizimin e rajonit dhe mban kontroll të ashpër jo vetëm mbi vetëdijen fetare dhe gjendjen shpirtërore të besimtarëve të vet, por edhe mbi institucionet e sigurisë, si ushtria, policia, përfshirë edhe nëntokën e krimit të organizuar. Kisha Ortodokse Serbe mban qëndrim armiqësor dhe luftënxitës jo vetëm ndaj shqiptarëve dhe Kosovës, por edhe ndaj të gjithë popujve të Ballkanit Perëndimor, duke manifestuar prirje nënshtrimi edhe ndaj popujve që janë të krishterë të ritit ortodoks, siç janë malazezët, maqedonët, bullgarët, ortodoksët shqiptarë etj.
[ Pjesë e shkëputur nga analiza e Akademisë në PDF, 36 faqe ]