NGA “MEMORANDUMI”, TE “BOTA SERBE”; NGA “MINI-SHENGENI”, TE “BALLKANI I HAPUR”

0
279
Open Balkan - Oher

Mehmet Kraja Akademik Mehmet Kraja

Serbia është përkufizuar si shtet ekspansionist që nga gjysma e dytë e shekullit XIX dhe krejt identiteti i saj kombëtar, ndryshe nga shumë popuj të tjerë, nuk është ndërtuar mbi vlera, por mbi mite historike dhe mbi luftëra për territore dhe dominim. Historikisht Serbia nuk ka ndryshuar asgjë, së paku që nga Kongresi i Berlinit dhe prapa: gjithmonë është po ajo Serbi që synon pushtime dhe destabilizim. Ajo konsideron se potenciali i saj demografik dhe përgjithësisht kombëtar është në mospërputhje të madhe me hapësirën e saj territoriale dhe se roli i saj dominues në Ballkanin Perëndimor i është mohuar padrejtësisht, që më shumë se një shekull e gjysmë.

Kjo megalomani serbe është mbështetur historikisht nga disa fuqi të mëdha të Europës, veçmas nga Rusia, e cila daljen në ujëra të ngrohta të Europës, përmes Serbisë, e ka trajtuar si strategji kombëtare, së paku që nga Traktati i Shën Stefanit (1878) dhe prapa. Më anë tjetër, në planin e brendshëm, Serbia i ka mbështetur me institucionet shtetërore idetë serbomëdha dhe në asnjë rrethanë nuk ka bërë denazifikimin e këtyre institucioneve, as pas luftërave të fundit, të nxitura dhe të zhvilluara prej saj. Postulatet negative nacionaliste vazhdojnë të dominojnë diskursin politik në Serbi, ndërsa në praktikat qeverisëse mbeten po ato strategji serbomëdha, kryesisht ekspansioniste dhe destabilizuese për rajonin e Ballkanit.

Pavarësisht ndryshimeve gjeostrategjike që kanë ndodhur në hapësirat ballkanike dhe më gjerë përgjatë tridhjetë viteve të fundit, Serbia ka vazhduar e patrazuar përpunimin dhe jetësimin e strategjive politike për dominim rajonal dhe rikthim të agjendave luftënxitëse. Ajo vazhdon të jetë faktor destabilizues në Bosnje, në Mal të Zi dhe në Kosovë, madje edhe në Maqedoninë e Veriut (siç ishte rasti me zgjedhjet e fundit lokale, ku supozohet se pati ndërhyrje të Serbisë në fitoren e krahut nacionalist pro-serb të VMRO-së), duke tërhequr në anën e vet, përmes floskulave politike të kamufluara, edhe shtete të tjera të paqëndrueshme të Ballkanit, si Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Përmes nismave dhe aleancave rajonale të llojit të “mini-Shengenit” ose të projektit “Ballkani i hapur”, Serbia synon të vendos primatin politik dhe ekonomik në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Këtë primat ajo nuk mendon ta arrijë përmes bashkëpunimit dhe zhvillimit, por duke destabilizuar shtetet përreth, duke shantazhuar BE-në dhe NATO-n dhe përmes aleancave subversive ekonomike dhe politike me Rusinë dhe Kinën.

Shantazhet e Serbisë mbi BE-në dhe NATO-n kanë filluar që në vitet ’90 të shekullit të kaluar dhe nuk janë ndalur asnjëherë. Këto shantazhe janë toleruar nga Perëndimi kryesisht për tri arsye: e para, për shkak të mungesës së unitetit në Bashkimin Europian dhe në Aleancën Veriatlantike për t’iu kundërvënë në mënyrë më të ashpër interesave të Rusisë në Ballkan; e dyta, për shkak të kujdesit të vazhdueshëm të Perëndimit për të ruajtur drejtpeshimin me Rusinë, në mënyrë që të mos implikojë investime më të mëdha në fushën e sigurisë; dhe e treta, për shkak se potenciali ekonomik i Ballkanit Perëndimor është në mospërputhje të thellë me peshën e tij politike dhe strategjike, investimet në fushën e sigurisë janë përqendruar atje ku resurset ekonomike janë shumë më të mëdha.

Këtë vakum të krijuar më zmbrapsjen e BE-së dhe NATO-s e ka shfrytëzuar Serbia, e cila, ndërkohë, ka forcuar aleancën ushtarake me Rusinë dhe ka krijuar hapësirë për gazin rus dhe kapitalin kinez. Ndonjëri nga vendet e rajonit, që ka rënë në grackën e kapitalit kinez, siç është Mali i Zi, e ka çuar shtetin buzë falimentimit, në një kohë që në një projekt të ngjashëm për pak ishte gati të përfshihej edhe Shqipëria, për hekurudhën Nish-Durrës. Ka qenë refuzimi i Kosovës ai që në këtë rrethanë e ka shpëtuar edhe Shqipërinë nga një falimentim i sigurt i shtetit. Shtetet kryesore të BE-së tani gjenden në situatën që duhet t’ia blejnë borxhin Malit të Zi, në të kundërtën ky shtet i vogël dhe i brishtë rrezikon të humbë ose resurset e përzgjedhura turistike, ose portin strategjik të Tivarit. Në të vërtetë, një Mal i Zi pa këto resurse, nuk do t’i hynte në punë as BE-së dhe as NATO-s, kështu që do të bëhej pre e lehtë për ekspansionin e Serbisë, Rusisë dhe Kinës në këtë pjesë të Ballkanit.

Për shkak të postulateve nacionaliste, të përfshirë si retorikë malinje ne diskursin medial dhe politik të Serbisë, ky shtet nuk arriti asnjëherë të demokratizohet në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, por vazhdon edhe sot të jetojë në një tranzicion pa fund, në të cilën bashkëjetojnë krimi i organizuar, korrupsioni institucional, stereotipet e nacionalizmit fetar dhe kombëtar, ku mungesat e lirive demokratike, veçmas të lirisë së shprehjes, kompensohet me homogjenizimin euforik nacional, si floskulë patriotike, prapa së cilës fshihen të gjitha dështimet në ndërtimin e një shoqërie civile, me parametra të qartë civilizues. Duke mos e kaluar fazën e denazifikimit, pas luftëra të nxitura dhe të zhvilluara prej saj në vitet ’90 të shekullit të kaluar, Serbia vazhdon të mbetet peng i një klase politike më përbërje të kombinuar: oligarkë ekonomikë, intelektualë të manipuluar dhe titullarë të institucioneve të sigurisë.

Këta të fundit, që përbëhen kryesisht nga oficerë të ushtrisë dhe të policisë së rendit dhe të policisë së fshehtë, ngjashëm me Rusinë, kanë një traditë të gjatë të “fjalës së fundit” në vendimet shtetërore, duke i atribuuar vetes si në shoqëri, ashtu edhe në strukturat e shtetit status mbi-institucional, si “garantues suprem” të interesit kombëtar. Këtë traditë militariste Serbia e tërheq që nga koha, kur ajo u bë strehë për një numër të madh oficerësh bjellogardistë, të cilët, pas Revolucionit të Tetorit, pa përjashtim u përfshin në strukturat e ushtrisë serbe dhe jugosllave. Më anë tjetër, duke marrë para sysh faktin se edhe në ushtrinë jugosllave kuadri serb përbënte rreth 70% të kuadrit të përgjithshëm ushtarak, i cili u tërhoq në Serbi pas luftërave të viteve ’90, aktualisht Serbia i ka të gjitha parakushtet të quhet shoqëri militariste, ku ushtria, formalisht dhe joformalisht është një zë i rëndësishëm edhe në vendimmarrjet politike.

Për shkak të këtyre rrethanave, që lidhen me këtë mendësi politike, në Serbi duket e domosdoshme që një “program nacional” të zëvendësojë një tjetër dhe secili duhet të ketë parashenjë nacionaliste dhe ekspansioniste, ndërsa shteti nuk mund të funksionojë pa një lider autokrat, që merr vendime “nacionale”, të rëndësishme për kombin. Nëse ndonjëri nga këta liderë del jashtë kësaj skeme ose kornize, është e paevitueshme që ai të mënjanohet nga skena politike, madje të likuidohet edhe fizikisht (Stamboliqi, Gjingjiqi). Kështu ka funksionuar Serbia edhe gjatë kohës së Jugosllavisë: e ka ruajtur këtë shtet multinacional vetëm për aq kohë sa ka qenë e bindur se ai iu shërben interesave të popullit serb, shpesh duke e konsideruar më shumë se gjysmën e saj si “Serbi e zgjeruar” (një pjesë të Kroacisë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë, Kosovën dhe Vojvodinën). Prandaj, nuk qëndron supozimi se Jugosllavinë e shkatërruan lëvizjet nacionaliste të popujve të përfshirë brenda saj, por e shkatërroi vetë Serbia, me pretendimin se ajo nuk ishte më kornizë e mjaftueshme për interesat nacionale të popullit serb.

Pas luftërave të fundit në ish-Jugosllavi, të cilat i nxiti dhe i udhëhoqi Serbia, nacionalizmi serb u dekonstruktua dhe mbeti pa bazën e vet ideologjike, duke mos gjetur për një kohë postulatet e përshtatshme, as teorike as praktike, të rikthimit të homogjenizimit botëkuptimor dhe pragmatik. Asnjë ideologji e re nuk mund t’i zëvendësonte platformën politike të shpallur përmes “Memorandumit” të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Serbisë, as pikëpamjet dhe praktikat hegjemoniste të Millosheviqit, se “Serbia është atje, ku është qoftë edhe një serb i vetëm”. Prandaj, për njëzet vjet Serbia mbeti e pandryshuar, pa pluralizëm real politik, pa demokraci të brendshme dhe e pa denazifikuar, duke madhëruar luftërat e humbura dhe duke nderuar heronjtë e krimeve në Kroaci, në Bosnje dhe Kosovë.

Për shkak të mungesës së vazhdueshme të mendimit të lirë dhe për shkak të uzurpimit dhe nënshtrimit nacionalist të pikëpamjeve liberale dhe demokratike, edhe së fundi në Serbi “idetë e mëdha” vazhdojnë t’i prodhojnë elitat shtetërore, ku përfshihen edhe mediet, edhe partitë politike, njësoj si edhe vetë Akademia e Shkencave. Idetë serbomëdha të shtrirjes territoriale të Serbisë nga Selaniku e deri në vijën Karlovac-Karlobag-Virovitica, së fundi u zëvendësuan me togfjalëshin hiperbolik “bota serbe”, i cili është i ngjashëm ose i njëjtë me togfjalëshin “tokat serbe” të Lëvizjes Çetnike, që riaktualizon ide ekspansioniste serbomëdha. Në të vërtetë, në esencën e tij ky togfjalësh ka sloganin e Sheshelit “Aty ku është një serb i vetëm, aty është Serbia” dhe mund të përmblidhet me atë që thotë diplomati Eskobar, se “bota serbe” në të vërtetë është “bota ruse”.

Është e ditur se “bota serbe” si togfjalësh iu referohet më shumë serbëve jashtë kufirit të Serbisë, që ata të jenë të lidhur me “amën”, pra me shtetin serb, të mos integrohen në shoqëritë e shteteve të tjera dhe të shërbejnë si element i përdorshëm nga Serbia, kurdo që kjo të shihet e nevojshme. Kjo popullsi serbe, e lidhur me amën dhe e manipuluar politikisht nga Beogradi, vazhdimisht bën obstruksione dhe veprime destabilizuese, si në Bosnje, në Mal të Zi ashtu dhe në Kosovë, madje ndonjëherë edhe në Maqedoni, gjithnjë me idenë se rrënimi i këtyre shteteve, ose kriza e tyre e brendshme mund ta faktorizojë Serbinë, mund t’i japë asaj primatin politik dhe ta bëjë forcë dominuese në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Tashmë është kuptuar nga i gjithë faktori ndërkombëtar perëndimor se përdorimi politik i serbëve dhe i Serbisë si element destabilizues në rajon nxitet drejtpërdrejt nga Rusia dhe në disa raste financohet po prej saj, përmes projekteve të drejtpërdrejta ose të tërthorta, në ndonjë rast edhe perëndimore, të cilat përdorin donacionet e “Gazpromit”.

Në këtë kontekst të përgjithshëm duhet parë edhe nismat e Serbisë një herë për “mini-Shengenin” dhe pastaj për projektin “Ballkani i hapur”, si: i) obstruksion ndaj NATO-s dhe BE-së, ii) hapësirë për depërtime të reja politike dhe ekonomike të Rusisë dhe Kinës në Ballkan, iii) fuqizim i mëtejshëm i Serbisë në rajon, dhe iv) anashkalim i Kosovës në të gjitha proceset politike dhe ekonomike rajonale.

Për pikën e fundit, pra anashkalimin e Kosovës, kërkohet një shqyrtim i veçantë, por me këtë rast mjafton të themi se çështjen e Kosovës, që kur ajo ka marrë atributet e një problemi të mprehtë politik, Serbia është përpjekur ta zgjidhë përmes Shqipërisë, e nxitur nga një traditë e hershme, ashtu siç e ka ndihmuar pacifizimin e saj mbreti Zog përmes marrëveshjeve me Mbretërinë Jugosllave (Pashiqin), apo komunistët shqiptarë dhe jugosllavë përmes përkimeve ideologjike dhe organizimeve të përbashkëta politike. Në të vërtetë, lojaliteti i tanishëm i Shqipërisë ndaj të gjitha nismave rajonale të Serbisë, përveç përfitimeve të tjera, kanë në prapavijë edhe “nostalgjinë ideologjike” të Shqipërisë, e cila, në rrethanat e ndonjë krize të brendshme ose të krizës në marrëdhënie me Perëndimin, i kthehet lindjes ish-komuniste, pavarësisht faktit se Shqipëria që herët është dukur sikur është distancuar nga ky konstalacion politik, kulturor dhe botëkuptimor.

[ Pjesë e shkëputur nga analiza e Akademisë në PDF, 36 faqe ]

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.