QENËSIA E TË JETUARIT DHE BUKURIA E RRUDHAVE

0
262
Muhamed Sadriu - Bukuria e rrudhave

Libri i Muhamed SadriutBukuria e rrudhave” ose “Njëshekullorët e Anamoravës” në qenësi është i bërë nga të dhëna të pandërmjetme, nga fakte që i rrëfejnë vetë subjektet – njëshekullorët – me të cilët ai kuvendoi, po rëndësia e tij shtrihet përtej asaj që mendohet në të parë dhe përtej vetë tekstit mjaft të kursyer.

Subjektet me vetë jetën e tyre, me gëzimet dhe me vuajtjet që përjetuan, me rëndësinë që i kushtuan punës për të mbijetuar, pastaj me dashurinë midis tyre, me kujdesin e madh dhe flijimin për fëmijët, me kujdesin që i kushtuan ushqimit dhe shëndetit, po dhe me besimin në Zotin, dëshmojnë se jeta është forma që i jep kuptim njeriut, siç është puna dhe veprimi që i japin kuptim jetës. Nëna jonë Tereze thoshte: Jeta është një mundësi, shfrytëzoje / Jeta është bukuria, adhuroje / Jeta është një e mirë, kujdesu për të / Jeta është dashuri, shijoje / Jeta është fshehtësi, zbuloje / Jeta është dhembje, ngadhënje mbi të!”

Njëshekullorët e Anamoravës, me rrëfimet e shkurtra, me të dhënat që kanë bërë jetën e tyre, bëhen një lloj gjedhi (modeli) i një jete sa fisnike e të dinjitetshme  (jo vetëm për kohën e tyre), aq dhe me pësime e me vuajtje, po duke e gjetur forcën e brendshme që të ngadhënjejnë mbi vështirësitë për të mbërritur në një moshë që njeriu e ka gjakuar e do ta gjakojë gjithmonë: të jetojë sa më gjatë dhe në pleqëri të thellë ta shijojë jetën dhe të përjetojë nga të afërmit kujdesin, ngrohtësinë dhe dashurinë e pakursim. Parë në këtë rrafsh, rrudhat e fytyrës së tyre përligjin, edhe bukurinë e moshës, dhe vetë bukurinë e jetës.

ANTON NIKË BERISHA

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.