SHQIPËRIA DHE PROJEKTI “BALLKANI I HAPUR”

0
391
Rama - Vuçiq
Prime Minister of Albania Edi Rama (R), President of Serbia Aleksander Vucic (L) leave the podium after a joint press conference in Tirana, Albania, 21 December 2019. Leaders of Albania, Serbia, North Macedonia and Montenegro are meeting in Tirana for the third meeting of the Mini Shengen agreement between the Balcans coutries facilitating a free movement of people and goods. EPA-EFE/MALTON DIBRA

Mehmet Kraja Akademik Mehmet Kraja

Në përgjithësi, politikat e Shqipërisë ndaj Kosovës që nga viti 1912 kanë qenë kontradiktore, jokonsekuente, në shumicën e rasteve të tilla që kanë sakrifikuar idealizmin e Kosovës për pragmatizmin e politik të shtetit shqiptar. Klasa politike e Shqipërisë ka qenë e vetëdijshme se potenciali i këtij shteti është i pamjaftueshëm për ta zgjidhur çështjen e Kosovës, por as aleancat e mundshme të Shqipërisë më fuqitë botërore nuk e kanë pasur ndonjëherë këtë synim. Shqiptarët e Shqipërisë nuk do ta përfshijnë në memorien e tyre historike faktin se gjatë luftërave ballkanike dhe më pas (1913-1915), Serbia do të ushtrojë gjenocid jo vetëm ndaj shqiptarëve të Kosovës, por edhe në brendi të Shqipërisë, ta zëmë në fshatrat e Elbasanit, ku, siç thotë Tucoviqi, ushtria serbe dogji njerëz të gjallë. Shqiptarët e Shqipërisë nuk do ta kenë të lehtë ta kuptojnë se projektet e Garashaninit, Andriqit dhe Çubriloviqit nuk kishin të bënin në mënyrë specifike vetëm me Kosovën, por me krejt popullin shqiptar.

Mirëpo, në memorien historike të Shqipërisë edhe sot do të ushtrojë ndikim të madh fakti se Jugosllavia ishte eksportuesja kryesore e ideve komuniste në Shqipëri. Ajo ishte themeluese e Partisë Komuniste të Shqipërisë, duke e përfshirë lëvizjen komuniste të Shqipërisë në agjenturat e Kominternës dhe duke ia caktuar Shqipërisë vendin në hemisferën lindore të ndarjeve ideologjike pas Luftës së Dytë Botërore. Edhe pse marrëdhëniet më Jugosllavinë u prishen shumë shpejt (1948), komunistët shqiptarë e panë si ideal edhe për shumë kohë (madje me kompleks inferioritetit) Jugosllavinë e Titos dhe socializmin e saj vetëqeverisës. Historikisht është e njohur se afrimi i Shqipërisë në çfarëdo mënyre me Jugosllavinë ose Serbinë, doemos duhet të eklipsonte çështjen e Kosovës, madje shpesh ta sakrifikonte atë.

Pavarësisht se shoqëria shqiptare gjatë këtyre tridhjetë viteve të fundit është shoqëri pa ideologji, recidivizmi ideologjik herë pas here rishfaqet në disa forma: si nostalgji, si majtizëm ekstrem, si lidhje klanesh, si refuzim ndaj Kosovës dhe, herë pas here, si lidhje më e ngushtë botëkuptimore me Serbinë dhe me proveniencën lindore.

Më anë tjetër, në Shqipëri tashmë është ngulitur ideja se Kosova paraqet pengesë të bezdisshme për marrëdhëniet miqësore me Serbinë dhe me shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor dhe se përfitimet ekonomike të Shqipërisë nga këto marrëdhënie, po të mos ishte problemi i Kosovës, do të ishin shumëfish më të mëdha, veçmas në fushën e turizmit dhe të transportit. Prandaj që 20 vjet e këndej, çështja e Kosovës për Shqipërinë politike dhe ekonomike kundrohet si sakrificë, të cilën ajo e bën në dobi të një ideje tashmë të vjetruar nacionaliste.

Por, mbi të gjitha, përfshirja e Shqipërisë në nismën e “Ballkanit të hapur” nuk është vetëm minim i “Procesit të Berlinit”, as një izolim politik i Kosovës, por ka një konotacion largvajtës për raportet e ardhshme të shteteve të Ballkanit Perëndimor.

I tërë procesi është një koncesion jo vetëm ekonomik, por edhe politik që i bëhet Beogradit edhe nga një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare, si kompensim të mungesës së perspektivës evropiane për Serbinë. Më anë tjetër, hipokrizia nacionaliste e Ramës për bashkim kombëtar, për heqje kufiri me Kosovën dhe floskula të këtilla politike, që gjoja përfshihen në projektin “Ballkani i hapur”, njësoj si diskutimi politikisht diletant në Kosovë për bashkim kombëtar, pa mëdyshje që i shkojnë në favor politikës së Vuçiqit, duke e konsideruar “Serbinë e madhe” si pasojë logjike dhe kundërpeshë politike të arsyeshme kundrejt “Shqipërisë së madhe” dhe duke vendosur shenjën e barazimit mes Kosovës dhe Republika Srpskës, pavarësisht se bëhet fjalë për dy realitete krejtësisht të ndara politike dhe historike.

(Derisa pavarësia e Kosovës është rast “sui generis” dhe ka marrë legjitimitet ndërkombëtar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, ndër të tjera edhe për shkak se popullsia e saj u është nënshtruar akteve gjenocidale nga vetë shteti në përbërje të të cilit ishte dhe se shprehja e vullnetit të saj për pavarësi është pasojë logjike e shkeljes sistematike të të drejtave dhe lirive për një periudhë të gjatë kohore, më anë tjetër Republika Srpska në të gjithë përbërësit e saj, territorialë dhe politikë, është rezultat i drejtpërdrejtë i agresionit të Serbisë mbi Bosnjën dhe gjenocidit të ushtruar mbi popullsinë myslimane.)

Së fundi, arsyetimi i Shqipërisë se projekti “Ballkani i hapur” është një hap përpara në “Procesin e Berlinit” është krejtësisht i paqëndrueshëm, sepse “Procesi i Berlinit” nënkupton përfshirje të barabartë dhe të njëhershme të të gjithë shteteve të Ballkanit Perëndimor (Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi, Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia) dhe jo si “proces i bashkëngjitjes”, që dikush t’i bashkohet dikujt, siç pretendohet me projektin “Ballkani i hapur”. Më anë tjetër, duke parë propagandën e madhe të medies së Shqipërisë të varur nga qeveria e Tiranës rreth projektit “Ballkani i hapur”, njësoj si më parë për “mini-Shengenin ballkanik”, del shumë e qartë se qeveria e Tiranës, njësoj si ajo e Beogradit dhe e Shkupit, përmes këtij projekti synon të kompensojë medialisht, për aq sa është e mundur, dështimet në procesin e reformave dhe të përafrimit me Bashkimin Europian. Situata e paqartë e integrimit të Shqipërisë në BE, për të cilën qeveritë e Tiranës mbajnë përgjegjësi të vazhdueshme, me këtë rast kërkohet të kompensohet dhe të kamuflohet përmes projekteve rajonale dhe me aleanca politike alternative.

[ Pjesë e shkëputur nga analiza e Akademisë në PDF, 36 faqe ]

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.