IDEJA PËR NDARJEN E KOSOVËS

0
358
Isa Mustafa - nënshkruan demarkacionin

Mehmet Kraja Akademik Mehmet Kraja

Duke parë pozicionet e kundërta të palëve të përfshira në negociata Kosovë-Serbi, që në fillim të dialogut nga “grupe të krizës”, kryesisht ish-diplomatë dhe OJQ që merren me çështje të sigurisë ndërkombëtare, u paraqitën ide, të cilat kishin synim ta zgjidhnin çështjen e Kosovës me një “prerje” radikale, duke e ndarë territorin e saj dhe duke e “pajtuar” Serbinë me humbjen e paevitueshme të Kosovës. Të gjitha idetë rreth ndarjes së Kosovës kishin synim të mos e linin Serbinë si humbëse në këtë përballje me Kosovën dhe bashkësinë ndërkombëtare.

Të gjithë hartuesit e projekteve për ndarjen e Kosovës e kishin synim ta kompensonin Serbinë, në mënyrë që ajo të pranonte humbjen dhe merrte një qëndrim më parimor ndaj Kosovës dhe nacionalizmi i saj të bëhej më “konstruktiv” në raport me rajonin. U krijua bindja se me ndarjen e Kosovës dhe me marrjen e një pjese të saj, Serbisë, në njëfarë mënyre i kthehej “nderi i humbur” dhe se ky fakt do të reflektohej pozitivisht jo vetëm në raport me Kosovën, por edhe me rajonin e Ballkanit Perëndimor, në përgjithësi. Pavarësisht se si u paraqit në opinion dhe në kancelaritë diplomatike, ideja për ndarjen e Kosovës ishte ide e nacionalizmit serb, madje e dishepujve të saj më të spikatur, siç ishin Çubriloviqi dhe Qosiqi. Që në vitet tetëdhjetë të shekullit të kaluar, kur u pa se problemi i Kosovës do të bëhej i papërballueshëm për Serbinë, në fillim Çubriloviqi dhe më pas Qosiqi nxorën idenë e “çkufizimit përfundimtar” të serbëve dhe shqiptarëve, përmes ndarjes së Kosovës. Idenë e ndarjes Qosiqi e ripërsëriti disa herë edhe pas vitit 1999, duke nxjerrë në opinion argumente serbe për një zgjidhje të këtillë.

Por gjithsesi në agjendën politike të marrëdhënieve Kosovë-Serbi ndarja u fut pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës (2008). Që më 2011, duke parë se i ashtuquajturi “dialog teknik” me Serbinë mund të përfshinte edhe tema fondamentale për Kosovën, duke rrezikuar rendin e saj kushtetues, në mars të vitit 2011 në Parlamentin e Kosovës u miratua një platformë e qeverisë së Kosovës, me të cilën u përcaktua “korniza parimore” e dialogut, sipas të cilës u parashtruan të panegociueshme disa pika themelore: i) sovraniteti dhe integriteti territorial, ii) rregullimi i brendshëm i vendit dhe iii) Plani i Ahtisarit për komunitetet. Por, pas themelimit të Gjykatës Speciale më 1 shtator 2016 dhe pas përfshirjes në mandatin e saj të krimeve të supozuara gjatë periudhës së Qeverisë së Përkohshme, në dialogun me Serbinë dhe në raportet e Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare, u krijua një rrethanë krejtësisht ndryshe: në biseda joformale dhe në kuluaret diplomatike u fut në agjendë opsionin e ndarjes së Kosovës.

Pasi u kuptua se ish-liderët e UÇK-së mund të ishin objekt i Gjykatës Speciale, u intensifikuan edhe ecejaket emisarëve “diplomatikë”, të cilët filluan të lëviznin me një shpejtësi në prapaskenat e qendrave politike vendimmarrëse, pothuajse në të gjitha shtetet që mund të kishin ndikim në këtë zhvillim. Disa kancelari diplomatike perëndimore këtë rrethanë e panë si “mundësi të artë” për një zgjidhje të shpejtë të “çështjes së Kosovës”, kështu që në prapaskena i dhanë mbështetje kësaj ideje, duke përdorur një frazë të këtillë: nëse palët pajtohen për një zgjidhje qoftë edhe përmes ndarjes, ne nuk kemi arsye të mos e mbështesim atë.

Por, siç do të shihet më vonë, situata në terren brenda vetë Kosovës nuk ishte aspak e tillë: opinionin publik mbeti pothuajse unik kundër ndarjes së Kosovës. Më anë tjetër, mbështetja që mori nga disa liderë shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, se do ta pranonin në qetësi ndarjen e Kosovës, duke mos kërkuar që ata të bashkoheshin me Kosovën ose me Shqipërinë dhe duke mos e copëtuar këtë shtet, nuk kishte asnjë garanci se me një agjendë të këtillë nuk do të rrënohej njëkohësisht edhe paqja e brishtë në Maqedoninë e Veriut. Kontaktet intensive dhe komunikimi i vazhdueshëm në trajektoren Tiranë-Prishtinë-Beograd, herë të fshehta dhe herë publike, si dhe përpjekja për të bindur opinionin e Kosovës dhe të Serbisë me këtë opsion, nxorën në publik ide kontradiktore, por edhe projekte konkrete, që filluan të qarkullonin edhe në media dhe opinion.

Krahas lobimit të fuqishëm nga eksponentët e politikës në Prishtinë, Tiranë dhe Beograd, në hartimin e këtyre projekteve, me harta dhe përshkrime të gjera sesi mund të realizohej kjo ndarje, u morën edhe lobistë dhe donatorë me emër, të gjithë të mbledhur rreth idesë së mjegullt, se po ndodhte tashmë një ndryshim i madh i klimës politike në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Por nga të gjithë skeptikët e një “përmbysjeje” të këtillë, më së shumti mosbesues ishin kosovarët, të cilët kuptuan dy gjëra: e para, se ndarja e Kosovës dhe bashkëngjitja e veriut të saj Serbisë nuk do të kompensohej me Luginën e Preshevës; dhe, e dyta, se bashkimi i Kosovës me Shqipërinë me ndihmën dhe miratimin e Serbisë, ishte një floskulë politike manipuluese, pa asnjë bazë reale.

… PËRFUNDIMI …

Një perspektivë më e qartë e Kosovës drejt NATO-s, si strukturë themelore e sigurisë edhe në Ballkanit Perëndimor, do ta zmbrapste Serbinë nga synimet e saj të vazhdueshme për ta destabilizuar Kosovën dhe do të reflektonte pozitivisht në stabilitetin politik të mbarë rajonit.

(24 janar 2022)

[ Pjesë e shkëputur nga analiza e Akademisë në PDF, 36 faqe ]

Shënimi im: Duke qenë se Akademik Mehmet Kraja ka bërë një punë të mirë me këtë analizë për Serbinë dhe synimet e saj në rajon, e lexova me vëmendje, që të kuptoja realitetin mbi të cilin bazohet kjo analizë – prandaj edhe i publiklova këtu disa pjesë të saj. Një analizë për t’u lavdëruar. Por ajo që mungon këtu, pasi kritikohen të gjithë, ishte kritika ndaj vetë Kosovës.
Importet - eksportet në KosovëPër mendimin tim, importet e Kosovës nga Serbia janë një varësi e theksuar ekonomike e saj, që duhet kritikuar e jo vetëm kaq, duhet të punohet për t’i ulur ato dhe minimizuar. Përndryshe flasim kot. E dyta, Kosova duhet të merret më shumë me punët e saj, se sa të merret gjithë kohën me Serbinë e me serbët, se ndryshe do rrijë e varur mendërisht e politikisht, por edhe psikologjikisht nga Serbia. Fuck Serbia! Shkëputuni, ndryshe nuk pavarësoheni dot. Këtë meszh nuk e pashë të artikuluar kund te analiza e ASHK-së.

Sindromi i kosovarëve për t’ia hedhur fajin tjerëve e asnjë faj vetes, duket se e ka kapur edhe akademikun Kraja, i cili nuk ka mundur të shkëputet nga ky mentalitet, ku Kosovës ia kanë fajin të gjithë, por kosovarët janë pa faj… /AÇ

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.