TA MBROJMË DIBRËN DHE TË LUFTOJMË KUNDËR NJË GJENOCIDI TË TILLË MASIV

0
Abdurrahim Ashiku

Një thirrje që vjen nga Amerika

(Shënime duke ndjekur tre zëra televizivë)

Ai e nisi emisionin sikur të kishte nxjerrë me duar nga zjarri një patate të pjekur. Iu përvëlua dora. E hodhi në dorën tjetër. U përvëlua, ndërroi dorë, u përvëlua…

Ishte hera e parë që përballej me një problem që thonë se ka bërë emër të përveçëm diku gjashtë dekada më parë për tu zgjuar një duzinë vite më parë, 12 vjet të shkuara.
Të parin, atë para gjashtë dekadave nuk e ka jetuar. Është i ri në moshë. Të dytin e ka jetuar, me mikrofon në jakën e këmishës.

Nuk e mbaj mend të ketë skicuar ndonjë emision televiziv me të ftuar brenda vendit, me dibranë që u shkatërrohet jeta, për jashtë vendit, nuk bëhet fjalë.

Nuk e di në se e ka dëgjuar beniaminin e vet (në televizionin e të cilit ka bërë uljen e radhës) kur çirrej dritare më dritare televizive se “Unë di të ndërtoj vepra të mëdha…”
Nejse të shkuara të rrëgjuara.

Ajo që më bëri ta dëgjoj deri në fund dhe ta zbardh për ta përcjellë “të shkruar” nisur nga sentenca latine “e shkruara mbetet” është se më në fund diga e hurdhës së Skavicës, domosdoshmërinë e ngritjes të së cilës fjali të parë e ka pas (dhe e ka) si Berisha ashtu edhe Rama…“Ndërtimi i Skavicës shpëton Shkodrën nga përmbytja”… doli në një dritare televizive, në Syri Net, në emisionin Krasta Show…

Urojmë të dalë edhe në të tjerët, kombëtarë e jokombëtarë, vendorë e kabllorë, me luftëtarë që i thonë “PO DIBRËS! JO SKAVICËS” dhe me patronazhistë teknikë dhe politikë…

“Sot, tha moderatori, kam një program shumë të ngjeshur, shumë të shpejtë…”
Shprehje e zakonshme e moderatorëve që gjithnjë vrapojnë, asnjëherë nuk kanë kohë, gjithnjë u mbaron koha televizive…

Në studio kishte një doktor shkencash, Enriko Cekon, agronom, ekonomist…
Kishte një inxhinier pyjesh, ekspert mjedisi, dibranin Munir Hoxha, i njohur për mbrojtjen e mjedisit nga Radika, Luginës së Drinit të Zi, bukurive të Dibrës, JO-së së madhe të Skavicës…

Kishte edhe një dibrane, Ferzileta Gjikën, aktiviste për mbrojtjen e Luginës së Drinit që fliste nga përtej Oqeanit Atlantik.
Le ti lexojmë mendimet e tyre…


Enriko Ceka

NUK KA NEVOJË FARE TË NDËRTOHET SKAVICA

Në vitin 2003 një kompani britanike i ka bërë ofertë qeverisë shqiptare që ujin që rrjedh nga Fierza në Koman dhe në Vaun e Dejës, natën, ta çojmë sipër në Fierzë me gjysmën e çmimit të harxhimit të energjisë. Pra nuk ka nevojë fare të ndërtohet Skavica sepse ujin që rrjedh ditën për të prodhuar energji elektrike nga Fierza, Komani dhe Vau i Dejës e çojmë natën sipër në Fierzë.

Në qoftë se Skavica kushton minimalisht 250 milionë euro projekti për ta kthyer ujin mbrapsht nga Vau i Dejës për në Fierzë bën maksimalisht 40 milionë euro…

Poqe se përmbytet toka humbasim tokën bujqësore, rreth 3-4 hektarë secila familje nga 16 mijë familjet që jetojnë në zonën që preket. Nga ana ekonomike Shqipëria prodhon perime të vona në periudhën shtator-tetor nga brezi Kukës-Korçë, Shqipëria juglindore dhe verilindore.

Po qe se ne prishim këtë ekosistem nuk do të kemi perime të vona të cilat axhustojnë çmimet e tregut.

Po qe se nuk kemi perime të vona që në mes të shtatorit çmimet do të rriten me 25-30 për qind në tregun vendas…

Por është Dibra, Koça, Kukësi që furnizojnë Shqipërinë me perime të vona.
Është 60 milionë euro në vit.

Këtyre 13 mijë familjeve do tu marrish 60 milionë euro në vit para të thata.


Munir Hoxha:

NDËRTIMI I SKAVICËS  ËSHTË GENOCID NDAJ DIBRËS DHE DIBRANËVE

Për herë të parë Dibra është përpara dilemës së ekzistencës. Ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës do të mbysë rreth 35 fshatra, jo më pak se 20 mijë banorë dhe 20 mijë të tjerë u preken interesat e tokave dhe të pronave. Kjo është ana njerëzore. Në fund të fundit atje ka njerëz dhe këto duhet ti pyesësh përpara se të nisësh një studim, një projekt për të ndërtuar një hidrocentral, çdo vepër.

Hidrocentrali po ndërtohet në lumin Drin, në pjesën e vetme që ka mbet e paprekur, rreth 70 kilometra, zonë që mund të ishte një resurs i madh turistik për të krijuar të ardhura për popullsinë e Dibrës dhe për më tepër që ndërtimi i Rrugës së Arbrit do ti shërbente këtij qëllimi dhe Dibra të ishte një ndër zonat më të zhvilluara të Shqipërisë, jo siç është sot e fundit në Shqipëri.

Gjithçka ka nisur mbrapsht.
Me popullin nuk ka biseduar askush dhe shumica e njerëzve janë të shqetësuar për ekzistencën.

Për mua ky do të ishte një gjenocid. Atë që nuk e bëri dot Serbia për nëntë vjet me Dibranët dhe u zmbraps, këtë po e bën qeveria jonë.
Ajo po i largon këta njerëz me forcë.

Dhe ky është një veprim që dënohet nga çdo konventë ndërkombëtare. Populli i Dibrës nuk do ta lejojë.

Qeveria kujton se e ka të lehtë. E ka nis punën mbrapsht.
Nuk diskutohet këtu se sa lekë do të shpenzohen.
Këtu dëmtohen jetë njerëzish.
Do të dëmtojë mjedisin.
Do të dëmtojë klimën.

Do të dëmtojë të gjithë atë hapësirë ekologjike  që sot mund të ishte një ndër zonat më atraktive për turizëm.

Skavica projekt zhvillimorë?
Si mund të jetë një projekt zhvillimorë ai projekt që merr nëpër këmbë interesat e popullit dibran, rreth 40 mijë banorë?
Si mund të jetë projekt zhvillimorë ai që shkatërron mjedisin?

Ne nuk jemi një shtet me tokë të pasur.
Kemi pak tokë.
Ta kthejmë edhe atë pak tokë në liqen?

Kjo do të jetë një katastrofë e madhe ekologjike që prish gjithë ekuilibrat bio-ekologjikë dhe do të shkaktojë një mjerim të madh për popullin tim. Mua më vjen keq edhe për diçka tjetër…

Në Dibër po goditet historia e saj e lashtë dhe e re.
Në Dibër, dhe pikërisht në atë zonë, është vendlindja dhe vend origjina e Kastriotëve, e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Ne po i zhdukim edhe ato gjurmë të vetme që kanë mbetur të Heroit tonë Kombëtar duke e mbytur duke e kthyer atë zonë në një zonë shkretëtirë. Ky do të ishte një krim shumë i madh.

Populli i Dibrës ma merr mendja do të ketë përkrahje nga gjithë populli shqiptar sepse nuk kemi të bëjmë me një interes të ngushtë. Do të ngrihet kundër këtij projekti që për mendimin tim është antikombëtar.

Atë që nuk e kanë realizuar armiqtë kombëtarë që ta copëtonin Dibrën po e copëton sot me një vendim qeveria shqiptare, e cila pa biseduar me kërkënd, pa biseduar me specialistë ka arritur këtu.


Ferzileta Gjika

NUK DO LEJOJMË TË SHUHET DIBRA NGA HARTA E SHQIPËRISË

Është shumë e rëndësishme që të sensibilizojmë opinionin publik si brenda vendit edhe jashtë tij.

Këtë gjë e kemi nisur në Nju Jork me disa protesta dhe do të vazhdojmë edhe në Shqipëri në Evropë dhe gjithandej derisa të drejtat e njeriut, të drejtat e shqiptarëve të vijnë në vend.

Projekti i ndërtimit të Skavicës është bërë në fshehtësi, nuk ka asnjë lloj të dhëne online ose në media që të flitet për Skavicën dhe pavarësisht se nga përpjekjet e mëdha që ka bërë vetë populli i Dibrës për tu dëgjuar në media, zëri i tij është shuar gjithmonë.
Dua të theksoj që ne nuk do të ndalemi, ne do të vazhdojmë me protesta paqësore dhe do t’i çojmë deri në Strasburg çështjen ligjore.

Kemi marrë shumë përkrahje nga organizata të ndryshme jashtë vendit, në Evropë dhe në Amerikë, dhe ne do të vazhdojmë bashkëpunimin me këto organizata për të marrë ndihmën si ligjore si dhe nëpërmjet fondacioneve për ndihmë për tu organizuar dhe për ti thënë Jo Skavicës. Të shpëtojmë Drinin e bukur, të shpëtojmë atë vend të bukur që është Dibra, nuk mund ta shuajmë nga harta e Shqipërisë, nuk mund ta heqim Dibrën nga harta e Shqipërisë.

Ne do ta mbrojmë Dibrën.
U bëj thirrje të gjithë shqiptarëve që ta mbrojmë Dibrën dhe të luftojmë kundër një gjenocidi të tillë masiv që ashtu siç tha edhe profesor Hoxha është e paimagjinueshme se si mund të merren gjithë këto vendime pa u ulur fare me dibranët dhe pa diskutuar asnjë lloj ligji.

*   *   *

Beteja për mbrojtjen e Dibrës po merr përmasa gjithnjë e më të mëdha. Në tubimet elektorale për kryetarin e bashkisë së Dibrës pyetja kryesore që u bëhet kandidatëve është: ”A do ti thoni JO Skavicës?”, “A do ti thoni PO Dibrës?”.

Banorët e zonës që zhytet dhe mbytet nga hurdha e Skavicës kanë shpallur se do të bojkotojnë zgjedhjet, nuk do të marrin pjesë në zgjedhje.

Patronazhistët thonë: “Punë e madhe. Edhe me dy vota zgjedhim kryetar bashkie!”.
Organizatorët e mbrojtjes së Dibrës nga hurdha e korrupsionit “Skavica” kanë përgatitur protesta paqësore, thirrje popullit dibran për rezistencë, thirrje dibranëve në Tiranë, Durrës, Kamzë, kudo që janë, në Shqipëri e jashtë saj, në mërgim, mbarë popullit shqiptar që ti thotë JO Skavicës, JO fshirjes nga harta gjeografike dhe historike e Dibrës së 18 betejave me Gjergjin e Gjon Dibranit në krye kundër perandorisë më të madhe të mesjetës, perandorisë osmane.

Intelektualë, juristë e dibranë me prestigj kombëtarë e ndërkombëtarë po përgatiten për një betejë, një aksion madhor për ta mbrojtur Dibrën nga shuarja e saj, nga zhdukja e saj, nga tjetërsimi i saj në hurdhë që hap e mbyll portat, që zbrazet e mbushet sa herë kanë nevojë hidrocentralet e kaskadës së Drinit e sa herë që përmbytet Shkodra.

Dibranët po bëhen të ndërgjegjshëm për tu futur në një betejë të madhe për ta mbrojtur Dibrën, kësaj radhe jo me krismën e pushkës si 100 vjet më parë në betejën e Lanë-Lurës, por me zërin e fortë të demokracisë kohore.

Abdurahim Ashiku
10 shkurt 2022

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.