20.5 C
Tirana
E hënë, 4 Maj 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj INTERPRETIMI TENDENCIOZ I REGJIMIT KOMUNIST TË POEMËS “METAMORFOZA” TË FISHTËS

INTERPRETIMI TENDENCIOZ I REGJIMIT KOMUNIST TË POEMËS “METAMORFOZA” TË FISHTËS

0
Fishta - Metamorfoza

Xhelal Zejneli Xhelal Zejneli

Keqinterpretohen qëllimisht sidomos vargjet:

“T’a dijë Shqypnija prá,/ e sheklli mbarë,/ se mâ mbas sodit/ un s’jam shqyptár”

Regjimi komunist dhe ithtarët e tij të periudhës së demokracisë qëllimisht e keqinterpretojnë poemën “Metamorfoza” të poetit kombëtar – Fishtës, duke përhapur propagandë se ai, si gjoja antikombëtar, ka deklaruar: “Dhe le ta dijë gjithë bota mbarë se at Gjergj Fishta s’asht ma shqiptar!”

Në poemën e lartpërmendur të autorit të “Lahutës së Malcís” identifikohet realiteti shqiptar.

*   *   *

Lidhur me poemën “Metamorfoza” të Fishtës ka dhënë vlerësim edhe poeti i njohur, fëmijë i prindërve të persekutuar nga regjimi komunist, Jozef Radi (1957- ). Për Homerin shqiptar, midis tjerash, ai thotë:

“Fishta, në këtë poezi bahet pjesë e atij realiteti për me i shkue sa ma në themel demaskimit, ndërkohë regjimi për me pasë nji kartë bindëse kundra tij, për shlymjen e programueme nga kultura shqipe me nji diabolizëm pak të trashë, ka shkëput veç katër vargje prej saj, duke e shpallë me të madhe antishqiptarizmin e këtij Shqiptari të Pashoq, dhe duke mos i mjaftue veç kjo, lejoi në mënyrën ma flagrante edhe deformimin e këtyne vargjeve, deformim i cili u fut gjithkund ndër shkolla, ndër biseda, ndër mbledhje, ndër akuza… pa iu referue askund tekstit, po duke qarkullue ashtu gojë më gojë, prej kasnecëve të shumtë të së keqes.. Dhe sa herë ndodhte të flitesh apo të përmendesh ky Shqiptar i Madh, i bashkangjitej menjiherë urrejta patologjike e regjimit, dhe gjetja e armikut (Dhe le ta dijë/gjitho bota mbarë, / se at Gjergj Fishta / s’asht ma shqiptar…). Pra regjimi, nuk synonte veç me i zhdukë veprën dhe përkushtimin e tij shembullor, as zhdukjen e eshtrave duke ia hjedhë në lumë, po edhe demaskimin e tij si patriot dhe si shqiptar i flaktë, në mënyrë që asnji gjurmë e tij të mos mbetesh mbi dhe…”

*   *   *

“Metamorfoza” është pasqyrë e realitetit të hidhur shqiptar, të njerëzve të ultë që shesin patriotizëm dhe heroizëm, por që nuk kanë asnjë ndjesi e aq më pak sakrificë për komb e atdhe.

Gjergj Fishta (1871-1940) aty i demaskon këta hipokritë që fatkeqësisht vazhdojnë të jenë të pranishëm dhe me ndikim edhe sot mes shqiptarëve. Të tillët sundonin edhe në regjimin komunist dhe ata qëllimisht e keqinterpretojnë këtë poezi, duke përhapur fjalën se Fishta, si gjoja antikombëtar, ka deklaruar:

“Dhe le ta dijë/ gjithë bota mbarë/ se at Gjergj Fishta/ s’asht ma shqiptar…”!

Ky varg edhe sot keqinterpretohet dhe citohet gabimisht.

Kjo poemë është botuar në vitin 1907 në përmbledhjen satirike “Anzat e Parnasit” (1907). Ajo është botuar tre vjet para poemës “If” (Nëse) të nobelistit anglez Rudyard Kipling*, që është një doracak se si “të bëhesh njeri” duke u bazuar në modelet që përcaktojnë të tjerët.

Shënim: Zhozef Radjar Kipling (Joseph Rudyard Kipling, Mumbai, Indi, 30.12.1865 – Londër, 18.01.1936) – romancier, poet dhe shkrimtar anglez. Autor tregimesh të shkurtra.  Jeta në Indinë britanike e frymëzoi për të krijuar vepra artistike.

*    *    *

Fishta godet modelet e liga të përcaktuara nga ata që i shkelin dhe i përbuzin shqiptarët e që veten e konsiderojnë shqiptarë të mëdhenj. Me këtë ai ironizon realitetin sepse të tillët nuk mund të jenë shqiptarë! Mu për këtë luan me metamorfozën e njeriut të vlerave sepse vetëm i transformuar dhe i tjetërsuar mund të jetë pjesë e tyre që s’kanë vlerë morale e kombëtare. Për këtë arsye, në disa vargje thotë:

“A ndiet, Zotni/ që rrini m’shkam?/ Un mâ me sodjet/ Shqyptár nuk jam”; “Pse krejt sod jetën/ Un ndrrue e kam/ Kam lé per s’dytit/ Shqyptár mâ s’jam”; “T’a dijë Shqypnija/ Prá, e sheklli mbarë/ Se mâ mbas sodit/ Un s’jam Shqyptár”!

Në këtë poezi të Poetit Kombëtar – ashtu si me çdo krijim tjetër të tij – edhe sot identifikohet realiteti shqiptar. Vargu i Fishtës paraqet sarkazëm ndaj sundimtarëve injorantë dhe keqbërës të botës shqiptare.

*   *   *

Lidhur me poemën “Metamorfoza” të Fishtës, në mediumin “Telegrafi” të datës 20 dhjetor 2019, midis tjerash shkruan:

“Edhe sot e kësaj dite propaganda komuniste qarkullon mes nesh se kinse Gjergj Fishta ka thënë këto fjalë me të cilat heq dorë nga përkatësia kombëtare shqiptare.

Pra, shqiptarët duhet ta dinë se këto fjalë janë nxjerrë nga strofa e 24-të e poemës satirike prej 67 strofash me titull “Metamorfoza” që është pjesë e veprës “Anzat e Parnasit” të botuar në vitin 1907.

Me këtë poemë Gjergj Fishta satirizon tradhtarët e kombit shqiptar. Me artin e fjalës, Fishta e gdhendi shpirtin e shqiptarit”.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.