OPINION
– Një këndvështrim rreth aktualitetit shqiptar –
Nga Llesh NDOJ
Kuçedrat i njohim nga mitologjia. Ato na janë paraqitur si përbindësha nëntokësore të cilat kanë aftësi të jashtëzakonshme e fuqi të mëdha, kryesisht në përcaktimin dhe devijimin e rrjedhës së ujërave, përmes të cilave kanë “diktuar” edhe jetesën e njerëzve në zona të caktuara. Shpesh ato kishin jo një, por dy apo disa kokë. Për më tepër, edhe po t’ua prisje një, kishin aftësinë për të rigjeneruar tjetrën. Ballkani, dhe trojet shqiptare po ashtu, janë të njohura për fushën e mitologjisë. Madje ajo vjen tek ne, jo vetëm si një reminishencë e së shkuarës apo si përrallë nga e kaluara, e cila duhet treguar thjeshtë për të zgjuar kureshtjen e njerëzve, por shpesh ne imitojmë dhe krijojmë ngjarje të tilla, apo edhe veprojmë si ato në jetën e përditëshme. Rasti i kërcënimit të presidentit serb Vuçiq për devijimin e lumit Ibër në teritorin serb, veprim që do të rezultonte më kërcënues se vetë lufta me armë zjarri për Kosovën shqiptare, flet shumë. Ai e thirri në skenë mitologjinë e mbushur me personazhe negative, kuçedra, për t’a “mposhtur” atë tokë që nuk e mposhti as me luftën e genocidin shekullorë, që regjimi serb ka ushtruar ndaj tij.
Normalisht që unë bëj pjesë në ata që nuk mund t’a besojnë se një gjë e tillë do të mund të realizohet aq lehtë e me një të rënë të lapsit në praktikë, nga një njeri që po tregohet gjysmë i çmendur, dhe që për të shuar etjen e tij, është gati të thajë gojën e një populli të tërë, ashtu siç besoj se e drejta ndërkombëtare ka përcaktuar rregulla edhe për rrjedhën natyrore të lumenjëve e se asgjë s’mund të kalojë në heshtje. Por në radhë të parë, besoj tek vitaliteti i popullit shqiptarë, që situata si kjo e imagjinuar prej veprimeve të kuçedrës “Vuçiq”, sigurisht një kuçedër me shumë krena të cilët rigjenerohen sa herë t’i presësh, nuk mund t’a mposhtin popullin shqiptar të Kosovës, ndonëse e lodhin dhe e pengojnë atë në rrugën e zhvillimit e të përparimit të qëndrueshëm drejt objektivave të integrimit me botën e zhvilluar, ku edhe është përcaktuar në synimet e saj afatgjata. Mirëpo kjo gjendje na bën të tregohemi pak më realistë, si popull dhe si politikë kombëtare, dhe të kuptojmë se mitologjia s’mund të jetë thjesht një përrallë nga e kaluara, dhe nuk duhet të neglizhohet, sidomos nga popuj e vende si ne që jetojmë e rritemi nën muzikalitetin e përrallave të së shkuarës. Na duhet të kuptojmë dhe të theksojmë se nuk është e vetmje kuçedra “Vuçiq” në rajonin tonë.
Sa herë duket se përparimi ynë si komb ia ze dritën e diellit, aktivizohet “kuçedra greke” e misionit armiqësorë “përrallë nga e kaluara”, me emrin “vorio – epir” dhe kërcënon seriozisht se “do na lenë me tha eti” për pak Europë, herë tjetër se ajo do t’na e përpijë edhe detin e se nëse ne hapim gojë, ka në sirtaret e historisë edhe rezervën tjetër, po aq kuçedër, të ashtuquajturin “ligj i luftës”, një sajesë e pakuptimtë në origjinën e saj e një folklorizëm për të qarë e për të qeshur që vazhdon të ekzistoje edhe pas kaq shumë vitesh, dhe pas një realiteti të rikthyer në trojet e Greqisë, të cilin vetëm ata, të dehur nga “madhështia” e kuçedrës, nuk duan t’a shohin, ku në ato troje më shumë flitet shqip (si deri në shekullin e XVIII – të) se sa greqisht.
Por edhe këto “kuçedra”, ndonëse nuk munden me na tha eti, tregojnë se janë aty e se sa herë iu pritet një kokë, kryesisht nga statusi ndërkombëtarë i Shqipërisë, nxjerrin një kokë të re. Në fund të fundit, si në fillim të fillimit, ato kuçedra kanë qenë…, e kuçedra mbeten. Dhe përsëri, nuk janë të vetmet kuçedra që na kërcënojnë. Ndoshta kuçedrat më të rrezikshme gjenden edhe sot në “nëntokën” e politikës shqiptare, e cila nuk po gjen forca të shkëputet nga vetja, e të bëjë atë që duhet bërë në kohët moderne: T’a lerë mitologjinë të flejë në tekstet e “përrallë nga e kaluara”, e të shohë përpara drejt horizonteve të reja ku jemi të destinuar të integrohemi.
Por edhe këtu “kuçedrat” nxjerrin kryet sa herë bëjmë një hap përpara, duke na detyruara të bëjmë dy të tillë mbrapa. Nuk e kam fjalën thjeshtë për kuçedrat që thajnë lumenj e burime historike natyrore, duke ndryshuar eko – sistemin në mjaft zona, fenomen që shfaqet sa në veri edhe në jug të vendit, dhe që e ka emrin herë kuçedra “Valbonë”, herë kuçedra “Mat”, herë kuçedra “Fanë”, herë “Shkumbin” e herë “Vjosë”, ku tunelet e nëndheshme të kuçedrave, tashmë prej tuba betoni, bartin ujin drejt rezervuarëve të pangopur të korrupsionit shtetëror dhe s’pyesin në se dikush a diçka thanë nga etja aty ku ato burojnë e rrjedhin për mijëra vjet, as thjesht e vetëm për “kuçedrat”, që lëvrijnë nëntokës shqiptare, në Munellë e në Kalimash, në Batër e Bulqizë, në Fier e Patos e kudo, duke përpirë pasuritë e saj pa asnjë ndikim zhvillimi në zonat ku ato ndodhen.
Kjo duhet thënë edhe për detin, apo turizmin e kripës e të rërës, për paketën e maleve, apo turizmin e trojeve, për bulevardin e flamingot, për pozitën e opozitën, për mungesën totale të ndërgjegjes sonë kombëtare për t’i mbrojtur këto vlera të padiskutueshme të trashëguara nga e kaluara, dhe për t’i shfrytëzuar me racionalitet ato, duke menduar edhe për të ardhmen. Është e çuditshme se si kuçedra “korrupsion” shtrihet kudo gjerizeve të nëndheshme e rrjedhave të mbidheshme të zhvillimit, duke përpirë gjithçka që do të duhej t’u përkiste të gjithëve, brezave të së shkuarës, atyre të sotëm e atyre që do të vijnë në këtë vend. Asgjë tjetër, veç kësaj kuçedre, nuk mund t’a justifikojë realitetin tonë ekonomik e zhvillimor, relativisht të prapambetur, në stadin ku jemi.
Kuçedrat ndër ne, nuk janë vetëm pjesë e mitologjisë, por fatkeqësisht pjesë e mentalitetit tonë jetësor. “Pas meje u bëftë qameti” e thonë me veprime jo vetëm pushtetarët, as vetëm biznesmenët e mëdhenj e të vegjël, por edhe njerëzit që jetojnë në varfëri, duke shkelur mbi flori. Ja, a nuk është pjesë e këtij mentaliteti fakti që për të djegur dy mbeturina të bahqes, njerëzit i venë zjarrin pyjeve e rrezikojnë edhe jetën e pasurinë për njerëzit e tjerë? Kuçedra “zjarr” ka gjithashtu kohë që vepron “suksesshëm” në këtë vend. Mijëra hektarë pyje janë vënë nën flakën e kësaj kuçedre vetëm e vetëm për të liruar troje në tokat e djegura e për të zhvilluar aty struktura turistike që me një shtrirje të gjuhës e përpijnë edhe detin, sidomos në Shëngjinin turistik, por jo vetëm?
Nuk mjaftoi kuçedra “motosharrë”, por për një copë vend, ku në vend të pyjeve të larta mund të rritet bari “për të kullotur lopët”, zjarri i tejkaloi të gjitha tipet e kuçedrave që ka njohur mitologjia, deri tek ato me shtatë krena. “Kuçedrat” përpijnë fondet që jepen për zhvillimin e veprave infrastrukturore në mbarë vendin, ku akoma pa përfunduar një investim, kërkohet t’i vihen atij objekti në dispozicion fonde shtesë, se ndryshe ai mund të quhet inekzistent, “kuçedra” përpiu armatimin e teknikën ushtarake të trashëguar për dekada të tëra, e tash po ajo ka “nxjerrë krye të ri”, e miliona euro duhen për të arritur nivelin e kërkuar të shpenzimeve ushtarake për të qenë një vend anëtar i NATO – s, “kuçedra” thith të gjitha paratë e popullit dhe thanë buzët e pensionistëve që për turpin e shtetit, vazhdojnë të marrin më pak se 150 euro në muaj, “kuçedra” hedh asfalt elektoral aty ku s’ka frymë njeriu, e i len qytetet për faqen e vet të zezë.
A nuk është kuçedra “emigracion”, që ia shteroj burimin e fuqisë punëtore, për pasojë edhe të zhvillimit, këtij vendi e tash “po thajmë eti” edhe për kamarierë? Kush mund të thotë sot sa krena ka kuçedra “karrige” apo “pushtet”, që po na e thanë gjithçka na ka mbetur si mundësi përparimi? Fatkeqësisht ajo nuk ka veç shtatë krena, por edhe aftësinë për t’i ripërtëritur ata sa herë rastësisht iu pritet ndonjëri prej tyre. Kuçedër mbetet karriga pushtet, kuçedër ajo opozitë, kuçedër karriga “pushtet” në Shqipëri, kuçedër ajo në Kosovë, kuçedër ajo në Maqedoni e të gjitha këto e kanë tharë dukshëm mundësinë që shqiptaria të triumfojë si dragua e të bashkohet kudo ku jeton në trojet e veta që t’i thotë botës: – Ne s’jemi pak e s’mund të përpihemi me një të rënë të lapsit, as nga Vuçiq, as nga askush tjetër, që si ai ëndërron të shkuarën! Por fatkeqësisht ne “përpijmë vetveten”, edhe pa ndihmën e tyre.
Mos vallë ne jemi mësuar me kuçedrat e dorëzimi përpara tyre vjen si një fatalitet?
Historitë apo mitologjitë me kuçedra, gjithnjë kanë dy anë: kuçedrat nga njëra anë si përbindësha e “personazhe” negative, dhe dragojt nga ana tjetër, apo siç quhen ndryshe shpëtimtarët. Kudo ku tregohen historitë e tyre, tregohen edhe dragojtë si personazhe pozitive dhe gjithnjë ata paraqiten si ngadhnjimtarë. Po në kohët e reja, më duket se ne kemi thirrë në skenë mitologjinë vetëm sa i takon kuçedrave, duke i imituar e risjellë ato në jetën e përditshme, më shumë si fatalitet, por jo dragojt. Në fakt, ne menduam se e gjetëm një dragua dhe ia vumë emrin “SPAK”, por çdo ditë që kalon po meriton të thirret “ASPAK”! Pyetja që më vjen të bëj tani në hapësirë është: – A do të prodhojë ky truall edhe dragoj, që “t’ia presin krenat” kuçedrave që na kërcënojnë, sa në një formë në një tjetër, dhe e thajnë oqeanin ku varka jonë e vogël do të duhej të udhëtonte me flamurin e saj drejt të ardhmes më të mirë? Më duket hyra në pyll pa sopatë, me këtë pyetje… Flamurin? A ka flamurë pa flamurtarë? Po ku janë ata që s’po duken?! “Varka”. Po ne s’prodhojmë as varka, ndonëse prodhojmë flamuj për to. Nuk di a prodhojmë aspirina, se për të tjerat jo e jo!
E Marko Rubio paralajmëroi: Pa anije e pa ilaçe, zor se mund të vazhdosh të luftosh për ekzistencë me “kuçedrat”. – A kishte të drejtë ai? Ngjarjet në trojet shqiptare, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut e kudo, fatkeqësisht nuk na lejojnë të shfaqim ndonjë entuziazëm të bazuar, përveçse nëse duam të rikthehemi në përrallat me mitologji. Ne na duhet t’i tregojmë vetes në radhë të parë, më shumë pjesën e dytë të mitologjive me kuçedra, atë të dragojve që zgjohen edhe nga varri për tua prerë atyre kokat, e të mos i lënë këto troje të bien nën fatalitetin etjesjellës të tyre. E sotmja s’mund të qëndroje pa themelet e të djeshmes, as pa çatinë e përspektivës, e ndoshta është koha me u trand nga jermi të gjithë ngapak, e me e kalue gjendjen e agonisë. Sot! Nesër… është kurrë!
Lezhë, më 14.08.2026











