Nga Llesh NDOJ
– Në vend të një urimi për librin e tij –
Na ndodh shpesh, sidomos në moshë madhore dhe atë që njihet si “mosha e tretë”, të reflektojmë me vete rreth ngjarjeve, fakteve, domethënies së atyre që kemi dëgjuar, parë e jetuar, dhe jo rrallë t’i drejtohemi bibliotekave, për të gjetur diçka që na ndihmon të japim një përgjigje mbi pikëpyetjet që kemi akumuluar. Shkencëtarët arkeologë, “gërmojnë” nëntokën, për të kuptuar çka ngjarë në mbitokë në periudha të ndryshme, e ata gjeologë po ashtu, prej saj vijnë në konkluzione rreth të djeshmes e perspektivës. Është kjo një rrugë e bukur, por jo e mundur për të gjithë, e jo kurdoherë gjejmë lehtësisht përmes saj materiale të tilla që nevojiten, sepse ato ose nuk janë shkruar nga padija vendase, e nga dashakeqësia e qëllimtë e sundimtarëve shumëshekullorë, ose janë duke fjetur në gjumin e tyre letargjik në Vatikan e Stamboll, ose edhe janë djegur nga barbaria jonë dhe të paktën në këtë fushë, e meritojmë plotësisht tipizimin “barbari”, në kuptimin e plotë e të parë të kësaj fjale.Ndërkohë që në rini, duke i konsideruar si të pavlera apo duke i marrë si të përjetshëm ata, pak i kemi dëgjuar fjalët e më të moshuarve e njerëzve, që shkolla e jeta i kishin bërë më të ditur, në brezin e sotëm “janë rralluar lisat” prej të cilëve mund të mësosh në pak fjalë, sa në një cikël të plotë universitarë.
I tillë, një encikopedi e gjallë, apo një bibliotekë lëvizëse, është në gjykimin tim edhe inxhinieri i ndërtimit, konstruktori i fjalës dhe burimi i pashtershëm i njohurive të thella, sa shkencore, po aq edhe tradicionale e popullore, i nderuari ing. Dodë Pjetraj.

Të rrish e të bisedosh me të, patjetër do të ndahesh prej tij me një pikëpyetje më pak në mendje, por edhe me një dëshirë për t’u thelluar e zgjuar të tjera pikëpyetje, në pritje të takimit të radhës me inxhinierin, ndërsa të lexosh prej tij, qoftë edhe poezi, por edhe artikuj me përmbajtje shkencore të një fushe që s’të përket, si fjala vjen ndërtimi për mua, në mendje të mbeten fjalët e këshillat e tij, pasioni për t’a rrokur në një gjithë universalitetin e jetës, sepse Doda zotëron veç të tjerash edhe një “pedagogji” të vetëkultivuar, që e thjeshton dhe e bën të përvetësueshme çdo fjalë a kumt që të vjen prej tij. Nga ana tjetër ai është sot, besoj unë, përfaqësuesi më tipik i zgjuarsisë mirditore, kuventar që traditës i ka shtue dije të kultivuara si pakkush tjetër, që ka një përgjigje “hazërgjevapë” për çdo situatë ku gjendet, të përshtatshme për nivelin e bashkëbiseduesit të vet, apo të rrethit të njerëzve që gjenden aty, njeriu intelektual që njeh në detaje shkencën e folklorin, kangën e vajin, veshjen e batutën, fjalën e dretpërdrejtë e atë “kodra pas bregut”, të folurën “burrash“ e atë lakonike, ku tjetri “le të marrë ça mundet e ç’i mban ena”.
Njohja ime me Dodën është e hershme, por bashkëpunimi me të, edhe për shkak të fushave të ndryshme të punës e profesionit, ka qenë i paktë. U njohëm kryesisht në udhëtimin e hershëm politik në fillimin e viteve dymijë, atëhere kur kujtuam se mund të kontribonim për një “rend të ri”, por u “takuam bashkë” më kandshëm tek një pasion i përbashkët, qe ishte letërsia, e cila ka lindur me misionin e “takimit” edhe të atyre që s’i ke bashkëkohës, bile as bashkëkombas, ku edhe pse jemi të dy “amatorë”, nga Doda ke çfarë të mësosh edhe në këtë fushë.
Me dëshirën për të bërë sistemimin në një libër për publikun të një pjese nga enciklopedia e tij e dijeve, Doda m’a besoi mua të njihesha me materialin që ai ka përgatitur për librin e tij të radhës, titulluar “Pesëkëndësh”, i sapo dalur nga botimi, e unë e pranova atë si privilegj njohje para të tjerëve, por edhe si një mirënjohje për atë që ai jep si kontribut për shoqërinë. U takuam një ditë me kërkesën time për të mësuar diçka nga universi i tij dhe natyrshëm u pyetëm reciprokisht edhe për ndonjë projekt të radhës. Më shpjegoi disi rreth 5 temave që kishte fokusuar punën e tij të radhës dhe, kur po e mbyllnim bisedën, iu drejtova:
– Po titullin si do ta ketë libri yt?
– Pesëkëndëshi, – tha ai, pa mëdyshje.
Duke mos e kuptuar mire, e ripyeta dhe ai ma ripërsëriti të njëjtën fjalë: “Pesëkëndëshi”. Bile edhe e imtoi pak, duke më folur për pozicionin urban të kullave mirditore, që vendoseshin në formë trekëndore ose pesëkëndore, për të cilën ai më shpjegoi edhe pse – në, apo dhe pesë “kolonat” mbi të cilën ai e ka mbështetur paraqitjen e librit të vet në formim.
Mezi e prita leximin e materialit, rileximin e tij në përpjekje për t’a sistemuar si libër e përsëritjen së dyti e së treti, sa me dëshirë, aq nga nevoja për qëllimin e vënë të përgatitjes së librit, apo ardhjes së brumit të gatshëm për në furrë, gjë që m’a “çimentoi” me markat më të larta bindjen e kahershme për sa theksova në hyrje të këtij shënimi. Nga libri në fjalë i Dodës, pesëkëndshi i tij, në çdo pikë që të vendosesh, të jepet mundësia të vështrosh katër të tjerat dhe tërësinë e tyre, duke e dashuruar kësisoj më shumë edhe Mirditën tonë, kullën e madhe shpirtërore të çdo mirditori, me pasuritë e saj minerare, kulturën e traditën ndërtimore, mënyrën e jetesës, kulturën shpirtërore, veshjet, këngën, vajet, zgjuarsinë, fjalën e mençur, traditën e mikpritjes, kulturën e kuvendimit e shumëçka tjetër.
Doda sjell në librin e tij thesare që ndoshta dihen pak sot e nesër ndoshta, s’do të diheshin aspak pa këtë prurje të bukur. Ndoshta është e tepërt t’i emërtoj këtu të pesë kulmet e pesëkëndëshit imagjinarë, që ka ngritur inxhinieri, por dua të theksoj se të pesta ato shënojnë kulme dëshmie, se populli mirditas është autentik, një popull që banon në trojet e veta prej shekujsh, me ekonomi e transport të zhvilluar, me tradita interesante në mënyrën e ndërtimit të banesës së vet, me një veshje që flet shumë, me rite, zakone e tradita origjinale e fort të hershme, të krahasueshme me popujt më të lashtë të rajonit, me një kulturë e gjuhë që dëshmon po ashtu lashtësi, dhe me një zgjuarsi apo intelekt që zor t’a gjesh në këtë nivel diku tjetër.
I interesuar për disa nga fushat që autori trajton në libër, sidomos për aspektet kulturore e të traditës mirditore, e them me plot bindje se sa nga Doda e si prej Dodës, zor të mësosh nga dikush tjetër. Kjo, pa asnjë dyshim, për cilësitë e tij individuale shumë universale, por edhe si një trashëgimtar i prindërve e gjyshërve me shumë emër, gjë që vjen bukur edhe në këtë libër, por edhe si pinjoll i një zone plot me tradita të bukura, siç është Kthella mirditore, e i një fshati të shquar për intelektualizmin e vet, Malajt e Epër, që po ashtu pasqyrohet në pesëkëndshin e inxhinier Dodës. Gjithshka për t’u lexuar me kënaqësi, shumë për të mësuar, e sigurisht për të pasuruar bibliotekat personale e ato publike me nga një copë Mirdite sade.
Si i privilegjuar t’a kem njohur materialin e këtij libri në detaje që në formësim, kam nderin t’ju ftoj t’a bëni atë tuajin, t’a lexoni e rilexoni, i bindur se ky lexim do t’u çelë dritare të reja njohje e pamje të tjera të shikuarit me dashuri, të Mirditës sonë pastërtisht shqiptare.
Gjithçka më lart u tha për lexuesit, ndërsa për autorin mjaftojnë dy fjalë: Urime Dodë Pjetraj!









