Dera e Madhe Fisnike dhe Bujare e Marash dhe Mri Dedja e Mërrnaçajve në SHBA është vetë krahina malore e pamposhtur e Kelmendit në miniaturë

0
491
Klajd Kapinova - Mri Dedja - Tom Mrijaj

(Historia e rrefimeve të përjetuara të “Mri Dedja e Mërrnaçajve, zoja e hekurt me shpirt florini”, me autor shkrimtarin dhe studiuesin e talentuar dhe brilant Jozef Radi)

Nga biseda me autorin Jozef Radi meson, se për realizimin e këtij libri janë zbardhë mbi 120 orë regjistrime në manjetofon, për të ju afrue sa ma shumë të vërtetës e për t’i sistemu e perpunu ato në laboratorin e shkrimtarit e sjellë lexuesit në menyrën ma të kandshme. Një punë vërtetë e madhe dhe kjo do të shihet nga çdo lexues i këtij libri.” – Marjana Naçaj, ish mësuese dhe reçensuese e librit

“Tre burra të familjes bashk me dy pleqt e tyne vendosin të arratisen, meqense ishin lajmërue se tehu i thikës po i afrohej edhe familjes së tyne. Ishin një familje e njohun me kushte të mira ekonomike. Në Kelmend kishte mjaft njerëz të mir n’at periudh. Por si duket begatia që kishin Merrnacajt, ishte si pluhur në sytë e shtetit shqiptar. Nuk u mjaftonte, që një vlla e kishin në burg, por donin ta shkatërronin familjen… Libri për Mri Merrnaçajn, është libër kushtuar gruas shqiptare. Çdo grua do të gjejë pjesë të vetvetes aty dhe gjithë shoqëria shqiptare, përballë veprës së Mri Merrnaçajt e cila në moshën 84-vjeçare ndërmori me një kurajo të admirueshme rrëfilim e gjithë hetës së saj, që di të shërbej si model që e vertata, kujtesa dhe krimet nuk duhet të harrohen. Kanë kaluar 33 vjet dhe burgu i Spaqit është katandisur në një karakatinë. Shteti shqiptar mund të kishte vepruar me kohë. Ka ndërtuar të gjitha këto institucionet, që kanë qenë të krimit. Është bërë shtëpija me gjethe, bunkerët, tunelet e ministries së brendshme. Ata që e kanë bërë diktaturën i kanë muzetë, kurse ata që e pësuan diktaturën nuk i kanë muzetë e tyre. Kjo është e verteta e shtetit shqiptar. Ju bën muze atyre qe bënë diktaturen dhe jo atyre qe e pësuan nga diktatura. Unë protestën time e kam manifestuar edhe me librin tim.”
Jozef Radi shkrimtar, tregon për Zërin e Amerikës

Me Marash dhe Mri Mërrnaçaj dhe të gjithë vëllezërit patriotë Mërrnaçaj, jam njohur shumë vite më parë, kur unë për herë të parë kam ardhur në vitin 1978 në Neë York, SHBA. Unë kam qenë disa herë mik i familjeve të tyre. Qysh nga ai vit dhe deri më sot me kemi qenë miq shumë të mirë. Kjo familje gëzon respekt shumë të madh në komunitetin tonë këtu, sepse Marnaçajt patriotë, kanë qenë gjithnjë mikpritësa, ndera, lavdia dhe krenaria e vendlindjes së tyre të dashur Kelmendit, trojeve etnike shqiptare dhe shqiptar-amerikanëve. Ne të gjithë aktivitetet antikomuniste dhe demostratat me motivin për lejimin e lirisë fetare në Shqipërinë e cila po vuante nën komunizmin e zi, të gjithë Mërrnaçajt dhe familja Marash dhe Mri Mërrnaçaj, kanë qenë të parët përkrah bariut tonë shpirtëror dhe intelektualit të shquar prelatit mons. dr. Zef Oroshit, Themeluesit të Kishës së Parë Katolike Shqiptare “Zoja e Këshillit t’Mirë” (sot Zoja e Shkodrës”), në shumë protesta të vazhdueshme në New York, Washington D.C., SHBA, duke kërkuar nga Qeveria dhe presidentët amerikanë, për mbështetjen e popullit të vuajtur shqiptarë të martirizuar dhe për rrëzimin e komunizmit në Shqipëri etj.”
Tomë Mrijaj, New York, studiues dhe publiçist

Klajd Kapinova,
editor i revistës “Jeta Katolike”, New York

Në Qendrën Kulturore “Nanë Tereza”, pranë Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” në Hartsdale, New York, u bë promovimi i librit luksoz me kopertina të trasha dhe voluminoz me 400 faqe, me titull sinjifikativ: “Mri Dedja e Mërrnaçajve, zoja e hekurt me shpirt florini”, të autorit dhe njëherazi mikut tim, shkrimtarit, studiuesit të palodhur dhe skrupuloz Jozef Lazer Radi.

Promovimi i librit bashkoi shqiptarët e Amerikës në shenjë respekti, vlerësimi dhe mirënjohje të madhe për familjen zëmadhe të Mërrnaçajve, qendresën e madhe dhe të vazhdueshme burrërore të tyre, nën shembullin pozitiv, për gjithçka që ata i kanë dhënë komunitetit shqiptar në SHBA.

Kopertina e librit, është vepër e mirëfilltë artistike mjeshtërore e piktorit të talentuar Antonio Perdoda, i cili mrekullisht paraqet në ballinë portertin e skalitun të personazhit real të nënës heroinë dhe stoike Mri Mërrnaçaj.

Vepra e re, u mirëprit shumë mirë nga komuniteti shqiptaro-amerikanë, përmes një pjesëmarrje të rrallë masive të miqëve, familjarëve të Mërrnaçajve, Klubit të Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë (2001), dashamirësve të librit, përfaqësuesëve të Kishës e mediave të komunitetit në shtetet New York, New Jersey, Michigan, Connecticut, Ohio, etj., miqët e ardhur nga Kelmendi (Shqipëria), Shkodra, Lezha, etj.

Eshtë e rëndësishme të theksohet, se jetëshkrimi narrativ si orijginal në llojin e vet, është ofruar këndshëm përmes gjuhës gegnishte të latuar me kujdes, midis stilit të shkodranishtes së përpunuar të rrymës koliqiane ose më saktë të Ministrit të Kulturës shkrimtarit dhe prozatorit modern prof. Ernest Koliqit dhe astilit fin të gjuhës gegë të përdorur gjerësisht në veprat e tij shkrimore nga malcori dhe patrioti i denjë prof. Martin Camajt, e cila tregon se është një vepër e shkëlqyer e rrëfyer në vetën e parë mbi shqiptaren e shquar burrneshë, stoike dhe fisnike Mri Mërrnaçaj, përfaqësuese e dy prej familjeve më të shquara, nderuara dhe respektuara në krahinën e famshme të Kelmendit të Malësisë së Madhe, Nilaj dhe Mërrnaçaj.

Ky botim dinjitoz, është një nderim i madh e i veçantë për vuajtjet, qëndresën dhe sakrificën heroike të femrës apo nanave të pamposhtura stoike antikomuniste shqiptare.

Tek i hedh një vështrim të shpejtë përmbatjes dhe titujve të përzgjedhur të veprës reale jetësore, del se vepra në fjalë është gjithashtu në vetvete një homazh nderimi dhe përkujtimi për prindërit e Mrisë, djalit Nik Mërrnaçaj e bashkëshortit të ndjerë atdhedashës Marash Mërrnaçaj, ku fletë pas flete plot dhimbje dhe dramë mbas drame, penda e zhdërvjedhtë brilante geg e shkrimtarit bashkëkohor Jozef Lazer Radit (një pinjoll i denjë i vijimsisë së familjes zëmadhe dhe të shquar të Radëve dhe posaçërisht i babait të tij, enciklopedistit të nderuar, respektuar dhe paharruar intelektualit erudit dhe shkrimtarit të spikatur prof. Lazer Radit), paraqet hap mbas hapi qendresën heroike të vijueshme antikomuniste të familjes, historinë e guximshme të arratisjen nga ferri komunist, kalvarin e pambarim të emigrimit të tyre drejtë Malit të Zi… e më pas rrugëtimin drejt ëndrrës së madhe në vendin e bekuar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ajo që suprizoi dje pjesëmarrësit ishte vajza e re si moderatore e kulturuar dhe elegante Mikela Nonaj, e lindur dhe rritur në SHBA, e cila duke qenë mbesë e Mërrnaçajve, bëri një paraqitje dinjitoze, me fjalë të përzgjedhura me kujdes dhe efekt pozitiv gjatë gjithë takimit model, që pa e ndjerë tubimin e bukur dhe të larmishëm kaloi tre orë të këndshme. Gjuha e ëmbël gegë, që ajo fliste me një rrjedhshmëri të pastër, bëri që të merrte here pas here buzëqeshje respekti dhe duatrokitjet frenetike nga të gjithë të pranishmit, që kishin mbushur si asnjëherë tjetër auditorin tonë.

I Përndershmi famullitari ynë dom Pjetër Popaj, në fjalën përshëndetëse rrëfei udhën e tragjedisë plot kalvare dhe vuajtjeve, të cilat i dinte më përpara me detaje dhe sapo i kishte rilexuar me endje sërisht, përmes përshkrimeve të spikatura brilante të mendjes dhe pendës fine të Jozef Radit, duke e quajtur me të drejtë personazhen e librit Mri Mërrnaçajn një heroinë të vërtetë.

Në vijim të mesazhit të tij, bariu shpirtëror dom Pjetër Popaj u ndal në përkushtimin e vijueshëm fetarë të saj, si dhe cilësitë e spikatura kelmendase, si: bujarinë dhe mikëpritjen familjare, fisnikërinë, mirësinë dhe vlerat e jashtëzakonshme pozitive të familjes Mërrnaçaj e në veçanti të nënës stoike Mrisë.

Sipas programit të parashikuar me shumë kulturë dhe kujdes deri në detaje më të imta nga organizatorët, u bë paraqitja për herë të parë e një dokumentari historik, i përgatitur me nivel të lartë profesionalizmi nga kanali televiziv “TV Albanian Culture New York”, dhe paraqitur denjësisht para publikut nga regjizori dhe drejtuesi i saj Adem Balliu.

Pikërisht këtë detaj fisnikërie e ka theksuar profesionalisht dhe artistikisht producenti i dokumentarit Adem Belliu dhe familja e tij mediatike, e cila për më tepër ka pasur një lidhje e miqësi vllazërore me familjen Mërrnaçaj, që dokumentohet sot me foto edhe në dokumentarin e ri.

Aty pjesëmarrësit e shumtë mësuan disa detaje të veçanta mbi jetën e vështirë me plot sakrifica dhe mbijetese dinjitoze të nënës malësore sypatrembur Mri Mërrnaçaj dhe familjes së saj me gjashtë fëmijë.

Kush nuk e njeh dhe kush nga ne nuk ka shkuar për t’a takuar Marash dhe Mri Mërrnaçaj në shtëpinë e madhe të tyre, e cila gjithmonë ka qenë e hapur dhe mikëpritese, për të gjithë ne këtu. Kjo Derë e Madhe fisnike tipike etnike shqiptare, ka disa dekada në shërbim të panderprerë ndaj komunitetit shqiptaro-amerikanë pa dallim feje, krahine dhe ideje.

Kryetari i Bashkisë së qytetit të vogël Yonkers-it Mike Spano, falënderoi të pranishmit dhe organizatorët e tubimit. Ai u shpreh edhe nga përvoja e tij jetësore, duke thëne se: “Mësimet e historisë, kalojnë nëpërmjet dhimbjeve e vuajtjeve tona dhe tuajave...”

Ish drejtuesja e shkollës së fshatit malor Tamarë (Malësi e Madhe), mësuesja Liza Pllumbi shpalosi në detaje aspekte jetësore të familjes Mërrnaçaj dhe u ndal te vlerat e larta të Mrisë, në përballje me vuajtjet dhe fatin e jetës.

Është i rëndsishëm fakti se ligjeruesja me origjinë kelmendase zj. Pllumbi, është inisiatorja kryesore e palodhur, që Shkolla e Mesme e Bashkuar në Kelmend të marrë emrin “Nik Mërrnaçaj”.

Prek Ndue Meri (Pllumbaj), foli rreth jetës së Mrisë, historisë së luftës në Sukë së M’kushtit dhe si ai u bë pjesë e librit në fjalë.

Ai më tej apeloi me një mesazh për bashkëatdhetarët e tij shqiptaro-amerikanë, që të mos harrojnë historinë e lavdishme ndër shekuj të krahinës me emër të madh të Kelmendit në Malësi të Madhe dhe gjithë Shqipërinë.

E veçanta e takimit, ishte edhe pjesa klasike muzikore me violinë e luajtur nga dyshja Rozeta Ujkaj dhe Mimoza Lleshaj, e cila në vetvete shërbeu si një moment meditimi dhe reflektimi, paqeje e qetësimi shpirtëror.

I mirënjohuri i komunitetit tonë, studiuesi, publiçisti, ish-gazetari veteran i radios Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe Idriz Lamaj, në kumtesën e tij esenciale, u ndal në disa aspekte shpirtërore të rrëfimit të heroinës Mri Mërrnaçaj dhe njohjes së hershme, që ai kishte ndër dekada me këtë familje fisnike, qysh kur ato për herë të parë zbresin në tokën e bekuar të SHBA-së dhe vendosen përfundimisht në shtetin metropolitan të New York-ut.

Studiuesi dhe vatristi veteran Lamaj, kishte sjellë me vete si suprizë një libër të vogël uratësh, duke ia treguar publikut pjesëmarrës të tubimit dhe ia ofroi për t’a parë më pas edhe famullitarit tonë dom Pjetër Popaj, në shenjë nderimi dhe respekti të thellë ndaj të paharruarit monsinjor dr. Zef Oroshit (1912-1989), që ai vetë ia kishte dhuruar mikut të tij të hershëm dhe bashkëpunëtorit të revistës fetaro-kulturore “Jeta Katolike” (New York, 1966) Idriz Lamajt, 52 vjet më parë.

Lindita Harizaj Dema, si një ndër lexueset e para të veprës në fjalë, foli për librin, duke hequr paralele persekutimi edhe me jetën e familjes së saj, që kaloi asokohe një kalvar të gjatë dhe pambarim vuajtjesh nën regjimin komunist të Dullës…

Ajo e pikëdhuar, u shpreh se në libër gjejmë pjesë nga dramat tona, gjej shumë personazhe dhe femra të përvuajtura shqiptare.

Ky është një libër i dhimbshëm e heroik, ku në çdo faqe historike brenda saj, kam gjetur dhe veten time, ku sikurse dihet Mria është model i nënës, motrës e gruas shqiptare, tha ndër të tjera ish e pëndjekura politike dhe e persekutuara për shumë dekada, në kohën e komunizmit në Shqipëri zonja Harizaj-Dema.

Për të marrë pjesë në tubimin kulturorë kishin ardhur nga shteti ekzotik i agrumeve të Floridës Zef Naçaj bashkë me bashkëshortën e tij zonjën Marjana Naçaj.

Ajo si mike e hershme e familjes Mërrnaçaj, ish mesuesja Marjana Naçaj është njëherazi edhe reçensuese e librit Mri Dedja e Mërrnaçajve, zoja e hekurt me shpirt florini”.

Ligjeruesja Naçaj, në fjalët e saja plot elokuencë, paraqiti refleksione dhe fakte interesante mbi jetën dhe figurën e Mrisë, duke e cilësuar librin e ri si një rrëfim i nevojshëm e i domosdoshëm për të njohur më mirë historinë kombëtare shqiptare dhe të trevave kreshnike të Kelmendit në veçanti.

Ajo ndër të tjera tha se: E gjithë përmbajtja e librit mbështetet mbi rrefimet e Mri Mërrnaçaj, që së bashku me pendën e dashtun të shkrimtarit të mirenjohur Jozef Radi e bajnë këtë libër mjaft interesant për lexuesin e gjanë. Për ne, që e njofim në detaje të gjithë jetën e saj dhe kemi lexue gjithçka asht shkru nga autorë të ndryshëm, përfshi edhe librin e autorit Ndue Ukcamaj “Lotët e Françeskut dhe rrefimet e Mrisë”, bindemi plotësisht se sa i nevojshëm asht kenë ky libër i plotë, i shoqnuem me të gjithë dokumentet e sigurume nga arkiva të ndryshme. Ngarkesa emocionale, që vjen nga njohja me rrugëtimin jetësor të Mri Dedjes, i kalon të gjitha parashikimet e një lexuesi të zakonshëm. Rrëfime të nevojshme për t’u arshivu në kanalet e historisë. Për ne, që e jetuem pjesën ma të madhe të jetës tonë në atë rregjim, kuptojmë se si zhvilloheshin ngjarjet e rrethanat, por kurrsesi nuk arrinë t’a kuptojnë brezat e mavonshëm e aq ma tepër këta të sotmit, që kujtojnë se gjithçka ka kenë ashtu siç është në ditët e sotme…”

Reçensuesja e kujdeshme Naçaj, tregon se këto rrëfime të sistemuara aq bukur, duke ruajtur me fanatizëm shprehjet origjinale të personazhit kryesor të veprës Mrisë, në përshtatje me të folurin e zonës heroike të Kelmendit “e pasunojnë dukshëm librin dhe e ban atë të dashtun për cilindo që e lexon, qoftë ai me njohje apo në farefisin e saje deri tek lexuesi i gjanë. E pamë në këtë aspekt, libri rrjeshtohet pa frikë në naltësinë e librit legjendë të At Zef Pllumit Rrno për me tregue.”

Më poshtë, ajo rikujton bisedat mbi proçesin e hartimit të librit në fjalë, me autorin e veprës së re me shkrimtarin Radi, duke theksuar se: “Nga biseda me autorin Jozef Radi mëson, se për realizimin e këtij libri janë zbardhë mbi 120 orë regjistrime në manjetofon, për të ju afrue sa ma shumë të vërtetës e për t’i sistemu e perpunu ato në laboratorin e shkrimtarit e sjellë lexuesit në menyrën ma të kandshme. Një punë vërtetë e madhe dhe kjo do të shihet nga çdo lexues i këtij libri.”

Ajo si lexuese e parë e librit falënderoj me gjithë zemër nga podiumi, aktivistin e palodhur të komunitetit tonë zotin Mark Marrnaçajn, që është njëherazi edhe inisiatori i këtij aktiviteti nga fillimi dhe deri tani, duke theksuar, se: “Ke ba një punë fisnike, që koha do t’a diftoj gjithnji e ma tepër e bekimi i Zotit do të bjerë mbi ju e mbi familjen tande, se je pjesë jo e vogël e vuajtjeve të familjes së Mërrnaçajve.”

Zonja Naçaj, duke përshkruar punën e madhe voluminoze dhe të palodhur të shkrimtarit me përvojë Jozef Radi, theksoi se:Autori i librit, nuk ka për qëllim të analizojë veprimet e diktaturës së re që po instalohej, por trajton pasojat e traumat që krijoj në popullin e pafajshëm të Vuklit e Kelmendit në përgjithësi e në veçanti atë të Bajraktarit të Vuklit, që ishte edhe Dera prijëse e flamurtarëve asokohe. Nuk mund t’a imagjinojsh, që krime të tilla të jenë të pa ndëshkueme historikisht. Asht koha që historia të zhveshet nga politika dhe të thonë fjalën e saj mbi këto të vërteta. Të vërtetat vijnë në këtë formë prej kontributeve si ky që Mri Mërrnaçaj sjellë nëpërmes autorit Jozef Radi, në këtë libër me shumë vlera. E gjithë shtrirja e librit, me pasazhet që kalojnë para lexuesit, të jep përshtypjen e një romani, ku në qendër të të cilit asht Mri Mërrnaçaj. E vështirë me e mendu, e vështirë me e lexu, që një njeriut t’i ndodhin në një jetë kaq ngjarje të randa e kaq lëvizje në jetën e saj. Kujtoj, kohën kur im shoq Zef Naçaj, po shkruente librin “Forca e Kelmendit”. Unë hyna në studion e tij dhe e gjeta me lot në sy: Unë e shqetësuar e pyeta:
Ç’ka ka ndodhë!? -Asgja më tha, por po shkruej pjesën e Mrisë!”

Kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro Amerikanë poeti Mhill Velaj, në kumtesën e tij e cilësoi librin si burim historik, dokumentar e letrarë, i shkruar me një gjuhë të ëmbël, me rrëfime e përjetime autentike. Vepra e re përjetëson një figurë të veçantë heroike të femrës tipike etnike shqiptare.

Poeti Velaj, ndër të tjera në kumtesën e tij tha se: “Jo rrallë ndodh që monografitë bëhen edhe si një lloj burimi historik i rrjedhave sociale, por edhe atyre kombëtare. Të tillë do e kisha trajtuar edhe këtë monografi të shkruar me mjeshtëri nga Jozef Radi “Mri Dedja e Mërrnaçajve, Zoja e Hekurt me Shpirt Florini – Rrëfime t’nji jete”. Vepra i paraprin një parathënie e protagonistes së librit, e cila me një thjeshtësi e madhështi të fjalës së shkruar jep pasqyrimin për motivet e fillesave të kësaj monografie. Ajo ruan modestinë deri në qiell, kur i drejtohet lexuesve, por në anën tjetër tregon edhe vlerat e fisnikërinë e një gruaje të hekurt, e cila zemrën e vizionet i ka plot dashuri e mirësi, ku përmes një gegërishteje të bukur, të ëmbël e të kulluar, pushton mendjet e zemrat e lexuesve… Këtu ipen të dhëna interesante për Shpinë e Bajraktarit të Vuklit, ku në sfond hynë shumë personazhe, emra, ngjarje e përplasje historike ku si nëntemë e këtij libri zë vend edhe pjesa ”Kelmendi përballë komunizmit”, ku përmes rrëfimesh e përjetimesh autentike ipen të dhëna të shumta për ngjarjet historike, heroizmin, qëndresën dhe orientimet properëndimore të kësaj krahine të dëshmuar në shekuj për rrënjët e tij identitare, ku theks të veçantë i ipet pjesës historike Fati i dhimbshëm i familjes së Bajraktarit të Vuklit”. Libri i ngjan një kronologjie e balade të pafund familjare ku në to ndërfuten personazhe të shumtë, përvoja, guxim, pasoja dhe mbijetesë titanike. Pjesa tragjike e përshkruar në këtë libër si rezultat i rezistencës ndaj ideologjisë komuniste “Familja e Bajraktarit internohet n’Tepelenë shpërfaq dramën kombëtare të kësaj familjeje desidente që në fakt përjetoi ‘Golgothën shqiptare’.

Dhe më poshtë poeti shqiptaro-amerikanë Velaj saktëson: “Me një fjalë, është tablloja e jetës së një gruaje fisnike e malësore me rrënjë guri që rrëfen, për jetën e saj si një kronikane e historisë dhe e përjetimeve familjare, që nga lindja e saj deri në moshën e shtyer, ku ndërthur situata sa krenare po aq dramatike, sa të dashurisë po aq të sfidave e dilemave ekzistenciale, por mbi të gjitha karakteri i saj mbetet i pathyer dhe me çdo mjet arrin t’i jap kuptim jetës familjare farefisnore dhe asaj shoqërore. Mri Dedja përmes këtij libri e rrëfimi letrar është shndërruar në Orakullë dhe vetëfarkëtuese e fatit të saj. Ajo të mahnit me memorien e saj dhe elegancën madhështore për t’i rrëfyer ngjarjet krejt natyrshëm dhe me baza reale, pa fryerje e imponime. Në pjesënrrnaçajt në kurthin e Sigurimit”, rrëfehet saga familjare e kësaj familjeje e cila përjetoi torturat nga më të ndryshmet për t’i qëndruar besnik traditës, fesë, kombit e idealeve stërgjyshore.”

Në mbyllje të kumtesës së tij, është i saktë dhe i qëlluar përkufizimi i poetit Velaj se ky libër i ngjan një mozaiku apo pikture që në vete ngërthen shumë imazhe apo pamje jetësore që në thelb kanë etnikën, kulturën dhe ngadhënjimin e brezave përmbi sfidave ideologjike dhe të mirat e rrëzimet që na i ofron jeta.

Ish ushtaraku i lartë shqiptar në pension Asllan Bushati, lexoi kumtesën e poetit Sami Milloshit, i cili e quajti librin enciklopedi.

Autori Jozef Radi, në fjalën e tij përshëndetëse shpjegon se si shkak për të shkruar këtë libër, u bë Mark Mërrnaçaj, një njohës i gjithë situatës së vuajtjeve dhe bashkëvujtës e pjestar aktiv i familjes së Mërrnaçajve të Pshatanit.

Studiuesi dhe shkrimtari Radi, pas përshëndeti të gjithë të pranishmit në auditor, shpjegoi ecurinë e etapave të përgatitjes së librit dhe deklaroi për pjesëmarrësit se libri është një monument për femrën shqiptare. Ai falënderoi në mënyrë të veçantë familjen Mërrnaçaj, Mark Mërrnaçajn, Prek Pllumajn e Anton Përdodën etj.

Nëna heroinë Mri Marrnaçaj, së cilës i dedikohet kjo vepër, në fjalën e saj falënderoi dom Pjetër Popaj, atë Gazmend Tinaj o.f.m., Mark Mërrnaçaj, Jozef Radin, të gjithë folësit e të gjithë pjesëmarrësit në tubimin madhështor.

Atë Gazmend Tinaj o.f.m. në fjalën e tij deklaroi se rrëfimi i Mri Mërrnaçaj është shpallje, është simfoni e trishtë melankolike. Janë rrëfime zemre. Zemra, është memoria e ngjarjeve të trishta të njeriut. Libri, në të gjithë brendësinë e tij, është si një rrëfim për të mos harruar kurrë.

Aktivisti i komunitetit tonë shqiptaro-amerikanë Mark Gjonaj, në fjalën e tij theksoi se Marash e Mri Mërrnaçaj tragjeditë i kthyen në forcë e dhimbjen në fuqi për të ecur përpara me dinjitet e krenari.

Në përfundim të promovimit familja Merrnaçaj shtroi një koktejl për gjithë të pranishmit dhe të ardhurat nga shitja e librit ia dhuroi si gjithnjë Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” në Hartsdale, New York.

Libri është paraqitje e një epoke
dhe një mënyrë për të folur për te

Libri i plagëve dhe dhimbjeve historike familjare dhe shqiptare: “Mri Dedja e Mërrnaçajve – Zonja e Hekurt me Shpirt Floriri”, është një botim që përshkruan në hollësi vuajtjet e një gruaje shqiptare, tragjeditë e së cilës nisën që në fëmijëri, kur Shqipëria ishte nën regjimin e egër ateisto-nazikomunist.

Ai është dëshmi e koleksionit të krimeve të përbindshme të nazi-komunizmit të zi, ku të rinjtë mund të mësojnë nga e kaluara e zymtë e histoirsë së Shqipërisë, që historia të mos përsëritet më në vendin martir të shqiponjave.

…Më 13 prill të vitit 1939, në familjen e Dedë Nilajt nga fshati Vukël i Malësisë së Madhe, lindi një vajzë, të cilën e pagëzuan në kishën e fshatit me emrin Mri Dedja. Asokohe ishte një jetë shumë e vështirë.

Qysh fëmijë 5 vjeçe ajo është dëshmitare e një sërë tragjedish të shkaktuar nga barbarët komunistë në familjen e saj.

Asokohe regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut i vrau ose më saktë i futi në dhe të gjallë babain, axhat dhe dy djem të rinj të axhave dhe më pas u dogji shtëpitë dhe mori e shkatërroi të gjithë pasuritë që kishin asokohe.

Mria sot 84-vjeçe, kujton shumë e emocionuar, se: “Baba im u dogj brenda n’shpi si Oso Kuka në Vraninë. Vëllain e madh t’babës e morën, e i thanë hapë një gropë. Ai e hapi varrin për së gjalli dhe e futën të gjall në dhe, e mbuluan aty. Pa kurrfar dënimi, pa i ba asgjë t’keqe, askujt. Kol Bajraktari u largua nga shpija, sepse ende nuk u kishte ra në duar. Ata morën djalin e axhes e ia nxorën dy sytë, e mbuluan me gurë dhe aty vdiq. Ai ishte djal i ri në moshësn 27 vjeç. Tuj mos mjaftue me kaq, komunistat morën djalin e axhës tjetër, që ishte 18 vjeç dhe e prenë me brisk në qafë, 18 vjeçar… Më thanë vishu mirë, se sonte mund të na vrasin. Në duar të tyne nuk do t’u lëmë, sepse nëse na kapin, nuk do t’u shohim ma kurrë. Ne nëpër burgje e ju në internime. Ne sot duhet të braktisim jetën në shtëpinë tonë. Vjerrin e vjerrën e kishim me vete. Edhe ata të shkretët vendosën të vinin pas djemve të vet. Kemi dalë bashk dhe na u deshën 10 orë që ta kalonim kufinin… Nuk ka drejtësi, nuk ka asgjë. Ne kemi vujt, e kemi la me gjak atë që ndodhi. Për ne ka kenë gja e madhe se na fiken shpinë. Amaneti për fëmijët tanë, për brezin e ri, asht që t’mos harrojnë gjuhën, besimin në të madhin Zot, sepse aty kemi besue dhe gjithmonë na ka ndihmue. Këtë libër e kam shkrue që të mos harrohen vuajtjet në shpitë tona dhe gjithë Shqipninë.”

Këto krime tragjike me vrasje barbare ditën për diell, janë ngjarje të ngjashme më ato që bënë vazhdimisht nazistët gjermanë ndaj popullit të pafajshëm ebrej, gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore.

Për shkak të kushteve të rënda, ajo humbi edhe dy vëllezër. Nëna e saj u kthye në shtëpinë e prindërve të saj, por vdiq pak vite më vonë.

Ende pa mbushur 16 vjeçe, vajza e brishtë malësore stoike Mri Dedja u martua me Marash Mernaçajn nga krahina e mirënjohur e Kelmendit, familja e së cilit ishte vënë po ashtu në shënjestër të asgjësimit dhe persekutimit nga regjimi komunist.

Pak vite pas martesës, në moshën 19-vjeçare ajo u detyrua larg dëshirës së saj që të braktisë me dhimbje Shqipërinë dhe Kelmendin, trojet e të parëve të saj.

Kjo histori e dhimbshme e mbushur me drame të njëpasnjëshme është pjesë e një libri të ri nga një ish bashkëvuajtës në kohën e regjimit komunist në Shqipni, me autor shkrimtarin dhe studiuesin e mirënjohur Jozef Radi, i cili është kujdesur që këtë histori ta sjellë edhe në variant elektronik dhe të regjistruar në audio.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.