Mos abuzoni me policët e kidnapuar!

1
237
Policët e arrestuar të Kosovës

Shkruan: Florim Zeqa, 19.06.2023

Pas kidnapimit të tre pjestarëve të Policisë së Kosovës nga forcat e xhandarmërisë serbe në zonën kufitare, është folur e shkruar shumë, është debatuar dhe është gjykuar agresioni barbarë i Serbisë ndaj sovranitetit dhe integritetit të Republikës së Kosovës, por nuk kanë munguar as gjykimet ndaj policëve tonë kinse për “mosgatishmërinë e mbrojtjes së atdheut dhe vetes së tyre në radhë të parë”!

Nëse nuk mund t’i ndihmoni, mos i fyeni policët e kidnapuar

Disa edhe pse e dinë mirë të vërtetën dhe rrethanat që e shkaktuan rastin, fatkeqësisht kidnapimin e policëve po e trajtojnë si “dorëzim të turpshëm në duart e armikut, me pushkë në dorë dhe pa e shkrepur asnjë fishek, brenda oborrit të shtëpisë së vet”!

Mbase dikush do të dëshironte të kundërtën, që ata tre policë ta sakrifikonin veten për asgjë, e ndoshta dikujt tjetër do t’i konvenonte më shumë (për poena politikë) që ata tre policë të mos ishin fare gjallë, pra, të ishin vrarë që të mos merreshin më me ta, por vetëm t’i shpallnin heronj dhe t’ua lexonin nga një telegram ngushëllimi!

Deri në këtë nivel ka arritur marrëzia dhe morali i politikanëve të papërgjegjshëm dhe mbështetësve të tyre morbid.

Kidnapimi i tre pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, nga forcat e xhandarmërisë serbe në brendi të territorit të vendit tonë, përveqse i planifikuar dhe i organizuar mirë, mund të ketë qenë edhe i sinkronizuar me bashkëpunëtorët e tyre nga brenda!

Kidnapimi i tre policëve të Kosovës në krye të detyrës në këtë pjesë të territorit të Kosovës nuk është risi dhe as befasi për opinionin në Kosovë, për shkak se raste të tilla kemi pasur edhe në të kaluarën.

Befasi kësaj radhe mund ta quajmë mosreagimin e faktorit ndërkombëtar për lirimin e tyre pa asnjë kusht dhe mosangazhimin e sinqertë të qeverisë së Kosovës për fatin e tyre.

I trishtë dhe befasues ishte reagimi i kryeministrit Kurti ndaj pyetjes së një gazetarje për mundësinë e këmbimit të tre pjestarëve të policisë së Kosovës me serbët e arrestuar në veri, me ç’rast gazetarja u kritikua ashpër nga kryeminsitri për pyetjen e parashtruar!

Të përshpejtohet trasnformimi i FSK-së në FARK

Rasti i fundit i kidnapimit të tre pjestarëve të Policisë së Kosovës, e shtron pyetjen logjike,

sikur të mos ishte prezenca KFOR-it në Kosovës, a jemi ne të gatshëm si shtet ta mbrojmë vendin nga agresioni i mundshëm ushtarak i Serbisë?!

Lirisht mund të themi JO!

Pasi, për fat të keq, edhe pas 24 vjetësh nga çlirimi, forca kryesore mbrojtëse e shtetit tonë mbetet KFOR-i, pasi Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ende është e margjinalizuar sa i përket kapaciteteve ushtarake dhe armatimit, i cili është në disporporcion të plotë me forcën ushtarake të Serbisë!

Transformimi i gjatë 10 vjeçar, apo rrita e ngadaltë dhe e kontrolluar e FSK-së nga forcat e NATO-s është ndihmë e drejtëpërdrejt për shtetin e Serbisë.

Përderisa Serbisë i lejohet të pajiset me artileri të rëndë, raketa me rreze të gjatë veprimi dhe aeroplan bombardues të tekonologjisë së fundit nga Rusia dhe Kina, FSK-së dhe shtetit të Kosovës nuk i lejohet ta ketë as një Helikopter, të paktën për nevoja emergjente për bartjen e të sëmuarëve apo të aksidentuarëve nga vendodhja në QKUK apo në spitalet rajonale!

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq është duke e përdorur me mjeshtri të madhe kryeneqësinë e Albin Kurtit ndaj ndërkombëtarëve që nga dita e parë pas kidnapimit të tre policëve të Kosovës, duke ju kërkuar përfaqësuesve të QUINT-it, që të bëjnë gjithçka që është në dorën e tyre në parandalimin e Albin Kurtit, siq e thotë ai, kinse “për të mos e nisur një luftë të re në Ballkan”!

Lufta në fjalorin politik të Vuçiqit, është tregues i rrezikut të shpërthimit një lufte të re në Ballkan. Duke u bazuar në forcën tonë reale (minimale) ushtarake dhe mungesën kapaciteteve të FSK-së për një përballje nga sulmi eventual i Serbisë, shpëtimin duhet ta kërkojmë sërish të miqtë tonë, tek NATO dhe SHBA!

Çdo veprim kokë në vete i kryeministrit tonë dhe i pa koordinuar me partnerët ndërkombëtar mund të jetë fatal për shtetin e Kosovës. Krahas kërkesës drejtuar KFOR-it për përmbushjen e detyrimeve dhe obligimeve të marra nga NATO dhe Këshilli i Sigurimit të OKB-së, kryeministri Albin Kurti duhet të kërkojë edhe përshpejtimin e transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK), si forcë mbrojtëse e përhershme e integritetit dhe sovranitetit të shtetit tonë.

1 KOMENT

  1. Zoti Zeqa, askush nuk është t’ue abuzuar por nëse vazhdohet kështu Serbia, do të na viktimizoj dhe do të na përdhos edhe atë pak krenari. Skena si këto patëm parë edhe më herët në kufirin Kosovë – Serbi, afër zonës kufitare në Merdare. Sigurisht u kujtohet kur tek hoteli Grand në Prishtinë, nga policia e Kosovës, është kapur një serb i armatosur. Dy – tri ditë u çua pluhër rreth tij dhe më kurrë nuk u njoftua opinioni se çfarë mase dënimi u shqiptua ndaj tij. Ai me siguri pa i munguar as qimja e flokut u kthye në Serbi.

    Me institucione të improvizuara dhe të brishta kurrë nuk krijojmë shtet serioz dhe stabil.
    Shohim komente kujt t’i mbaj le të shkoj në Veriun e Mitrovicës, këto sugjerime janë provokuese.

    Ata që kanë pranuar të jenë pjesë e Policisë së Kosovës, aty kanë hyrë me vetdëshirë, besa edhe me njëqind ndërmjetësues. Botërisht dihet që nuk kanë hyrë të duhurit dhe të merituarit. Zoti Kosovës i ka falë rini të mjaftueshme dhe të shëndetshme për çfarë ia kanë zili të gjithë.

    Rekrutimi i policëve në vendet e Perëndimit bëhet nga specialistë të Mjekësisë dhe ekspertë të fushës së kësaj lëmie, brenda institucionit gjeggjës. Aty duhet të përfshihen djem e vajza të shkathët, pastaj loja e Serbisë me ne do të jetë më ndryshe. Futbollisti ynë Lorik Cana në zemër të Beogradit i pati zhdukur dajak luluganët serbë. Ngjashëm pati vepruar edhe Granit Xhaka, ndaj portierit të Serbisë përpara mijëra shikuesëve. Nuk qëndrohet pafundësisht në rolin e viktimës. Ushtria dhe Policia e një vendi nuk duhet të jetë e Qeverive, por duhet të jetë e popullit.´

    Kur në pyetje është integriteti personal dhe të cenuarit e territorit as një polici e botës nuk pret konstruksione nga jashtë, por vepron konformë ligjeve të vendit të tij.

    Normalisht në momentin kur ka ndodhur Kindapimi është dashur të intervenoi KFOR-i, që këtë punë e ka detyrë dhe mision.
    Vazhdimisht kemi kritikuar që po i ofrohemi dekadës së tretë të çlirimit dhe ende nuk kemi shtrirje të pushtetit tonë në Veriun e Mitrovicës. Tash kur tentohet me u luftua krimi dhe me u shtri pushteti kritikojmë, se qenka dashur të qëndrojmë në status – kuo.

    Këtë gjendje Albin Kurti, e ka trashëguar prej Qeverive të më parme, të cilat kanë lejuar që Veriu i Mitrovicës të shndërrohet nën Colorado të dytë të krimit dhe kontrabandës.

    Në këtë zonë ka edhe interesa të huaja rreth Trepçës dhe Ujmanit. Sikurse të kishte gatishmëri për paqësim këtu duhet të ishin të vendosura forcat Amerikane, Britanike e Gjermane, e jo francezët para syve të të cilve edhe pagrimë dyshimi me ndihmën e tyre janë arratisur nga Burgu i Mitrovicës, qindra kriminelë serbë, që kanë kryer krime e dhunime në Kosovë. Fatkeqësisht fati i popujve të vegjël mbetet në duarët e të fortëve.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.