Një tufë poezish nga autorja:
Elife LUZHA
PËRPLASJE
Rreze të vezullimta yjesh ndriçuan fushnatën
Dritësimë e zbehtë gjysmëhëne ia behu fill
Luadheve në errësirë aromë vese u vjen
Hapësirave të mugëta kalamendet ëndrra ime
Asnjë xixë shkëndijuese dot s’e mbërrin
O përjetësi hyjnore dritës agullimave lindur jam
Tempull perëndish në fole zjarri ngrehur
Ballëqiellit tim lartësitë ilire rrezëllojnë
Unë bijë yjesh isha dhe do të jem gjithmonë
Amin!
DALLGËT E JETËS
Në qiellin gri fryn veriu
Ngricë e egër shtrihet akullnajë
Dallgë të ethta drithëruese
Në trupin tim lanë gjurmë
Që nga belbëzimi im i parë
AFËR
Unë edhe ti
Nën një strehë qielli
Sa afër
Dëshira fërfërin
Por nuk flasim
Krenarinë
Nuk duam ta vrasim
TAKIMI I FUNDIT
Zemrat u dridhën
Nga ndjenjë e harlisur
Pa fjalë
Dhembja u ngjiz
Me lotin
Në buzë të përtharë
Fjalët e pathëna
Lëng bore
Në shikimin plot zjarr
Nuk e dita
Të besoj nuk desha
Për erërat që frymojnë
Detet ngrehin dallgë
Po ylberët
A ka kush t’i ndalë
IMAGJINIM
Me lot krijova lumë
Lumi rrodhi në det
Atëherë u ngrit vala
Sa s’e përpiu shkëmbin
Sa pata dëshirë ta shihje
Se si shkumëzat i bëra zinxhirë
Matanë detit i hodha
Desha të vij te ti
Si në ëndrra
A thua në ëndrra
Të krijova edhe ty.










