STUDIM QË NDRIÇON DISA NGA VLERAT KRYESORE TË POEZISË SË RAMADAN MUSIUT

0
820
Anton Nikë Berisha - Ramadan Musliu

Me rastin e botimit të studimit të Anton Nikë Berishës “Ramadan Musliu, poet i mirëfilltë modern”. Shtëpia botuese “Beqir Musliu” Gjilan 2022

(Fjalë paraprake e Anton Nikë Berishës)

Në botën tonë letrare një nga dukuritë e dëmshme, për të mos thënë të shëmtuara, që bën jetë vite me radhë e vazhdon të jetë e pranishme edhe sot e gjithë ditës, është se shkrimtarët tanë i lexojnë pak veprat e njëri – tjetrit. Edhe në rastet kur ndodh që t’i lexojnë, atë e bëjnë në mënyrë sipërfaqësore ose nxiten nga shkaqe jashtëletrare. Janë pak shkrime që merren mirëfilli me tekstin, me veçantitë dhe me vlerat e tij poetike, që do të ishte veprimi i natyrshëm dhe i domosdoshëm: një shkrimtar shkruan për veprën letrare të një shkrimtari tjetër, qoftë të njohur ose të panjohur, duke pasur parasysh vetëm vlerat e tekstit.

Kjo dukuri s’ka qenë me pasoja vetëm për shkrimtarin për veprën e të cilit është shkruar, po është shtrirë edhe në rrafsh me të gjerë: ka pësuar gjithë letërsia jonë; janë ngritur në qiell dhe janë përcjellë me fjalë të mëdha e me retorikë deri në keqardhje, veprat që s’kanë pasur vlera, që s’kanë pasur ndonjë rëndësi për artin tonë të fjalës. Në të kundërtën, janë lënë anash dhe nuk është shkruar për vepra që njëmend janë dalluar me vlera të mirëfillta, me që i bënë ballë jo vetëm kohës kur u hartuan, po edhe kohëve në vijim.

Diçka e ngjashme, e dëmshme pa dyshim, për të mos thënë e shëmtuar, ndodhi dhe me poezinë e Ramadan Musliut. Jo vetëm që ajo nuk u lexua dhe nuk u vlerësuar si e meritonte, po edhe ato pak shkrime që u botuan për poezinë  tij, janë më tepër shkrime të rastit; kanë prekur ndonjë përbërës të saj, po asnjë nuk e vështroi atë në tërësinë e saj; veçantinë e sistemit të të shprehurit, stilin, gjuhën poetike; gjithë atë që e bën të rëndësishme dhe të mëvetësishme një vepër ose krijimtarinë poetike të një krijuesi.

Ky studim rreth poezisë së Ramadan Musliut është fryt i disa leximeve të gjithë poezisë që ky autor botoi. Jam marrë gjatë sidomos  me poezinë e zgjedhura të tij të botuar në vëllimin “Shtjellë shpirtërore[1]”. Pra, studimi si i tillë ndriçon disa nga vlerat kryesore të poezisë së tij, duke u mbështetur para së gjithash në tekstin, si përbërësin kryesor, në veçantitë dhe vlerat poetike që e cilësojnë atë.

Natyrisht, studimi nuk synon të jetë shterues, po jep të dhëna e fakte konkrete për qenësinë dhe vlerat e kësaj poezie dhe hap shtigje për qasje nga rrafshe të tjera.

Prishtinë, janar 2022

Si moto të studimit të vet autori ka vënë këtë mendim të qenësishëm të Anton Pashkut:

* * *

“Që në ag të artit, pra, që në mjergullat e paleolitit, njeriu – krijues bëri përpjekje për të depërtuar matanë pseudokonkretes që e rrethonte, bëri hapat e parë drejt bërthamave të fshehura ndër grumbujt e gëzhojave. Në të vërtetë, gjatë krijimit nuk e interesonte aq shumë uji i lumit që vinte e shkonte, po ‘ajo’ që sillte kur vinte dhe ‘ajo’ që mbetej pas tij, kur shkonte […] Thënë ndryshe, nuk e tërhiqte fort rraptima që dëgjohej nga të gjithë, po ‘ajo’ që shkaktonte rraptimën. Kjo, me siguri, nuk ishte kurrfarë ikje nga realiteti objektiv, se nga ai, ashtu sikur edhe artistit të sotëm, i vinin impulset, se ai shkaktonte imperativin për t’u orvatur të shprehë ‘atë’ që vinte nga jashtë dhe, të transformuar, ta paraqesë në faqet e shkëmbinjve (kur vizatonte në të – v. ime). Në transformim e sipër ‘gjërat’ pastroheshin, qëroheshin, kulloheshin, ‘zvogëloheshin’, për t’u bërë pastaj më të ‘gjëra’ në shkëmb; ato vinin e shndërroheshin në një gjuhë figurative që ngërthente më vete palcën e tyre, qenësoren, në një gjuhë që me fuqinë e vet për transformime çeli shtigjet që çonin kah kristalizimi i shpirtit të njeriut[2].”

ANTON PASHKU


[1] Ramadan Musliu, Shtjellë shpirtërore. Poezi e zgjedhur. Zgjedhjen dhe parathënien Anton Nikë Berisha. Shtëpia botuese „Beqir Musliu“, Gjilan 2021.
[2] Anton Pashku, Mbi komunikimin poetik. Në “Jeta e re”. Revistë letrare, n° 4 (Kushtuar Anton Pashkut), Prishtinë 1996, f. 610.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.