Kujtesë në histori
Kullën e Shaban Jasharit në Prekaz të Drenicës, më 22 janar 1998 e sulmuan herët në mëngjes forcat serbe më tërë arsenalin e armatimit.
Pas këtij sulmi serb kundër familjes Jashari, morëm udhë në orët e mbrëmjes me Avdyl Jashari dhe arsimtarin Latif Sallahu për në Prekaz për të vizituar kryefamiljarin Shaban Jashari.
Në dyert e odës na pritën disa burra të lagjës Jashari të Prekazit dhe hymë brenda, duke u përshëndetur sipas traditës së odës shqiptare në Drenicë.
Shaban Jashari që shihej në fytyrë se kishte mbetur pa gjumë dhe i lodhur nga krismat e pushkëve, në mbrojtje të pragut të shtëpisë dhe, siç thoshte të tokës së vet në Drenicë, na dëshiroj mirë se keni ardhur…!
Arsimtari Latif Sallahu me aparatin e tij i bëri disa fofografi në odën e Shaban Jasharit në Prekaz të Drenicës, ndërsa plaku me plis të bardhë sikur në fytyrën e tij lexohej tërë historia e përgjakur e Drenicës në luftë më Serbinë e krajlave dhe të kohës së Rankoviqit dhe të kryekriminelit Sllobodan Millosheviq.
Në këtë takim në odën e Prekazit, plaku me plis të bardhë dhe i lodhur nga krismat e pushkëve më forcat paramiltare të Serbisë, duke i fshirë djersët e ballit, nisi e tha zëshëm:
– Hasmi serb erdhi e na sulmoi në shtëpinë dhe në pragun e tokës tonë në Drenicë. Ne ia kthyem pushkën bashkë me nipin tim të vogël, që, në orën e zjarreve të krismave të pushkëve, erdhi afër meje dhe më ndihmoj me fishekët e pushkës time, ishin këto rrëfimet e Shaban Jasharit para burrave në odën e Prekazit.
Dikush e mori fjalën dhe në odë folën edhe burrat tjerë që, në këto çaste të luftës së familjes Jashari me forcat e Serbisë kishin ardhur për të qëndruar në krah të burrit të Drenicës, Shaban Jashari me familjen e tij.
Për fund e kam parë se si Shaban Jashari me familje ishte bërë gati që në çdo moment të bëj ballë hasmit të Serbisë dhe, për një çast ai foli edhe një herë:
– Nuk e kemi ndërmend që të lëshojmë pragun e shtëpisë dhe tokën tonë, -ishte porosia e Shaban Jasharit në odën e tij në Prekaz dhe si kushtrim i Drenicës, bëhuni gati të luftojmë bashkë për lirinë e Kosovës…!
Çikago, 22 janar 2022