Autore:
Elife LUZHA
Tragjedia e vitit 1830 në Manastir, ku u vranë dhe u masakruan mbi 500 prijës shqiptar nga autoritetet osmane, përbën një nga ngjarjet me pasoja më të rënda në historinë politike shqiptare. Përtej humbjes së qindra jetëve, kjo ngjarje shënon goditjen e një pjese të rëndësishme të elitës drejtuese, duke ndikuar në dobësimin e kapaciteteve të shqiptarëve për organizimin e mëvonshëm shoqëror dhe politik.
Tragjedia e Manastirit, ashtu siç shkruan edhe Ismail Kadare në librin “Komisioni i festës”, na shtyn të reflektojmë mbi fatin e një populli, kur nga gjiri i tij eliminohen pikërisht ata njerëz që do të mund ta udhëhiqnin, ta organizonin dhe të ndërtonin vizionin e tij kolektiv.
Në një këndvështrim më të gjerë historik, nga periudha e sundimit osman e deri te lufta dhe çlirimi i Kosovës, vërejmë se, ndonëse në forma dhe rrethana të ndryshme, është përsëritur dukuria e eliminimit, përjashtimit, margjinalizimit apo nënshtrimit të elitave politike dhe intelektuale shqiptare.
Këto goditje, ndër tjera, kanë ndikuar edhe në ndërprerjen e vazhdimësisë së mendimit politik, të përvojës drejtuese dhe të kulturës së organizimit shoqëror.
Kur një regjim i largon nga jeta publike individët e pavarur ose i nënshtron ata, ndërsa një tjetër e kushtëzon përparimin me besnikërinë politike dhe jo me meritën, shoqëria rrezikon ta humbë hapësirën e nevojshme për të kultivuar një traditë të qëndrueshme të udhëheqjes.
Megjithatë, mungesa e një elite të mirëfilltë politike nuk mund të shpjegohet vetëm me goditjet që shqiptarët kanë përjetuar gjatë historisë, por edhe me mungesën e vullnetit politik për të kultivuar dhe përgatitur breza të rinj udhëheqësish, me një traditë të shëndoshë të trashëgimisë drejtuese.
Një udhëheqës i mirëfilltë nuk duhet të synojë të qeverisë gjatë gjithë jetës, por të përgatisë pasardhës që, nesër, të jenë të aftë të vazhdojnë udhëheqjen po aq mirë, madje më mirë se ai vetë.
Mirëpo, udhëheqësit tanë politikë, në vend që përgatitjen e personaliteteve të reja ta shohin si kontribut për të ardhmen e vendit dhe të subjekteve të tyre politike, shpesh e konsiderojnë atë si rrezik për pozitën dhe ndikimin e tyre.
Pikërisht kjo është njëra ndër arsyet pse shoqërisë sonë nuk i kanë munguar ata që kanë synuar ta marrin pushtetin, por ata që kanë pasur aftësi, vizion dhe përgjegjësinë për ta ushtruar atë në shërbim të interesit të përbashkët.
Për ta kuptuar më mirë këtë problematikë, duhet të sqarojmë se elita nuk është thjesht një grup njerëzish të pasur apo individësh që zotërojnë pushtet.
Elita politike përbëhet nga njerëz me përvojë, me horizont të gjerë dijesh, me autoritet moral dhe me aftësinë për të menduar përtej interesave të ngushta personale apo partiake. Ajo përgatit pasardhës, përcjell përvojën, vendos standarde dhe, në rastin më të mirë, kufizon arbitraritetin e pushtetit.
Prandaj, kur një shoqëri e humb këtë shtresë, ajo nuk humb vetëm njerëzit që e përbëjnë atë, por edhe vazhdimësinë ndërbreznore të udhëheqjes, traditën e organizimit dhe mekanizmat përmes të cilëve përgatiten dhe formohen udhëheqësit e rinj.
Historia na kujton se shkatërrimi i elitave mund të lërë pasoja të gjata, ndërsa mungesa e mekanizmave për ripërtëritjen e tyre mund t’i zgjasë këto pasoja për breza të tërë.
Pasojat e kësaj mungese janë të dukshme edhe sot. Ato i shohim në zhgënjimin e qytetarëve ndaj udhëheqësve politik, në protesta dhe në debatin e vazhdueshëm mbi arsyet pse e kemi kaq të vështirë të ndërtojmë institucione që funksionojnë përtej individëve.
Megjithatë, kjo gjendje nuk është e pakthyeshme.
Një shoqëri e organizuar në shtet mund të krijojë dhe të kultivojë një elitë të pavarur, të aftë dhe të përgjegjshme, të mbështetur në dije, meritë dhe përgjegjësi publike.
Një shoqëri e organizuar në shtet nuk mund të mbështetet gjithmonë te të ashtuquajturit njerëz të mëdhenj, por duhet të mbështetet te institucione të forta, që nuk i nënshtrohen vullnetit të individëve, te intelektualë që nuk heshtin përballë pushtetit, te një administratë profesionale dhe te një opinion publik që kërkon llogari.
Në realitet, një shtet i organizuar fillon pikërisht atëherë kur e ardhmja e tij nuk varet nga madhështia e individëve, por nga qëndrueshmëria e institucioneve dhe vazhdimësia e vlerave që ata ndërtojnë për t’ua lënë brezave që vijnë.


