Recensë
– Mbresa leximi nga libri me tregime të shkrimtarit
Ndue Dragusha “Një çast nga jeta e Leonorës” (Geer, Tiranë 2026) –
Nga Llesh NDOJ
Të shkruash për personin dhe personalitetin e Ndue Dragushës është një punë krejt e lehtë. Portreti i tij, gjuha e ëmbël e komunikimit njerëzor, mirësia që shfaq në të gjithë qënien e tij, të bën shpejt për vete. Ndërsa të shkruash për veprimtarinë e tij, atë njerëzore, profesionale, botuese, intelektuale e krijuese në tërësi, nuk është e pamundur, falë aktivitetit të tij publik aq të gjerë dhe shumëplanësh, që rrallë mund të haset dhe që e ka bërë atë të njohur për shumëkënd e gjurmët e tij të lehta për t’u gjurmuar. Mirëpo, të shkruash për një vepër të veçantë të tij, nga shumësia e veprave të botuara, sigurisht që nuk është e pamundur, por është jo e lehtë, e kjo për shkak të thellësisë së mendimit filozofik, mesazhit të koduar që përcjell dhe vlerave artistike dhe letrare, gjithnjë “të maskuar” me fjalën e bukur artistike e shumëformësinë krijuese, që ai shpalos përpara nesh. Thashë se mendoj se është jo e lehtë, por kjo nuk do të thotë e pamundur dhe nisur nga premisa, se vështirësitë veçse më motivojnë, po ndaj disa mendime rreth prurjes së tij më të re në prozë në librin me tregime të titulluar “Një çast nga jeta e Leonorës”, botim i vitit 2026 nga SHB “Geer”, Tiranë.
Ndjeva vetëdetyrimin t’a lexoj e komentoj këtë libër, të cilin autori m’a dhuroi si gjithnjë me atë buzëqeshjen e tij karakteristike. Duke e njohur mprehtësinë e çdo fjale apo shprehje të tij, e hapa shpejt kapakun e librit e sytë më shkuan tek një dedikim i autorit, që më vuri në siklet. Aty shkruhej: “Mikut tim që është turp të mos e kesh mik…”. Për mua është nder që e kam mik, që e lexoj e mësoj prej tij dhe më lexon, që e shoh gjithnjë aktiv ku mosha e tij, veç bardhësisë së flokëve, thuajse nuk ka lënë shenja tek ai. Ndoj është i qeshur edhe kur nuk i buzëqesh koha, është shumë pozitiv edhe pse në shpirtin e tij shpesh herë dalldisen dallgë që ia rrezikojnë ekulibrin. Gjithnjë tek Ndoj, në çdo pamje, bisedë, referat e gjendje, kam parë kujdesin e tij që përpara të tjerëve të shfaqë njeriun, Ndue në variantin e tij më të mirë, jo dijet, gradat, postet apo pasuritë e tij. Dhe ai është i pasur. Është i pasur se ka dashuri, është i ri se ka motivim, është i thjeshtë se zotëron dije dhe fytyra e tij ka rrezatim hyjnorë, sepse ai ka besim.
E prisja që libri i ri t’m’i shpaloste katërcipërisht këto cilësi të autorit Ndue Dragusha. Leximi i tij i vëmendshëm m’a vërtetoi se edhe me subjektet e personazhet e tij, ai na zbulon madhështinë e njeriut të thjeshtë, ku ata janë një si ne, që nuk synojnë të bëhen heronj, por duke mbetur njerëz në çdo situatë, zmadhohen para nesh e marrin fytyrën e heroit. Kot nuk thonë se pija mban shijen e enës ku ruhet. Ndue Dragusha madhështohet para njerëzve që e njohin, jo për bëma ngritur mbi piedestale boshe, por për thjeshtësinë e njerëzillëkun e vet, tipare që e ngrenë në piedestale të sigurta portretin e tij, aty ku është e ashtu siç është. Drama e tranzicionit të tejzgjatur shqiptar nga një sistem ku njeriut nuk i lejohej të “kishte fytyrën e tij”, drejt një sistemi ku secili mundet t’a formësoje atë me punë të ndershme e djersë, por që fatkeqësisht ka ngecur e ngjanë me pamjen në një pasqyre të bërë copash, është tema që autori ka zgjedhur më së shumti të na e përcjellë përmes rrëfimeve të tij të bukura, në dukje pa lidhje me njëra – tjetrën, por që në fakt plotësojnë bukur mozaikun e boshllëkut shpirtërorë, që u krijua nga rrokullima e ngjarjeve të njëpasnjëshme, rrokullimë që s’po di të ndalet edhe pas mbi tri dekadash.

Këta personazhe e rrëfime vijnë përmes kontrasteve të thella e të bukura, që vetëm autorë si Ndoj mund t’i sjellin, të tilla si kontrasti mes pasurisë materiale e asaj shpirtërore, të parës që shtohet e të dytës që tretet, kontrasti midis dukut e brendisë, ku fasada është më e rëndësishme se brendia, kontrasti midis moralit që shitet si mall tregu e pretendimeve moraliste të shitësve të tij, kontrasti midis traditës e së resë, ku më i forti vepron me lirinë e kohës e ty të imponon shtrëngesat kanunore, etj. Shpopullimi i vendit, fshatrat që rrënohen, shtëpitë – vila ku fle vetmia, rënkimet e pleqve e mungesa e rinisë, udhëkryqet e familjes, ku pleqtë mbeten të vetmuar e fëmijët mbeten pa prindër, një jetë ku alkooli e rendja pas qejfeve vetjake, njëri nga dera e tjetri nga dritarja, janë sjellë nga autori jo vetëm plot dramacitet e me një gjuhë të bukur artistike, por edhe me mesazhe edukative dhe didaktike të forta, gjithnjë pa rënë në moralizime boshe. Ja si vjen njëri prej këtyre kontrasteve: …nga 600 shtëpi të fshatit nën malet që zbardhonin nga dëbora, thuajse bosh, u ngriten 18 vila ku jetonin vetëm 8 pleq, më i riu prej tyre 45 vjeç! Ky, “më i riu” i fshatit, martohet dhe… Drama vijon: Shtatë ballkone vrojtojnë një, por gradualisht ballkonet u shuan e ai mbeti i vetëm e s’kishte më as kush t’a vrojtonte. Mbetën si dëshmitarë vetëm dëbora në male dhe dritat në fshat që “…ndriçojnë boshllëkun…”, por askund s’ka zëra njeriu, thotë autori Ndue Dragusha.
Kjo panoramë e shfaqur prej tij në çelje të rrëfimeve të këtij libri, pasqyruar në tregimin e titulluar “Shpresa e vetme…”, që mbyllet me simbolikën e dritave ndezur, të vetmet që presin, të përgatit për zhvillime të tjera dramatike, dialogje, konflikte shoqërore e shpirtërore, drama jetësore, që një pas një do të na shpalosin në vijimësinë e tyre edhe tipin e njeriut që koha e re e farkëton. Unë nuk di se si ka ndodhur të shkruarit e nëntëmbëdhjetë tregimeve që përbëjnë këtë libër, pasi ato nuk janë të njëkohëshme, por di që secila prej tyre sjell një personazh të ri, na prezanton me një ndodhi të re, në dukje pa lidhje, por që në fakt funksionojnë si një e tërë e të nëntëmbëdhjeta së bashku shpalosin idetë e autorit, por e marr me mend se përzgjedhja e tyre në renditjen e bërë në libër ka qenë e ndërgjegjshme prej tij, me synimin që peisazhi ku lëvrijnë personazhet, ngjarjet që shpalosen përmes tyre e mesazhet, t’a plotësojnë gradualisht panoramën e këtij libri si të ishte një subjekt unik. Kjo është magjia e penës së shkrimtarit Ndue Dragusha. Nga tregimi në tregim, hyn në libër një personazh i ri, i përzgjedhur me kujdes për të shpalosur fytyrën e vet përballë pasqyrës së kohës. Në personazhin e Leonorës, tregim që i ka dhënë edhe titullin librit, shfaqen të gjitha fytyrat, apo pafytyrësitë e kohës ku jetojmë, jeta fasadë, konflikti tashmë i hapur midis përmbajtjes e formës, lidhja midis politikës e kur…ërisë, që polli edhe kur…ërinë politike, si mostër përfaqësuese e kësaj kohe.
Leonora, personazhi që kishte kohë që bënte prostitutën, kur e sheh kur…ërinë e politikës, i jep kurajo vetes dhe nuk ndjehet e turpëruar, por i duket se qëndron më lart nga ajo, sepse Leonora e bindi veten, që ndonëse ato ishin si dy motra, nuk ishin e njëjta gjë. Pse? Sepse Leonora nuk gënjente askënd, kurse politika po! Sepse politika nuk i shërbente askujt, ndërsa ajo u shërbente njerëzve… E gjithë kjo zullumahi tipike e luftës së brendshme i shfaqet asaj në ekranin e televizorit, pas një nate të lodhshme pune, kur kryetari i bashkisë, prefekti e të tjerë personazhe publike, shfaqen në një emision televiziv duke folur për moral e për programe sociale në mbështetje të femrave të dhunuara, të vetmuara e në gjendje rruge, ndërkohë që asaj në ekranin e kujtesës së afërt i shfaqen imazhet e netëve, që kishte kaluar me ta moteleve të bregdetit. I ushton pastaj fjala e kryetarit në njërën nga ato çaste çliruese kur ai i pëshpërit asaj në vesh: – Duhet menaxhuar koha si ti seksin, e unë bashkinë! “Ditën shesin shpresë, e natën blejnë heshtjen.”, – tha me vete ajo. E ndërsa qyteti kishte ngrirë në akullnajën e ditës me dëborë, Leonora kishte ngrirë krejtësisht në vetminë dhe mëdyshjet e saj.
Secili personazh i përzgjedhur me kujdes nga autori Ndue Dragusha, përmes të cilit komunikon me lexuesit, hyn natyrshëm e bëhet pjesë e pazzëll – it, me veçoritë e tij, e të gjithë e plotësojnë më së miri skenën gjigande të kohës që ka mbirë. Sokoli, burri i moshuar që e nxjerr jetesën duke mbledhur kanaçe nëpër kazanat e mbeturinave, në përpjekjen për mbijetesë, “ballafaqohet” me një mi gjigand në cepat e kazanit, gjë që kalon “pa konflikt” mes tyre, sepse ajo çfarë kërkonte njëri nuk i interesonte tjetrit, por ai nuk i shpëton ballafaqimit me veten, as konfliktit të brendshëm, që nga moment në moment sa vjen e shtohet. Paradoksale vjen fakti se ndërsa s’i hyn në sy as të birit, që xhiron gomat e makinës në afalt, duke shetitur me të dashurën derisa përfundon në aksident, vetë jeton me të shkuarën, me pamjen e gruas që ndërroi jetë ditën e lindjes së djalit, ndjenë të qarat e tij trishtuese të asaj dite, e mban në gji një foto të tij, të cilën makina e aksidentit e kishte nxjerrë diku anash rrugës.
Mëdyshja e kohës kur jetojmë, zbret pastaj edhe në shtratin bashkëshortor, ku vijnë përmes fjalëve të përzgjedhura mjeshtërisht, raportet dashuri – besnikëri – moral. Përmes një trajtese psikologjike e të bukur, autori shpalos përplasjet mes dashurisë e besnikërisë, iluzionit e zhgënjimit dhe konkludon me një thënie brilante: “Ta bëjmë lumturinë tonë harmoni me natyrën dhe dashurinë tonë, duke mohuar brenda vetes çdo pengesë që na ndanë nga koha (28), shqiptuar përmes dialogjeve të personazheve të tregimit. Në atë çast dhoma u mbush me një heshtje të shenjtë…, ëndrrat zgjuan zemrat dhe ata e ndjenë se koha kishte filluar të rrjedhë në një ritëm të përbashkët,…”, janë vijimi që e përligj më së miri sa më sipër.
Ja, krejt natyrshëm autori na bart tek një tjetër mëdyshje: E reja dhe e vjetra, tradita dhe modernia dhe nevoja, për të ndjekur kohën në harmoni me natyrën e veten e çliruar nga zhgualli i së vjetrës, me qëllim që të ndjehemi të lumtur, sepse …koha nuk është një vijë e drejtë, por një spirale ku përplasen e shkuara dhe e ardhmja, e ku aty në mes qëndrojmë ne, në një moment të përjetshëm (nënkupto të pa përsëritshëm), që të sfidon me faktin se koha ikën, që momenti është unikal, i përjetshëm dhe se në kontaktin midis tyre (dy kohëve) lind e reja, krijimi e vijimësia.
Natyrshëm e si një “personazh” enigmatik, siç është në të vërtetë, hyn koha e re, koha e rrjeteve sociale, e celularit dhe e njohjeve pa njohje. Poeti përshëndetet nga shitësja e gazetave, që e uron për poezitë, që ai nuk e dinte se janë botuar, një komentues (i burgosur) i bën komplimente në facebook e në mes tyre lind një miqësi virtuale. I burgosuri i rrëfen se ishte dënuar, sepse në përpjekje për të shpëtuar nga rrëmbimi me qëllim prostituimi të një vajze, kishte therë një djalë e ky kishte qëlluar edhe fëmijë politikani. As vajza, as familja e tyre nuk dëshmuan në gjyqin kundër tij, ndërsa politikani ia hapi atij “dykanatësh” dyert e burgut, për jo pak, por 25 vite… Trokasin të tjera mëdyshje të kohës, sepse përpiqesh të jesh njeri dhe dënohesh, kurse kriminelëve u krijohen hapësira për krime të reja, nëse kanë para e lidhje me pushtetin (36). Pastaj shfaqet Rolandi, djali i të burgosurit, me fytyrën hyjnore, i cili lidhet me poeten e re, edhe pse lidhja hasi në kundërshtimin e fortë të të atit, duke i ofruar asaj parajsën. Gjermania e destinacioni për prostitucion, ishin oferta e fshehur pas dashurisë. Natyrshëm vjen pyetja: – Kë dashurojmë? Djalli luan lojën me maska, e ka fytyrën e shenjtit, që shfaqet përmes shprehjes “Edhe kripa është e bardhë por s’është sheqer”. Babai vuan burgun, se shpëton nga rrëmbimi vajzën e dikujt që as e kishte njohur, i biri “dashurohet” me vajzën e tjetrit për t’a prostituuar.
Interesante e me rrezatim të fortë është vizita në studion e piktorit M. Paluca bashkë me mikeshën e panjohur dhe vila e vetmuar në plazh, si pikturë e tij, por që vizitoren e trazon keq përmes kujtimeve të trishta, ku në jetesën “brenda saj”, fjala “të dua” e bashkëshortit i vinte përmes telefonit, prej nga s’dihet se ku e n’krahët e dikujt tjetër, ai e shijonte çastin. Hyn në lojë braktisja e vetvetes, kujtesa e nevoja për një “restart”, ma mirë vonë se kurrë. Personazhi Vera na e shfaq gjithë trishtimin e kohës, me kthimin nga emigracioni e takimin me të birin, lindje kjo jashtë martesë, e birësuar nga prindër jo biologjikë, kur në ballafaqimin e parë Sidriti i thotë: – Ti je Vera? Më ka fol mami për ty!, e mësimi se … në jetë ka plagë që nuk mbyllen kurrë, e ne kujdesemi vetëm që ato të mos rrjedhin gjak (62), apo paragjykimi e euforia që na bën të mendojmë se i dimë të gjitha pa studiuar e pa lexuar, … ku përgjigjet vijnë më shpejt se pyetja (65).
Personazhi i endacakut që flinte mbi stol, e ku të gjithë e paragjykonin sipas vetes, por asnjë nuk ia shtrinte dorën, veç qenit endacak që ia lëpinte atë, e një maceje të braktisur që iu mbështoll në gjoks, tregojnë hendekun e madh mes njerëzve e ftohjen shpirtërore të shumë prej nesh, për të vijuar pastaj me turmën e grave që e rrethuan endacakun e policinë, që e akuzoi për manjak, ku egoizmi e pasuria, rendin pas qefit e seksit, kanë zëvendësuar ndjesinë e të qënit njeri. Simbolika e tokës së thatë që pret shiun, rezonon me vendin që pret rininë t’i kthehet, e ilustruar me therjen e një lope së cilës i ishin marrë shtatë viça, që për ironi të fatit iu gjendën shtatë vrima në zemër, gjë që na kujton se me largimin e rinisë, nuk ikën vetëm ata, por ikën edhe të mbeturit. …Nënat s’kanë kohë të qajnë, por loti u mbetet aty, i heshtur (80) e ku shpresa, ndjeshmëria e dhimbja për tjetrin, shfaqen si pasuri e shenja jete.
Në një vend që shuhet, njeriut gjithçka i bie në sy: Një dritë që s’ndizet, një derë që kyçet apo një ballkon ku s’ndehen më rroba në tel, të ngjallë frikën, ashtu si personazhit të një prej tregimeve, mësuesit psikolog, me pamjen e një ballkoni ku varen rregullisht rroba, të cilat i duken si…shpresa të varura (personazhi Ola, 84), ndonëse përtej bardhësisë së tyre, gëlonin plot halle, deri atëherë të mbyllura brenda katër mureve, ku i zoti shtëpisë pinte e ushtronte dhunë ndaj së shoqes. Bashkëpunimi mes Olës e psikologut, sollën ndryshimin e mbajtësit të familjes e mënyrës së jetesës së tyre, duke na evidentuar plagët e reja, alkooli e droga, por edhe nevojën uluritëse për trajtime të specializuara të tyre, sa plaga s’është gangrenizuar ende. Në tregimet e titulluara “Nata” dhe “Apologjia e shpirtërave…”, hyn nata si personazh, ku ajo nuk shihet si errësirë, por si një mundësi të shquash atë që s’ta lejon dita dhe vijnë përmes saj simbolikat e dyfytyrësisë, mungesës së transparencës, nevojës për t’u shtirë që të mbijetosh, tipare këto të një shoqërie me mungesë demokracie.
Tema e spiunazhit, shpifjes e mjeteve të pamoralshme për t’a ulur tjetrin, vijnë tek tregimi “Burgu vazhdon përsëri”, e vijojnë tek ai “Kur ishe i tradhëtuar…”, ndërsa gjaku e gjakmarrja, sëmundje e rikthyer e së shkuarës troket në ndërgjegjen e lexuesit përmes subjektit të një tregimi të jashtëzakonshëm: “Njeriu mund të jetë më i madh se hakmarrja…”, ku Nora, kjo vajzë fshati dhe i ati shfaqin gjithë madhështinë e dhimbjes njerëzore, ndaj tre djemëve të vetburgosur në një shpellë nga gjakmarrja, por edhe dritën e besës e të fuqisë së faljes. Rrëfimi i tre djemëve të rinj, se sëmundja e tyre (gjakmarrja) …nuk filloi me ne, as me baballarët, as me gjyshërit (161) dhe Gjoka, apo plaku i katundit me deklarimin se: …ka ardhur koha të shpëtojmë, më shumë se tre djem, …ndoshta të shpëtojmë edhe veten tonë (164), sjell mesazhin më të fuqishëm të këtij libri, e ndoshta për këtë qëllim është renditur edhe në fund të tij. Përmes Norës vjen mësimi i vyer se të jesh njeri, duhet …të mos kalosh pranë të dobëtit pa e parë (159). Po aty shfaqet edhe një tipar tjetër, madhështia e të cilit nuk njeh kohë si: “Shtëpia e malësorit është e Zotit dhe e mikut”, ku njeriu që kalon pragun…s’pyetet kurrë kush je, përpara se të shtrohet sofra (158), se ka uri …që nuk shuhet vetëm me bukë (158), e të tjera mesazhe të fuqishme edukative.
Ja! Të gjitha tregimet e shkëputura të librit të Shkrimtarit Ndue Dragusha, ngjajnë me copat e një loje pazzëll-i, të cilat lexuesi me një lexim të vëmendshëm, mund t’i bashkojë e të shohë, si në një pasqyrë gjigande, fytyrën e njeriut, ndërsa vetë koha vjen si një pasqyrë e thyer ku njeriut i duhet punë e mundë të ruajë pamjen e dëshiruar përballë saj.
Urime e suksese miku ynë, poeti dhe shkrimari i njohur, Ndue Dragusha!
Lezhë, më 26 shtator 2026











