22.5 C
Tirana
E premte, 15 Maj 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Intervista GJUHA SHQIPE ËSHTË GJUHA E KATËRT NË ZVICËR

GJUHA SHQIPE ËSHTË GJUHA E KATËRT NË ZVICËR

0
Ajete Zogaj - Dija si art

(Intervistë me dr. Basil Schader, studiues dhe mik i shquar i shqiptarëve në Zvicër)

Ribotohet pas vdekjes

Ajete Zogaj

Pyetje: Çfarë ndikimi ka përdorimi i përditshëm i gjermanishtes në kultivimin e gjuhës shqipe tek fëmijët tanë në diasporë?

Dr. Schader: Ka shumë fëmijë që nuk e ruajnë dhe nuk e kultivojnë si duhet gjuhën shqipe në shtëpitë e tyre. Kanë një prirje të madhe të përziejnë dy gjuhët, ngase shumë fjalë që nuk i dinë në gjuhën shqipe atëherë i përdorin në gjermanisht, dhe kjo quhet “kod cvicings”, (përzierje gjuhësh). Nëse kjo bëhet për shkak të mungesës së fjalëve të gjuhës shqipe e konsideroj si diçka shumë të rrezikshme, si shenjë e humbjes së gjuhës amtare. Mirëpo ka edhe fëmijë të cilët janë shumë të zgjuar për përvetësimin e të dy gjuhëve dhe që aplikojnë këtë lloj përzierje si lojë gjuhësore.

Pyetje: Sa mund të ndikojë përdorimi i dialektit gjerman në njohjen e gjuhës standarde gjermane te fëmijët shqiptarë atje, dhe në të njëjtën kohë, sa mund të ndikojë gjuha dialektore shqipe në gjuhën letrare.

Dr. Schader: Në Zvicër kemi problemin që gjuha e përditshme është dialekti zviceran i cili dallon nga gjuha gjermane standarde e cila përdoret për shkrime. Ky problem nuk është aq i madh, sepse në shkolla në parim flitet vetëm gjermanishtja standarde që u mundëson fëmijëve ta mësojnë gjuhën gjermane standarde sidomos nëse mësuesi dhe mësuesja e tyre janë të vëmendshëm. Fëmijët shqiptarë e perceptojnë këtë formë të të mësuarit një lloj si fëmijët e tjerë. Ka shumë fëmijë që në shtëpi e flasin gjuhën shqipe në dialektin gegë dhe nëse prindërit nuk i dërgojnë në mësimin plotësues dhe nuk i angazhojnë në leximin e veprave letrare, ka rrezik që të mbesin prapa në zotërimin e gjuhës letrare shqipe. Këtë e kam vërtetuar edhe me një libër didaktik që kam botuar, ku arsimtarët e intervistuar më kanë deklaruar se ka fëmijë që nuk dinë t’i lexojnë ato tekste, pasi që flasin gjuhën dialektore në shtëpi dhe që ndikon për të keq në përvetësimin e gjuhës shqipe.

Pyetje: Në cilësinë e studiuesit të gjuhës shqipe dhe asaj gjermane, dhe si vëzhgues i nivelit gjuhësor të fëmijëve tanë në Zvicër, si e shihni atë nivel të fëmijëve shqiptarë në kontest me gjuhën shqipe?

Dr. Schader: Për fat shumë të keq janë shumë më të mirë në gjuhën gjermane se sa në gjuhën shqipe që e kanë gjuhë të tyre amtare. Kam bërë  një testim me shumë fëmijë dhe kam fituar bindjen se janë në gjendje të shkruajnë dhe të lexojnë shumë më mirë gjermanisht se sa shqip.

Pyetje: Ç’ju shtyri të shkruani librin studimor “Shqyrtime gjuhësore rreth kontaktit mes shqipes dhe gjermanishtes në Zvicër” dhe ku i shihni këto pikëtakime?

Dr. Schader: Është e vështirë. Gjermanishtja si dhe dialekti zviceran është një formë e gjermanishtes – janë gjuhë gjermane, kurse shqipja është një gjuhë indoevropiane por krejt tjetër sa i përket trajtave të përbashkëta, sa i përket   lakimit të emrave, zgjedhimit të foljeve, etj. Dhe kështu kemi shumë dallime.

Pyetje: Në vitin 2003 LASH atje ju bëri anëtar nderi bashkë me bashkëshorten tuaj Erikën. Si e pritët këtë emërim?

Dr. Schader: Shumë mirë. Ishte një nderim i madh për mua, për punën dhe angazhimin tim për fëmijët shqiptarë. Më kanë nderuar shumë me këtë. Do të theksoja se lidhjet e intelektualëve shqiptarë dhe atyre zviceranë janë shumë të mira.

Pyetje:  Gjatë viteve 1987 – ’89, keni kryer studimet pasuniversitare në fushën e etnografisë dhe folklorit evropian. A keni trajtuar ndonjë element të folklorit shqiptarë kur dihet se është mjaft i pasur?

Dr. Schader: Në këtë studim jo edhe aq shumë, megjithatë nga librat e lexuara kam mësuar se folklori juaj është shumë i pasur. Kam një nënkapitull të shkurtër për sharjet, për zakonin e sharjeve te shqiptarët, në dy gjuhë, shqip dhe gjermanisht.

Pyetje: Ç’ju shtyri ta mësoni gjuhën shqipe dhe të mbroni titullin e doktoraturës në Shqipëri me temën “Shqyrtime gjuhësore rreth kontaktit mes shqipes dhe gjermanishtes në Zvicër?

Dr. Schader: Kisha dëshirë të mësoj një gjuhë të re, gjuhën shqipe që për mua është e mrekullueshme. Kam punuar shumë në fushën e studimeve për gjuhën shqipe. Kam menduar që këto t’i sistemoj dhe të bëj një libër për këtë temë. Për këtë m’u desh mbështetja e një specialisti në fushën e dialektologjisë, si Gjovalin Shkurtaj, me të cilin kam bashkëpunuar dhe kam menduar pse të mos e bëjë një doktoraturë të dytë, d.m.th., ta fus këtë në një studim pasuniversitar.

Pyetje: Si e shihni gjuhën shqipe karshi gjuhëve të tjera atje?

Dr. Schader: Është e vërtetë se shqiptarët janë grupi më i madh i mërgimtarëve në Zvicër. Gjuha shqipe është e katërta në Zvicër, pas gjermanishtes, frëngjishtes dhe italishtes. Unë punoj në fushën e pedagogjisë ndërkulturore dhe kam të bëjë shumë me shqiptarët. Ata për fat të keq nuk kanë një lob të vetin këtu në Zvicër siç kanë vendet e tjera, dhe po të kishin një lob të tillë do të isha vërtet shumë i lumtur. Kurse, Shqipëria më ka interesuar që para 25 vitesh.

Pyetje: Jeni në kryesinë e shoqatës “Arsimi”. Si i koordinoni punët në këtë Shoqatë?

Dr. Schader: Fillimisht i shqyrtomë projektet të cilat na janë propozuar. Megjithëse kemi mjaft kufizime. Projektet tona kanë të bëjnë kryesisht me fushën e arsimit. Merremi me meremetimin e shkollave, pasurimin e bibliotekave me libra, etj.

Pyetje: Keni hartuar një fjalor gjermanisht – shqip që titullohet “Ura e fjalëve”. Çka përmban ky fjalor dhe prej nga ideja për të?

Dr. Schader: Nuk ekziston një fjalor në nivelin më të thjeshtë që mund ta përdorin nxënësit, përveç fjalorëve me shumë fletë dhe që janë shumë të komplikuar për fëmijët. Kjo më shtyri që t’i propozoj Shoqatës projektin për një fjalor të tillë të nevojshëm për fëmijët që do të jetë i kapshëm me fjalë të përzgjedhura sipas vlerës statistikore si dhe sipas nevojës për tema shkollore. Thjeshë dashuria për fëmijët shqiptarë që ta kenë më të lehtë mësimin e gjuhës shqipe.

Pyetje: Keni bërë shumë për shqiptarët dhe fëmijët tanë në Zvicër. Sa çmoheni prej tyre?

Dr. Schader: Ndiej një nderim shumë të madh nga ana e tyre, madje, disa herë më duket i tepruar. Nuk jam ndonjë Nënë Tereze… angazhimin tim e kam ndjerë si diçka reciproke. Ishte një bashkëpunim i mirë me ta, pasi që shumë shqiptarë kanë bërë shumë punë me rëndësi në Zvicër. Mund të them se ata janë pjesëtarë të një populli bujar dhe të mrekullueshëm. Kam njohur shumë njerëz të cilët më kanë folur për kulturën, gjuhën dhe letërsinë shqiptare. Keni një letërsi të mrekullueshme, por për fat të keq shumë pak e përkthyer në gjuhën gjermane. Por po ta zotërosh pak shqipen, ka një det me zbulime tepër interesante.

Pyetje: Si i vlerësoni punimet e Seminarit treditor të mbajtur këtu në Prishtinë për mësuesit e diasporës dhe çfarë i porosisni strukturat arsimore në Kosovë?

Dr. Schader: Më ka lënë përshtypje shumë të mirë. Sidomos ishte për t’u vlerësuar kultura e të diskutuarit që te ju shqiptarët ndryshon shumë prej nesh: të gjithë marrin pjesë në diskutim, shtrojnë pyetje, shprehin kundërshtime. Njerëzit e arsimit këtu duhet të punojnë sa më shumë dhe të vazhdojnë rrugën e filluar sa më shumë.

(Gazeta “Bota Sot”, Prishtinë/ 4 gusht 2005)

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.