BRERORJA E NËNËS TEREZE QË LIND NË ZEMRËN E POETIT DHE SHKRIHET ZEMRAT E LEXUESVE

Shkrime të ndryshme

admin
adminhttps://fjala.info
Publikuar nga: Arben Çokaj - Mësues Fizike & Informatike :: Gazetar & Analist i pavarur :: Shkrimtar :: Ueb- & Grafikdizajner

Arben Veselaj

Javën që shkoi bota shqiptare, por dhe më gjerë, shënoi 29-vjetorin e kalimit në amshim të humanistes së madhe – fituese e Çmimit Nobel për Paqe, Gonxhe Bojaxhiu – Shën Nënë Tereza.

Në këtë përvjetor të rëndësishëm, për emisionin kushtuar librit dhe letërsisë, në valët e Radio Kosovës, ne zgjodhëm ta prezantojmë një libër të veçantë që i kushtohet Nënës Tereze: “Ujëvarë drite në zemër” – katërmbëdhjetë pamje të hirit hyjnor të Agneze Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë”, të autorit, Anton Nikë Berisha, të botuar shqip dhe italisht.

Siç ka shkruar në një vështrim të rrallë, studiuesi Robert Kola, ky libër poetik merr përsipër ta zbulojë dhe ta përcjellë te lexuesi përmasën e thellë shpirtërore dhe mistike të Nënës Tereze, si dhe bën përpjekje për të prekur tisin e hollë të shpirtit dhe të humanizmit të saj.

Në parathënien e botimit dygjuhësh të këtij viti (2026), të botuar nga “Faik Konica” e Prishtinës, autori shkruan se ideja për ta shkruar këtë libër i kishte ardhur si një vegim:

“Gjatë punës së hartimit të romanit tim me titull pune Ëndërr e erës – Në qytetin e të gërbulurve të Nënës Tereze, në një çast përsiatje të thellë, përjetova një vegim, që më erdhi si vrushkull ndriçimi i syrit të mëngjesit, kur dielli, pas zhdukjes së errësirës, zë dhe e puth natyrën me rrezet e veta jetëprurëse. Nuk ishte një gjë e pazakonshme. Gjatë krijimit të një vepre poetike ndodhin shpesh dukuri të parëndomta, siç është i parëndomtë dhe vetë akti krijues: mendimet shpërndërrohen, e thyejnë rendin dhe njëri ngrihet mbi tjetrin, duke përmbushur përparësinë. Pse ndodh kështu, asnjëherë nuk mund të sqarohet deri në fund.

Anton Nikë Berisha - Cascada di luce

Në vegim e pashë Nënën Terezë me një buzëqeshje ëmbëlsore. Sytë e saj, si dy yje dritëplotë, më vështronin me butësinë e qeshjes së fëmijës së hareshëm. E dëgjova zërin e saj të ngrohtë si shkëlqim agimi, që rrodhi me dashurinë e nënës që e mban në gji ose e përkund në djep frytin e parë të barkut: Të besosh domethënë të jetosh […] Besimi është e vetmja gjë që qenësisht është e jona”,  e ka sjell prof. Berisha në parathënie të këtij libri mendimin e Nënës Tereze.

Vetë titulli “Ujëvarë drite në zemër” e përmbledh në mënyrë metaforike filozofinë e këtij libri. Ujëvara është lëvizje, rrjedhë, gjallëri; drita është zbulim, shpresë dhe shpëtim; ndërsa zemra është vendi ku të gjitha këto bashkohen. Kështu, poezia e Berishës nuk synon vetëm të shprehë jetën e Nënës Tereze, por përmes vargut të na zbulojë botën e saj të brendshme.

Në këtë vepër, ashtu sikur te Bibla, fjala është fillesa e krijimit. Për Berishën, fjala lind bashkë me dritën dhe me emërtimin e botës. Gjërat marrin kuptim në çastin kur emërtohen, ndërsa poezia bëhet akt zbulimi: ajo nuk e shpjegon botën, por përpiqet të depërtojë në thelbin e saj. Pra, siç ka nënvizuar studiuesi Robert Kola, poezia e këtij libri kërkon një lexim të ngadalshëm.

Një nga shenjat më dalluese të këtij libri të Berishës kushtuar së shenjtës Nënës Tereze, është agimi. Këtu agimi shfaqet si çasti kur errësira nis të tërhiqet dhe bota merr jetë. Ai bëhet metaforë e lindjes shpirtërore, e zbulimit dhe e shpresës. Në vargjet e librit fjala lidhet vetë me këtë shpërthim drite: ajo është një flakërim që shtrihet në humbëtirat e territ. Kështu, poezia vendoset në kufirin midis errësirës dhe dritës, midis vuajtjes njerëzore dhe shpresës përtej saj.

Krahas agimit, për të na shfaqur botën shpirtërore të Nënës Tereze, autori Berisha nuk e shmang edhe anën e kundërt të dritës: ai fut në poezi errësirë, njerëz të vuajtur, të varfër, të sëmurë, të braktisur, viktima të luftërave etj.

Brenda kësaj poezie Nëna Tereze shfaqet si zë i ndërgjegjes njerëzore. Ajo e ndjen dhimbjen e të tjerëve dhe e kthen në veprim.

Në këtë poezi të Berishës, thirrja “Kam etje” bëhet pikënisje e këtij misioni. Etja e Krishtit shndërrohet në udhërrëfyes të jetës së Nënës Tereze; dhimbja e tjetrit bëhet dhimbje edhe e saj.

Në këtë kuptim, lutja është një tjetër shtyllë e rëndësishme e kësaj vepre poetike. Lutja nuk paraqitet si kërkesë për plotësimin e një dëshire vetjake, por si dorëzim i plotë Hyjit. Njeriu që lutet e hap zemrën dhe përpiqet ta vendosë jetën e tij në pajtim me një dashuri më të madhe.

Në vargjet e Anton Nikë Berishës lutja bëhet mënyrë jetese, burim kthjelltësie dhe force morale.

Një nga vlerat më të shquara të këtij libri është rikthimi te kujtesa e fëmijërisë së Gonxhe Bojaxhiut. Nëna Drane shfaqet si burim i parë i besimit, i dashurisë dhe i pasurimit shpirtëror të saj. Përmes kujtimeve, vendlindja, lumi, bjeshkët dhe këshillat e nënës bëhen pjesë të një gjeografie të brendshme që do ta shoqërojnë Nënën Tereze gjatë gjithë jetës.

Ky memorium familjar bëhet edhe memorium kombëtar. Në rrëfimin poetik të Anton Nikë Berishës me Nënën Tereze shprehet dhe një pjesë e historisë së Arbërisë, besimi i të parëve tanë, Kuvendi i Arbnit në Lezhë (më 1444) etj. Kështu, identiteti shpirtëror i Nënës Tereze nuk paraqitet i shkëputur nga rrënjët e saj shqiptare. Ajo që nis në familje dhe në fëmijëri zgjerohet në një mision universal.

Toposi në poezinë e librit “Ujëvarë drite në zemër” shkon edhe përtej trojeve të Arbnit – deri në Kalkutë të Indisë, vendi ku Nëna Tereze e përmbushi pjesën më të madhe të misionit të saj njerëzor dhe flijimin e saj për tjetrin.

Poeti nuk e sheh Kalkutën si një vend të largët e të shkëputur nga historia dhe gjeografia shqiptare. Në një prej përshkimeve më të goditura është se vuajtja e Kalkutës, kryqëzohet simbolikisht me atë të Kosovës. Akulli që shtresohet në zemrat e të varfërve të Kalkutës lidhet me akullin e Pashtrikut, me dhimbjen dhe dhunën që përjetoi populli i Kosovës.

Kështu, në universin poetik të Anton Nikë Berishës, Nëna Tereze dhe Kosova takohen në dy pika të përbashkëta: në dhimbje dhe në shpresë. Nëna Tereze bëhet figurë universale, por pa i humbur rrënjët e veta.

Pikërisht kjo e bën të veçantë mënyrën se si poeti e ndërton figurën e saj: nga fëmijëria te misioni, nga nëna Drane te bota, nga kujtesa shqiptare te humanizmi universal.

Në fund të librit, drita rikthehet si kuptim i parë dhe shenjë e parë. Hyji paraqitet si liri, si zë që rilind vazhdimisht në zërat njerëzorë, si burim i dëshirave dhe i ëndrrave që nuk mbarojnë kurrë.

Edhe pjesa kushtuar vizitës së Papës Gjon Pali II në Shqipëri, më 1993, e zgjeron këtë horizont, duke e lidhur poezinë me fatin e një vendi që sapo kishte dalë nga një periudhë e gjatë e mohimit të lirisë.

Libri “Ujëvarë drite në zemër” mund të lexohet dhe si një poemë e gjatë për dritën që lind nga errësira, për besimin që shndërrohet në veprim dhe për dashurinë që nuk mbyllet vetëm brenda vetes, po i kushtohet tjetrit.

Për fund duhet thënë se Anton Nikë Berisha nuk e ndërton figurën e Nënës Tereze, siç u tha, me të dhëna biografike, por e rikrijon atë përmes simbolit, metaforës dhe rëndësisë së lutjes.

Ndoshta ky është dhe mesazhi më i thellë i librit: drita nuk është diçka që njeriu e gjen vetëm për vete, ajo bëhet dritë e vërtetë vetëm atëherë kur kalon nga një zemër në tjetrën.

Mbase këtë rrjedhë mëton ta përcjellë Anton Nikë Berisha përmes poezisë së tij. Një ujëvarë drite që nis në zemrën e poetit, kalon në figurën e Nënës Terezë dhe, përmes librit, mbërrin deri te zemrat e lexuesve.

Më shumë shkrime

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shkrimet e fundit