Mehmet Rukiqi dhe Ajete Zogaj ne nje manifestim shkolle në Berishë
Intervistë me prof. dr. Mehmet Rukiqin
(Ribotohet me rastin e vdekjes)
Në intervistën e zhvilluar vite me parë me prof. dr. Mehmet Rukiqin, ai flet për vitet e punës në arsim, punën e tij shkencore në mbledhjen e folklorit, si dhe vlerësimet e tij për figura të shquara si: dr. Ibrahim Rugova, presidenti historik i Kosovës, për pajtimtarin Anton Çetta, Azem Bejtën e urtakun Tahir Berisha e për shumë çka tjetër…
Intervistoi: Ajete ZOGAJ
I nderuar profesor Rukiqi, biografia juaj shpalos një jetë të tërë në shërbim të atdheut. Keni punuar më se njëzet vjet si mësues në shumë fshatra të Drenicës. Ç’kujtime ruani nga ajo kohë dhe si e vlerësoni profesionin e mësimdhënësit?
Prof. Dr. Mehmet Rukiqi: Veprimtaria e mësuesve në shërbim të atdheut, ka shkuar paralel në histori. U dallua Pandeli Sotiri, nga Seleka e Gjirokastrës, rilindës i shquar, themelues, drejtues e mësimdhënës i Mësonjëtores së Parë Shqipe të Korçës. Petro Nini nga Luarasi, hapi shkollën e parë shqipe në Ereskë, kurse Mati Logororeci nga Shkodra dhe Lazër Lumezi nga Prizreni, hapën shkollën fillore në Prizren më 1888. Dashurinë për atdheun e patën ideal të parë.
Unë, punën në arsim, e fillova në fshatin Krejkovë të Drenicës më 1 shtator 1953. Mësuesit, kudo ishin shkëndija të vetme të dritës së diturisë, të emancipimit e të progresit. Ishin personalitete të formuara, edukatorë dhe udhëheqës. U jepnin mësim nxënësve, rinisë dhe të rriturve. Angazhohen për krijimin e një jete të re. Jepnin edhe udhëzime për punë në bujqësi e blegtori, në pemëtari e perimtari.
Mësuesi luante edhe rolin e mjekut. Krahas kurseve kundër analfabetizmit, jepnin mësim edhe në kurse shëndetësore për vajza e gra të reja.
Porosisnin: “Të sëmurët të shkojnë te mjeku, t’i besojnë atij, barërave e këshillave që u jep, e jo falltoreve, hajmalive e magjive”. Mësuesi ishe edhe jurist popullor, pajtimtar e pleqnarë. Pengonte ngatërresat, zënkat e vëllavrasjet.
Nocioni “Mësues i popullit”, në këto rrethana, kishte kuptimin më të plotë. Puna e tij jashtëshkollore, shkonte gati paralel me në atë në shkollë. Ishte kohë e varfërisë ku mungonte pothuajse çdo gjë: ushqimi, shtroja e mbuloja.
Mësuesit i mbante populli, në oda. Drekën ua dërgonin në shkollë sipas radhës. Shpresa na jepnin nxënësit. Zelli për mësim, në kushtet më të vështira na habiste. Niveli i edukatës familjare e shkollore, konsultimet mësues – prind ishin në nivel. S’mbahet mend ndonjë sjellje me pasoja të rënda.
Organizonim manifestime të ndryshme në shkollë, programe kulturore, nga arti skenik, recitimet, këngët, veshjet e vallet popullore të përcjella me vegla muzikore të folklorit, pastaj garat sportive, etj, të cilat krijonin gjallëri e shpresa. Ishim të përcjellë hap pas hapi nga UDB-ja jugosllave. Shpesh herë mësuesi, arrestohej para nxënësve për “veprimtari nacionaliste”.
Transferimi i mësuesve bëhej, thuajse, për çdo vit, për të penguar suksesin dhe popullarizimin e tyre. Për njëzet vite punë në Drenicë, u transferova edhe në pesë shkolla, në Polac, Likovc, Ticë, Makermal, Çirez dhe në Tersntenik. Në vitin shkollor 1972 – 73, erdha në Prishtinë në Qendrën Shkollore Teknike atëherë “19 Nëntori”. Më 20 shkurt 1973, me ndërhyrjen e organeve shtetërore, u largova nga puna si “i padëshirueshëm për mësimdhënie”. Me brengë të thellë u ndava përgjithmonë nga profesionin im, që e dashta aq shumë dhe e vlerësoi si më të shenjtë.
Thesari popullor – identiteti i traditës
I nderuar Prof. Rukiqi, lexuesi shqiptar ju njeh edhe si lërues dhe mbledhës i thesarit artistik gojor. A mund të na flisni pak më shumë për këtë thesar të çmuar dhe takimet që keni pasur në terren me ruajtësit e këtij thesari?
Rukiqi: Thesari artistik gojor është tërësi e vlerave të kulturës materiale dhe shpirtërore të një populli. Është identitet i traditës. Përmban elemente të befasishme që nuk hasen te popujt e tjerë. Vazhdon të mbetet një minierë ari për studiuesit e kulturës, ta traditës e të folklorit, për anrtopologët e etnografët. Nga greqishtja antike etos do të thotë adet, doke, karakteristikë, kultivim, mbrojtje, moral e zakon. Është prezantim i së kaluarës dhe lidhjes ndërmjet të tashmes e të ardhmes. Vlen si përvojë e pasur në jetë dhe pjesë e kujtesës historike të popullit, të njohurive me karakter filozofik, të riteve e parimeve etike. Thuhet: “Kur ndizet zjarri, zhduken drutë; kur digjet tradita, zhduket një popull”
Thesari përfshinë edhe besime e qëndrime, që e ofrojnë një bashkësi me të kaluarën, me pasuritë shpirtërore e sjelljet, me përvojën e drejtpërdrejtë, si trashëgimi të rëndësishme në krijimtarinë gojore. Përfshinë edhe disiplina të ndryshme të dijes, si gjuhën popullore, etnologjinë, folkloristikën e trashëgiminë.
Përdoret, bartet e zhvillohet më tej në harmoni me ligjet e identitetit etnik, si thesar i etnologjisë shqiptare. Mbështetet në gjakun, gjuhën e gjeografinë si faktorë themelor të traditës. Pasqyron ngjarje e njohuri, pikëpamje e rite, shkathtësi e shprehi, virtyte e zakone të formuara historikisht.
Krijuesit dhe bartësit ishin faktorë të ruajtjes së thesarit të kulturës tradicionale, të folklorit dhe etnologjisë. Ishin oratorë e akordues të fjalëve të matura e muhabeteve nëpër tubime e kuvende, në oda e kulla. Ishin edhe mahitarë e pleqnarë, filozofë popullor e historianë gojor. U dalluan si njohës të etnosit popullor, të fiseve shqiptare të Kanunit dhe parimeve juridike.
Ishin artistë nga natyra e temperamenti, fidanishte e dokeve dhe zakoneve të shëndosha. Shquheshin me aftësi vëzhguese, mendime dhe shprehje cilësore, artistike e estetike, etike e filozofike, gjuhësore e stilistike. Takimet me krijuesit dhe bartësit e thesarit popullor, për mua ishin e vetmja kënaqësi. Që nga mosha e re kam filluar të qëndroj me pleq të mençur, prej tyre dëgjova, thuajse , për të gjitha llojet e krijimtarisë gojore në prozë e poezi. Përveç me krijuesit në Drenicë, jam takuar edhe me disa nga Kosova e jashtë saj, në Shkup, Tetovë, Bujanovc, Preshevë, Ulqin etj.
Këngët, vlerë universale
Gjithashtu, keni botuar edhe dy blej me “Këngë Dasme” I –II, ndërkaq, këngën e keni traditë familjare, nga se edhe babai i juaj ka qenë rapsod i njohur, por keni kënduar edhe Ju. Profesor, a po ruhet ende tradita, dhe ç’vlerë kishin këto këngë?
Rukiqi: Të dy blenjtë përmbajnë njëmijë këngë dasme. Klasifikohen në gjashtë kapituj: Fejesa, Martesa, Dasma e Kanagjeqi, Krushqit dhe Kerret, Nusja dhe Dita e Grave. Bartin elemente të një tradite të lashtë në artin poetik gojor. Përcjellin shumë doke e zakone. Dëshmojnë fuqinë e madhe krijuese të femrës shqiptare, atëherë analfabete dhe në robëri të dyfishtë nga të huajt dhe të vetët, sipas parimeve kanunore. Shumica e fejesave dhe martesave bëhej pa dëshirën e bashkëshortëve. Këngët përmbajnë shfrim të ndjenjave, të urrejtjes kundër mesitit, apo shkuesit, kundër prindërve e farefisit të vajzave, krushqve që e marrin nusen, vjehrrave etj.
Është e vërtetë se unë dhe familja ime këngën e kemi dashur si traditë. Ka kënduar gjyshi dhe babai im, kryesisht këngë epiko – historike, edhe unë kohë pas kohe kam kënduar nga pak. I kam rënë sharkisë dhe çiftelisë. Tani, mungon intensiteti i mëparshëm. Vlera e këngëve, në përgjithësi, është universale. Është vështirë të jepet përgjigje me pak fjalë. Janë përmbledhje e shumë peripecive të jetës, të punës e veprimtarisë. Janë themelet e diturisë etike e filozofike, logjike e psikologjike, luftarake e juridike popullore.
Pajtimi i gjaqeve – kaptinë e veçantë e historisë shqiptare
Opinioni i gjerë, u njeh edhe si bashkëpunëtor i Anton Çettës dhe Aksionit të Pajtimit të Gjaqeve. Ç’rëndësi kishte ky Aksion dhe sa ishte i përkrahur nga populli?
Rukiqi: Edhe unë isha ndër shumë bashkëpunëtor të profesor Anton Çettës.
I ndihmova në mbledhjen e folklorit prej 1959 – 1989. Herë pas herë mora pjesë edhe në aksionin e Pajtimit të Gjaqeve prej janarit të vitit 1990, deri më 17 shkurt 1992.
Profesor Antoni (1920 – 1995) lindi në Gjakovë. U shkollua në Prizren, në Tiranë, në Liceun Frëng të Korçës. Maturën e kreu në Liceun Klasik të Milanos. Fakultetin Filozofik – Dega e Filologjisë Romane e kreu në Beograd, më 1950, dhe, po aty emërohet asistent në Degën e Albanologjisë.
Më 1951, botohet përmbledhja e parë “Këngë popullore shqiptare të Kosovë – Metohisë” nga Shtëpia Botuese Krahinore “Mustafa Bakija” në Prishtinë. Mbledhës dhe redaktor ishte Zekeria Rexha. Antoni e ndihmoj përgatitjen. Këtu zë fill edhe frymëzimi i tij për mbledhjen dhe studimin e krijimtarisë gojore. Me hapjen e parë të Institutit Albanologjik 1952 / 1953 në Prishtinë, emërohet bashkëpunëtor. Më 954 del në terren. Në Shalë të Bajgores mbledh 50 këngë kreshnike. Më 1957 kalon në Drenicë. Unë isha ushtar, për herë të parë u takuam në shtator të vitin 1959.
Profesor Antoni, më 1963 boton përmbledhjen e parë “Tregime popullore I, Drenicë”, me 371 njësi, zhanresh më ndryshme, përralla, përrallëza, kallëzime, etj. Botoi edhe 9 libra me prozë popullore, por edhe dhjetëra punime shkencore. Gjatë punës dëshmoi njohuri të thella e sistematike, pedanteri shkencore në përkufizimin dhe kategorizimin sipas gjinive e llojeve. Preferonte shpejtësinë më të madhe në vjeljen e lëndës folklorike ngase dinamika e jetës dhe zhvillimi teknik mund t’i zbehin dhe t’i asgjësojnë vlerat e traditës.
Ideja për aksioni e Pajtimit të Gjaqeve, lindi në mesin e studentëve tanë në burgjet serbe. Ata që u liruan, në ditët e para të shkurtit 1990 formuan Këshillin e Parë të Pajtimit të Gjaqeve në Pejë. U formuan edhe 30 këshilla e punkte të tjera, nëpër Kosovë, Preshëvë e Bujanoc, Maqedoni e Mal të Zi. Aksioni u shndërrua në Lëvizje gjithë popullore. Ishte shembull tejet i rrallë dhe unik në botë. U zbatua nga njerëz vullnetarë, rini e inteligjenci përparimtare, që gëzonin besimin e popullit por edhe djem e vajza, gra e pleq. Kërkesa për varrosjen e gjakmarrjes, shkonte në dobi të lirisë dhe pavarësisë kombëtare.
Shprehej gëzimi më i madh ndaj kësaj vepre historike. Brenda dy viteve, pajtohen dymijë gjaqe e më shumë plagë e ngatërresa. Aksioni i pajtimit të gjaqeve i drejtuar nga profesor Anton Çetta dhe rinia kosovare vlerësohet si kaptinë e veçantë e historisë shqiptare. Presidenti Rugova pati thënë: “Profesor Anton Çetta, arriti, që për të gjallë, të bëhet institucion i urtisë shqiptare, duke zbuluar thesarin dhe shpirtin e popullit të vet dhe duke punuar për ndriçimin e tij. Është një ndër shembujt më të mirë, sesi pasuria shpirtërore e intelektualit lidhet me aksionin praktik në momente më të vështira e më të renda për atdheun”.
Tahir Berisha – mendimtari erudit dhe vizionari më i madh popullor i shekullit të tij
Përveç mbledhjes së folklorit, keni botuar edhe monografinë “Tahir Berisha mendimtar popullor”. A keni mundësi ta na flisni për figurën e Tahir Berishës, por edhe për familjen atdhetare Berisha e cila gjatë gjithë historisë qëndroj ballëlartë?
Rukiqi: Tahir Berisha (1871 – 1953), nga Berisha e Drenicës, ishte mendimtari erudit dhe vizionari më i madh popullor i shekullit të tij. Krijoi dhe barti tregime me temë filozofiko –historike. Që nga viti 1912, u njoftua me Hasan Prishtinën. U rezistoi të gjithë regjimeve të huaja. Sipas porosisë së Azem Galicës, më 1918, emërohet kryetar i Komunës në Komoran. Ishte personaliteti më i autoritetshëm, nga burrat e mençur, në Drenicë e më gjerë. E mbron popullin nga gjenocidi serb, agrari e kolonizimi, me urti në nivelit diplomatik.
E ndihmoi Azem Galicën dhe Lëvizjen Kaçake të Kosovës. Ishte ithtari më i madh i civilizimit, emancipimit të femrës, demokracisë, lirisë, pavarësisë, progresit e shkollimit. Pyetjes “ Kur do ta kemi selametin”, iu përgjigj: Kur ta dojmë njani tjetrin, aq sa s’po e domë; kur t’dijmë, aq sa s’po dijmë; kur gjyshja t’i thotë nipit a mbesës, ‘a ma bleve gazetën e sodit’, kur t’dimë se shkollimi i femrës asht shkollimi i kombit, edhe pa shkollim në gjuhën shqipe, s’ka Shqipni as shqiptarë”.
Rifat Berisha, nip i Tahirit, ndonëse në pozita të larta, ishte i pari që u hodh në luftë të armatosur, kundër regjimit jugosllav, më 17 maj 1949, ra në altarin e lirisë, vet i katërti me vëllezër, duke vrarë disa armiq, ushtarë e policë. Afro 20 vjet familja Berisha, jetoi në shtetrrethim. Mbi të ushtrohej zullum i paparë. Të drejtat për jetë, i kishin të kufizuara. Shumë prej meshkujve, ndër ta edhe Tahiri 82 vjeçar, gra e vajza vuajtën dënime në burgjet jugosllave. U përjashtuan nga të gjitha të drejtat qytetare. U ndalohet shkuarja e ardhja jashtë shtëpisë. Shumë vajza mbeten pa u martuar. Asnjë nxënës e nxënëse nuk patën të drejtë shkollimi. Familja shumëanëtarëshe Berisha përkundër terrorit të pashembullt ishte dhe mbeti e pathyeshme.
Jetojmë në shekullin e Ibrahim Rugovës
I nderuar profesor, keni qenë ndër bashkëpunëtorët e dr. Ibrahim Rugovës. Madje keni botuar kompletin prej gjashtë vëllimeve “Shtypi për Rugovën”, ndërsa në hyrje të vëllimit të parë keni shkruar: “Jetojmë në shekullin e Ibrahim Rugovës”. Pse?
Rukiqi: Dr. Ibrahim Rugova sipas veprës “Shtypi për Rugovën” ishte tribun i madh i popullit të vet. Rrjedh nga Rugova kreshnike, burim i epikës dhe epopesë kombëtare. Studioi dhe doktoroi në letërsi, në Universitetin e Prishtinës. Specializoi në Paris, pranë profesorit Rolan Bart, dijetar francez. Përvetësoi metodën strukturaliste. Shquhej nga teoriticienë të letërsisë bashkëkohore. Ishte krijues e kritik letrar, ndër më të përsosurit në shekullin e tij.
Kulturën e fituar evropiane e zbatonte në jetë. Ishte identitet i modernitetit për aftësitë e tij universale, u bë i njohur edhe në opinionin botëror. Rugova më 23 dhjetor 1989, themeloi Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe u zgjodh kryetar i saj. I pranoi me përzemërsi edhe partitë e tjera, që do të pasojnë. Pati thënë: “ Jo të denigrojmë individin e partinë tjetër, në emër të interesit kombëtar. S’ka parti reprezentative. Politika është punë aksioni e veprimi konkret. Ne kemi opsionin e paqes, të demokracisë e të lirisë, që përputhet me idetë evropiane.
Lidhja Demokratike në Kosovë, është e vetmja parti në Jugosllavi, e pranuar si parti demokratike në Evropë. Të krijojmë një vetëdije, që na kthen kah e mbara. Mos të merremi me akuza. Kurrë s’e përdori fjalën e rëndë gojarisht e as me shkrim”. Kishte qëndrim prej njeriu humanist, guxim prej intelektualit të devotshëm dhe motivim prej politikani të shquar.
Rugova ishte presidenti i parë i Republikës së Kosovës dhe i historisë shtetformuese të saj. Ndikimi i mençurisë politike , i kapërceu kufijtë e vendit. Ishte diplomat i merituar. U përpoq që Kosovën ta bëjë gjenerator të stabilitetit e të paqes në Ballkan, dhe të integrimeve të saj euroatlantike.
Trimërinë e kishte metaforë të jetës. Ishte i pari që Serbisë i tha JO! Kishte urtësi cilësore. S’merrej me thashethëma. Ishte njeri modest, i fuqishëm dhe i madh në mendime, në sjellje e veprime. Për sulmin tragjik të ushtrisë serbe në Prekaz tha: “Adem Jashari është hero i Kosovës. Familja Jashari është heroike. Do të ketë përkujdesjen shtetërore”. Rugova, në periudhën 1989 – 2006, dominoi në skenën politike shqiptare.
Ishte figura më e dashur dhe më e respektuar e gjithë kombit shqiptar e më tej. “Ishte shqiptari më vizionar i kohës. Mori shumë çmime ndërkombëtare, nga më prestigjiozet në botë, për aftësitë e tij intelektuale, politike e qytetare”. Kosovën në botë e shenjtëroi dhe e madhëroi.
Ibrahim Rugova, më 21 janar 2006, në ora 11: 38, ndërroi jetë. Në “ Shtypin për Rugovën”, ndër të tjera, u tha: “ Në këtë ditë, populli shqiptar ka mbetur pa frymë e pa zë. Ndërroi jetë njeriu më i madh i kombit shqiptar, babai i pavarësisë së Kosovës, që, më se 20 vjet, luftoi për lirinë e saj. Burrështetas të shquar, shqiptarë dhe të botës, ngushëlluan Familjen e Presidentit dhe Kosovën.
Jemi të vetëdijshëm se askush nuk është i pavdekshëm, por e dimë se presidenti Rugova, me veprën e tij, do të skalitet në altarin e përjetësisë. Në varrimin e tij, përkundër acarit të madh që nuk mbahet mend, morën pjesë 1.500.00 përcjellës.
Personaliteti dhe veprimtaria e tij shtetformuese, sa ishte gjallë dhe pas vdekjes, nga burra të shtetit shqiptar dhe të botës, u definua me shprehjet më brilante: Ishte njeriu më i dashur dhe më i respektuar i kombit shqiptar, babai i pavarësisë së Kosovës që, më se 20 vjet luftoi për lirinë e saj.
Fituesi më i madh i respektit të botës për qëndrimin e tij parimor kundër dhunës (Bush). Personi më i respektuar në gjithë botën (Blery). Parashikues i realizimit të qëllimeve, për liri e pavarësi, me mjete paqësore, në ditët më të vështira (Merkel). Demokrati i vetëm në rajon, njeriu më i madh i shekullit të tij por edhe i historisë sonë më të re. Udhëheqës i jashtëzakonshëm dhe njeri i madh. Pavarësia e Kosovës, ka emrin dhe mbiemrin e vet Ibrahim Rugova.
Azem Galica – identitet i heroizmit
Si e vlerësoni figurën e Azem Galicës, me që keni shkruar edhe një libër monografik për të?
Rukiqi: Azem Galica ishte një nga personalitet më të shquara të luftës për çlirim dhe bashkim kombëtar, në periudhën 1912 – 1924. Ishte identitet i heroizmit. Nëpërmjet librit monografik “ Azem Galica në traditën popullore”, ofrohen të dhëna për jetën dhe veprimtarinë e Azem Galicës dhe bashkëshortes e bashkëluftëtares së tij Shote Galica, heroinë e popullit, dhe bazohen në historinë gojore dhe në poetikën popullore. Azemi luftonte në frymën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, të Lidhjes Shqiptare të Prizrenin dhe të Pejës. Ishte prijës i çetave kryengritëse në Drenicë, ndërsa, prej vitit 1918, Komandant i Përgjithshëm i Lëvizjes Kaçake të Kosovës. Luftoi kundër okupatorëve më gjakatarë, serbë malazezë.
Në formimin e gjithëmbarshëm të personalitetit luftarak dhe heroik të Azem Galicës, ndikuan edhe ideologë më të mëdhenj të kohës së tij, burra të mençur të traditës popullore, këngëtarë e tregimtarë, intelektual e luftëtarë, si: Ahmet Delia e Isa Boletini, Hasan Prishtina e Luigj Gurakuqi, Hoxhë Kadria e Shabn Polluzha, Tahir Berisha e Ramadan Shabani, Banush Sedllari e Dervish Goxhuli.
Prof. Dr. Sali Berisha, ish – president i Republikës së Shqipërisë, më 10 qrshor 1993, me rastin e 115 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Azem Galicës e dekoron me “Urdhërin e lirisë, të klasit të I”, urdhër ky, më i lartë në Shtetin Shqiptar.
Librin s’mund ta zëvendësojë asgjë!
Mendoj se brenda kësaj interviste ka mbetur edhe shumë çka pa u thënë. Profesor, cila është porosia juaj për të gjithë lexuesit e gazetës dhe dashamirët e kulturës dhe letërsisë shqiptare?
Rukiqi: Vetëm leximi i pandërprerë, me vullnet të fortë, përcakton inteligjencien e individit, nivelin e arsimit dhe të kulturës, të pjekurisë e të personalitetit. Sa do që dikush të ketë dëftesa e diploma, nga shkolla e fakultete, apo grada shkencore, po s’lexoi rregullisht, gazeta, revista, vepra letrare e shkencore, s’ka asgjë, në kuptimin e aftësive të tij. Ndonëse vlera e mjeteve bashkëkohore të informimit është e pamohueshme, librin s’mund ta zëvendësojë asgjë. Andaj, lexoni. Në fund, falënderoj intervistuesen Ajete Zogaj, gazetare e publiciste e merituar.
Prishtinë, 9 gusht 2016