EDHE NJË BOTIM I RËNDËSISHËM MBI TASHËGIMINË TONË SHPIRTËRORE DHE ARTISTIKE

0
343
Anton Nikë Berisha - Kanuni

Prof. dr. Skënder Asani

“Kanuni – dëshmi e qenësishme e ligjësive të lashta të jetës së njeriut tonë”, është botimi i radhës i Institutit tonë. Përmes këtij studimi, autori Anton Nikë Berisha, njëherësh edhe një nga bashkëpunëtorët tanë të jashtëm më produktiv, ka synuar të ndriçojë disa nga qenësitë dhe vlerat kryesore të Kanunit të Lekë Dukagjinit si trashëgimi shpirtërore që gjallëroi dhe u mbart shekuj me radhë përmes mënyrës gojore.

Kjo vepër mund të merret edhe si analizë etnografike, filozofike e juridike, e parë dhe vëzhguar edhe me pjesë të tjera të trashëgimisë sonë shpirtërore dhe artistike, sidomos me mikpritjen, me këngët kreshnike dhe me dukuri të tjera, që njeriu ynë i përdori në të kaluarën dhe që disa, në formë të pjesshme, mbërritën edhe në ditët në vijim.

Në këtë botim autori ka sjellë edhe Parathënien e Fishtës, punimet e atë Pashk Bardhit dhe të Faik Konicës (Shtojca e parë), që janë në botimin e parë të Kanunit të Lekë Dukagjinit të vitit 1933 dhe shtojcën (tjetër) me disa pjesë të zgjedhura të Kanunit, të cilat dëshmojnë për disa dukuri të qenësishme të kësaj trashëgimie, që pa asnjë dyshim, e plotësojnë dhe e pasurojnë këtë studim.

Në fillim të studimit autori ka sjellë këtë mendim të Atë Bernardin Palajt për rëndësinë e Kanunit si trashëgimi kulturore dhe shpirtërore që njëherit demon lashtësinë e njeriut dhe të botë sonë: “A ka ligjë ma të vjetra n’Europë se kanunin e maleve t’ona? Si lexove ato ligjet e para të njerzimit të Bibljes, si ato të dymdhetë drrasave të romakëve të herëshme ase ai kanunin e të parëve të Germanve, kerkund së ké me gjetë moterzime aq të gjalla e shprehë ma klasikisht, sa nder ato sprehjet e shkurtuna mijvjeçare të kanunit të maleve t’ona. Sikurse në gjuhë e ndër prrallat e katallajve njashtu edhe në doke e në kanune shqyptari i maleve ruejti tharmin e vet indoeuropjan. Thanjet e kthiellta të kanunit, të gjith sa lakolike aq kuptimplote, lmue neper rrymen e shekujvet ma fort se ato vallet e ktij popullit mijvjeçar, i mblon nji msheftësi arkaike, shpesh krejt të pakuptueshme prej atij qi nuk leu e s’u rrit në ket botkuptim të maleve t’ona [1].”

Po sjell këtu dhe mendimin e Atë Gjergj Fishtës në Parathânien e botimit të parë të Kanunit të Lekë Dukagjinit, të botuar më 1933 në Shkodër: “Me të vërtetë se neper botim të “Kanûnit të Lekë Dukagjinit” i bâhet komit nji sherbim i dobishem, mbasì per ç’do nji Shtet, qi thotë, se do me jetue e me u zhvillue mbas parimeve t’arsyes e të hullís së gjytetnís së vertetë, ligjët gojdhânse e qi permblidhen në kanunin doketar të komit, kan nji randsí të madhe fort në vetvedi: e se prandej duhen pasë para sŷsh prej gjith njatyne, qi presin e zbatojn ligjët e Shtetit” nga se “[…] kû mâ mirë e mâ kjarët se nder ligjë doketare të nji kanuni ligjdhansët e Shtetit kan per të njoftë shpirtin, karakterin e nevojët e verteta të popullit?

Fuqija e ktune ligjve, mâ fort se prej sankcjonit të ligjdhânsve, u vjen prej faktit se janë bâ doke e prej vedit kan hî shî në jetë të popullit; e prandej janë mâ të gjashme, pse edhe influencen e kan mâ të madhe mbí masat, qi merr seicilli nder ato intereset e veta. Ligjët neper kohë e rrethâna ndrrojn: prandej edhe ligjët e kanunit do të ndrrojn; por, para se të ndrrohen, jurista të specjalizuem do të studiojn kohen, mndyren se si me i ndrrue, tue ruejtë gjithmonë frymzimin karakteristik të tyne edhè nder ligjë të reja, neper të cillat të zevendsohen. Kshtû kan punue të gjitha kombet e gjytetnueme”.

Ky studim i prof. Anton Nikë Berishës me qasjen dhe me ndriçimin Kanunin si pasuri dhe trashëgimi shumëfish e rëndësishme materiale, kulturore dhe shpirtërore mundëson njohjen më të mirëfilltë të tij.


[1] Atë Bernardin Palaj, Mitologji, doke e zakone shqiptare. Zgjodhi, shtjelloi dhe përgatiti për shtyp Anton Nikë Berisha. Shpresa, Prishtinë 2000, f. 55. Shih më gjerësisht për Atë Bernardin Palajn në punimin e Ernest Koliqit: Bernardin Palaj dhe njipoemth i tij i pakryem. Në “Shêjzat” (Le pleiadi), Vjeti XVI, n. 5 – 8, Romë 1972, f. 152 – 181 dhe Angela Cirrincione, Intruduzione. Në Bernardin Palaj, Opere. Volume I, Poesie. A cura di Angela Cirrincione, 1969, f. 1 – 25, sidomos Il poeta, f. 12 – 16.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.