PANDEMIA

0
492
Kalosh Çeliku

(Tragjikomedi)

NGA KALOSH ҪELIKU

Vetat:

SHKRIMTARI, DJEMNUSHA, DOKTORZIU, XHADIA, KËLYSHI XHADISË, PASHTERKËKUQJA, KANDARI ҪAJUPIT, HOJDODOLJA, TRUDËKAҪI, INSPEKTORI POLICOR, SULLTANI STAMBOLLIT, PLAKU I ZAJAZIT, KOMANDANT “MJEKRA”, KOMANDANT “ASKERI”, PLAKA E MARSIT dhe KAҪAKËT E ZAJAZIT.

Koha e ngjarjes

Vitet e krizës politike dhe ekonomike, kur politikanët gjysëmanalfabetë, si ujqërit iu sulën shoqërisë dhe Shtetit “përbashkët demokratik”, dhe as me të mirat, as me të këqijat nuk i lëshonin postet partiake. Lufta kinebertike në Shqipëri, Kosovë dhe Mal të Zi… Dëbimi i Ambasadës Iraniane nga Tirana;

Vendi i ngjarjes

Qytet antik rrëzë Kalasë Dardane. Vardari e ndan në dy pjesë, anët e të cilit i lidh vetëm një Urë guri dhe pesë të tjera nga betoni me luaj dhe skulptura partiake – fetare neokomuniste. Mbi çati të shtëpive aty‑këtu lëshojnë shtat minaretë e xhamive… Këmbanat e kishave… E në përiferi tymtarët e lartë të fabrikave ish komuniste. Kryqi i madh në malin “Vodno”. Qyteti, që shekuj me radhë është robëruar dhe është çliruar nga pushtuesit;

Burimet e autorit

Selitë e partive poliltike maqedono-shqiptare. Qeveria e rrethuar me hekura. Institucionet e shtetit të “përbashkët”. Zyra e redaksisë “Zekthi”… Kafenet e Qytetit… Takimet poetike letrare… Tavernat e “Bit-Pazarit”… Kabinetet e Unevirsiteteve… “Pazari i Grave”…

Ndarja e roleve:

Skena është e errët. Tavolinë pune me  libra, llambë tavoline mbi kokë të Shkrimtarit, dy-tri palë zyze leximi dhe dielli. Në ekran shihet në fotografi Këlyshi me zgjebe me një asht në gojë (karikaturë e Dhimitër Ligorit). Dikur hyn autori i dramës, dhe e ndez llambën e tavolinës punës. Në dorë e ka dorëshkrimin: “Kopeja me zgjebe ndjek Autorin“; ulet në karrige, merr thellë frymë dhe i drejtohet publikut:

SHKRIMTARI: Natë, të mbarë publik i nderuar, para se të fillojmë lojën skenike, dua t’ju them se për ta shkruar këtë tregjikomedi, miqësi besnike lidha me personazhet e kësaj tragjikomedie. Trutë i shtrydha me dorë natë e ditë. Dhe, për çudi, edhe sot e kësaj dite habitem sesi më kanë mbetur në kokë, nuk më kanë fluturuar në Qiell. Ose, nuk m’i shtinë me dhunë në një palë hebe të arnuara krahëve, t’i shkelin mirë e mirë me të dyja këmbët pamëshirë, dhe të m’i varnin në një degë te Rrapi, në Shkup… Kam qenë i sharë dhe i lëvduar… I nderuar dhe i poshtëruar…

E kam dashur më shumë Veten, prandaj ju kam dashur edhe ju të tjerëve. Kjo nuk më ka varfëruar, nuk më ka mjeruar si shkrimtar, nuk më ka dobësuar… Por, aq më tepër, më ka gatuar, më ka pasuruar, më ka bërë shkrimtar. Mu për këtë, askush deri më sot nuk më hipi në qerre, as me dy rrota, e as me katër rrota, nuk më këndoi këngë me çifteli, dhe: as më duartrokiti, nuk ma shtroi rrugën me lule. Për të qenë ky që jam Sot, i dashur dhe i urryer, është dashur të eci rrugëve të jetës përtej ditëve me dy e katër këmbë. I etshëm dhe i urtë, i leckosur dhe i lodhur… I dashur, sharë, i pështyrë dhe i urryer… I dënuar dhe i mbyllur në dhomën time me libra.

Ditët, që i kam kaluar rrugëve, dhe netët pa gjumë mbi libra, më kanë tërhequr drejtë dhiareve nga majat me borë: Baba Tomorri i Ҫajupit. Malin e Perëndive, ku pihet vera, shkruhet poezia, dhe bëhet dashuri…

E di, mund të ma merrni për të madhe, pse ngjarjen nuk e kam vendosur në ndonjë kohë e vend të caktuar. Ndonjëri nga ju ndodhë të shkojë edhe më larg, të më shpallë të marrë (çmendur). Po, mos t’i fryjë shumë kosit, unë kam arsye. Shkrimtari nuk e di as vetë se cilës kohë i takon me Librin për Nesër. Xhadia me Këlyshin me zgjebe përdore, mund t’i takojë së kaluarës, së tashmes, por edhe të ardhmes. Djemnusha, kohës së Omar Khaj­amit. Doktorziu, të gjitha kohërave, por, më së shumti, kohës të Sotshme. Pashterkëkuqja, fatkeqësisht Shtëpisë Publike. Kandarin e Ҫajupit, me qëllim nuk e hudh në asnjë kohë, mund ta caktoni fare lehtë ju vetë, nuk e keni të vështirë. Plaka e Marsit, pasi u ka takuar të tjera kohëve, mund të vendoset edhe në kohën e tashme.

Trudëkaçi le t’u takojë të gjitha kohërave, vetëm të ardhmes jo, se do të më nxjerrë punë në libra. Hojdodolja, botës së luleve… Inspektori Policor, kohës të “vëllazërim-bashkimit”. Liria, kohës të luftës (2001 -shit). Sulltani Stambollit i takon kohës të Perandorisë Osmane, shpëtona Zot! Plaku i Zajazit, kohës të Baba Dovletit. Kaçakët e Zajazit me armë përqafe e në brez, kohës të turqizimit. Xhindi i Parë dhe Xhindi i Dytë, kohës Djeshme dhe të Sotshme. (Ngadalë ngrihet në këmbë, dorëshkrimin e tragjikomedisë e hap në faqen e parë, e shuan llambën e tavolinës dhe hynë në skenë.)

PAMJA E PARË

Skena: Gjysmë e errësuar të cilën e ndriçon vetëm një llambë mbi tavolinën e punës nga druri i arrës . Ndërsa, mureve mezi shihen raftet plot me libra. Diku në mur, mbi shtrat, edhe dy‑tri piktura. Në njërën, Gjeli Kryengritës, dhuratë e Piktorit Koci nga Poradeci. Tjetrën, Ferexhezeza. Pranë dritares në tavolinën e punës, dritën e së cilës duket Poeti, të cilin e ka zënë një gjumë i thellë mbi laptop. Pranë tij janë edhe një ibrik me raki rrushi dhe dy shtama të zbrazura verë. Një bokall me verë të kuqe dhe disa libra. Matanë dritares në terr dëgjohet zëri i Zogkeqit. Pak më vonë, njëra pas tjetrës edhe dy krisma pushke, që si me sëpatë çajnë terrin. Ushtima e tyre si dy rrufe para ardhjes së shiut dhe rrufesë humbet nëpër natë.

Kënga e Zogkeqit tashmë nuk dëgjohet, me siguri i trembur pushon në tra të çatisë Shtëpisë. Përsëri, heshtje e rëndë si natën e varrit. E pak më vonë edhe lehja e qenëve… Ham-haam -haaam… Errësirën, dikur ngadalë e dëbon nga skena drita e reflektorit, duke e ndriçuar paksa fytyrën e Shkrimtarit. Mjekrën e bardhë, Dje të zezë shihet se: e ka lëshuar kaherë mbi fytyrë, po edhe flokët e thinjura e të drejtë ia kanë mbuluar veshët. Vetullat e zeza, përpak nuk ia kanë mbyllur sytë. Në trup ka të veshur tesha të vjetra me arna nga teksasi dhe një këmishë pa mëngë të grisura me arna . Në dritare, papritmas shfaqet një hije gruaje. E cila hynë edhe në skenë.

DJEMNUSHA: Këlyshi me zgjebe i Doktorziut me një asht në gojë, natën leh në Iriq…

SHKRIMTARI: Përmëkeq, edhe nuk i del zot Shtëpisë. Ndërsehet pas shpine sa herë që Doktorziu ia bënë me gisht. Lidhjen e Shkrimtarëve Shqiptar në Shkup, e lanë pa asnjë projekt në vitin 2022. Edhe, duan të shkojnë në Evropë?!

DJEMNUSHA: E kuptoj, Doktorziu ia fluk nga një copë buke pas dere. Ose, asht. Po, nuk e kuptoj sesi, ky Këlysh me zgjebe i Doktorziut me dy dhëmbë në gojë, merr guximin t’i ndërsehet Ujkut të maleve. Edhe atë, tinës pas shpine nga pusia. E ndjek Ujkun e maleve, ky Këlysh me zgjebe besnik i Doktorziut deri te autobusi urban, në stacion rrëzë Kalasë Dardane.

SHKRIMTARI: (E sheh zgjebanin, që edhe ai  është duke pritur në stacion autobusin. I hudh një vështrim të egër duke ia bërë me dije se të pashë, po nuk e kam mendjen të përshëndetem me ty si këlysh me zgjebe, Vetmevete): Shkaku, se: ne jemi fis ujqërish, vijmë nga malet dhe nuk trembemi nga ndjekjet dhe lehjet e sojit të juaj pas shpine. E di, se jeni fis i yni nga gjaku, jeni “vëllezërit” tanë, po fatkeqësisht jeni kopila melezë. Një Zot e di se me kë jeni kryqzuar pas ndonjë mullari me bar. (Autobusi improvizuar vjen në stacion, hipë si të gjithë udhëtarët që prisnin në peron. Shkrimtari pasi hip në autobus, stacionohet më këmbë pranë një gruaje, pasi nuk ka vend të lirë për t’u ulur në karrike. Në ndërkohë, më këmbë edhe e shfleton gazetën e “pavarur të vëllazërim – bashkimit”, në të cilën Këlyshi me zgjebe shkruan kolumne politike. I shpërthen gazi): – Hi-hii-hiii…

U bë Shkupi Kaçanik!” Qesharake, ë?! Shkupi me gjithë këta heronj bullgarë, misionarë grek, luanë, kisha ortodokse, xhami e hoxhallarë në minare, kurrë nuk mund të bëhet Kaçanik. Shkaku, se Kaçaniku është Kaçanik si te ajo kënga popullore shqiptare: ku, në një betejë kryengritëse shqiptare flakë më flakë me pushtuesit osmanë, është derdhur gjaku deri në gju, sa që është mbytyr edhe kali. Nëntë sahat është therë me thika. E ka nemur turku popullin shqiptar, thotë këngëtari popullor: “Kaçanikut i raftë pika/  Nuk e di se çka asht frika/ Nantë sahat u therë me thika…”

DJEMNUSHA: (Hip edhe ajo në autobusin e improvizuar). E, në atë luftë dihet, nuk ka luftuar vetëm Kaçaniku, por e gjithë Shqiptaria. Edhe: ku është ajo e mirë, që Shkupi të bëhet Kaçanik. Këlyshi me zgjebe, nuk e ka gajlen e Shkupit, po gajlen e Kaçanikut shqiptar, që ia rrezikon thirrjen e ezanit në minare. Nëma e shqiptarit për Atdhe, është edhe më e rëndë, se: e turkut. Hoxhën me çallmë turku në kokë e ka mbuluar “harami”.

KËLYSHI XHADISË: (Hipë, edhe ai në autobus me një asht në gojë. Që, nuk e njeh Nëna e vet, e ku më populli shqiptar. Papritmas, leh me zë të lartë pas shpine që ta dëgjojnë edhe udhëtarët, në autobus): Ham, haam haaam… Marre, duhet të të vij që më ke sharë në gazetë!

SHKRIMTARI: (E shikon duke i buzqeshur mjeranit trim me dimia turku. Asganin, që para pak kohe në stacion nuk e kishte atë guxim, e shi tashti pasi hipi në autobus i erdhi fuqia si te ato këngët kreshnike, kur Mujit e Halilit u japin gji Tri Zanat e maleve, fuqi për luftë. Vetëmse, këtij “kreshniku” të “Bit – Pazarit”, tashti kush i dha tambël, me siguri ndonjë ferexhezezë Anadolli. E shkundi me habi kokën.) Dëgjo ti Këlyshi me zgjebe i Doktorziut, jemi në autobus – vend publik se, po të ishim në tjetër vend, ndryshe me ty do t’i qëronim hesapet. Nuk është problemi im si shkrimtar, është problemi yt si këlysh partiak.

Punësimit tënd në gazetën e “vëllazërim-bashkimit”, entit për punësime dhe institutin e gjuhës shqipe. Prandaj, të them ikë matanë karrikeve partiake, mos të të shqyej me gjithë arna edhe këtu mes udhëtarëve! Unë vërtetë jam i kulturuar, po edhe kultura ka kufi në disa raste mes Kryeqytetit të Dardanisë. E sidomos, kur Halldupi shqiptar imponon me dhunë rrugë turko-arabe dhe ruso-sllave. Asnjë shteg shqiptar. Edhe, me halldupët, që e kanë rrokur me të dyja duart Shkupin historik për fyti, ia kanë zënë frymën me “flijime kulturore – artistike” teknefese, nganjëherë më detyrojnë t’i përzi kësulat edhe në mes të “Bit-Pazarit”, para syve të kalimtarëve.

KËLYSHI XHADISË: (Kur e sheh sa është sahati, ikë struket mes udhëtarëve në fund të autobusit. Dhe, në stacionin tjetër të radhës, zbret me bishtin nën këmbë. Ikë me të katërta me gjithë zgjebe matanë rrrugës, drejtë e te “Xhamia e Isa Beut”Përmes valëve të Radio Shkupit dëgjohet një këngë antologjike popullore shqiptare e Irini Ҫirjazit: “Dhentë e mia kush i do,/  se nuk jam i zoti më për to,/ e do loz me Miken -o” ?!…)

SHKRIMTARI: (Pasi zbretë nga autobusi, në redaksinë e revistës për humor dhe satirë  “Zekthi”, që del kur t’i teket:). “Dele” të zeza, që me të katra u arratisën në vathën e  “vëllezërve” të Njerkës. Hiç më pak se, gjysma e Kopesë me “plisa të bardhë” në kokë. Përpiqen në Ditën e Sotshme ta shpëtojnë veten si “komandatë” lufte, e harrojnë se shumica deri dje, kanë qenë dele të nënkryeme në vathën e Bariut, si “analistë” politik me kokën në grazhdin e  partive politike me bythën na, palare mesdite me honorare të majme  si këshilltarë e “analistë” politik në “Shtëpinë Publike” të Njerkës, që mezi i kanë “mësuar” shenjat e pikësimit gjatë shkollimit të tyre në Universitetet shqiptare, por ende nuk e dinë se ku në cilin vend vëndohet pika, dhe kur përdoren ato shenja të pikësimit: në fillim të fjalisë, në mes rrjeshtit, apo në fund të fjalisë?!

DJEMNUSHA: Ende, vazhdojnë t’i presin me ato gërshërët neokomuniste vlerat artistike, arsimin dhe kulturën shqiptare deri në palcë. Trusakati, që ka kryer edhe fakultet. Nuk e di, a ka doktoruar në ndonjë Universitet Shtetëror, ose privat, por me siguri me këtë “bagazh” arsimor professional partiak, nesër me siguri edhe do të doktorojë, punojë në ndonjë Universitet, ose Institucion shtetëror në qeveri.

SHKRIMTARI: Fatkeqësisht, deri dje, mu këto “kryengritës” të Nënës Parti ishin ato dele ruda “topalle” qafërjepura, që kullosnin “sallmadi” kokë më kokë livadheve të partive tona politike shqiptare. Njëri pas tjetrit pa merita, blenin diploma universitare e tituj shkecor. Radhë – radhë, pritnin në rend përpara dyerve të Partive Politike për vende pune. Përditë, shëtitnin me porosi partiake nëpër vende pune e poste politike. E, Bariu i maleve: sot, “delet” e nënkryeme dhe “deshët” shyta, nuk i do më në vathë. Kope me zgjebe, t’i kullosë livadheve e maleve të Sharrit Plak. Patjetër, sot, në mes të Vapës Madhe i ka nxjerrë në tregun e “Bit – Pazarit”), jo t’i shesë si kafshë të buta shtëpiake, po t’ua japë falas disa çehave “vëllezër” në Shkup. Shkaku, se: “do të loz fushave e brigjeve me Miken -o”!

DJEMNUSHA: “Dele” të nënkryeme, që sipas “analistëve” politik me këmbët dhe trutë në legen, sot për sot, gjithësecili do t’i shti në vathë dhe mjelë si bari i deleve partiake, përveç “vëllezërve” të Njerkës, që ende i kullosin nëpër livadhe e lëndina të partive politike dhe shoqatave të “pavarura” e të varura joqeveritare me një torbë taxhi përqafe, por asnjëri nuk i do në vathën e tyre partiake t’i mallojë fushave e maleve si Kope e nënkryeme.

SHKRIMTARI: Kotnasikoti, edhe nuk e thotë populli: Delen, që ndahet nga kopeja e hanë ujku. Mëkot, i kërkojmë gjurmët e Ujkut matanë porte. Delengrënësi, një rrunzë e ka marrë në qafë te “Përroni i Thanës”. Tjerat, i shkojnë vetë përmbrapa.

KËLYSHI XHADISË: (Hynë në skenë me gomarin përdore të ngarkuar me dy kosha dardha turke): Hajde dardha turke! Hajde dardha turke! Hajde dradha turke!

DJEMNUSHA: I delë para me vargjet e këngës popullore: Po vjen dardhaxhia, dardha me na shit./ Dardha jena vetë/ të bukura jena vetë/ ik o dardhaxhi, mos na i luaj mendtë e kresë!

SHKRIMTARI: Amani, le t’i hipë në shpinë kush të dojë gomarit: Dexhalli e Shejtani i “Allahut”. Vetëmse, jo edhe Dardhaxhiu! Shekuj me radhë i kanë hipur “vëllezërit” e halldupët. Paknevojë, ka t’i hipë mbi samarë si cung shelgu, shalojë me të katra edhe Trusakati. Kalorësi i arratisur, që brez pas brezi bënë luftë për Xhadinë. Edhe, siç thotë Fishta i Madh:

Jo pse ju Shqipninë doni.
Jo pse ju ndo‘ send kuptoni
Shka asht Atdheu e shka është Lirija.
Shka asht Vllaznija e Parasija
Përpraimi e Qytetnia.
Por, veç pse ende der më sot
Një tyran s’po e gjeni dot.
Nën këmbë t’cilit ju me u shtrue.

        Filip Shiroka shkon edhe më larg si poet:

Nji natë, n’javën, rash në shtrat me fjetë,
Zembra, m’ish helmue, gjumi m’kishte tretë,
Mejtoshe ç’po vuejnë tash burrat e Shqypnisë
Prej disa halldupve n’sherbim t’qeverisë.

DJEMNUSHA: Atëherë, o dardhaxhi dudum me hebet e arnuara arnë përmbi arnë në krah, a nuk është më së miri ta mbyllish gojën në Ditën e Sotshme Historike?!… Shkaku, se: Dardha jena vetë,/ të bukura jena vetë/ ik o dradhaxhi, thyej qafën në Qeveri! Ngriti këmbët përpjetë mbi tavolinë! Edhe, mos na shitë shumë mend për Shqipëri!…

SHKRIMTARI: I kemi provuar gati të gjitha armët luftarake: penën, pushkën, protestat paqësore në rrugë. Edhe luftën. Përçudi, ende deri më sot nuk arritëm te qëllimi historik i Rilindasëve Shqiptar. Shkaku, se: gjithë kohën jemi duke dëgjuar “analiza politike” njëpartiake të kalorësve të arratisur me zorrët nëpër këmbë. “Politikanë”, që këtij populli i kanë hipur në shpinë me shekuj duke e shaluar me të katra livadheve. “Intelektualë, analistë, gazetarë e kakademikë”, që nuk shohin më larg se, në Lëmë.

Shoqata të varura e “pavarura” joqeveritare, që e thirrin popullin në protesta “paqësore” në rrugë, me këmbëngulje kërkojnë të ndërpritet lustrimi i gazetarëve. Dukuri e rrallë kjo në shtetet demokratike, kur gati e gjithë bota e di se, në sistemet komuniste, nuk ke mundur të punosh si gazetar nëse nuk ke qenë bashkëpuntor besnik i policisë sekrete. E të mos flasim për redaktor, kryeredaktor e drejtor i mjeteve të informacionit.

DJEMNUSHA: Atëherë, pse tremben gazetarët nga lustrimi, frikë kanë se shoqatat e tyre të “pavarura”  e varura joqeveritare do të mbeten me pak anëtarë?!

SHKRIMTARI: Ndoshta, po. Vetëmse, edhe një shoqërie demokratike për të ecur në hap me botën përparimtare, nuk i duhet soji këtill i gazetarit “kryengritës”. Nateditë të merren me skandalin e përgjimeve. Sytë i kanë mbyllur nëpër poste partiake, kabinete e vende të punës me një pagë mujore. Kalorës të arratisur, që moti e kanë shitur veten një torbë taxhi, vend pune, poste partiake në Qeveri. Koha është, shoqëria demokratike shqiptare të zhvishet nga soji i këtyre palaçove me palarenë përmejdani në polici e kokën në mjetet e informacionit në shtetin e tyre të “përbashkët”, nateditë duke lehur në dritare.

KËLYSHI XHADISË: (Hynë në skenë, kësaj radhe jo me një asht në gojë, po me trumbetë zëri): Nëna parti është në rrezik, duhet t’i dalim zot, o sot o kurrë! Rrokni armët! Parullat, dilni në protesta! Ja vdekje, ja liri! Shembull i freskët teknefes: Gjenerali i “Branitellave”, që në çdo emision telaviziv të “pavarur” i jepet hapsirë debative një “komandanti” lufte. “Vëllait”, i cili Dje luftoi kundër UÇK -ës, sot i thirrë të luftojnë së “bashku” kundër “kriminelëve” ende pa u shëruar plagët e luftës (2001). Thirrje, u bënë shqiptarëve krah për krahu të dalin në protesta “paqësore” në rrëzimin e Qeverisë. Një miljon euro i afron shpërblim prokurorit (sherifit) që e burgos “Kaubojin” e Shkupit?!…

SHKRIMTARI: Haptas kërkon në emision debativ para kamerave televizive edhe një Sanço Panço shqiptar. Mendja e rren se, ende shqiptarët hanë bar, do t’i besoj njeri këtij kalorësi të arratisur. Përpiqet ta dalldisë popullin shqiptar, përsëri ta nxjerrë në rrugë (luftë). Gomarit, përsëri duhet t’i hipë mbi samar Nastradinica në shpinë me gjithë rraçe. Nastradinin duhet ta hudhim bythekrye në përrua. Veten e dalldisin me ëndrra partizane, flasin jerm pasmesante.

DJEMNUSHA: Pavetëdije, i zbulojnë rraçet e dardhave të qullta gorrice para syve të popullit. Palarenë e nxjerrin në diell. Bukën duan t’ia hanë Xhadisë në “Shtëpinë Publike”. Kukullës të vitrinave në Qendrën tregtare, që hë për hë edhe ajo mund të hudhë në opinion një mendim “Ndryshe” për dalje nga skandali i përgjimeve. “Bombave” politike. Popullin ta nxjerrin në rrugë, “protesta” për Liri.

SHKRIMTARI: Komunistët e arratisur, dje këtë popull e morën në qafë: pollën shtete artificiale. Sot, e dalldisin me parulla neokomuniste ta “nxjerrin” nga kriza politike. Përmëtepër, t’i dëgjojnë “këshillat” e ndërkombëtarëve, e kurrë Vetëveten si faktor kryesor politik shqiptar në rajon: a duhet të qëndrojnë në Qeveri, apo duhet të dalin në rrugë?! Ose, deklarata teknefese e Doktorziut, se: shqiptarët nuk mund të kyçen në dialogun politik në Bruksel pa iu bashkangjitur “bombave” politike të “Shpëtimtarit” të shqiptarëve?!

DJEMNUSHA: Kohë, kur zjarr na digjet mbi krye, ato turren në themelimin e partive të reja politike?! Përçarjen e faktorit politik shqiptar nëpër parti politike, e jo në bashkimin e atyre forcave të dalldisura partiake për zgjidhjen e Çështjes shqiptare në Ballkan?!

DJEMNUSHA: Halli është i popullit shqiptar, apo i posteve politike?! Pasurisë personale, familjare, miqësore, klanore dhe partiake.

SHKRIMTARI: Duartrokitje për vargjet e Ҫajupit: “Kandari”. Gabim i madh politik – historik. Nevojë sot, nuk kemi për hudhjen e gjithë atyre “bombave” politike në rrugë para kamerave televizive, por në Kuvend, Instuticionet e Shtetit të “përbashkët”. Zgjidhja e Çështjes shqiptare duhet të nxirret në rend dite në Kuvend. Lumi nuk kalohet matanë me gomarë të cofur partizanë, që përqafe sot u ka mbetur si “stoli ari” vetëm kërpeshi komunist dhe samari. Dallgët, pas çdo shiu, stuhie t’ia bartin bishtin në sipërfaqe rrënjëve të shelgjeve Lumit. Koka u ka mbetur mbi ujë si kunguj të kalbur Stambolli. Këmbët, moti ua ka marrë rryma e ujit përrockave nëpër Katund.

KANDARI ҪAJUPIT: Dhashtë Zoti, përsëri të ndodhë ajo anekdota e Nastradin Hoxhës: Dy vetë kur zihen në mes të pazarit, luftën e fiton i treti. Nastradinit, kur ia vjedhin jorganin në hyrje të pazarit Kërçovës. Pakujdesia, ai kur i sheh duke u zënë me grushta në mes të rrugës “belaxhinjtë” kacafytas, turret t’i ndajë nga dyluftmi. Jorganin e lë anësh në trotuar. Pasi i ndanë kacafytësit, kthehet ta marrë jorganin. Përçudi, jorganin ia kishin vjedhur hajdutët. Nastradini, atëherë tha me vete: Dy vetë kur zihen me grushta në rrugë, luftën e fiton i treti. E gjithë puna kishte qenë për jorganin tim me pupëla.

DJEMNUSHA: Lumi i tërbuar, që zbret nga malet me rrëmbim, sot kalohet me kalë shale e jo me gomarë samari, coftina asht e lëkurë. Edhe atë, patjetër t’i shalojnë kreshnikët e Baba Tomorrit. Zanat e Malit t’u japin gji (tambël) me nga dy shtama nën hije. Shtatë sahat larg, matanë maleve ta flukin gurin… (Papritmas, në skenë shuhen dritat. Errësirë).

SHKRIMTARI: Ndizni dritat! Dritat. (Vrik, në skenë, ndizen dritat. Tavernë “Bit-Pazari”. Kokë më kokë Shkrimtari me Hojdodolen).

HOJDODOLJA: U lodha më me çaj rusi “hallall” nëpër “Bit-Pazar”. Tollumba “hallall”. Raki rrushi “haram”. Ferexhezeza. Dhe, rrufjanë. E kërkoj një gotë raki rrushi “hallall”! (Dhe, i afrohet tavolinës). Urdhëroni, zotëri?

SHKRIMTARI: Një raki rrushi “hallall”, se vështirë sot e gjej nëpër “Çarshi”?! Në çdo qoshk, çajtore. Dyqane vetëm “hallall”, që u shkruan në ballë… “Sulltan” e Hamam…

HOJDODOLJA: Fatkeqësisht, as ne nuk e kemi momentalisht “ilaçin” tënd, raki rrushi “hallall”. Por, kemi çaj rusi “haram”.

SHKRIMTARI: Nuk e pi çajin e rusit “haramin”, po rakinë e rrushit “hallallin”. Mundet, edhe atë të dëllinjave. Ose, Dy shtama me verë… Halli?!

HOJDODOLJA: Halla, do burrë!

SHKRIMTARI: E, ku t’i gjejmë burrë hallës në Ditën e sotshme?! Zjarr, kur na digjet mbi krye.

HOJDODOLJA: Problem i yti është, he burrë i penës me dy tyta.

SHKRIMTARI: Atëherë, çka keni ju sot në sofër? Hë për hë, a keni birrë “hallall” Rrapi. (Përpak, plasi nga inati.)

HOJDODOLJA:  Zotëri, nuk kemi birrë “Rrapi”. Sot, kemi vetëm “Skopsko”.

SHKRIMTARI: Ani, ma sillë një birrë “Skopsko”! (Hojdodolja ende pa ikur pas porosisë, veshët ia vretë biseda e tre-katër “turqve”, matanë në tjetrën tavolinë: Këlyshi Xhadisë, “turk” nga Shkupi, e tre të tjerët biznesmenë “arnautë” nga Turqia. “Biznes” bënin për blerjen e një objekti tregtar, në Shkup. Herë pas here, “turku” në gjuhën zyrtare komunikonte përmes telefonit me një “biznismen  maqedonas”. Gjatë gjithë kohës i shanin “arnautët”.

KËLYSHI XHADISË: “Arnautët” janë fajtorë. Armiq të këtij Shteti të “përbashkët” dhe Turqisë mike. Banditë, që e granatonin Qeverinë e “përbashkët” maqedonase. Dorën nuk ia zgjasin “Shpëtimtarit” të shqiptarëve në hudhjen e “bombave” politike para kamerave televizive. Përndryshe, po të mos ishin “arnautët”, Turqia “muslimane” ende edhe sot do ta kishte Shkupin e Rumelinë nën sjetulla.

SHKRIMTARI: (Vetëmevete). Me siguri është ai “turkui Shkupit, që mu paraqitë me një koment teknefes nën shkrimin tim publicistik?!

HOJDODOLJA: (Pasi i erdhi më te hunda me “biznismenët turq”, që gjithë kohën i shanin shqiptarët. E, në këtë takim pune dhe pinin vetëm ujë dhe çaj rusi. Aty për aty, ua përplasi në sy në gjuhën shqipe): “Kardash”, këtu i thonë Shqipëri!… (Fjalën turke e theksoi zëshëm në dy pjesë): “kar” dhe “dash”… Nuk jetohet gjithë kohën me ujë çeshme dhe çaj rusi. Skënderbeu, “tradhtari” juaj historik, nuk ka pi çaj rusi dhe ujë çeshme, po e ka pasur si ushqim kryesor në sofër: përsheshin me mish qengji. (“Turqit” me habi, pasi u shikuan sy më sy mes vete, përsëri vazhduan me të veten se, fajin ua kishin “arnautët”. Skënderbeu, që i kishte lënë në baltë, dhe papritmas i “tradhtoi në luftë” kundër shkaut. Rilindasët shqiptarë, që me vjersha e kishin sharë Turqinë, thirrë popullin shqiptar në kryengritje kundër Baba Dovletit. Çajupi, që e kishte shkruar një poemë kundër lartëmadhërisë të Perandorisë Osmane: “Sulltani”. Përmëkeq, “arnautët” tashti u ishin ulur edhe këmbëkryq në “Bit – Pazar”. Rrezik, për Turqinë.

SHKRIMTARI: (I drejtohet Këlyshit Xhadisë): Ndalë, o burrë! E gjithë kjo, nuk është ëndërr. Zgjohu! Matanë maleve lindi dielli. Skënderbeu u ringjall si Krishti me kalë me shalë edhe në “Bit – Pazar”. Azreti Isai fluturoi nga minarja e xhamisë në qiell. Poeti, që vdiq në Voskopojë u ringjall po të njëtën ditë në Korçë. (E shkund veten nga mendimet. Historitë. Xhindet, që nateditë e hudhnin dorë më dorë majë lisave mbi çati. I hap sytë)

HOJDODOLJA: (I rrinte me gjinjtë hakaret mbi kokë. Iu dukën si Dy shtama me verë. Përpak, t’u sulet. Përlaj me të të dy duart). Zotëri, merre kusurin!

SHKRIMTARI: (Tashti, i kujtohet borxhi i tavolinës. Dhe, ia kthen prapa përgjigjen Hojdodoles): Kurrë, mos u merr me histori, humbë kot kohë me këto halldupë “Bit-Pazari”! Dudumë, që shqiptarët pesqind vjet i mbajtën gjallë në këto troje me tru dhe forca ushtarake. U dhamë: dijetarë, agallarë, bejlerë, pashallarë e kryetarë shteti. Sami Frashëri, u krijoi gjuhë letrare turke. Ataturku i bëri shtet demokratik. Shpërblimi, i asaj kohe: Edhe, në Ditën e sotshme “vëllezërit” turq përpiqen të na e kthejnë borxhin me gra dhe Fe Islame, asimilim si në Perandorinë e dikurshme osmane…

HOJDODOLJA: Mendjen, sot për sot nuk e kemi t’ua zgjasim as dorën. Qafën le ta thejnë “hallallët” në përrua!… Histori… Dita e Nesërme u takon shqiptarëve. Shkaku, se: shqiptarët të gjithë popujt i bënë shtete, e veten e lanë pas dore copë-copë në pesë shtete me shekuj…

SHKRIMTARI: Koha është: sot o kurrë, shqiptarët ta shpallin Shqipërinë Etnike…

PAMJA E DYTË

Skena: Redaksia e “Zekthit”. Një tavolinë pune me  një laptop dhe llambë tavoline mbi kokë. Disa numra të revistës “Zekthi” mbi tavolinë. Mureve dy – tri piktura. Një karikaturë e Dhimitër Ligorit, ku shihet Doktorziu me Këlyshin e Xhadisë. Shkrimtari, duke përgaditur numrin më të ri të revistës për humor dhe satirë “Zekthi”, që del kur t’i teket. Përkarshi tij në tavolinë shihet Djemnusha duke shfletuar revisën “Zekthi”.

DJEMNUSHA:  Mirë do të ishte këto misionarë të “Allahut” e Dexhallit, sot mos merren me “politikë madhore” në xhami. Partive politike shqiptare me vite t’u ngatërrohen nëpër këmbë. Zotin (Allahun) ta fusin me të dy këmbët në politikë. Përmëtepër, t’i rrasin hundët në politikën shqiptare. Arsye, se: ende i kanë trutë dhe këmbët në legenin pa ujë në Qeverinë e “Vëllazërim – bashkimit”. Mjafton që, “xhematin” sot për sot e kanë në xhami dhe ta udhëzojnë drejtë rrugës së Zotit (Allahut) dhe “Vatanit”.

SHKRIMTARI: Porosinë e Madhe e kanë nga Rilindasët shqiptar. Unë vetëm e kam përsëritur me qindra herë nëpër shkrimet e mia publicistike dhe libra.

DJEMNUSHA: Hi-hii-hiii… Përpiqem nateditë me mish e shpirt t’i besoj deri diku Zotit Madh (“Allahut”). Politikës “madhore” shqiptare. Dihet, jo kësaj që e propagandojnë para kamerave televizive me trumbetat e Dexhallit hoxhallarët e rrejshëm dhe partizanët e Partisë Politike Neokomuniste, po asaj të Ditës Nesërme…

XHADIA: (Hynë në në skenë me Këlyshin përdore dhe dajre duke i përdredhur bythët, u jep fuqi për luftë me këngën popullore: Kur e përcolla Dylberin):

Kur e përcolla dylberin
Ktheva hyra n’odë
Kur ia pash manzerrën varun
Ja lava me lot…

SHKRIMTARI: (Ҫohet nga tavolina, duke iu pëgjigjur dhe vardisur me vargjet e këngës popullore): Bjeri dahires çiko edhe pak!…)

KANDARI ҪAJUPIT: (Hynë në skenë edhe ai duke i përdredhur bythët.) Vërtetë, nuk u bëra shkrimtar, por mund të bëhem profesor universitar. Doktor akademik. Shkencëtar me famë, në Katund. Universitetet tona shtetërore e private kanë nevojë për profesorë të këtij kalibri arsimor. (E nisë ligjëratën):

“I nderuari auditor!

Më lejoni që fillimisht të falënderoj organizatorin e kësaj tryeze – revistën për humor dhe satirë “Zekthi”, që më afroi mundësinë për të thënë dy fjalë lidhur me letërsinë shqipe në Maqedoninë e Veriut, dhe me shkaqet e kumonikimit të munguar brendakulturor shqiptar, që shpresoj do të tejkalohet me ardhjen në skenën kulturore të një gjenerate krijuesish… të cilët letërsinë shqipe e shohin si një të tërë, pavarësisht hapësirave gjeografike ku është krijuar e krijohet aktualisht.”

SHKRIMTARI: Duartrokitje! (U bie durve shuplakë). Vallë, ende nuk i shihni papagllët komunistë?! Ende i rren mendja se, edhe sot si dje do të plasojnë në opinionin kulturor e arsimor shqiptar dezinformata kulturore – artistike. Popullit shqiptar do t’i servojnë shkrimtarë të Oborrit. Partizanë të partive politike dhe miq të tyre kalemxhi, që mezi ecin fushës e ku më të ngjiten majave malore me borë, kërcime të bëjnë në letërsi nga mali në mal. Posa hipin në foltore dhe e rrëmbejnë mikrofonin, thonë se do të flasin vetëm dy fjalë, e këndej harrohen dhe dalldisen me orë me “analiza” të arnuara kulturore, nuk zbresin nga foltorja.

KANDARI ҪAJUPIT: Po, të dalim në temën bosht të tryezës së sotme, për të dhënë një pasqyrë modeste, sa për t’jua freskuar kujtesën dhe për t’hapur mundësinë e një debati ku do të kyçemi barabarësisht të gjithë ne edhe nëpër opinione të portaleve elektronike.

SHKRIMTARI: O Tunbatun, nuk ka “ligjëratë modeste”! E, as “letërsi modeste”. Përmëtepër, t’u kërkosh ndjesë krijuesve seriozë. Bota nuk i njeh këto parulla të thata neokomuniste. Ose, është ligjëratë shkencore, ose nuk është si teori shkencore! Porosia ime si shkrimtar: hipe në Kandarin e Çajupit! Ose, është letërsi artistike, ose nuk është fare mes këtij bërlloku arsimor e kulturor, që përditë na e zë frymën. Dorën në zemër, e ke thënë një të vërtetë: “as ka mundësi të zbresë vlerat e dikujt, as të shtojë vlerat e paqena të dikujt tjetër”. Vetëmese kujdes, këtu ka një të vërtetë tjetër për mejdani: ti nuk ke kapacitet arsimor e kulturor që t’i zbresësh vlerat e dikujt, por i ke rritur vlerat e paqena të dikujt tjetër, Policisë letrare.

HOJDODOLJA: Amani, na shpëto o Zot nga ky soj “artisti”! “Doktori” i Letërsisë Shqipe e nis ligjëratën në këtë nivel “shkencor”. Fundekrye me fjali të thata arnë përmbi arnë. Rrenë e madhe. Parulla neokomuniste në Ditën e sotshme, kur zjarr na digjet mbi krye.

SHKRIMTARI: Mëkot i përplas fletët, oj pulë qyteti që këndon si gjel mbi gardh! Nëna ime po të ishte gjallë, moti do të ta priste kokën mbi cung në mes të “Bit-Pazarit”, në Shkup. Zemërohet: Shtëpisë tonë nuk i duhet pula që këndon si gjel. Thoshte: Bir, asaj duhet prerë kokën për “kurban”, në vend të dashit për kaçakët e maleve. Arsye, se: ndjell kob. Lëmën tonë me shekuj e ka zgjuar me këngë gjeli nga gjumi në gardh, dhe jo pula qafërejpur majë plehu.

DJEMNUSHA: Pashterkëkuqe piskat, çirru sa të duash në kupë të qiellit! Rrufjani nuk ka punë tjetër përveçse të shpif dhe etiketojë shqiptarët me “zbulime polico – fetare” në rolin e hoxhës për Shkrimtarin si “armik” i Shtetit, Kuranit dhe shqiptarisë. Përveshi duart deri në bërryla, edhe këmbët mbi gjunj, që të hipësh në minare në ndonjë xhami turko-arabe. Vend nuk të mbeti më, në asnjë Xhami shqiptare, Parti politike shiptare. Trurin, ende e ke në legen. Trurin e halldupes.

E, sa di unë, vetëm truri kaçakut hipë në minare të Xhamisë shqiptare. Minare në të cilën valon flamuri kuqezi kombëtar shqiptar. Mal i perëndive, ku ti nuk ke as këmbë e as tru që të ngjtesh në atë majë me kokën në qiell Verë e Dimër. E, ku me fletë të fluturosh si Azreti Isai nga minarja e xhamisë. Ose, ndodhë edhe ti do të fluturosh kokëteposhtë në livadh, mu si ai Hoxha i Xha Derallës, që e vizitonte shpesh tinëz katundarëve një vejushkë në Katund. Përderisa, djali i saj nuk ia ngriti këmbët në hava nga minarja e xhamisë, bythekrye në tokë.

XHADIA: (Hynë në skenë me Këlyshin e saj përdore). A, të thashë bre bir se, hoxha do ta gjej belanë nga “Allahu”?!

KANDARI ҪAJUPIT: Po, oj nënë. Vetëmse, edhe unë pak i ndihmova “Allahut”. Hoxhës ia ngrita këmbët nga minarja e xhamisë bythekrye në livadh.

SHKRIMTARI: Hi-hii-hiii, sa keq më vjen për këtë dudum “shqiptar”! Hoxha i “Allahut”, që nuk di shkrim lexim në gjuhën shqipe. Mësimet e para i ka ndjek te hoxha i mëhallës, në “Bit – Pazar”. Përgaditje misionare ”fetare” për ta përcjellur “haxhi” në Shtetet arabe. Përcjellje me trumbetat e Dexhallit asaj kohe, përmes Çarshisë. Që, nesër, me shpresë të na kthehet si “çlirimtar” i Shkupit me grada policore halldupi. Gjuhën shqipe e ka përzi lëmsh me atë arabe. Pavetëdije, harron se rrugës nga kemi ecur me vite, gjurmët i kemi lënë aq të thella, saqë: nuk i fshin dot asnjë stuhi. Borë e madhe.

DJEMNUSHA:  “Vëllezërit” e Njerkës, ende mund të të besojnë si hoxhë halldupi. Shtegtojnë në Shqipëri, Kosovë, Londër e nëpër botë në dëm të zgjidhjes së Çështjes shqiptare. Ndërsejnë pas Shkrimtarit me të katra si këlysh me zgjebe nga kontejnierët e bërllokut para Vetëshërbimit në “Bit – Pazar”, sa herë që të kenë nevojë, po unë nuk kam kohë më të merrem me një bub të zgjebosur “Bit – Pazari”. Kokën ta kthej prapa ndaj lehjeve të tij në Iriq kopështi, te Sheshi “Skënderbeu”. Bub sokaku, që sa herë pi çaj rusi në “Çarshi”, vetja të duket “luan antik” para këmbëve të Aleksandrit Madh. Nateditë, përpiqesh të vjellësh gjiriz të kanalizimeve të Shkupit, e kur e sheh ujkun e lëshon në brekë.

SHKRIMTARI: Hoxhë i “Allahut”, mos u mërzitë shumë për Kryeqytetin shqiptar, Shkupi, historikisht ka qenë, është dhe do të jetë i shqiptarëve. Herët të është kujtuar si “patriot” “Bit – Pazari” për “vendlindjen”. Faj, unë nuk të kam si shkrimtar, e kanë të parët e mi kaçakë, që krah për krahu me Dervish Carën hynë në Shkup si çlirimtarë (1844). Kohë qorre, kur të parët e tu ikën si “turq ehamdurila” nga Kosova, erdhën në Shkup ta presin trenin për në Turqi.

DJEMNUSHA: Sa herë që kanë nevojë për dudumë të sojit tënd “vëllezërit” e Njerkës, na ndërsehesh me shokë pas shpine si “patriot  musliman shqiptar”. Qesharake, ë?!

SHKRIMTARI: Hi-hii-hiii… Moti të kam vrarë si dududum me penë. Përçudi, ende je gjallë me pak shpirt në “Bit – Pazar”. Përkarshi meje me trutë dhe këmbët në legen, pi çaj rusi me truproje. “Kauboji” Shkupit, kur hanë qebapë (qofte) me familje pa  asnjë komit në “Çarshi”. Mos u tremb, nuk të vras me armë! Hë për hë, unë vras me Penë…

KËLYSHI XHADISË: (E hap derën dhe hynë në skenë.) “Ju duhet të merrni dhe të mësoni nga Ivo Andriqi i madh. Unë asgjë s’bëj pa u kosultuar me projektin e njeriut i cili të gjithëve na e ndriti fytyrën. Ai na mësoi se si duhet dhe çka duhet të bëjmë. Kështu pra, dhe vetëm kështu i krijojmë vetes mundësinë që t’i lagim këmbët në ujërat e Adriatikut. Përse nuk arritëm qëllimin tonë? Ja ju them unë: së pari janë fajtorë austriakët e tani amerikanët”!

SHKRIMTARI: Përndjekjet e papara që i janë bërë krijuesit shqiptar për ta shndërruar në bashkëpunëtor të sigurimit, nuk kanë të ndalur edhe sot e kësaj dite. Edhe atë, duke u shitur shumë lirë si mall tregu vetëm për një përdorim: një post politik, një vend pune, banesë, anëtar akedemie, gazetar në redaksi, imam në xhami…

KËLYSHI XHADISË: Hej mik, Si tha ajo vogëlushja e Nënës Parti?

SHKRIMTARI: Cila vogëlushe?!

KËLYSHI XHADISË: Bëhesh sikur s’të kujtohet?! Ti me shumë vëmendje përcjell gati çdo regjistrim! Unë mendoj se Ti je shumë i ngarkuar me regjistrimet. Mos po na shkruan diçka në shkrimet publicistike dhe libra?! (Qesh, duke e shikuar drejt në sy).

SHKRIMTARI: Po. Një libër me trima pas lufte… Fytyra publike: politikanë, shkrimtarë, gazetarë, publicistë, analistë politik… Madje, dhe redaksi të “vëllazërim-bashkimit”. Dhe, sa i përket asaj pyetjes për vogëlushen nuk më kujtohet se, unë kam shumë personazhe të arratisur nëpër libra, dhe koka më është mbushur si hambar drithi me egjër në Katund.

KËLYSHI XHADISË: Për atë, që thotë: “vijnë vrasësit”! Mbase, unë nuk ia mbaj mend emrin. Ka një emër të çuditshëm. Unë se kam dëgjuar ndonjëherë, madje as që kam pyetur.

SHKRIMTARI: Aha, po koleg. Ajo që i thoshte nënës së vetë; “po vijnë vrasësit”. Emrin e ka Liri. Nuk e di përse e përsërit shpesh, “po vijnë vrasësit”.

KËLYSHI XHADISË: Hahahahaaa (qesh). Edhe unë e kam dëgjuar, bile edhe atëherë kam qeshur edhe me bark.

SHKRIMTARI: Kur është fjala te heqja nga kjo botë, ti mendon se është lehtë ta heqim qafe?

KËLYSHI XHADISË: Po, ne vetëm bëjmë plane siç tha dhe Doktorziu, se e heqin Ata vetë.

SHKRIMTARI: Nuk të kuptova. Kush janë Ata?! Kush?

KËLYSHI XHADISË: Po, Ata të vetit. A sheh se si e largojnë, sesi flasin për të, si e izolojnë? Ata e llogarisin për kundërshtarë, madje edhe si armik të tyre. Shtetit, të “përbashkët”.

SHKRIMTARI: Eh, koleg! Ti më duket se e tepron tani me këto “zbulime” dhe dyshime. Ne jemi duke punuar në sektorin më sekret të sigurisë kombëtare. Po më thuaj ti, ç’interes ka Doktorziu që kërcen, përtej kufirit dhe na detyron të gjithëve të jemi të përpiktë në projektet policore, që ai i harton me “vëllezërit” e Njerkës?! Unë si shkrimtar dua t’i kryej punët me nder, dua t’i zbatoj urdhërat pikë për pikë që vijnë nga lartë, Qielli. Është çështje sigurie kombëtare.

KËLYSHI XHADISË: Po mirë. Sikur të vijë urdhëri nga lartë Nëntoka, dhe thonë: dil në rrugë dhe ekzekutoje Djemnushën, apo shkrimtarin. Ç’do bëje?!!

SHKRIMTARI: Nuk do ta kryeja urdhërin, o Këlysh i Xhadisë. Emri yt më duket i dyshimtë, nga ishe ti me prejardhje?

KËLYSHI I XHADISË: (qesh). Edhe emri yt, nuk ka ndonjë ndryshim nga imi. Më duket që të dy jemi nga një rajon tejet i dyshimtë. Por, jemi nën betim sigurie kombëtare. Unë jam nga Kukuja e Qyqes, matanë Vardarit, e ti nga ishe?

SHKRIMTARI: Unë jam nga Ҫelvjollca. Mali Kaçakëve. E, sa për Doktoziun nuk e kam idenë se, përse shprehet aq entuziast në realizimin e projekteve “madhore”.

KËLYSHI XHADISË: Ti miku im, si duket dyshon në prejardhjen tonë fisnore?

SHKRIMTARI: Ti vetë e the, nuk e thash unë. Ne, nuk dijmë prejardhjen tonë dy apo tre breza, pastaj ata që e dijnë e fshehin për arsye të ndryshme. Pastaj, si do ta dijmë ne se kemi prejardhje antike edhe atë, nga Aleksandri i Maqedhonisë?

KËLYSHI XHADISË: Si the? Nga “Francuska 7”?!

SHKRIMTARI: Po. Përse, ti nuk e ke ditur?!

KËLYSHI XHADISË: Jo. As që më ka shkuar ndërmend. Po ti nga e di?

SHKRIMTARI: Eh, miku im kalemxhi, unë e di. Më ka treguar Xhadia. Ti ishe disa metra larg kur ndodhi tentimi për vrasje. Ti i ke parë ato fytyra “intelektuale” në Shkollën Fillore “Liria”, të cilët bënë një krim të paparë antikulturor. Trego, a ishin këto që janë sot me vende pune dhe poste partiake nëpër institucione?! Me çfarë armësh gjuajtën? Me çfarë makine partiake ikën?

KËLYSHI XHADISË: Zotëri, ju e keni gabim. Nuk jam unë ai që mendoni. Unë s’kam parë asgjë. Unë çdo ditë jam në punë, në redaksinë e “vëllazërim-bashkimit”. Ju mund të pyetni cilin të doni. Fundi i fundit, edhe Rrufjanin, asaj kohe si ministër i informative, i cili nxirrte edhe shkumë nga goja para atentatit.

SHKRIMTARI: Unë e di, kush je: Këlyshi Xhadisë. Nuk kam nevojë të pyes. Nëse pranon është mirë për ty, nëse jo përsëri do pranosh nesër. E mira është që të thuash atë që them unë, e të mbash mend mirë e mirë se rrugë tjetër s’ka në letërsi.

KËLYSHI XHADISË: U betohem se unë, s’kam parë asgjë me sy.

SHKRIMTARI: Mirë pra, ta dëgjojmë ngjarjen.

KËLYSHI XHADISË: Mua, më thua?

SHKRIMTARI: Po, ty.

KËLYSHI XHADISË: Jo, unë s’mundem!

SHKRIMTARI: Përse, nuk mundesh?

KËLYSHI XHADISË: Nuk mundem as të eci, as të ulem. As, të shkruaj porosi partiake…

SHKRIMTARI: Të pyeta, përse?

KËLYSHI XHADISË: Sepse, ashti i Doktorziut më ka mbetur në fyt…

XHADIA: (Me Këlyshin e saj përdore). Eh, zoti Shkrimtar, a të thash se ka rrëshqit nga mendja.

KËLYSHI XHADISË: Që atje te redaksia e “ vëllazërim-bashkimit”, fola jerm me xhindet. Pashterkëkuqja më mori në prehër. Edhe më dha gji. Përkundi në djep.

SHKRIMTARI: Po ju zonjë, përse nuk e dërguat të pastrohet në Shtëpinë Publike?!

XHADIA: (Me Këlyshin e saj përdore). Po ne na thanë, më mirë kështu të shërohet natyrshëm nga virusi i Pandemisë te Njerka, sesa te “Parku i Grave”…

SHKRIMTARI: Idiote! Grua llafazane. Kurvë.

KËLYSHI XHADISË: Hahahahaaaa. (Qesh me të madhe). Dy i kam në shtëpi. Edhe kjo e treta më vë në gjumë me ninulla politike…

SHKRIMTARI: Nuk të thashë ty, legen. A, e di ku je, në redaksinë e revistës “Zekthi”? Mos u përgjigj pa të pyetur njeri. Ashtin e Doktorziut, ende e ke në gojë.

XHADIA: (Me këlysh përdore). Çka ndodhi me ty?

SHKRIMTARI: Kur?

XHADIA: Sot çka ndodhi? Ku ishe?

SHKRIMTARI: Aha, po. Unë kërceja dhe këndoja me gratë besnike. Dikur u lodha dhe u ula, nën një dëllinjë te “Parku i Grave”. Gratë erdhën që të gjitha dhe më puthën. Nga puthja e Pashterkëkuqes më ra të fikët.

XHADIA: Ku ndodhi kjo?!

SHKRIMTARI: Thashë. Atje, te “Parku i Grave”. Përballë Kuvendit. Nuk i ke dëgjuar ti trumbetat e Dexhallit? Thirrjen e Pashterkëkuqes për ndihmë…

XHADIA: Jo. E, mirë nuk i ke frikë se të kafshojnë, rrahin xhindet? Pashterkëkuqja.

SHKRIMTARI: Jo. Ato më duan marrëzisht…

XHADIA: Më thuaj për atë Djemnushën, atje te Liqeni. A e njeh atë nëse e sheh përsëri?

SHKRIMTARI: Jo, moti e keni dërguar në Parajsë. Ajo ndodhi në det, e jo te liqeni. Djemnushës, kur ti i ishe rrëfyer se ke qenë Mikja ime besnike.

XHADIA: Te cili det? Ku e ka parë ti detin. E, si e arsyetove veten para Djemnushës?

SHKRIMTARI: Ndoshta, i thashë: kam qenë i dehur. Mund ta kem q… (Ajo, qeshi). Po, unë isha atje u lava mes maleve të Dibrës, veç me ujë të ftohtë. Djemnusha, u çmendë nga inati. Volli. Përpak, desh e lash pasmesnate mes maleve. Shkupin e pushtuam në gjumë.

XHADIA: Mirë, përse i do gratë e çmendura, e jo të mençurat? Dhe, pasi ato i lanë me verë, në fund ua pëzen xhindet me shkop thane…

SHKRIMTARI: Hi-hii-hiii… (Qesh. Dhe u bie duarve si pehlivan nëpër skenë). Ato e lëpijnë kryengritësin, unë i laj me verë dhe i shtrydh dy bokallat që t’i lëpij pasmesnate. Ato e mbushin dhomën e hotelit me piskamë për ndihmë. Ҫmenden, këndojnë dhe kërcejnë në shtrat.

XHADIA: Po zogu im, nuk këndon? Nuk fluturon nga kafazi?!…

SHKRIMTARI: Zogu yt, qanë me lotë…

XHADIA: Oh, ooh, oooh… U çmenda… Zogut, i shpërthyen lotët…

SHKRIMTARI: Mos u tremb, i fshij unë me Kryengritësin…

XHADIA: Dy shtamat me verë shtrydhi fortë! Rrokullisi në shtrat!…

SHKRIMTARI: (Bërtet). Djemnushë, merre dërgoje të pastrohet dhe hidhe në “Xhenem”! Mund të jetë e dobishme vetëm për një përdorim profesional. Duhet disa ditë të qëndroj në vetmi. Nëse, edhe pas tri ditësh është me të njëjtat simptome çmendurie, mirë është të dërgohet drejtë e në Shtëpi Publike, se nuk mbanë mend asgjë. Rasti të paraqitet si rehabilitim. Kaq.

DJEMNUSHA: Çka u bë me Xhadinë?

SHKRIMTARI: Dështuam në dashuri. Shfaqja u përgatit shumë para kohe, dhe si të thuash nuk e mbajti fjalën. U rrëfye në kishë te prifti. Xhadia, rrëshqiti. Mori me vete edhe ca idiotë nga tanët “muslimanë”. Ajo të paktën jeton në gjendje të dehur me çaj rusi.

PAMJA E TRETË

Skena: Tavernë te Këmbët e Urës Gurit. Përreth Olimbisë në Shkup: luanët, kuajt e hazdisur dhe Filipi i Maqedonisë, së paku kanë ujë me shtama. Mitropilitët e Beogradit: Shën Klimenti dhe Naum Ohëri përkrah Shën Klimentit dhe Metodit me kryqa e Bibla në duar, i pushojnë sytë tek gjinjtë e hazdisur plot jetë të Olimbisë. Përderisa, heronjtë tjerë “maqedonas” më këmbë e mbi shpinë të kuajve me shalë me thika e armë në dorë bëjnë thirrje për luftë, Olimbia bënë thirrje për paqe, jetë në Shkup. Mitropolitët e Beogradit me kryqa e Bibla në duar, e thirrin popullin e krishterë t’i luten Zotit në Kishën Ortodokse: Shën Dhimitri, rrëzë Kalasë Dardane, Shën Nikolla, në “Bit-Pazar” dhe Kishës Ortodokse Shqiptare(?!), përkarshi Akademisë maqedonase. Hoxhallarët e rrejshëm (“turqit” e Shkupit, nateditë i thirrin shqiptarët në xhami turko-arabe, por jo në Xhaminë Shqiptare. Minareve, ende nuk valon flamuri kuqezi shqiptar. Vetëm Gruaja Historike me fëmijë në bark, gji dhe prehër këto ditë vere me vapë, edhe pse pa pikë uji në breg të Vardarit, e thirrë popullin pa dallime nacionaliteti e feje për paqe.

XHADIA: (Ulet në Tavernë. Kamarieri ia sjell pijet e porositura “haram” mbi tavolinë). E nxjerrë nga çanta telefonin celular). Alo…

SHKRIMTARI: (Ndër kohë vjen nga matanë Vardarit,“Parku i Grave”). Mirëdita! (Ulet).

XHADIA: Si je i dashur?

SHKRIMTARI: Mirë. Në punë. Ti si je?

XHADIA: Mirë. Jam nisur se, dua të të takoj në redaksi.

SHKRIMTARI: Nuk bën. Ja, u takuam në tavernë.

XHADIA: Jo. Jam nisur për në rrdaksi.

SHKRIMTARI: Të lutem. Unë jam në punë. Lekturë i bëj një libri me vjersha e simbole.

XHADIA: S’ka rëndësi vetëm pesë minuta. Edhe unë jam libër me vjersha… Dy shtama me verë, gati po më derdhen rrugës në Qytetin e qyqeve…

SHKRIMTARI: Nuk bënë. Dije, se nuk do dal as te dera e as te dritarja.

XHADIA: S’ka rëndësi, a do dalësh apo jo?! Me rëndësi është, që unë kam vendosur një jetë si herët tjera me pasurinë e tundshme. Apo, don t’ia lësh shkaut? Kam diçka për të thënë. Pastaj dua vetëm të  t’i shohë sytë brenda katër mureve!

SHKRIMTARI: Dëgjomë! Ne, nuk duhet dhe nuk do shihemi. Shkaku, se je rrëfyer për mëkate para Djemnushës si te prifti…

XHADIA: Ç’thua?! Asnjëherë!

SHKRIMTARI: Po, dje!

XHADIA: E kuptoj se në këtë mes është e treta që ka ndikim. Kjo s’është lojë. Ka diçka. Dikush ka hyrë në mes nesh.

SHKRIMTARI: Përse? Ka ndonjë arsye.

XHADIA: Jo. Por, unë kam vendosur.

SHKRIMTARI: Nuk ka mundësi.

XHADIA: Unë do vi te ti, dhe ma thuaj aty përballë.

SHKRIMTARI: Ti nuk bënë të vish. Është më mirë për ty, por edhe për mua. Të gjithë na kanë marr në sy. Të lutem!

XHADIA: Do të thotë se nuk më dashuron. Pasurinë e tundshme do t’ia lësh shkaut?!

SHKRIMTARI: Shkaut, kurrë.

XHADIA: Atëherë, dil në mejdan! Nxirri armët nga brezi! Ma thuaj edhe në sy, se s’më do jo vetëm me gojë dhe libra.

SHKRIMTARI: Ndalu, rrimë edhe pak në tavernë! Ndalu, se nuk bënë në redaksi!

XHADIA: Po s’më thua arsyen nuk ndalem. Shkakun.

SHKRIMTARI: Je, në rrezik. Kjo është arsyeja.

XHADIA: Çfarë rreziku?! Ç’thua?

SHKRIMTARI: Të thash. Po të shihesh me mua dikush ka për të të vrarë si tradhtare. Ishte një gabim i imi artistik. Fund.

XHADIA: Kush do më vrasë me gjithë këtë pasuri të tundshme, shkau?! (I rrok dhe i shkund gjinjt e mëdha me të dyja duart).

SHKRIMTARI: Shkau, kurrë! (Përderisa, e hap derën. Hapat e parë i bën në lëmë. E kalon gardhin dhe delë në livadh. Rrëzë Çukës ik me të katra te “Mulliri i Arapit”. Shelgut pranë lumit i ngjitet në majë. I bërtet Qiellit me yje): Ehu, Hënë! Sonte vetë i dyti më ke për darkë. Shkaut, kurrë nuk ia lë pasurinë e tundshme… (Dritat shuhen, ndizen në skenë. Djemnusha shihet qafëpërqafe me Shkrimtarin në shtrat me dy shtama verë).

DJEMNUSHA: Shtrati, do burrë. Nata se duron vetminë. Ne, s’kemi rrënjë, miku im.

SHKRIMTARI: Edhe, grua. Të kam thënë moti, se jemi të humbur.

DJEMNUSHA: Ajo është e vogël, ti mund ta kthesh, por unë, a do të mundem ta fal Xhadinë?!

SHKRIMTARI: As unë, e as ti s’kemi forcë që të ndryshojmë. Nuk ka kthim prapa. Ti vetë me the se jemi mëkatarë. E kemi vra veten tonë më keq se të tjerët në dyluftim.

DJEMNUSHA: Hesht. Sinjali i linjës pasmesnate. Ora 03:45. Ditë e re.

LIRIA: (Përgjumshëm, hynë e trembur në skenë). Mami. Mami zgjohu. Ikim. Vijnë vrasësit.

DJEMNUSHA: Ç’thua, Liri?! Je, në gjumë. Merre vëllain! Zgjoje!

LIRIA: Ikim, unë jam gati. Shpejt mami, shpejto! Ja, dhe vëllai u zgjua. Eja te motra. Eja ikim!

SHKRIMTARI: Ku shkuat. Pritmëni, erdha!

LIRIA: Ja, ja. Shkojmë pas mamit!

DJEMUNUSHA: Oh, më çmende!

SHKRIMTARI: Po vinë vrasësit, por ne s’do na gjejnë dot në shtëpi! Ikim.

DJEMNUSHA: Ja mami arritëm. Këtu s’na gjejnë dot vrasësit.

SHKRIMTARI: Si ka mundësi?! Si mund të komunikojë i gjalli me të vdekurin. Tash na humbi krejtë lidhja: Zgjohuni të vdekur, se na mbytën të gjallët!…

KOMANDANT “MJEKRA”: Kemi hyrë pa përgatitje. Kam frikë se, do dështojmë në luftë.

KOMANDANT “ASKERI”: Këta na humbën, por atje i kemi të gjitha informacionet.

KOMANDANT “MJEKRA”: Po! Edhe dhjetë minuta, dhe fillon Lufta.

KOMANDANT “ASKERI”: Saktësisht do merren shumë viktima. Do prangosin çdo njërin që kundërshton dorëzimin. Pastaj, na duhen vetëm pesë irredentistë. Armiq të shtetit “përbashkët”.

KOMANDANT ‘MJEKRA”: Nuk besoj të pranojnë bashkëpunimin.

KOMNDANT “ASKERI”: S’ka rëndësi kjo, mjaftojnë deklaratat zyrtare të Xhadisë. Kjo është e rëndësishme. Dhe, ajo që na duhet neve është aksioni. Aksioni që do krijojë tmerr. Frikë.

KOMANDANT “MJEKRA”: Ata do reagojnë me dënime.

KOMANDANT “ASKERI”: Mos u shqetëso, se ende s’kanë bërë reagim për aktivitetin tonë para dhjetë vitesh. Ata kanë krijuar besim se ne nuk dinë gjë për veprimet tona në treshe ilegale. Pastaj, e di ti siç e di edhe unë, pse nuk do të reagojnë para syve të botës.

KOMANDANT “MJEKRA”: Hesht! (Në skenë bie një heshtje. Më e goditura nga ky rast dukej Djemnusha. E dyta, Xhadia me Këlyshin me një asht në gojë).

XHADIA:  Shkrimtarin e dua të vdekur, edhe pse Djemnusha nuk më do mua të gjallë. Cili është këtu dallimi? Kush na ka hyrë në mes si PYKË shelgu? Djemnusha thotë, gjaku, era e gjakut! E çuditshme, kjo luftë. O zot! E çfarë zoti, kur kam besuar unë në zot. Ai që beson në zot nuk bënë vepra të tilla artistike. Unë do të ndryshoj strategjinë luftarake. S’mundem më në këtë fushëbetejë. Patjetër, do bëjë të pamundurën që ta heq nga vetja erën e gjakut. Të gjitha do i nxjerri jashtë nga barku. Sa të mbetem vetë skelet.

Të gjitha. Pastaj, Djemnusha do më shohë në ëndërr pa gjak. Kjo do mjaftojë që unë të ulem njëherë bashkë me familje në tryezën e shtëpisë. Nateditë, do të dhuroj shumë dashuri. Vetë do i them Djemnushës, le të shoqërohet me Shkrimtarin, bile le të vijë edhe në shtëpinë tonë mysafire. Nuk do e lëndojmë. Tradhtinë do ta përzëmë nga shtëpia. Pasurinë e tundshme, nuk do t’ia lëmë shkaut…

KËLYSHI XHADISË: Eh, miku im si thua tani ditën?

SHKRIMTARI: Nuk them asgjë, e ruaj për natën. Më mirë jetojnë ata që ne i sulmojmë me libra në gjumë. Më shumë dashuri ka në mesin e tyre. Ne jetojmë me kurthe. E hamë njëri – tjetrin…

KËLYSHI XHADISË: Ashtu është. Unë në punë, e gruas sime Rrufjani ia zbret brekët.

SHKRIMTARI: Mos u ngut! Ndoshta, nuk ishte gruaja jote besnike.

KËLYSHI XHADISË: Ndoshta! Ndoshta! Ndoshta, ishte gruaja e kojshisë…

SHKRIMTARI: Ne si lëmë rehat të gjallët, ata i duan marrëzisht të vdekurit. I vdekuri strehon të gjallët. A, e di përse ndodhë kjo dukuri strategjike?

KËLYSHI XHADISË: Jo, ma thuaj! Nuk e di.

SHKRIMTARI: Shkaku, se: nuk mbjellin urretje, jetojmë të lirë si zogjtë shtegtar. (Bisedën e tyre e ndërpret linja telefonike. Mëngjes me diell).

DJMNUSHA: (Zëri, përmes telefonit🙂 A dëgjove çka ndodhi?

SHKRIMTARI: Po, e dëgjova. Pasurinë e tundshme, nuk ia lash shkaut…

DJEMNUSHA: Si ka mundësi?!

KOMANDANT “MJEKRA”: (Ndërhyn përmes valëve të telefonit). Është përzier leshi deles me të dhisë. Lesh arapi…

SHKRIMTARI: Ishte mrekulli livadhi mes luleve…

DJEMNUSHA: Shumë faleminderit për dhuratat. E, posaçërisht për brekët e kuqe.

SHKRIMTARI: S’janë gjë ato shpërblime. Ti meriton më shumë. Tashti, do të vijë kabineti
dhe detyra e re për Ty si shefe. Shihemi. Kujdes!

XHADIA: (E shtyn me duar Shkrimtarin). Ikë nga unë! Të vjen era gjak. Nuk të dua.

DJEMNUSHA: Qesharak është dialogu i dy burrave, kur i marrin si shmebuj popujt tjerë sesi për të krijuar shtet i kanë vënë në shërbim të Atdheut edhe gratë e tyre besnike. Ironia e arrin kulminacionin, kur ato me keqardhje thonë, se: ne nuk kemi edhe gra besnike për Atdheun. Burra kemi me qerre, por ato që i kemi, nuk janë të gjakut tonë antik: janë bullgarë, vlleh, serb, turq, ose shqiptarë ortodokës. Nuk kemi gra…

DOKTORZIU: Nuk dua të dëgjojë më shumë. Me gjithë ato plumba, a mundet ai të jetë ende gjallë. Po të jetë gjallë ne ia bëjmë disi, por nëse është i vdekur e paraqitet si i gjallë, të mjerët ne si rrufjanë. I vdekuri që ngrihet nga varri e di se kush çka i ka bërë për të hyrë në varr. Kjo e tmerron armikun. Shoqërimi i Xhadisë me Djemnushën, ka ndonjë arsye të thellë. Ndoshta vjen nga përtej varrit. Është ndonjë paralajmërim.

SHKRIMTARI: Përndjekjeve, dhe rasteve të montuara antishqiptare, sot u kanë mbetur si zorrë lope nëpër këmbë edhe “vëllezërve” të Njerkës para syve të ndërkombëtarëve. Nuk dinë çka të bëjnë me to, dhe si të dalin nga qorrsokaku. Semafor nuk kanë në rrugë. Ngjyra e kuqe u delë në “Bit – Pazar”. Drita të ndezura në qorrsokak. Nateditë, sillen në rreth qarkullimi, mu si ajo pula pa kokë në mes të lëmës. E presin Maxhatoren me dy shami lidhur për brezi me ferexhenë e zezë hedhur krahëve. Zonjën Amerikë, të cilën e shanin dje dhe ia digjnin publikisht flamurin përpara Ambasadës, sot t’i ndjek në fund të Lëmës, e mendon t’i zë Nesër te Pulaniku…

PASHTERKËKUQJA: Imzot, a lihet në Ditën e sotshme Olimbia shtatzanë pa pikë uji, që i jepë gjallëri, jetë dhe ardhmëri Shkupit, Shtetit “përbashkët” Shqiptaro – “maqedonas”?! Gruaja, që në këtë vapë të madhe verës politike i jep frymë, shpirt Qytetit Shkupit, e zbukuron me fëmijë në bark, gji dhe prehër. Punë tjetër është ajo se, me cilin e ka kopilin?!…

DJEMNUSHA:  Luanët dhe kuajt e tyre me heronjtë mbi shpinë, e lënë Olimbinë sot pa pikë uji tek këmbët e Urës Gurit. Malli më mori, ta them të drejtën ta shoh edhe Sanço Pançon Shqiptar mbi gomar. Ose, “Kalin e Shemës” pas porte. Pajtohem, prapë një punë fati, kur Opozita nuk i sulet me shishe ngjyre edhe Olimbisë. Filipit të Maqedonisë me grushtin te koka si xhaxhi Enver. Mitropolitëve të Beogradit. Skënderbeut, Pjetër Bogdanit te “Parku  Grave”, Goce Dellçevit e Nikolla Karevit. Aleksandrit të Madh të Maqedonisë.

SHKRIMTARI: Vetëm Unë kam mbetur i rrethuar nga të katër anët mes zjarreve nën Rrap me dy “kashikara” rrushi mbi tavolinë. I percjell nga veranda dalldisjet e tyre politike nëpër shkrimet e mia publicistike. Libra. Them me vete: Popull, i dalldisur dhe i papunë. Kafenetë dhe rrugët plot njerëz. Deputetët e zgjedhur të popullit me vite nuk shkojnë në Kuvend, e marrin pagesa të majme mujore, kur populli përditë u vdes në rrugë pa bukë.

DJEMNUSHA: Përgëzime, Olimbia! Erdhi më në fund tek ti uji. Ose, siç thoshte Muhamedi a.s.:  Nëse, bregu nuk vjen te Muhamedi, Muhamedi shkon te bregu. E, nëse më pyet mua çka përfitoi Shkrimtari?! Asgjë. Bregu nuk erdhi tek Ai, e as Ai shkoi te bregu. Ehu, përpak e harrova faleminderimin: Edhe unë e përfitova një rol në këtë dramë tragjikomike…

PAMJA E KATËRT

Skena: Rrugë e Kryeqndrës kulturore. Në “’xhip” -in kabriolet” të ndaluar anësh, me dritaren e hapur të shoferit shihet duke pritur Shkrimtari.

TRUDËKAQI*: (I afrohet te dritarja, dhe pasi e përshëndet). Mirëdita! Ҫka pret në rrugë?

SHKRIMTARI: Ja, po e pres  “Abazin” e Malit dhe Taçi “Vojvodën”.

TRUDËKAҪI: Po, ato nuk i lënë takimet zyrtare në rrugë?!

SHKRIMTARI: E di, me ju i lënë në shpellat partiake… Por, me mua në rrugë.

TRUDËKAҪI: I kam thënë edhe djalit tënd, pse ti ngucesh me mua nëpër shkrime publicistike?!

SHKRIMTARI: Nuk e di për çka e ke fjalën?! E di, ma ka përcjellur djali porosinë. Ndoshta, rastësisht e ke gjetur veten nëpër shkrimet e mia publicistike. Libra. Mendja nuk ma merr se, unë në ndonjë shkrim timin publicistik e kam përmend emrin dhe mbiemrin tënd si personazh në fushën e letrave. Vetëmse, nuk të garantoj në të ardhmen se, nuk do ta fshikulloj me emër e mbiemër, nëse vetë ke vendosur të hysh si “hero” në shkrimet e mia publicistike dhe libra. Arsye, unë nuk merrem me individë, grupacione politike, klanore, familjare e miqësore, por me fenomene shoqërore e shtetërore.

TRUDËKAҪI: Jo, e ke përmend emrin: Edhe atë, Trudëkaçi.

SHKRIMTARI: E, si e ke ti emrin, ore burrë?! A ke kartë indentiteti me vete në xhep?

TRUDËKAҪI: Po, kam. Edhe emër, edhe mbiemër.

SHKRIMTARI: Nxirre, atëherë ta shohim në sipërfaqe! Dhe, indentifikohu me emër e mbiemër!

TRUDËKAҪI: (E nxjerr kartën e indentitetit dhe ia përpals para syve). Ja, merre!

SHKRIMTARI: (Qeshë, me ironi). Më fal “profesor – doktor”, por ti nuk qenke Trudëkaçi. Përmëtepër, edhe kërcnohesh si profesor unievrsitar, me cilën bandë: atë policore të tollumbave, apo të Nënës Parti?

TRUDËKAҪI: Jo, unë jam Trudëkaçi. “Profesor – doktor” universiteti.

SHKRIMTARI: E, atëherë pasi ti qenke Trudëkaçi, e bajtsh me shëndet samarin mbi shpinë! Mos je ti ai Trudëkaçi me shokë, që diplomat universitare dhe titujt shkencor i keni blerë në “Qafë – Thanë” e Jazhincë në kufi me Kosovën si taksistë të profesorëve? Anëtar komisioni, që ulesh në një tavolinë ballë për ballë me palën “maqedonase” në përpilimin e plangromave të teksteve mësimore dhe listave të lektyrave shkollore në gjuhën shqipe, duke ia futur pa mëshirë gërshërët deri në palcë Letërsisë Shqiptare?! Krah për krahu me Poetin e Oborrit dhe Hojdodolen shqiptare me “vëllezërit” duke e mbajtur “gjallë” poezinë shqipe në Shqipëri, Kosovë e  Maqedoninë e Veriut?! Këlyshi me zgjebe i DoktorZiut, i yshtur me poste politike e kulturore duke trumbetuar në Shqipëri, Kosovë e Maqedoninë e Veriut se, kush janë shkrimtarët me vlera të arrira artistike në Trojet Etnike Shqiptare?!

1/. Tru i deformuar nga sistemi komunist e neokomunist me bark të madh (tinar – fuçi lakrash kopshti turshi, pas derës madhe te pragu i shtëpisë). Këlysh me zgjebe i Doktorziut. Bythën na, si palare për mejdani në mes Ditës Madhe Shqiptare…

TRUDËKAҪI: Po, unë jam ore burrë Trudëkaçi! (Përsëri, ngulë këmbë “profesori” univeritar). Nuk më njeh, apo siç duket ke shkalluar fare?! Xhindet, siç duket ende të hudhin si dikur në fëmijëri dorë më dorë majë çative, lisave edhe në Ditën e Sotshme?!

SHKRIMTARI: E vërtetë, po më hudhin gjithë natën edhe sot e kësaj dite dorë më dorë mbi çatitë e shtëpive në Katund. Majë lisave. Përmëtepër, edhe më rrahin çotek (dajak) nateditë. E, në mëngjes, ende pa dalë drita përsëri më kthejnë mes Nënës e Babait. Nuk e di pse e zgjas bisedën me ty “profesor” Trudëkaçi. Kotnasikoti, humb kohë mes këtyre shkrimeve publicistike për Ditën e Nesërme Shqiptare. Fjalën e burrit ta jap se, që nga kjo traxhikomedi, nuk do të humb më kohë, merrem me ty si fenomen i çuditshëm shqiptar. E, as me Poetin e Oborrit krah për krahu me Hojdodolen shqiptare, që e prezentoni poezinë shqipe pa marre nëpër manifestimet kulturore – poetike. Duartrokitje, meriton Ismail Qemali i Shkupit, që e shpalosi flamurin kombëtar para poetëve në Korçë.

Flamurin kombëtar shqiptar, që Xhaxhi Kuqezi dikur moti kohë e shpalosi në Kuvendin e IRJ të Maqedonisë, edhe u tha deputetëve maqedonas: mos u trembëni se nuk ju hanë!… Lufta ende vazhdon flakë më flakë me penë. Gjaku – lumë arriti deri në brez, sa që po mbytet edhe “Kali i Shemës” pas porte. Mezi shpëtoi gjallë Gomari me shalë i Poetit të Oborrit. Hojdodolja, veç më kishte rënë dëshmore e poezisë në Shtëpinë Publike. Nesër, me siguri Poeti i Oborrit do t’i ngrejë përmendore, shpalli si heroinë të pizisë patriotike – erotike, hyjë si burrëneshat në letërsi. Nipi i Xha Derallës doli kaçak në Voskopojë, vendin e shenjtë ku Tri Zanat e Malit i dhanë gji me dy shtama. Dervish Hima sharronte shelgje në Livadh për Dimër. Përgëzime, emrin artistik: Trudëkaçi i Letërsisë Shqiptare!…

(Papritmas, shuhen dritat. Ndizen. Në një tryezë bëhet se gjoja lexon gazetën me zë Hojdodolja. Zëri i t’im Ati përmes altoparlantit): Për një plesht e djeg jorganin

SHKRIMTARI:  Asaj kohe si fëmij, nuk ia vura veshin kësaj thënie filozofike. Këmbekokë isha dalldisur pas lojërave fëmijërore dhe vjershave të Rilindasëve shqiptar në Librat e Këndimit të kohës Ernest Koliqit si Ministër i Arsimit, nën hijen e Lisit midis livadhit. Kurrë, nuk më shkoi ndër mend ta pyes veten: Pse im Atë, për një plesht e digjte jorganin?! Aqmëpak se, një ditë edhe unë sugari i tij, për një plesht do ta djeg jorganin.

DJEMNUSHA: O burrë, ti nuk e djeg jorganin, as qilimin!

SHKRIMTARI: Koha erdhi sot, që edhe unë për një plesht ta djeg jorganin. Fajin nuk e ke ti si mike besnike, e kam unë që me ty si e përndjekur politike dhe shokët “patriotë kuqezi”, krah për krahu hyra si çlirimtar në “Bit – Pazar” të Shkupit. Edhe, u rroka fytas me kopilat e Baba Dovletit. Dhe, askerët e DoktorZiut. Sanço Pançon e tij “shqiptar”, hipur mbi gomar. “Miqtë” e mi të penës të cilët i kam ndihmuar në botimin e librave me honorare e çmime letrare. Mashat shqiptare, që sot tinëz m’u sulën pas shpine. Edhe, e mashtrojnë veten se, nuk i di kush janë me emër e mbiemër. Esull, ma kujtojnë anekdotën e Nastradin Hoxhës, kur i kanë dërguar porosi që të ruhet, se do ta vrasin në pusi. Hoxha u përgjigjet me një buzëqeshje ironike: E di, por pyetni ato që duan të më vrasin, a u kam bërë mirë, apo keq?! Nëse, u kam bërë mirë, vërtetë do të më vrasin pas shpine, e nëse u kam bërë keq, nuk do të më vrasin kurrë si “armik”.

DJEMNUSHA: Edhe, çka fitove ti si shkrimtar?!

SHKRIMTARI: Ja, po të përgjigjem: Asgjë. Hoxha i “Allahut” me Dudumin e Shkupit, Këlyshin me zgjebe, që nuk kanë “haber” nga kultura e as nga letërsia shqiptare me kokën tek Partitë Politike Shqiptare dhe “maqedonase”, trupin në xhami, shpirtin në Serbi e bythën në polici dhe Qeverinë “maqedonase. “Turqit”: e Arabisë Saudike, edhe sot e kësaj dite vendosin për kulturën dhe letërsinë shqiptare në Maqedoninë e Veriut?!

DJEMNUSHA: Edhe dudumët, sot organizojnë zhurma kulturore nëpër qytetet shqiptare që i ka mbuluar bërlloku deri në fyt, ua ka zënë frymën. Kohën e fundit edhe përmbytja. Merreni me mend, nuk i do as Natyra. Zoti jo se jo, deri në këtë ditë. Edhe pse, i falin të pesë “vaktet” në xhami. Larg janë me qindra kilometra të “verave kultutore” dhe manifestimeve kulturore letrare të “vëllezërve” në Kryeqytetin e shqiptarëve, në Shkup?! Qytetin historik, nga i cili gjatë “ndryshimeve demokratike”, dikur vullnetarisht si Parti Politike Shqiptare hoqën dorë nga Qeveria e “vëllazërim – bashkimit”.

SHKRIMTARI: Unë, autori i kësaj tragjokomedie, e kam thënë moti kohë në librin tim publicistik me satira Trumbetat e Tallallit (1992, botuar nga SHGB “ASDRENI”). Libër “problematik” – politik i asaj kohe, i cili me ndihmën e “patriotëve kuqezi” të djeshëm dhe të sotshëm me “Din e Iman” në Qeveri, më ka përcjellur edhe në një bisedë informative në polici si “armik i rrezikshëm” i shtetit “përbashkët” me njëzetë nënshkrime (firma) shqiptare.

DJEMNUSHA: Merreni me mend, në  Ditën e Sotshme duan t’ia hedhin mbi kurriz e përqafe si hebe kali popullit shqiptar, se: këto rraçe kopështi – partiake, qenkan poetë “elitar” të Atdheut?! Jo, o kalemxhinj katundi, populli shqiptar historikisht i ka njohur dhe respektuar poetët e tij nëpër shekuj edhe para grykave të armëve: është rritur me vjershat e tyre në Librat e Këndimit, që nga koha e Ministrit Shqiptar të Arsimit, Ernest Koliqi. I di edhe sot përmendësh porositë dhe vjershat e tyre patriotike, kur është në rrezik populli shqiptar.

SHKRIMTARI: Vallë, mos është kjo ndonjë marrëveshje e re historike mes Beogradit dhe Stambollit për t’u shpërngulur shqiptarët si “turq ehamdurila” në Turqi?!

DJEMNUSHA; Kutadish?!

SHKRIMTARI: Hi – hii – hiii… Unë ende, jo! Kurrën e kurrës për së gjalli! Përpara mejdanin, e pastaj dorëzimin e armëve. Im Atë, në mes të pazarit Kërçovës e zdepi çotek një xhandar serb. Vetëm e vetëm, pse e provokoi me fjalë: Çka pret ti që nuk shkon në Turqi? Përinatë, o trusakatë me këmbët dhe trutë në legen, sot e kam nxjerr për mejdani Kandarin Kryengritës të Çajupit. Kaçakun e maleve i rrethuar nga të katër anët pas shpine nga Policia Letrare, i cili ende nuk e dorëzon “nagëntin” me dy tyta, luftën ballë për ballë me penë, dhe kërkon “viktima” (rrunza shterpa azgane) edhe në Ditën e Sotshme Historike nën Rrap, rrëzë Kalasë Dardane. Kandarin e Çajupit, atij Poeti të Madh shqiptar që një dudum i sojit të juaj e shpalli “idiot”:

Kërkon belushka të ngrohta
Shijon shalushka të plota
Dhe me to sa guduliset
Fillon çelet kapardiset
Buçkoset e i qesh nuri
Edhe merr pamje prej burri
Pastaj fillon nga zanati
Si e ka bërë dhe i jati.
Dhe rrëshqet vrull si ngjalë
Drejtë vendlindjes nga ka dalë…

Shkak, që sot e them publikisht: E di, mua dje nuk më kanë dashur komunistët. Sot, nuk më duan neokomunistët (“demokratët kuqezi”). Dje, më kanë shpallur edhe përndjekur si ballist, sot më sulen me të gjitha forcat Policore Letrare duke më etiketuar si komunist. Herët, kundër meje i keni montuar disa shpifje e goditje policore pas shpine se, jam i dërguar nga Kosova për të vepruar në këto anë (Malësinë e Shkupit): zjarrin në banesë, vdekjen klinike në Voskopojë, aksidentin e komunikacionit në “Qafë – Thanë”.

Sulmin fizik në rrugë, gjoja se e kam ofenduar Muhamedin a. s. para xhamisë “Jahja Pasha” (“Çairçankë”), djegëjen e “xhipit” para dritareve të banesës… Dhunshëm, fshirjen e SHGB “ASDRENI” nga Regjistri Qëndror duke ia mbyllur pa paralajmërim ligjor, edhe plaçkitur llogarinë rrjedhëse në bankë. Dhe, dënimi i fundit nga Këlyshi Xhadisë si anëtar komisioni për botime, duke e lënë Lidhjen e Shkrimtarëve Shqiptar në Shkup, nga dhjetë projektet e konkursit vjetor nga Ministria e Kulturës, pa asnjë projekt. Shkaku, edhe: Unë, nuk ju dua si shkrimtar.

DJEMNUSHA: Edhe, çka?!

SHKRIMTARI: Si edhe çka?! Përgjigja ime e kaçakut të maleve: U pres në çdo kohë i armatosur me dy “kashikara” raki rrushi te pragu i derës Shtëpisë, gjoksin hapur me sulme të tjera të Policisë Letrare. Dudumë të tërbuar, që ende merrni guximin të më ngatërroheni edhe sot e kësaj dite nëpër këmbë. Ende, nuk e dini se nga kemi ecur rrugës me vite, kemi lënë gjurmë aq të thella, saqë nuk i fshin dot asnjë stuhi, borë e madhe. Padyshim, kam më shumë “miq”, sesa armiq.

Heroikishtë, sot Kryengritësin e Çajupit e kam nxjerr nga brekët e kanapit me një kordhë përqafe vetëm me një birë te pragu i derës shtëpisë, mu si dikur duke e hedhur shurrën përpjetë sa më larg, edhe sot më trim se dje me armë në dorë për Liri t’u bie me të gjitha forcat artilerike ushtarake Sarajeve të Krajlit e Pashait. Krushqëve para koçisë me Nuse u pri me pushkë, lodra e këngën popullore: Hajdeni bini djemtë e Shalës, përmes Sarajeve të Pashës! Punë të mbarë, Zonja Xhadi me Policinë Letrare!…

DJEMNUSHA: Mirë do të ishte, sojit të këtyre partizanëve t’ua hapim nga një varr për së gjalli, pasi aq shumë i duan varret. Nuk them, t’u ngrisim përmendore, kotnasikoti bëjmë harxhime. Lule mbi kokë. Fjalime të zjarrta patriotike. Nateditë le të rrinë mes varreve. Krah për krahu le t’ia thonë këngës e heqin valle deri në Natën e gjykimit. Dhe, nga varret t’i ringjallim heronjt dhe dëshmorët e Lirisë…

SHKRIMTARI: Koha erdhi gomarit t’i zbresë Nastradini e t’i hipë Nastradinica. “Analistë” plitik me këmbët dhe trutë në legen bëjnë thirrje në mjetet e informacionit: Opozitë, bashkohuni nëse doni fitore! “Këshilli Opozitar” mbanë takime me “liderë” të partive opozitare për “vëllazërim – bashkim”.

DJEMNUSHA: Padashtas, përsëri ma kujtuan anekdotën e Nastradin Hoxhës. Urtakun e hipur mbi gomar, të cilin e tërhiqte për kërpeshi Nastradinica për në pazar. Rrugës, e takoi kalimtari i parë dhe i tha: O, Nastradin, a nuk e sheh se e cofe gomarin? Zbriti o burrë, le t’i hipë pak në shpinë edhe Nastradinica! Nastradini, vetëm e shikoi me buzëqeshje, nuk ia vuri veshin, e vazhdoi rrugën. Kalimtari dytë, përsëri e ngacmoi Nastradinin: O Hoxhë, a nuk e sheh se e cofe gomarin? Zbriti më nga samari, le t’i hipë një copë udhë Nastradinica! Përsëri, Nastradini nuk e dëgjoi pazarxhiun, vazhdoi rrugën duke ia thënë një kënge me fishkëllimë bariu.

SHKRIMTARI:  Dhe, kalimtari i tretë që e takoi rrugës dhe i uroi rrugë të mbarë për në pazar me të njëjtën përshëndetje, e nervozoi Nastradin Hoxhën. Nuk pati durim edhe pa i dhënë një  përgjigje: O burrë, nuk e cofë unë gomarin që me gjithë petka (tesha) e opinga i kam 60 kg, por gruaja ime Nastradinca me 120 kg mbi samarë, në shpinë.

DJEMNUSHA: Anekdotë antologjike popullore, të cilën në zgjedhjet e ardhshme të parakohshme parlamentare, populli shqiptar duhet ta ketë parasysh si fushatë parazgjedhore, se: cilit duhet t’ia japë votën e lirë demokratike. Partia politike fituese shqiptare, cilit “vëlla” t’i besoj për kualicion politik në Qeveri.

SHKRIMTARI: Ironike, ë?! Siç duket këto kalorës të arratisur të politikës dhe “kalemit”, nuk kanë “haber” nga ngjarjet politike pas “ndryshimeve demokratike”: edhe, pas Titos – Tito. Mjerisht, në Maqedonisë e Veriut vazhdon fryma ideologjike e Partisë Komuniste.

DJEMNUSHA: Dallimi, në ditën e sotshme është se, ato janë shndërruar në Parti Neokomuniste. Përjashtim, nuk bëjnë as Partitë Politike Shqiptare. Brumi i këtyre partive politike, që lindën pas “ndryshimeve demokratike”, fundekrye janë të gatuara nga brumi komunist. Fatkeqësi kombëtare, që populli edhe sot e kësaj dite këtë barrë politike, nuk mund ta heq qafe.

SHKRIMTARI: Vite e vite i ka samarë mbi shpinë fundërrinat komuniste. E, pak më vonë edhe ato “demokratike”. Vetëm, hidhni një sy partisë së parë politike shqiptare (Lëvizjes), brumit të saj në çerep, nën saçin me shpuzë! Batak i përzier: me grurë, misër, thekër e egjër. Brumë nga i cili duhej të piqet kulaçi dhe të shtrohej në sofrën shqiptare.

DJEMNUSHA: Kunguj Stambolli, kastraveca, speca, patate, domate, lakra e banane. Gabim politik, të cilin kjo parti politike e pagoi më vonë me kokë.

SHKRIMTARI: Lufta e 2001 -shit u përpoq që të lëvizi ndonjë hap para në politikën shqiptare. Gabimin historik, e përsëriti “Abazi” i Malit (“miku” e “armiku” i Patriotit të Vonuar), dhe i Fushës me  themelimin e Nënës Parti, duke i futur në të njëtin thes me arna gjithë zarzavatet e Kopështit me afat të skaduar politik. Hapsirë nuk u lanë forcave individuale të të rinjve me përgaditje arsimore unievrsitare të shkolluara tek ne dhe nëpër botë. E ngulfatën arsimin dhe kulturën shqiptare me gjysëmanalfabetë e punësime partiake. Ardhmërinë dhe themelet e një shoqërie përparimtare dhe Shteti demokratik.

DJEMNUSHA: Përgjigja, sot na del vetë në sipërfaqe: Partitë e reja politike shqiptare përditë lindin si këpurdhat pas shiut. Përçudia, mu nga brumi i Nënave të tyre politike. Funksionarët e tyre para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare turren me të katra për themelimin e partive politike. Ndonjëra, edhe me ferexhenë e zezë hedhur krahëve.

SHKRIMTARI: Fatkeqësisht, shqiptarëve vazhdon në bukën me miell t’u përziehet me shumicë e pakicë edhe egjëra. Ende vazhdojnë të votojnë për parti politike, e jo për individë. Partia, nëse në zgjedhje parlamentare ua nxjerrë për deputet një gomar me samarë, ato votën do t’ia japin gomarit të “Babatasit” Fishtës.

DJEMNUSHA: “Burrat” e këtij soji, që me vite turren nga partia në parti, mu si kurva burrë më burrë (edhe pse, kurvës i ka hije), nuk sjellin ndryshime politike. Aqmëpak, historike.

SHKRIMTARI: Larg janë me qindra kilometra. Tërbimi dhe zhurma e tyre patetike-demagogjike parazgjedhore, ujë dërgon në tjetër mulli. Rrakashtrake, që nesër do të vazhdojë të na i shurdhojë veshët e bluaj drithin me egjër mes dy gurëve te “Mulliri Arapit”. Lëmën do të na e mbushin përsëri me kopila trusakatë. Familjarisht, miqësisht e klanor do të na mbajnë në shtetrrethim me vite, përderisa nuk e hudhim vetë samarin nga shpina.

DJEMNUSHA: Shpëtimin historik, e shoh krejtë në një tjetër shteg malor, dhiare pas Ҫuke: Dalja në skenë e një gjaku të ri politik shqiptar, parashikues i Ditës Nesërme. Burrë Nëne, që nuk e ka pjellë kopil pas porte dhe nuk i ka dhënë gji, asnjë Kurvë Politike…

SHKRIMTARI: E pabesueshme, çdo gjë dinin për mua si shkrimtar: në Kërçovë, Shkup, Prishtitnë dhe Paris. Jetën time private familjare. Edhe, shpifjeve… (Dritat, përsëri shuhen në skenë. Terr).

SHKRIMTARI: Ndizni dritat! (Ndizen. Skena ndriçohet, ku shihen ballë për ballë Inspekori Policor dhe Shkrimtari).

INSPEKTORI POLICOR: Ti, “Çështjen Shqiptare do ta zgjidhëdh me luftë?!” Përmëkeq, ti: “je edhe ai kryesori i dërguar nga Kosova të veprosh në këto anë të Malësisë Shkupit. Dhjetëra mijëra marka i ke dërguar Partisë Socaliste në Shqipëri. Disa takime të fshehta ke pasur në Bullgari. Dëshmi denoncimi i ke mbi tavolinë edhe njëzetë nënshkrime (firma) të bashkëpuntorëve tanë shqiptarë nga tereni. Ti, ke marrë pjesë edhe në një “Takim Kulturor” në Tetovë. Listë, të cilën si pjesmarrës e ke nënshkruar vetë, dhe të nesërmen ajo është dorëzuar në polici?! Poashtu, në restornatin “Menada” në Shkup, ke pi kafe me një “armik të rrezikshëm” nga Kosova, i cili na ka ikur nga burgu me këmbë të thyer në arrati.

SHKRIMTARI: (Qesh). Faleminderit, për informatën policore. Unë dua të jem ai kryesori, por fatkeqsisht nuk jam. Vërtetë, nuk e paskam ditur deri më sot, se kisha pi kafe me një “arrmik të rrezikshëm” të Shtetit “përbashkët”. Nuk mund t’u them kalimtarëve të rastit në rastorant, nëse më pyesin: a, është tavolina e lirë, dhe a mund të ulen me mua në rstorant publik.

INSPEKTORI POLICOR: (Doli edhe te qëllimi kryesor policor): Libri, “Trumbetat e Tellallit” (1992). Libër, i cili ka ngjallë polemika të papara në mjetet e informacionit (“Flaka e vëllazërimit”). Edhe interesim të madh tek lexuesit, librarive nëpër disa qytete, dhe shitet edhe nga një shitës i gazetave nëpër “Bit-Pazar”, të cilit një “patriot” shkrimtar shqiptar me disa poste politike partiake dhe çmime shtetërore i ka thënë shitësit, se: “Këtë libër e ka finansuar policia”?! A, do t’i shohësh, kush janë ato “burra” mejdani?

SHKRIMTARI: Jo. Nuk dua t’i shoh as me sy, e di se kush janë me emër e mbiemër denoncuesit e Shtetit “përbashkët”. Gëzohem, dhe fati im, që në atë listë denoncimi nuk është me emër e mbiemër, asnjë grua besnike.

INSPEKTORI POLICOR: (Vazhdon me rrëfimin): A, e di ti se Librin “Trumbetat e Tellallit” e kemi të përkthyer edhe në gjuhën maqedonase? Dhe, është thikë me dy teha.

SHKRIMTARI: Po, e di. I njoh edhe ato përkthyesë shqiptar. Vetëmse, ai Libër është fshikullim i Partive Politike dhe disa politikanëve të arratisur e dalldisur pas posteve partiake. Pasurisë personale. Asgjë, nuk ka në atë Libër kundër Shtetit të “përbashkët” dhe shoqërisë. Njerëzimit.

INSPEKTORI POLICOR: Në rregull. (Ndërhyri Inspektori). Por, mos harro se, ato Parti Politike, që ti  i fshikullon me penë, janë në shërbim tonin si Shtet i “përbashkët”. Tashti, je i lirë. Mund të shkosh. Vetëm, askujt mos i tregosh për këtë bisedë informative.

SHKRIMTARI: (Qesh, me vete). Edhe, këtë e di moti si shkrimtar. Në rregull. Por, edhe ju më mos më thirrni në “biseda informative”. (Dola, nga zyra e policisë. Asaj kohe, në atë “bisedë informative”, nuk kisha edhe makinë udhëtimi. Mora Veten në duar lyrek, këmbët dhe ika në rrugë për ta pritur autobusin urban. Një makinë, u ndal para këmbëve të mia duke çuar plot pluhur. U hapë dera).

INSPEKTORI POLICOR: Për ku shkon, (më pyeti shoferi)?

SHKRIMTARI: Deri në “Bit-Pazar”.

INSPEKTORI POLICOR: Ecë hipë me mua, edhe unë shkoj asaj rruge.

SHKRIMTARI: Faleminderit. (Hipi. Tek tashti, e pa se ishte Inspektori i policisë që e mori para pak kohe në “bisedë informative”).

INSPEKTORI I POLICISË: (Pasi, arrinë në “Bit-Pazar”, gjatë rrugës e pyet): Ku do zbresësh të të lë si udhëtar “rasti”?

SHKRIMTARI: (përgjigjigjet). Lemë ku të duash ti, në “Bit-Pazar”! Vetëm, mos më dërgo përsëri në polici për “bisedë informative”!

INSPEKTORI I POLICISË; (E ndalë makinën në mes të “Bit-Pazrit”, dhe përsëri e provokon): Ato tutë, kur do të të shohin se ti zbret nga makina e policisë, do të mendojnë se ti je bashkëpuntor i yni?

SHKRIMTARI: (Qesh. Dhe, i përgjigjet): Punemadhe. Nuk, ka problem. Ashtu edhe ashtu, ato mendojnë se unë jam bashkëpunëtor i juaji, spiun. Hoxha i “Allahut”, ka shkuar edhe më larg në mjetet e informacionit: “Kalosh Çeliku, është spiun rus dhe pi “Skopsko”, nën Rrap. Por, këtë e di vetëm Unë si shkrimtar me vite: në shi, breshër, akull dhe borë. Autorë i mbi shtatëdhjetë librave në poezi e prozë. I përkthyer edhe në disa gjuhë botërore, spiun i kujt shteti jam si Shkrimtar shqiptar. Faleminderit, shoku Inspektor. Dhe, ditën e mirë! (Zbret nga makina e policisë, në “Bit-Pazar”).

DJEMNUSHA: (E pret në redaksinë e revistës “Zekthi”). Erdhe, o burrë i botës me Penën me Dy tyta nga fushëbeteja?!

SHKRIMTARI: Po. Qesha me Inspektorin, që më mori në pyetje. Dhe i thashë: Unë dua të jem ai “Kryesori”, në të cilin ju dyshoni si “armik” i shtetit të “përbashkët”, Çështjen Shqiptare ta zgjidh me luftë! Por fatkeqësisht, sotpërsot, nuk jam ai “Kryesori”. As edhe, që jam i “dërguar” nga Kosova të veproj në këto anë shqiptare. Aqmëpak, i kam dërguar “dhjetëra mijëra marka Partisë Socialiste, në Shqipëri”. E, as kam pasur “takime të fshehta”, në Bullgari. Dhe, më mos më thirrni në këto “Biseda informative” policore!

DJEMNUSHA: Domethënë, Sigurimi Shtetëror që në atë kohë (1992) kishte informata të sigurta, se: Në vitin 2001 do të kemi konflikte ndëretnike, Luftë. I dinte “armiqtë” e Shtetit të “përbashkët”, “nacionalistët”, “irredentistët” dhe “patriotët” kuqezi.

SHKRIMTARI: Po. Ashtu, edhe ndodhi: 2001 -shi na trokiti në derë. Rrufjanët e asaj kohe krize lufte “i rrokën” armët. Dje si partizanë të Partisë Politike Komuniste, sot si “komandantë”, opionistë dhe “profesorë” Universitar duke i shëtitur me poste politike, gati të gjitha Partitë Politike Neokomuniste në pushtet.

DJEMNUSHA: Edhe, përfundimi?!

SHKRIMTARI: Dorën, në zemër e kanë mbajtur fjalën si policë, në Shtetin e “përbashkët”. Nuk më thirrën më në “biseda informative”. Edhe, pse: unë, edhe Sot e kësaj dite nuk mund t’u besoj atyre si “vëllezër” të Njerkës. E kryejnë punën e tyre si policë, nga ku edhe marrin rrogë. E, unë e kryej punën e Shkrimtarit, edhe pa pagesë deri më sot, edhe pas gjithë atyre librave publicistik, ku i kam fshikulluar si “patritotë” në Shtetin e “përbashkët”. Kurrë, deri më sot nuk më kanë thirrë në “biseda informative”. As, edhe njeri i gjallë rrugëve, nuk më ka kërkuar kartë indentiteti, në Shkup. Sotpërsot, ende jam gjallë si Shkrimtar shqiptar, në Atdhe. Mëmëdheun e Çajupit me Kandarin në dorë në luftë për Liri. Ende, mbeta me një “bisedë informative” në polici sot për sot. Nuk e di, për Nesër?!…

PAMJA E PESTË

Skena: Përsëri dhoma e punës, në të cilën kësaj radhe librat janë hedhur andej‑këndej mbi qilima. Çdo gjë duket se ka rënë në gjumë: orenditë, fotografitë, laptopi, librat… Vetëm terri mundohet ta sundoj, ta gjunjëzojë dhomën me libra, ta hedhë në errësirë, po nuk e lë llamba e tavolinës. Ende, bën dritë. Heshtja, që do të lëshojë rrënjë mes këtyre mureve si një rrap shekullor, dikur zgjohet nga drita që paralajmëron agimin. Shkrimtari, i thelluar në mendime e hap laptopin, vazhdon të shkruaj Librin për Nesër. Djerës i shkojnë çurg ballit, dikur papritmas hidhërohet  dhe e mbyll kapakun. Nervozohet. I zemëruar e çon bokallin me verë. Pi. Matanë dritareve dëgjohen të lehurat e qenve… Në skenë, hynë papritmas Djemnusha.

DJEMNUSHA: Mjerimi shqiptar e ka arritur kulminacionin politik. Turma trusakate u pri në ballë Institucioneve shtetërore. Guxim merr të dalë në krye, udhëheq me Çështjen Shqiptare?! Arsimin shqiptar. Kulurën shqiptare. Politikën shqiptare. Përderisa dje, bënim luftë pë shkolla shqipe fillore, të mesme e universitete, sot nuk kemi nxënës dhe studentë?! Presim të na i lindin fëmijët partitë politike.

SHKRIMTARI: Erdhi koha, sot të çohemi vetë kundër shkollave në gjuhën shqipe?! Përderisa dje, “Vëllai” Madh i Njerkës nuk na i jepte, ne turr me protesta “paqësore” në rrugë. E ngrisnim zërin për shkolla shqipe, aqsa na mori vesh edhe Evropa.

DJEMNUSHA: Sot “Vëllai” Madh i Njerkës e ndryshoi veprimin politik me mantalitetin shqiptar. E ka studiuar mirë e mirë nëpër institucione të shtetit të “përbashkët”. E kemi pasur gabim me shqiptarët, atyre duhet lejuar çdo kërkesë politike: duan liri, jepnu liri, duan flamur kuqezi kombëtar, jepnu flamur kuqezi, duan shkolla shqipe, jepnu shkolla shqipe, duan universitete, jepnu universitete…

SHKRIMTARI: Fitorja një ditë, është në anën tonë politike, Vetë vjen dita, që shqiptarët do t’i shqelmojnë këto dhurata të partive të tyre politike. Shqiptarëve, po ua ndalove diçka nacionale, ato turr e bëjnë namin për ato të drejta kombëtare. Koha, sot është ndryshe me metodat e vjetra politike: shqiptarëve duhet plotësuar çdo kërkesë politike. Vetë ato, kur t’u plotësohen këto kërkesa politike kombëtare, një ditë do të çohen i madh e i vogël kundër lirisë, shkollave shqipe, flamurit kombëtar kuqezi, universiteteve…

DJEMNUSHA: Turqit, herët e kanë studiuar mentalitetin shqiptar. Jo rastësisht, këtë popull edhe e kanë mbajtur pesqind vjet në robëri. Radhën, tashti ua kanë lënë politikanëve. Metodat e tyre politike për ta asimiluar një popull historik.

SHKRIMTARI: Një lagje në Zajaz nuk ka dashur ta pranojë Fenë Islame. I gjithë fshati janë bërë myslimanë, por një lagje kurrësesi nuk e pranon Fenë e Sulltanit. I pari i fshatit me kërkesë të Sulltanit një ditë shkon në Stamboll.

SULLTANI STAMBOLLIT: (E pyet, Plakun e Zajazit): O plak, çfarë burrash janë ato që nuk e pranojnë Fenë Islame?!

PLAKU I ZAJAZIT: Lëre, mos pyet fare! Kaçakë mali, vrasës, hajdutë, belaxhi… E gjtihë Kërçova dhe katundi ka probleme me këtë lagje.

SULLTANI STAMBOLLIT: (E porositë të Parin e fshatit Zajaz): Atyre, me urdhërin e Sulltanit, rreptësisht u ndalohet hyrja në xhami!

KAҪAKËT E ZAJAZIT: (Një javë më vonë pasi Plaku i Zajazit këthehet në katund, Burrat e kësaj lagje kryengritëse i dalin para me mauzerrët përqafe e koburet në brez): Hë, çka tha për ne Sulltani Stambollit?

PLAKU I ZAJAZIT: Burra, lëreni mos pyetni fare: me urdhër të Sulltanit, juve rreptësisht u ndalohet hyrja në xhami!

KAҪAKËT E ZAJAZIT: (I hudhën struket nga krahu dhe rrokën mauzerret në dorë): kush është ai të na ndalojë ne mos hyjmë në Xhami? (Dhe, njëri pas tjetrit me mauzerret në duar me gjithë opinga hynë në xhami. Kështu, edhe familja e kaçakëve të Zajazit, që kurrësesi nuk e pranonte me dhunë Fenë Islame, më në fund vetë vullnetarisht u bënë “muslimanë”).

SHKRIMTARI: Ndaluni, o burra! Çështja Shqiptare, nuk është zgjidhje katundi, po problem historik. Kujtiteket, hudhë një bajgë në mjetet e informacionit. Përmëkeq, ato që i blenë diplomat universitare dhe titujt shkencor në “Qafë – Thanë” dhe Jazhincë, në kufi me Kosovën. Gurë e dru, sot hudhin mbi universitet shqiptare. Dudumët që janë edhe prodhim serial ekonomik i këtyre institucioneve arsimore. Problemin e arsimit shqiptar, nuk e zgjidhi serbi, nuk e zgjidhi turku, e as sot e kësaj dite “maqedonasi”. Sotpërsot, do ta  zgjidhin vetë shqiptarët.

DJEMUSHA: Edhe them, besoj se do ta zgjidhim këtë problem historik. Vetëmse, duhet durim! Nuk e kam thënë këtë unë e para, e ka thënë Ibrahim Rugova. Populli shqiptar e ka një thënie historike: Mazi nuk duhet të dalë para pelës azgane! Atëherë, mazi ynë pse duhet të dalë me bishtin mbi shpinë plot hingëllimë t’i pri para pelës azgane?!

SHKRIMTARI: Padashtas, erdhëm tek problemi kryesor i kësaj drame tragjikomike. Përderisa, mazi do t’i pri para pelës azgane, ky popull kurrën e kurrës nuk do të ketë ardhmëri historike t’i hipë Kalit me  shalë të Skënderbeut…

DJEMNUSHA: Përgëzime, Çmimet politike: “arsimore e kulturore” të merituara nga shteti “përbashkët i vëllazërim – bashkimit” në çdo përvjetor historik “maqedonas”! Asnjëri, deri më sot me vulë shqiptare. Frikë kam, se: Nesër, nuk do të kemi kandidatë për këto Çmime politiko – letrare, që sot na i japin me të dyja duart “vëllazërit” e Njerkës. Shkaku, se: do të na harxhohen eksponentët e “vëllazërim – bashkimit”. Nuk, do të kemi kandidatë.

SHKRIMTARI: Vërtetë, o “burra” mejdani i keni merituar me duartrokitje frenetike nga “populli” shqiptar këto çmime shtetërore “maqedonase”, ashtu siç doni ju të dukeni me maska politike para popullit shqiptar dhe botës në këto manifestime “kulturore – artistike” të reklamuara para kamerave televizive në Ditën e Sotshme Historike. Poashtu, meritoni përgëzime edhe për botimet publicistike serike shtetërore në emër të “vëllazërim – bashkimit” me para edhe të popullit shqiptar si “shkrimtarë” dhe “shkecëtarë” universitar.

DJEMNUSHA: Turp, si nuk keni fare?! Publikisht, ju pyes: me çka do ta pushtoni ju botën?! Uolt Uitmani, një sharraxhi kur e publikoi me para të veta veprën e tij letrare Fije bari, kritika e asaj kohe e futi në gërshërë. Uolt Uitmani i madh shpertheu: oj Amerikë, Unë jam Uolt Uitmani i madh”! Kritikët e tij mediokër asj kohe thanë: është i marrë. Pas njëqind vjetëve të vdekjes, Uolt Uitmani i madh e pushtoi botën.

SHKRIMTARI: Tekefundit, këtyre “studjuesve dhe kritikëve letrar” me emra e mbiemra dhe pseudonime, që nesër do të përfundojnë në bërllokun historik, duhet pak t’u skuqet fytyra para popullit shqiptar. Imzot, po deri kur ju, o trusakatë do të na e prezentoni Letërsinë Shqipe përmes Trudëkaçit, Këlyshit Xhadisë, dhe Doktorziut?!

DJEMNUSHA: Përçudia, si nuk doli deri më sot nga soji juaj “patriotik” shqiptar një artist t’i refuzojë këto Çmime Shtetërore të “vëllazërim – bashkimit?! Vendin e “merituar” në Letërsinë Shqipe në shtetin e “përbashkët”, sipas “arshinit” të trusaktëve nga sistemi Neokomunist?!

SHKRIMTARI: E dimë karrierën e juaj të bujshme “artistike”, brez pas brezi. Mos i përmendim këtu emërat familjar se, na zënë disa faqe. Frikë kam edhe, mos më zë goja qelb.

DJEMNUSHA: “Haram”, u qoftë tambëli i Nanës! Ditën e Nesërme, pres të dalë një Burrë Nëne, artist shqiptar me vulë e ”nishan” në ballë,  botërisht t’i refuzojë këto Çmime të rrejshme “artistike” – propagandistike politike shtetërore, që s’kanë asgjë të përbashkët me politikën e “vëllazërim-bashkimit”, arsimin dhe kulturën shqiptare. Letërsinë Shqiptare, sipas “arshinit” të Doktorziut, Këlyshit Xhadisë, dhe Trudëkaçit. Përveçëse: vlerave të papara deri më sot korruptive materiale politike personale e familjare në emër të Shtetit “përbashkët demokraritk” shqiptaro – “maqedonas”, vetëm para syve të botës.

SHKRIMTARI: Jeta vazhdon, qoftë Verë, apo Dimër. Ne, e kemi dashur edhe Vjeshtën me dardha turke e gorrice te “Jasakët e Tikeve”, ama mbi të gjitha e kemi dashur Pranverën. Dimrin e Madh. Vite me borë ato, kur me strajcat e kanapit plot libra, herët në mëngjes ende pa lindur dielli dilnim nga porta dhe ktheheshim me natë në shtëpi. Kohë, kur në pritë na dilte sistemi komunist, por edhe Natyra me shi e borë.

DJEMNUSHA: Zoti e shikonte punën e vet në xhami. Hoxha i Çelëvjollcës nuk na joshte me ilahi e as nuk na detyronte t’i falim të pesë “vaktet” në ditë. Kurrë, nuk përziheshte në punë të shkollës shqiptare. Përmëtepër, ai nuk na kërcnoheshte me “Xhenem” e as me Xhenet. “Xhuma për xhuma”, komunikonte me ne në gjuhën shqipe. “Qerbelanë” e Naim Frashërit e mbante nën sjetull. Kësulën e bardhë të Bajram Currit mbështjellur me “çefin” në vend të “çallmës” turke, në kokë.

Aspak, nuk i gjasonte hoxhës të sotshëm të Filip Papajanit me një kësulë leckë “partall”  të bardhë, ose të zezë: “Njeri i sotshëm me tru të moçëm”. Shumica, thonin: edhe se, është hoxhë rumunie. Byrek kishte hëngër me Asdrenin në Bukuresht. Përçudi, vetë Asdreni në atë kohë bashkë me Hoxhën kishin ardhë edhe si mysafirë në Kërçovë me një thes plot me abetare ngarkuar në shpinë për nxënësit dhe shkollat shqipe.

SHKRIMTARI: Përroni i Garanës, që vjeshtë e dimër tërbohej dhe zbriste nga mali me egërsi, na sulej si shkollarë. Rrugën na e priste Verë e Dimër. Urën na e rrëmbente me vete me gjithë dërrasa si një anije pa udhëtarë mes shelgjeve. Edhe, ato pak libra, që na mbetën nga “Shqipëria e Madhe”, të ministrit arsimit të asaj kohe Ernest Koliqi, na i rrëmbenin nga duart dhe na rrasnin në burg si “nacionalistë e irredentistë” shqiptar.

DJEMNUSHA: Dorën në zemër, vërtet më ka marrë malli për mësuesit e Ernest Koliqit, e jo këto të sotshmit të Ministrisë Arsimit e partive politike, që kurrë nuk kanë kapur ditar në dorë. E sot emërohen drejtorë shkolle e ministra të arsimit pa fije turpi. Mësuesë të politizuar deri në palcë me trumbetime partiake dhe me pak aftësi arsimore – edukative, plot patetikë patriotike – arsimore. Partizanë, që ditarin e arsimit e kanë shndërruar në libreza partiake.

SHKRIMTARI: Fat i yni ishte ky historik, që kishim në ballë ato mësuesë të rritur me poezitë e Rilindasëve Shqiptar.

DJEMNUSHA: Kohë komuniste, kur shqiptarët e vegjël, që nga bangat shkollore përgaditeshin për duhanvjelës, e jo për mësuesë, shkrimtarë, mjekë, inxhinierë e shkencëtarë. Ose, siç e ka thënë moti që në kohën komuniste poeti i madh Esad Mekuli: O vëlla, me sharrë në krah.

SHKRIMTARI: Dhe, ajo ditë erdhi me struken krahëve. Tregimin e Pemës me fruta të atyre librave të këndimit që e kishim asaj kohe mes atyre faqeve mbi bangë: Mbollën të tjerët hëngra unë… Dhe, tash mbjellë unë, të hanë të tjerët. Petjetër, dha fruta.

DJEMNUSHA: Mësuesi im i atëhershën i artit figurativ, Ramadan Ramadani – Ballazhi, i cili në atë kohë të egër hynte në klasë me vjershën e Çajupit: Sulltani, sot në historinë artistike shqiptare arsimore po lë gjurmë edhe më të thella, përveçse si mësues edhe si piktor. Përderisa, dikur vargjet e Çajupit e dridhnin klasën, sot brusha e tij shkundi nga pluhuri historinë edhe përtej varrit nëpër botë.

SHKRIMTARI: Mëkat historik, edhe patriotik – erotik, që nuk e ka ndezur me vite në Qytetin e Qyqeve me zjarr Mikja Di nën Rrap me dy shtama verë e dy-tri shamia lidhur për brezi?! E, shi sot e ndezi Xhypka* azgane tek “Parku i Grave” me dajre, së cilës atë natë i kishte vdekur papritmas burri pranë Lumit në breg të Vardarit. E bëri pazar Plakën me dy shtëllunga leshi që t’ia ruaj kufomën, përderisa: ajo si Nuse do të merrte pjesë në dasmën e kojshive, përdredhë bythët në valle me dajre. Edhe, me një këngë patriotike – erotike – zjarr e flakë. Përderisa, e hiqte vallen me shami dhe dajre, iu përgjigjë me këngën antologjike Plakës Marsit të shtëllungave leshit në Prag të Pranverës Shqiptare:

PLAKA E MARSIT:

Nuse, a do të m’i japësh shtëllungat e leshit?
 Din-ka-kaaa. Din-kaa-kanka. Dajret e cucave.

PASHTERKËKUQJA: (duke hequr vallen me shami pa e ndalur këngën, i përgjigjet me zë përmes dajreve din-ka-ka-kanka):

Në t’i jap -e, moj Nane, si s’ti jape -jo!…
      Unë, nuk jam Parti politike shqiptare me “besë”
      E mbaj premtimin e dhënë, dhe besën -o…

PLAKA E MARSIT: (Duke e ruajtur “xhenazen” (kufomën) atë natë, dikur i ikën sytë në tavan, ku ishte e varur një copë pastërma për Dimër. E mer një shkam dhe hip të pres me thikën e brezit një kafshatë. Papritmas, i rrëshqitë këmba dhe rrëzohet nga shkami me tri këmbë mbi “xhenaze” (kufomë). Tëëërrt, pordh “xhenazja”. Plaka trembet dhe shkon në kojshi ta pyes përsëri Nusen me pashterkë të kuqe, që në krye të grave e hiqte vallen me shami. Ngadalë, i afrohet dhe i pëshpëritë në vesh): Nuse, a pordhë xhenazja?

PASHTERKËKUQJA: (Duke hequr vallen pa e ndalur këngën popullore):

Pordhë moj nane, si nuk pordhe -o
Din-ka-kaa-kanka. Dajret e cucave…

                                                                         Fund

Shkup, 2022

  1. Cucë bjonde e hazdisur rome. Boheme, arratisur tek “Parku i Grave”, në Shkup…

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.