“MIRËNJOHJA SHQIPTARE” për Kongresmenin Amerikan ELIOT ENGEL, nga “Takimi i Madh i Prishtinës, 2024”

0
123
Shkëlzen Rexha

Kongresmeni Amerikan Eliot ENGEL – ish Kryetar i Komisionit për Politikën e Jashtme të Kongresit Amerikan, një mik i shquar i Shqiptarëve në Ballkan e në Amerikë, një ndër kontributorët e mëdhenj për Lirinë, Pavarësinë e Shtetësinë e Republikës së Kosovës, për Njohjet Ndërkombëtare të saj, u nderua me Çmimin e Madh “Mirënjohja Shqiptare” nga “Takimi i Madh i Prishtinës, 2024” (Këshilli Kombëtar Organizativ i Takimit), ku merrnin pjesë 511 të Ftuar Nderi nga Republika e Kosovës, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Lugina e Preshevës e Sanxhaku, Çamëria, Europa, Amerika, Australia, etj.. mbajtur këto ditë në në sallen “Beethoven” të “Emerald Hotel” (me pesë yje) në Prishtinë, kryeqytetin e Republikës së Kosovës.

Çmimi i Madh “Mirënjohja Shqiptare” për Kongresmenin Amerikan Eliot Engel, mban të nënshkruar motivacionin: “Për kontributet e shquara si Kongresmen (1989-`21) dhe Kryetar i Komisionit të Punëve të Jashtme të Kongresit Amerikan (2019-`21) për Lirinë, Pavarësinë e Shtetësinë e Republikës së Kosovës dhe për njohjet ndërkombëtare të saj”.

Kongresmeni Amerikan Eliot Engel nga Nju Jorku iu drejtua “Takimit të Madh të Prishtinës, 2024” me një Përshendetje (e dërguar në shqip e në anglisht), e cila u lexua në foltoren e Panelit të këtij Takimi PanShqiptar-NdërBallkanik-EuroAtlantik, të cilën po e publikojmë pjesërisht:

“Të dashur miq të Takimit të Madh Prishtina 2024,

Ju shpreh mirënjohjen time të sinqertë që vendosët të më nderoni me Çmimin e Madh “Mirënjohja Shqiptare” për kontributin tim në Pavarësimin e Kosovës.

E ndaj këtë nder me mikun tim të mirë të shumë dekadave, Harry Bajraktari, i cili ishte i pari që më prezantoi me çështjen e Kosovës dhe luftën e saj të drejtë për liri dhe pavarësi. Ai ka qenë gjithmonë përkrah meje dhe kemi punuar së bashku në Washington dhe New York për të siguruar mbështetje për Kosovën në Kongresin Amerikan, në Shtëpinë e Bardhë dhe në shumë organizata ndërkombëtare.

Shumë pak njerëz në Washington e dinin se ku binte Kosova, kur e nisëm punën tonë, por kjo ndryshoi shpejt. Në vitin 1996, kur dukej se Kosovën po e harronin, udhëtova në Prishtinë dhe ngrita flamurin amerikan në sy të zyrtarëve serbë për të treguar se ëndrra ende jetonte.

Më në fund, e gjithë bota demokratike u bashkua në mbështetje të Kosovës. Kjo u bë fare e qartë kur në 1999, Presidenti President Bill Clinton udhëhoqi NATO-n në luftën që shmangu një katastrofë humanitare, ndaloi genocidin, dhe më në fund solli paqen dhe stabilitetin në rajon. Kosova u çlirua dhe hyri në rrugën e pamvarësisë.

Bashkë me Harry Bajraktarin dhe miq të tjerë, udhëheqës të komunitetit shqiptar, e vizituam Kosovën menjëherë pas çlirimit dhe u kthyem aty përsëri shumë herë gjatë këtyre viteve. Nuk do ta harroj kurrë fjalimin tim të parë përballë Kuvendit të Kosovës, pas shpalljes së Pavarësisë.

Për fat të keq, për shkak të rrethanave personale nuk mundem që të marr pjesë në takimin tuaj të nderuar. Por e duartrokas dhe mbështes me gjithë zemër vendimin tuaj për të festuar triumfin e lirisë dhe demokracisë në Kosovë.

Vërtet, 25 vite pas mbarimit të luftës, ka shumë arsye për të festuar. Kosova është bërë një vend i pavarur, një demokraci solide, dhe një faktor  i paqes në rajon dhe në botë. Rreth 110 vende dhe shumica e organizatave ndërkombëtare e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. E ardhmja juaj është e ndritur dhe ndjehem mirënjohës që pata fatin të luaj një rol e të isha me ju në pjesën më të madhe të këtij udhëtimi.

Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës dhe popullin e Kosovës!- e përfundon Përshendetjen e Tij, Z. Eliot Engel, i cili ndërvite ishte, gjithashtu, edhe themelues e (bashkë)kryesues i “Grupit të Ligjëvënësve për Çështjet Shqiptare” në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Çmimin e Madh “Mirënjohja Shqiptare” për Kongresmenin Amerikan Eliot Engel e dorëzoi Dr. Getoar Mjeku- shqiptaro-amerikan, Zv/Ministër i Ekonomisë në Qeverinë e Republikës së Kosovës (ish Zv/Ministër i Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregëtisë), avokat ndërkombëtar, me shkollim universitar në Teksas të Amerikës dhe me zyrë avokatie në Amerikë përgjatë 10 vite të qëndrimit të tij në SHBA, publicist, studiues, përkthyes, ish gazetar i “Zëri i Amerikës”, etj.

Çmimin e Madh “Mirënjohja Shqiptare” për Kongresmenin Amerikan Eliot Engel e pranoi përfaqësuesi i deleguar (i autorizuar me nënshkrim në foot-note të Përshendetjes së Tij), av. Rasim Hasanaj- ish-Kryetar i Komitetit Shtetëror të Kulteve të Republikës së Shqipërisë, veprimtar elitar shqiptaro-amerikan, vllau i Azem Hajdarit (“Hero i Demokracisë”), një ndër miqtë e afërt (personal) të Kongresmenit Amerikan Eliot Engel dhe të Z. Harry Bajraktari -“Nderi i Kombit”.

“Takimi i Madh i Prishtinës” e vlerësoi e nderoi me Çmimin e Madh “Mirënjohja Shqiptare” edhe Z. Harry Bajraktari në New York-Amerikë, me motivacionin: “Lobues e kontribues i shquar për Çështjen Kombëtare Shqiptare në institucionet e larta Amerikane; për Lirinë, Pavarësinë e Shtetësinë e Republikës së Kosovës; për Demokracinë në Shqipëri; për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut në Rajonin Ballkanik Shqiptar; për Kulturën e Masmedia Shqiptare në Amerikë e në Atdhe”.

Në fjalën e tij falenderuese, pas pranimit të Çmimit të Madh “Mirënjohja Shqiptare” për Kongresmenin Amerikan Eliot Engel dhe shqiptaro-amerikanin e mirënjohur Harry Bajraktari, përfaqësuesi i Tyre në këtë Takim, av. Rasim Hasanaj, ndër të tjera, theksoi, se: “Është nder i madh për mua që të përfaqësoj në “Takimi i Madh i Prishtinës, 2024” të nderuarit: të madhin Kongresmen Eliot Engell, ish kryetarin e Komisionit të Jashtëm në Kongresin Amerikan dhe mikun e Tij të ngushtë Harry Bajraktari, që siç e theksoi Kongresmeni Engell në Përshendetjen drejtuar këtij Takimi PanShqiptar-NdërBallkanik-EuroAtlantik, te dy punuan bashkë për Çështjen Kombëtare e në veçanti për Lirinë, Pavarësinë e Shtetësinë e Republikës së Kosovës.

I rëndësishëm është fakti se Kongresmeni Eliot Engel dhe shqiptaro-amerikani Harry Bajraktari vazhdojnë ende të punojnë me përkushtim për Çështjen Shqiptare…”.

(Foto; Shkëlzen REXHA – Gjakovë)

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.