Në shiritin e kohës
Hejza
Në vitet ’30-të, Koliqi ishte emër i madh i prozës moderne. Dy librat e tij qenë të nivelit evropian. Koliqi qe gjithashtu edhe poet, publicist, përkthyes. Ai botonte gazetën “Illyria”, ku u tubuan emrat e intelektualëve më të shquar të kohës. Autoriteti i Koliqit spikaste kudo. Ndërkohë fletoret italiane të Barit në Itali botonin të përkthyera prozat e meditimet e tij. Migjeni nisi të botojë proza dhe poezi që herët në gazetën “Illyria”. Në Shkodër, në këtë lak kohor, jetonin e krijonin Fishta e Mjeda, një binom kulturor i veçantë. Koliqi u paraqit me pretendime të vërteta në estetikën e trajtimet moderne të artit, duke përpunuar vektorin perëndimor artistik.
I katërti po përgatitej, në dukje qetësisht, por me shpërthime gjeniale të brendshme. Pra, Migjeni do të shkruante krejt ndryshe dhe do të dëshmonte një koncept të ri universal. Koliqi ishte i pari, që e kuptoi Migjenin. Ndoshta marrëdhëniet e tyre vetjake mund të kenë pasur dhe kontradikta. Kjo nuk ka shumë rëndësi. Ata nuk ishin dhe nuk kishte pse të ishin artistë identikë. Shihni prozat koliqiane dhe prozat migjeniane. Kanë stilema, ekzotikë lokale, fjalë, antroponime të afërta. Objekt krijues kanë jetën shkodrane, gjithsesi janë në nivele krejt të ndryshme konceptuale. Midis motiveve tematike ka lidhje, ashtu siç ka edhe antonime, që burojnë nga qëndrime sociale. Forca e Koliqit nuk është jehonë e verdizmit italian, ajo është tipike për elitën merkantiliste qytetare shkodrane, pa zbritur deri në botën infernale.
Në aspektin kompozicional, në të ka një ndikim të Pirandelos. Mitet veriore, legjendarizimi estetik, i përcjellë jo pa një ironi tepër të hollë, provincionalizmi i përfaqësuar në mënyrë pak baroke (rokoko), shija tepër e gjetur dhe e kultivuar e gjuhës, njohja në parim e një tragjikeje shekullore (e filtruar edhe sipas një matrice subkoshiente frojdiane), autonomia zhanriste e tregimeve, gjë që nuk ishte parë kurrë më parë me kaq cilësi, e bëjnë prozën e Koliqit tepër interesante e një nga kulmet e prozës shqiptare në çdo kohë.
Proza e Migjenit guxonte ndershmërisht të fliste nga pozicioni i njohur dostojevskian. Bota infernale ishte e vetmja alibi e një parajse imagjinative, ose i vetmi realitet i një parajse alibike që nuk ekziston. I zhveshur krejtësisht nga mitizimet, i mbrujtur me një revoltë kozmike niçiane, ateist, me një prapavijë kuptimore humaniste dhe iluministe, Migjeni krijoi një prozë moderne të klasit të parë, duke e tejkaluar krahinizmin provincial. Proza e Migjenit plotëson poezinë e tij, e cila bëri një epokë të vërtetë.
Shën Antonit, oshënarit egjiptian të shekullit IV, krijuesit të novatorizmit kristian botëror, Djalli iu shfaq në formë zoologjike të një derri. Migjeni krijon metaforën ekzistenciale të dilemës hamletiane, midis Sokratit të vuajtur dhe Derrit të kënaqur. Skicat e tij filozofike kanë një botë të nëndheshme sociale, ndërsa nuk kanë pothuaj qiell. Ose më saktë, në horizonte Migjeni kërkon jo Krishtin, se sa një Njeri të Ri, sipas klithmës sfiduese e të paduruar të Niçes.
Koliqi, duke i botuar krijimet e Migjenit, e ndjen se në letërsinë e kohës po ravijëzohen tiparet e një shkrimtari të fuqishëm. Madje, Koliqi nuk ngurron ta përshëndesë. Në “Illyria” më shtator 1934, pra katër vjet përpara se të vdiste Migjeni, në shkrimin “Në lulishten letrare”, Koliqi shkruan disa rreshta, që do të jenë zanafilla e tërë shkrimeve eseistike, që u shkruan më vonë për Migjenin deri më sot.
Në shkrim thuhet: “Ma shumë gjethe se lule në kopështet e letrave të reja t’ona”.
Gjethet që ernat e vjeshtës këpusin e rrëxojnë dhe ngrehin rrëshqanë tue shtuem grumbullin e dushkut. Por edhe ndonji lule çelë e papritur, premtim pranverash të përtardhme.
Nji prej këtyne asht vjersha “Të lindet njeriu”… e Migjenit.
Edhe në disa shkrime ma të përparshme të këtij të riu kemi vrejtë një frymë të thellë poetike.
I prirun kah dhimba për çfaqjet ma të mjerueme të jetës, shpirti i tij ndërsehet e shpërthen në një klithëm neverije e kundërshtim.
Në vjershën e përmendun sensibiliteti i tij njerëzuer derdhet në trajta ma të gjana e ma ngushëlluese dhe kërkon para-lajmuesin e nji epoke ma të ndritun e ma bujare. Vargjet i dalin të ngadalëshme e me një rythëm biblik:
Të lindet nji Njeri!
Të mkambi nji Kohë të Re!
Të krijojë nji Epope!
Ndër lahuta t’ona të këndohet
Jeta e Re!
Ky këngëtar djalosh, me zemër të ndrydhun në nji përshpirtni shoqnore, mund të na falë-kur t’a gjejë kthjelltin e trajtës e zotnimin e landës – nji kangë shpërblyese dashunije njerëzore”.
Kjo skicë e Koliqit, qe, si të thuash, profetike. Migjeni u formësua në një mënyrë aq të papritur e të çuditshme në letërsinë shqipe, saqë origjinaliteti i artit të tij ekzistencial është i pazëvendësueshëm në çdo kohë. Kështu, Migjeni u paralajmërua jo rastësisht nga Koliqi. Brenda materies së artit të fjalës shqipe, të dy talentet lidheshin më shumë se sa ndaheshin me njëri-tjetrin. Së fundi, diçka nga shënimet në rubrikën “Posta” të gazetës “Illyria” për Migjenin. Në numrin e 12 tetorit 1935 lexojmë:
“Migjeni-Shkodër: – Qortimin e dëshiroi vetë Drejtori i fletores s’onë. Mendimin e mirë t’onin mbi shkrimet e Juaja e kemi çfaqë botnisht. Mos u veni vesh fjalëve, gjykoni veprat. Falenderojmë për shkrime të dërgueme; presim të tjera”.
Kemi të bëjmë me një pakënaqësi të Migjenit ndaj gazetës. Në numrin e 28 shtatorit është botuar tek “Illyria” proza: “A do qymyr, Zotni?”.
Çfarë korrigjimi (qortimi) është bërë në këtë shkrim që e ka prekur Migjenin?
Shënimi e shpjegon qartë, se këtë e ka ndërmarrë vetë Koliqi. Ne nuk e dimë tekstin e letrës protestuese të Migjenit. Po mund të rindërtojmë dy motive: motivin e reagimit ndaj korrigjimit, që ka të bëjë me lirinë e publikimit, të shtypit të lirë dhe motivin e një mungese të respektit ndaj tij.
Në përgjigje nënvizohet, se: “Mendimin e mirë tonin mbi shkrime Jueja e kemi çfaqë botnisht. Mos u veni vesh fjalëve, gjykoni veprat”.
Ç’fjalëve u ka vënë vesh Migjeni? Padyshim, kjo ka të bëjë substancialisht me letrën e Migjenit dërguar redaksisë.
Më pas, mundësia e një moskuptimi më parimor merr fund, se në numrin e 16 nëntorit 1935 në “Posta” të gazetës lexojmë:
“Migjeni-Shkodër: – Muerëm dhe falenderojmë. Veproni ashtu si ta mendoni ma mirë.
Presim shkrime të tjera për faqen e Juej.
Mos harroni rasën e 28 Nantorit për ndonjë copë prozë”.
Në numrin e “Illyrisë” të 28 Nëntorit, Migjenit i botohet poezia e famshme, soneti: “Kanga e rinisë”.
Në numrat e mëparshëm “Illyria” përsëri boton shkrime të Migjenit e marrëdhëniet jo vetëm janë korrekte, por edhe i bëhet dy herë reklama-lajmërime, dalje së shpejti nga shtypi të kryeveprës poetike “Vargje të lira”.
(“Koliqi për Migjenin” pasqyruar në gazeta Kombi 1990, Autori Moikom Zeqo)