LIBËR UNIKAL QË NË ESENCË PASQYRON PERIUDHËN HISTORIKE TË MESJETËS ARBËRORE

0
147
Prof. dr. Jahja Drançolli

Mikel Gojani MIKEL GOJANI

Prof. dr. Jahja Drançolli: Në kërkim të historisë mesjetare arbërore, Zagreb 2019.

Prof. dr. Jahja Drançolli, prezanton njërin ndër personalitet më të spikatura të historiografisë sonë, i cili ka arritur të shpalosë shumë të pathëna deri me tash dhe që ka bërë që hidhet dritë mbi shumë fakte dhe argumente që kanë të bëjnë për historinë mesjetare arbërore, një periudhë mjaft komplekse, mirëpo shumë të rëndësishme dhe me vlera shumëdimensionale.

Libri, “Në kërkim të historisë mesjetare arbërore” i prof. dr. Jahja Drançolli është i konceptuar në tetë kapituj, të cilët përbëjnë një strukturë unifikuese konceptuale: Transformime shoqërore dhe etnike, Zhvillime historike politike, Në atdheun e të parëve, Qytetet mesjetare të Kosovës, Struktura fetare dhe monumentet e kultit, Humanizmi europian dhe arbërorët, Historia, jeta dhe sëmundjet dhe Shqyrtime historiografike.

Libri, me aq sa jemi në dijeni, është ndër rrallët e  këtij lloji i shkruar në çfarëdo gjuhe

Në parathënien e librit, autori, prof. dr. Drançolli, i cili shprehet se libri është rezultat i një pjese të kërkimeve të mia kushtuar historisë së Arbërisë dhe të arbërve gjatë mesjetës. “Gjeografikisht, pohon autori, mbulon  të gjitha trojet ku kanë jetuar iliro-arbrit-shqiptarët gjatë mesjetës të shoqëruar edhe me trashëgiminë e tyre të antikitetit. Libri, në aspektin kronologjik mbulon veçanërisht periudhën ç’prej dyndjeve të popujve në gjysmën e dytë të shek. VI dhe fillimet e shek. VII, dhe se këndejmi duke u ngjitur gjatë shekujve të mesjetës për të vazhduar deri te pushtimet rasiane-serbe gjatë shek. XIII-XIV dhe osmane turke gjatë viteve 1385-1571.” Libri, sqaron autori, me aq sa jemi në dijeni, është libër i rrallë i këtij lloji, i shkruar në çfarëdo gjuhe.

Aty ndeshim në shumë studime, të cilat trajtojnë çështje nga lëmi i historisë shoqërore, ekonomike, politike dhe kulturore gjatë periudhës bizantine, periudhës së shteteve dalmate dhe romano-italiane, si dhe të periudhës së pushtimeve bullgare, serbe dhe së fundi atyre osmane. Sidoqoftë, punimet e botuara në librin  që e kemi në dorë kanë vënë në pah edhe ndikimet reciproke në mes të vendorëve dhe ardhësve, qofshin ata kolonizues ose pushtues të trojeve stërgjyshore iliro-arbërore-shqiptare.

Një punë e tillë duket e domosdoshme, aq më parë kur dihet kur dihet se popujt autoktonë të Ballkanit ishin të detyruar t’i nënshtroheshin ngushtimit territorial dhe pjesërisht zbrazjes demografike për t’u zëvendësuar me bullgarët, maqedonasit, serbët etj., të cilët si paganë që ishin në aspektin religjioz, do ta përqafojnë  më vonë zyrtarisht krishterimin. Për më tepër, gjatë mesjetës së hershme u përcaktua se cilat rajone do të përfundonin  në  juridiksionin fetar të Kostandinopojës ortodokse, dhe të cilat nën Romën katolike. Ky diferencim fetar i realizuar gjatë mesjetës, si dhe pas pushtimeve osmane, ka zgjatur deri më sot, dhe ka pasur ndikim të madh në zhvillimet historike jo vetëm në Iliri, Arbëri-Shqipëri, por edhe në historinë e Ballkanit përgjithësisht deri në ditët tona”, është shprehur ndër të tjera prof. dr. Drançolli.

Treva e Kosovës së sotme ruan dëshmi  të trashëgimisë kulturore-historike që nga fillimet e neolitit (6000-2600 p.e.s)

Në studimin e tij, studiuesi prof. dr. Drançolli vë në dritë shumë fakte që pasqyrojnë realitetin e periudhës së para ardhjes së sllavëve, në Gadishullin Ballkanik, ku sipas tij në këtë hapësirë gjatë kësaj periudhe ka jetuar popullata autoktone, Ilirë dhe Trakasit. Paraardhësit e Ilirëve, Shqiptarët e sotëm kishin ruajtur gjuhën, kulturën dhe religjionin e krishterë. Kështu që treva e sotme e Kosovës ruan dëshmi nga trashëgimia kulturore-historike, që nga fillimet e neolitit (6000-2600 p.e.s.).

Nga kjo kohë u ngritën vendbanimet e para, si Tjerrtorja (Prishtinë), Gladnica (Graçanicë), Rakoshi (Istog), Fafosi e Lushta (Mitrovicë), Reshtani e Hisari (Surarekë), Runiku (Skënderaj etj. Po ashtu, në vijim sqaron studiuesi Drancolli, se qysh në periudhën e bronzit, Kosova ka qenë e banuar nga ilirët dardanë. Në këtë kohë ilirët kanë qenë një nga popullsitë më të mëdha të Europës, mirëpo Akademia e Shkencave Serbe, ka bërë përpjekje për ta ngushtuar territorin e banuar nga ilirët. Këtë të dhënë autori i librit e argumenton tek e dhëna e ilirologut të shquar, A. Stipçeviç.[1]

Sipas studiuesit Drançolli, burimet e ruajtura të kësaj periudhe argumentojnë faktin se afro 20 qytete të njohura në provincat jugorë të Ilirisë kanë ekzistuar, ku në mesin e tyre përmenden edhe qendrat e Dardanisë, si Shkupi e Ulpiana.

Në historinë e Kosovës, mesjeta e hershme është një nga periudhat  më të rëndësishme, sepse me te është i lidhur formimi i popullit shqiptar, i gjuhës dhe i kulturës së tij. Duke sqaruar emërtimin e Dardanisë, autori shpjegon që si koncept administrative gjeografik, qarkullon në dokumentet e kohës deri në shek. XI. Ndërkaq emërtimi Kosova, zuri të përdorej pas Betejës së Kosovës (1389). Emrin Kosova e ndeshim edhe tek humanisti novobërdas, Martin Segoni (shek. XV). Dëshmitë historike, arkeologjike dhe linguistike argumentojnë se Kosova nuk mund të jetë djep I formimit të shtetit serb, siç theksohet nga ndonjë historian jo serioz serb, sepse historikisht Kosova ka qenë dhe është tokë e Dardanisë së djeshme dhe Kosovës së sotme.

Kjo kohë e hershme përkon edhe me ndërtimin e disa kishave dhe manastireve, si manastirin e Deçanit, që është ndërtuar gjatë sundimit të mbretërve nemanjid Stefan Deçani dhe Dushan (1327-1335), që është vepra më e madhe që ruan elementet nga ndërtimtaria e ardhur ngë bregdeti. Me këtë rast hasim një mbishkrim të gdhendur nga arkitekti shqiptar dom Vita Cuçi. Po ashtu në objektin e këtij manastiri vërejmë edhe punën e bërë nga gurskalitësi i përmendur i kohës Miho (Mikel) Tivarasi, skulptor me famë i shek. XIV, autor i klaustrit së Kuvendit Françeskan të Raguzës. [2]

Me formimin e shtetit të Arbrit, në kapërcyell të shek. XII, shumë troje etnike shqiptare  dhe mbetën jashtë kufijve shtetëror, sqaron studiuesi Drançolli.

Vend të rëndësishëm në veprën e prof. dr. Drançollit zënë edhe kapituj: Një laterkul i veçantë i zbuluar në Cërcë të Istogut, Konstandini i Madh në kontekstin Dardani dhe Dardani, Formacionet shtetërore iliro-shtetërore, Shteti i Dardanisë, etj.

Shtetit të Dardanisë pohon se shtetësia dardane dëshmohet nga një sërë burimesh dhe faktesh

Autori i këtij libri, profesor Drançolli, duke folur rreth shtetit të Dardanisë pohon se shtetësia dardane dëshmohet nga një sërë burimesh dhe faktesh, si p.sh. ekzistimi i institucioneve  të mbretërve Longar, Bato dhe Monun, froni trashëgues, martesat dinastike (martesa e Teutës dardane dhe mbretin ilir Genci), institucioni i skllavërisë, zotërirmi i mbretit me ushtri të organizuar në falanga që kishin deri 8.000 ushtarë etj. Në këtë kuadër duhet doemos potencuar edhe themelimin e provincës së Dardanisë në kapërcyellin e shek. III (297), si rrjedhim i mëvetësisë së krijuar dardane.

Në aspektin e integrimeve ilire-arbërore rol të rëndësishëm luajtën qendrat urbane, si Ulqini, Peja, Prizreni, Shkupi, Tetova, Manastiri, Korça, Janina etj. Po ashtu edhe vijat e komunikimit që shpinin nga Shkodra, Durrësi, Vlora, drejt Athinës, Nishit, Selanikut, Sofjes etj.

Në vijim autori Drançolli po ashtu flet për marrëdhëniet arbërore-sllave, Ngulmimet e sllavëve të jugut, onomastika parasllave, Kryengritjet e popullatës vendore më 1071-1073, organizimi i kishës mesjetare etj. Duke sqaruar këtë periudhë autori argumenton se gjatë kësaj periudhe, monumentet e kultit, ndërtesat sakrale, nekropolet dhe afresket i kanë të njohura në disa qendra të pushtuara, si Dioclea, Ratiaria, Naissus, Scupi e të tjerë.[3]
Pjesa e dytë e këtij libri ngërthen tema tepër interesante, që kanë të bëjnë me shumë ngjarje dhe data të rëndësishme që kanë të bëjnë me historinë e popullatës arbërore.
Sipas autori Drançolli organizimi kishtar ishte realizuar sipas ndarjes administrative të Perandorisë Romake. [4]

Te pjesa e dytë e këtij libri, Zhvillime historike dhe politike, autori ka konceptuar një studim tepër me vlerë që ka të bëjë rreth Betejës së Kosovës (1389), që sipas autorit cilësohet  si një betejë mes realitetit dhe mitit. Kjo betejë fitoi atributet e një disfate të këtij populli në këtë betejë. Kështu që zhvillimet e kësaj beteje  janë akoma errësuese, sepse për shkaqe të mungesës së fondeve historike akoma nuk është hedhur dritë rreth kësaj beteje.

Këtë betejë dokumentet e identifikojnë me Ditën e Shën Vidit (15/28 qershor 1389), si datë e përbaltjes ndërmjet i ushtrisë së ‘Koalicionit ballkanik), të udhëhequr nga Princi Lazar Herbelanoviç, i cili në Fushë-Kosovë për t’i  bërë ballë ushtrisë osmane me në krye me Muratin I me bijtë Bajazitin e Jakupin, Sipas legjendës beteja kishte qenë e ashpër dhe humbje kishin pasur të dy palët. Në këtë betejë u vra Lazari po ashtu edhe Murati I, me këtë rast është vrarë edhe princi Theodori II, zoti I Beratit dhe Myzeqesë. Sipas autorit Drançolli çdo gjë tjetër ka mbështetjen në fakte të sigurta.

Kuvendi i Lezhës 1444 – gurthemel i shtetit të Arbrit

Ndërkaq duke folur rreth shtetit të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, studiuesi Drançolli shpjegon se rreth vendlindjes së tij tezat akoma janë të pakonfirmuara, sepse studiues të ndryshëm kanë shprehur disa variante të vendlindjes së Skënderbeut. Sipas veprës së Barletit kushtuar Skënderbeut shpjegohet se origjinën e Kastriotëve duhet kërkuar në  Rajonin e Matit, mirëpo kësaj teze pasojnë edhe teza të tjera rreth kësaj çështje, përkatësisht rreth vendorigjinës së kësaj familje. Jak Llukari në veprën “Analet e Raguzës”, shkruan se familja e Gjon Kastriotit ka dalë nga Kastrati i Hasit “pak larg lumit Drin”.  Burime të tjera kundërshtojnë këtë tezë të prejardhjes së Kastriotëve duke e bartur në Dibër, Kaninë ose Mirditë.

Vend meritor në këtë vepër historike studiuesi Drançolli i kushton edhe Kuvendit të Lezhës një datë e rëndësishme në historiografinë tonë kombëtare, që u mbajt më 2 mars 1444, që ishte meritë e Gjergj Kastriotir Skënderbeut. Kuvendi i Lezhës qe mbajtur në kishën katedrale të Shën Nikollës, ku morën përsipër për të themeluar Lidhjen e princave arbër në Lezhën arbërore. Vendimet e këtij kuvendi  patën rëndësi të veçantë në themelimin e  shtetit të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut dhe organizimin shtetëror të shtetit të Arbërit.
Në vijim të këtij libri me një përkushtim të veçantë studiuesi Drançolli u qaset arbërorëve  të Raguzës, duke i cilësuar si zejtarë, krijues të arteve dhe tregtarë të suksesshëm.

“Në gjuhën iliro-arbërore lidhen disa toponime në rajonin e ngushtë të  Raguzës. Lumin Ombla (sot Dubrovaçka Rijekas), E. Çabej. A. Mayer, N. Jokli, H. Krane, e ndonjë tjetër e shpjegojnë sipas gjuhës shqipe. Ndërsa kodrën Tmor, më e larta në Rajonin e Raguzës, një toponim me këtë emër (Tomos, Tomarus, Tmor) e ndeshim gjatë antikitetit  dhe gjatë mesjetës në territorin iliro-arbëror.” (f. 153).

Një kushtim të veçantë autori i këtij libri u kushton edhe arbëreshëve të  Zarës duke i cilësuar si një popullatë të ngulitur qysh nga thellësitë e shekujve në këto troje arbërore.
“Zara, Jedera e antikitetit, qendër e liburnëve ilirë, detarë më të shquar të Adriatikut dhe më gjerë, e ruajtur kontinuitetin  iliro-arbëror edhe gjatë mesjetës së hershme. Kjo vazhdimësi tradicionale në Zarë tërhoqi vëmendjen e arbërve gjatë gjithë mesjetës dhe gjatë periudhës së sundimit Osman, një çështje që provohet nga dokumente që dalin nga arkivat e Zarës, Venedikut, si dhe Andonës dhe ndonjë qendre tjetër të Adriatikut…

Në mënyrë më të theksuar mërgata e arbërve erdhi në shprehje, sidomos pas vcitit 1479 deri në vitin 1571, periudhë kjo që shënon rënien e Shkodrës, Lezhës, Shën Gjinit, Ulqinit, Tivarit dhe ndonjë qendre tjetër. Të përndjekurit nga qendrat e lartpërmendura  kryesisht janë drejtuar për në Raguzë, Istri dhe Venedik. Sidoqoftë, Zara duke zotëruar epitetin e metropolës së Dalmacisë, tërhoqi më tepër vëmendjen e mërgatës. Në Zarë, atëherë vepronin forca vendore mbrojtëse të mëdha, të cilat u shtuan numërikisht edhe më shumë me ngulitjen e të përndjekurve arbëreshë, të cilët do të formonin njësitë ushtarake të quajtur “Soldati Albanesi” dhe “Cavalleria”, që pa dyshim kanë luajtur rol me rëndësi edhe në zhvillime demokrafike të Dalmacisë  së atëhershme” (f. 176). Në vijim autori na jep një portretizim të arbërve të dioklesë dhe të Zetës etj.

Në kapitullin, Qytetet mesjetare të Kosovës, autori shpalos një itinerar historik nëpër  qytete të Kosovës. Sipas autorit përmes Kosovës zgjateshin rrugët që lidhnin Veriun dhe Jugun, dhe Lindjen e Perëndimin, ku kryqëzohej rruga e Zetës, e cila lidhte Shkodrën me Prizrenin, Lipjanin dhe Nishin, po ashtu rruga  boshnjako-maqedone, e cila lidhte nga veriperëndimi Mitrovicën, Prishtinën dhe Kaçanikun me pjesët jugore, si edhe me disa rrugë të antikitetit të cilat funksiononin edhe gjatë mesjetës: Lissus Naissus, Via Militaris, Via Egnatia etj. Sipas autorit në këto kohë Prizreni ishte qyteti i cili kishte arritur kulmin e zhvillimit dhe i ngjasonte në një qytet tipik autropian. Në këto kohë u kërkua që në Prizren të hapej një konsullatë në këtë qytet, një kërkesë e cila u miratua sipas vendimit të Këshillit të madh raguzan, më 8.III. 1332.

Një përvojë e njëjtë u përcoll edhe në qytete të tjera të Kosovës, si në Prishtinë, Novbërdë, Trepçë, Janjevë, Pejë, Vervenik dhe në Bellasicë. Në vijim autori Drançolli duke e vlerësuar  si çështje me interes në mënyrë mjaft të fakltografike flet  për shërbimin diplomatik e konsullor në Kosovë. Autori po ashtu për t’i njohur disa nga qendrat kryesore të kohës në Kosova, shpalos një hartë  të këtyre qyteteve që veçohen në shumë aspekte të zhvillimit. Në këtë kuadër hynë, si Artana (Novobërda), i cili qytet vlerësohet si qytet i arit  dhe i argjendit; Bellasica e Llapit të Epërm të cilin lokalitet e karakterizojnë begati të shumta, Janjeva, e cila njihej si qendër e integrimeve; Peja qytet i trashëgimisë  tregtare dhe kulturore; Prishtina qyteti i trashëgimive historike dhe administrative; Trepça, qyteti i thesarit dhe i minierave etj.

Te pjesa, Struktura fetare dhe monumentet e kultit, autori dr. Drançolli me një përkushtim të veçantë i qaset kësaj çështjeje, i cili ritin e domenikanëve  arbër  e cilëson si një fidanishte  të kulturës dhe arsimit. Sipas autorit ky urdhër zuri të quhet Urdhri i Predikuesve, sipas emrit të themeluesit të këtij urdhri, Sanctus de Gusman (1170-1221), shenjtë i Kishës Katolike. Urdhri domenikan qe për t’u themeluar nga Papa Inicent (vdiq më 16 korrik 1216), mirëpo është zyrtarizuar nga Papa Honorius, më 22 dhjetor 1216. Urdhri  në fjalë zyrtarisht zuri të quhet “Urdhri i Fretërve Predikues. Menjëherë pas themelimit të urdhrit, në gjysmën e parë të shek. XIII, domenikanët përveç në Kroaci, Bosnje dhe Hungari i ndeshim edhe ne Arbëri.

Misionet dhe misionarët, kuvendet dhe shkollat në këtë kohë funksionojnë në Ulqin, Shkodër, Durrës, Tivar, Raguzë, Kotorr, që nga shek. XIII, ndërsa nga shek. XIV-XV kuvende të këtilla i gjejmë edhe në qytete të Kosovës. Ndërkaq në Durrës domenikanët u vendosën më 1278, ku iu fal një shtëpi dhuratë e Karlit i Anzhu, mbret i Arbërisë. Ndërkaq në vitin 1304 filluan ta ndërtojnë një kishë të re, e cila iu kushtua Shën Dedës. Dhe ky urdhër u zhvillua dhe u masivizua në të gjitha trojet arbërore.

Gjatë shek. IV organizimi kishtar mori hov aq të madh, sa që vetëm në Dardani u ngritën 5-7 ipeshkvni.

Kështu që gjatë shek. IV organizimi kishtar mori hov aq të madh, sa që vetëm në Dardani  u ngritën  5-7 ipeshkvni. Mirëpo, me invadimin e barbarëve në këto troje ndërroi  edhe harta kishtare e Dardanisë. Gjatë kësaj periudhe pësojnë dëme të mëdha selitë ipeshkvnore dhe argjipeshkvnore Gjatë këtyre trazirave u ndërprenë edhe lidhjet me papatin  për t’u shkëputur për një kohë më të gjatë, sidomos pas mesit të shek. VIII, kur Iliriku Lindor iu bashkua Konstandinopojës. Jashtë ndikimit të Kishës bizantine mbeti ende Ipeshkvia e Shkupit dhe ajo e Prizrenit. (f. 335).

Autori po ashtu sqaron se në Ulpianë, ku janë ruajtur reliktet, gjegjësisht eshtrat  e  martirëve të Ulpianës, Flori dhe Lauri, martirë të cilët u ngritën gjatë mesjetës në kultin e martirëve kishtarë bizantin, si dhe të sllavëve të ardhur, të cilët krishterimin e përqafuan  nga mesi i shek. IX. Emri i këtyre martirëve është nderuar edhe nga sllavët e ritit ortodoks, sepse këta martirë i përvetësuan nga popullsia vendëse arbërore. Një shembull i mirë ku përmendet Flori dhe Lauri është “monologu i Patrikanës së Pejës i vitit 1561.”

Kështu shumë monumente të kultit të krishterë, qysh me shekuj kanë shërbyer dhe sot shërbejnë si “dëshmi” për të arsyetuar “djepin e serbizimit në Kosovë”.

Mbi këtë bazë është ndërtuar koncepti pro serb i monumenteve të kultit të krishterë, numri i të cilave është i madh. Në këtë kompleks të këtyre kulteve të eksplatuar nga ortodoksët serbë, ky si Manastiri i Deçanit, i cili i takon periudhës së hershme bizantine. Arkitektura, skulptura dekorative dhe afresket që kanë mbijetuarderi në ditët e sotme dedikuar Krishtit Pantakrator, konsiderohen si vepra të arkitektit, Frat Vita. Muratura e Deçanit është realizuar në vitet 1327-1335, ndërsa pikturat e afreskeve 13-1248. Ndërtimi është bërë  kryesisht sipas stilit romantik. Autori po ashtu sqaron se kryemjeshtër i këtij manastiri  ishte Frat Vita, një arkitekt nga Kotorri. Nga viti 2004 Manastiri i Deçanit është në listën e Trashëgimisë kulturore të UNESCO-s.

Në këtë kontekst, nga kulte të eksplatuara të ritit të perëndimit në ritin e lindjes autori potencon edhe Manastirin e Graçanicës, Patrikanën e Pejës, Kishën katedrale të Shën Prenës në Prizren, Manastirin e Studenicës etj. Pra, disa kisha ortodokse që janë sot në Kosovë, politika ekspansioniste serbe gjithashtu i merr si argument për “të drejtën historike” të saj mbi Kosovën. Po këto kisha janë ndërtuar e sundimit të Bizantit në këto vise, kur serbët ende nuk kishin shkelur në Kosovë. Ata këto kisha i kishin uzurpuar, si shumë kisha tjera katolike në Kosovë, në Mal të Zi e në Maqedoni etj.

Librit “Në kërkim…” të autorit prof. dr. Jahja Drançolli është një libër me vlera tejet të rëndësishme, aq më shumë nga fakti  që shërben për t’u kundërshtuar me argumente shkencore propagandën sllave-ortodokse me të cilën përpiqen ta mohojnë autoktoninë, lashtësinë e popullit shqiptar në trojet tona etnike, për ta mohuar të drejtën e tyre legjitime për vetëvendosje. Kështu që pretendimet serbe për ta sunduar Kosovën dhe viset tjera tona etnike të arsyetohen në bazë të “të drejtave historike, të cilat ata në realitet nuk i kanë. Përkundrazi, edhe të drejta historike, janë në favor të shqiptarëve, sepse këto mbështeten në argumente të pakontestueshme se shqiptarët janë populli më i lashtë në Ballkan, meqenëse të parët e tyre, ilirët, në tokën e lashtë dardane kanë qenë me mijëra vjet para ardhjes së sllavëve.

Depërtimi i islamizmit në trojet arbërore

Autori i librit Jahja Drançolli një pjesë të konsiderueshme të librit ia  kushton fillimit të islamizmit në Arbëri dhe përhapjen e këtij religjioni në këto troje.

Që në fund të shek. XIV dhe në fillim të shek. XV një numër i konsiderueshëm i bujarëve arbër, me qëllim të ruajtjes së sovranitetit pranuan të taktizojnë dhe u “deklaruan” në mbështetje të pushtetit të ri. Pas Betejës së Angorës (1402), disa bujarë arbër orientuan kursin politik drejt Republikës së Venedikut, e cila atëherë sundonte disa qytete bregdetare të Arbërisë. Kështu disa bujarë të familjes Dukagjini, për një kohë ishin në anën e Venedikut, pastaj mbretit aragonas, dhe në të shumtën e rasteve në anën e sulltanit.  Përfaqësuesit të familjes në fjalë më 1450, gjatë kohës së luftërave të mëdha të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut kundër pushtuesve osmanë u gjendën në anën e sulltanit.

Dukagjinët u ndihmuan osmanëve deri më 1454. Në gusht të atij viti ata arsyetohen te papa se, nuk kanë pasur rrugëdalje tjetër, meqë trojet e tyre ishin në kufi me vise të pushtuara nga osmanët. Lekë Dukagjini më 1458 sërish pranoi pushtetin osman. Është interesant se Lekë dhe Nikollë Dukagjini, edhe pas kalimit në Itali (1479), qenë të luhatshëm rreth përcaktimit politik, një kohë qenë në anën e Sulltanit, më pastaj kundër tij. Gjergj Arianiti (1433-1461), edhe pse luftoi me sukses kundër osmanëve, një kohë jetoi në varshmëri. Fati i bujarëve të përmendur e përcolli edhe Gjon Kastriotin, i cili një pjesë të jetës e kaloi duke paguar haraç”.

Më pastaj autori shkruan mbi islamin në Arbëri, në Bosnjë; mbi ndikimin osman në zhvillimin ekonomiko-shoqëror dhe administrative, ndikimin osman në kulturën materiale dhe shpirtërore, arkitekturën, skulpturën dhe pikturën, artet e aplikuara, letërsinë, arsimin, etj.

Prof. dr. Jahja Drançolli në mënyrë mjaft të përkushtuar pasqyroi edhe periudhën e humanizmit europian dhe arbëroret. Me këtë rast autori kryesisht ndalet edhe te disa nga përfaqësuesit më elitarë të kësaj periudhe arbërore, duke veçuar, si Nikollë Leonik Tomeu, duke e personalizuar si një personalitet të ditur të kohës. Autori Drançolli nuk lë pa veçuar edhe disa përfaqësues të tjerë të denjë të kohës të kulturës, humanizmit dhe të Rilindjes, si Andrea Aleksin, Gjin Gazullit, Marin Beçikmeni, Martin Segonin, Viktor Karpaçin, Marin Barleci, etj. Barleci ishte i njohur në qarqet e shkencës dhe të letërsisë europiane me veprat: “Rrethimi i Shkodrës” (1501?), “Historia e jetës dhe veprave të Skënderbeut, princ i epirotëve” (1506-1510) dhe “Kompendiumi i jetës së papëve dhe perandorëve” (1555). Dy veprat e para mund të konsiderohen për dy monumente jo vetëm të Rilindjes arbërore, por edhe europiane.

Kapituj me interes të veçantë paraqesin edhe kapitulli i VII: Historia, jeta dhe sëmundjet, po ashtu edhe kapitulli i fundit, i VIII-të: Shqyrtime historiografike, ku  pasqyrohet  kontributi i Aleksandër Stipçeviçit për historinë dhe arkeologjinë tonë.

Libri përmbyllet me dy shkrime tejet interesante që zgjojnë reagime dhe mospajtime me realitetin objektiv rreth temave bosht, me ç’rast këtyre konstatimeve autori Drançolli e ndjen si obligim t’u kundërvihet me fakte dhe argumente. Fjala është rreth studimit me titull: “Përsëri një histori… që shmang Kosovën” dhe “Skënderbeu ndërmjet historisë dhe politikës.” Sipas studiuesit Drançolli botimi më i ri i “Historisë së popullit shqiptar”, margjinalizon Kosovën dhe trojet e tjera etnike shqiptare jashtë kufijve të Shqipërisë të vitit 1913. “Madje janë margjinalizuar edhe ilirët, që dikur kanë jetuar në këto hapësira edhe Mbretërinë Dardane. Një projekt kaq serioz, pohon studiuesi Drançolli, është dashur të ishte rezultat i punës së përbashkët i të gjithë historianëve shqiptarë, duke evituar gabimet edhe shkarjet që janë vërejtur në botimet e mëhershme. Cilat dështime mund të vërehen në vëllimin e parë të “Historisë…’, e cila tashmë gjendet në duar e lexuesve.” (Botimi i “Toenës”, Tiranë 2002), f. 466.

Ndërkaq, të shkrimi tjetër që potencon autori, Skënderbeu ndërmjet historisë dhe Politikës”, duke shprehur mospajtime rreth disa tezave të historianit gjerman, Oliver Schmitt, të cilat i prezanton Schmitt në shkrimin e tij në shtojcën e kulturës të gazetës “Koha ditore”, të datës 6 gusht 2005, i cili lëkund autoritetin e tij shkencor, përkatësisht në trajtesën e tij historike Schmit aktin e ngritjes së Përmendores së Gjergj Kastriotit  – Skënderbeut në Prishtinë e sheh si mesazh të përvetësimit simbolik të Kosovës nga shqiptarët dhe si një simbol e një uniteti më të madh, dhe në këtë aspekt bën analogji me përmendoren e perandorit mesjetar serb, S. Dushanit. Një tezë të tillë e kundërshton kategorikisht studiuesi Drançolli dhe prezanton tezat e tij racionale dhe tepër bindëse.

Profesor Drançolli me këtë rast kundërshton edhe rreth disa tezave të tjera të historianit  Schmtit i shkruan në studimet e tij, që bien në kundërshtim me realitetin objektiv.
Ky libër i ngjeshur me argumentime, vëzhgime, meditime dhe arsyetime, me gërshetime  dhe ndërthurje shumëplanësh, ai afrohet lexuesit si një monument i rëndësishëm historik që i qëndron kohërave.

Përkthimi i këtij libri në gjuhën angleze do t’i shtonte vlerën dhe do të ishte me interes të veçantë për historiografinë tonë, sepse përkthimi i këtij libri do të mundësonte popujve europianë e të tjerë të njihen nga afër historinë mesjetare të popullit arbëror, përkatësisht shqiptar.

Libri ofron interpretime të reja në botën studimore të historiografisë sonë

Libri, “Në kërkim të historisë mesjetare arbërore”, i autorit prof. dr. Jahja Drançolli nga lexues të shumtë, studiues dhe në promovime të shumta që është prezantuar, njohës së botë së historiografisë sonë e kanë vlerësuar dhe cilësuar si njërën prej veprave më kulmore të historisë sonë. Sipas studiuesve të shumtë ky libër ofron interpretime të reja dhe mbështetet në një pjesë të arritjeve të mija të hulumtimit në arkiva e biblioteka të Italisë, Kroacisë, Turqisë dhe Austrisë.

– Libri ofron pikëpamje të reja dhe bazohet në rezultatet e hulumtimit shumëvjeçar, dhe pjesërisht, të pabotuar.
– Trajton periudhën mesjetare arbërore, të cilën mua më pëlqen për ta quajtur si epoka e artë e historisë dhe shtetësisë arbërore-shqiptare, dhe është pa dyshim një periudhë në të cilën çdo njoftim nga të ndryshmet ngjall shumë emocione.
– Theks i veçantë në këtë libër i vihet vazhdimësisë iliro-arbërore-shqiptare, ku historia jonë në kushte mesjetare përfshinte arealin shumë më të gjerë sesa konsiderohen trojet e sotme etnike shqiptare, prandaj teza se arbrit gjatë mesjetës kanë humbur pjesë të territoreve të veta, në këtë libër ka mbështetje historike.

– Tema qendrore e këtij libri është formimi i identitetit arbëror mesjetar duke nënvizuar dallimet rajonale; krijimi dhe përhapja e identitetit etnik arbëror; formimi i fuqisë politike të arbërve; zhvillimi shoqëror; kultura si shtytës i marrëdhënieve shoqërore, si dhe organizimi i jetës fetare, tema këto të trajtuara në mënyrë origjinale dhe interdisiplinare të mbështetura në metodologji bashkëkohore.
– Në libër është bërë përpjekje që të dekonstruktohen përfundimet e historiografisë tradicionale.
– Me gjithë lëshimet e mundshme qofshin ato profesionale ose teknike, ndryshe nga shumë libra të historiografisë tonë, të botuara në dekada të fundit, libri në fjalë do të jetojë më gjatë.

Prandaj krejt në përfundim, lirisht mund të konstatojmë që libri “Në kërkim të historisë mesjetare arbërore”, të autorit, prof. dr. Jahja Drançolli, është një libër shumë i rëndësishëm dhe me interes shumëdimensional.

Klinë, maj 2024

Legjendat në foto:
Autori i librit: Prof. dr. Jahja DranÇolli
Autori i këtij shkrimi, Mikel Gojani
Ballina e librit


[1] A. Stipçeviç, “Çdo tregim për Ballkanin fillon  me ilirët”, në: Bota e Re, Prishtinë 1985, f. 4-5.
[2] J. Drançolli, “Milo (Mikel) Tivarasi, skulptor me famë i shek. XIV, në: “Fjala, Nr. 19-29 (Prishtinë 1985).
[3] Prof.dr. Jahja Drançolli, Në kërkim të historisë mesjetare arbërore, Zagreb, 2019, f. 86.
[4] Po aty, f. 87.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.