Somer Shahsta (Siri)
(Mbi romanin “Vdekja e Anilës” të Ibrahim Kadriut, botuar kohë më parë në Siri)
Romani i shkrimtarit kosovar Ibrahim Kadriu (1945) “Vdekja e Anilës”, botuar së fundi në përkthimin e Adnan Muhamedit nga “Dar Al-Hiwar”, flet për një minoritet shqiptar që ishin të përcjellë dhe të përndjekur nga serbët. Ky është një titull i gjerë për leximin e tekstit, i cili përfshin një titull tjetër, që është sistemi i spiunazhit që autoritetet vendosin brenda partisë së pakicës shqiptare duke i sigurua asaj mjetet që i nevojiten për mashtrim, siç janë librat e ndaluar, përmes të cilave ajo fut në grackë viktimat e saj, duke e kamufluar atë me një fjalim, që duket të jetë tejet patriotik dhe revolucionar, dhe më pas duke e rekrutuar atë për të vazhduar operacionet e tij si një mërgimtar jashtë kufijve.
E thënë thjesht, dhe me një soditje të vogël të tekstit dhe projeksioneve të tij brenda shoqërive arabe, ne shohim një model mbizotërues të “intelektualit të majtë” arab në formën e tij më të qartë dhe të papërpunuar (natyrisht, ky majtizëm ka vetëm mbulesat e tij). Madje mund ta teproja duke thënë se teksti tregon historinë e një modeli të shëmtuar që me betejat e tij të vogla ka shkatërruar kauzën e popullit të tij. Ajo që e bën atë një roman të veçantë është zbulimi tronditës i këtij modeli të ngjashëm me sëmundjen që përhapet në mjedise të shtypura.
Romani e lë lexuesin të ballafaquar nga pyetjet themelore, më e fundit prej të cilave është zbulimi i ashpër i thelbit të njeriut nën shtypje.
Një komplot detektiv që tregon rekrutimin e njerëzve kundër tyre dhe familjeve të tyre. Pra, romani tregon një histori që nuk është aq larg nga ne sa e pret lexuesi. Përkundrazi, mund të na ndihmojë të kuptojmë se çfarë u bën represioni politik shoqërive, si i mbyt zërat autentikë duke i lidhur me llumrat dhe shpjegon në një masë të madhe mosbesimin që prek njerëzit që i nënshtrohen regjimeve policore.
Gjëja që shohim tek vëllai i asaj modele, i cili po dëgjon fshehurazi informimin e vëllait për të, është se ai ka një armë. Oficeri serb e lejon atë të dëgjojë gërvishtjet që t’i thotë: Shih, medito, ji vigjilent; ja pse humbasin shqiptarët, siç shpif vëllai për vëllanë.
Për sa i përket detajeve të romanit, bëhet fjalë për një të ri, i quajtur Gani Shyti, ose ky është emri i tij në fillim të romanit dhe do të ndryshojë me ndryshimin e rolit që i ka caktuar regjimi. Është përgatitur nga policia për të qenë mjet. Ai përhapte libra të ndaluar mes studentëve dhe i arrestonte, diçka që vazhdoi të bënte derisa ra në dashuri me një vajzë dhe e implikoi atë. Kur ishte gati të korrigjonte gabimin e tij, e vrau për të shmangur akuzën e përdhunimit dhe më pas mbajti një fjalim entuziast dhe frymëzues për të ndjerën, deri në atë pikë sa nxiti demonstruesit dhe u arrestua së bashku me të tjerët.
Në burg izolohet nga shokët dhe takohet me kreun e sektorit të sigurimit, pasi planifikojnë që të zhduket dhe të shkojë në një qytet tjetër, me qëllimin që më vonë të shfaqet si një aktivist i dëbuar. Megjithatë, ajo që ndodh është se një letër anonime që tregon se çfarë ka ndodhur me vajzën, me Anilën, ndryshon planet e shërbimit të sigurimit, i cili vazhdon të investojë tek Gani Shytin duke bërë ndryshime në pamjen e tij, duke i vendosur një emër me dokumentacion të ri dhe duke e dërguar atë në Gjermani, për të kryer atentatin mbi një aktivist të kauzës kombëtare. Kjo është pjesa bazë e komplotit dhe ne lexojmë në dimensionet e saj aftësinë e regjimit për të prodhuar kundërshtarët e tij. Diçka që të kujton – ndonëse rastësisht – distopinë e famshme të George Orwell “1984”, pasi kundërshtimi i regjimit duket i kotë, sepse vetë regjimi është ai që krijon kundërshtarët e vet.
Një imitim i një modeli të shëmtuar që shkatërroi kauzën e popullit me betejat e tij të vogla
Deri më tani shfaqet ana negative e historisë. Nga ana tjetër, Kadriu tregon ndryshimin e papritur që ndodhi në vetë Gani Shytin dhe emri i tij bëhet Genc Plepi. Pasi mbërriti në Gjermani dhe takoi shqiptarët; ndërgjegjja filloi ta brente derisa i hynë dyshimet për realitetin e rolit të tij. Dashuria që e vrau, Anila, është kthyer për ta torturuar dhe për t’i goditur ashpër ndërgjegjen. Përveç pyetjeve për të ardhmen e tij, për nevojën e tij për të mësuar, për të hyrë në kolegj dhe për të marrë një diplomë universitare. Diçka bëhet e vështirë sapo punëdhënësit e lajmërojnë për faktin se Ganiu tani më është dikush tjetër, dikush që ka vdekur dhe një refugjat afgan është varrosur në emër të tij, dikush reputacioni i të cilit në qytetin e tij është përkeqësuar dhe për të cilin s’ka më mundësi kthimi.
Në këtë hapësirë pa emër, Ganiu fillon të përjetojë mërgimin që regjimi i ka krijuar. Këtu, Kadriu bën një depërtim në rrëfimin e tij; Ganiu vendos të kthehet kundër punëdhënësve të tij. Ai kishte lexuar disa nga librat e ndaluar që i kishin dhënë; librat e ndryshuan, dhe shqiptarët që e takuan me dashamirësi dhe miqësi si një shqiptarë i pa krah dhe i vetmuar në Gjermani, duke kuptua se edhe banesa të cilën e kishte marrë me qira ishte nën mbikëqyrje të vazhdueshme. Kjo e bën Ganiun që ta vendosë revolen në tavolinë para patriotit në mërgim, duke kërkua prej tij ta vriste atë. Aty për aty ai vendos të pendohet, të ballafaqohet me të kaluarën dhe të ndërtonte të ardhmen e tij ashtu siç kishte ëndërrua që në fillim, para se ta rekrutonte pushteti për aksione të ndjeshme.
Romani dëshmon këtë transformim rrënjësor të personazhit, një transformim që e kthen modelin në pafajësinë e tij, sikur poshtërsia me të cilën shfaqet të ishte poshtërsia e shtypjes politike dhe poshtërsia e sistemeve që i detyrojnë njerëzit në role që bien ndesh me natyrën e tyre. Ky është një interpretim. Ndoshta Kadriu e donte që modeli të cilin e paraqiste mund ta ketë lejuar atë të shikojë nga afër realitetin e atyre që i dëmtonte, përveç solidaritetit të treguar nga banorët e qytetit të tij, kur shtëpia e vëllait të tij u dogj, pa qenë në gjendje të komunikonte me vëllain e tij nën identitetin e tij të ri.
Romani, me komplotin e tij detektiv, që tregon rekrutimin e njerëzve kundër tyre dhe familjeve të tyre, ka një dimension emocional që e kthen historinë në momentin përfundimtar. Duket sikur përpjekja më e madhe e romanit është të na thërrasë të jemi ose të kthehemi tek qenia njerëzore. Është diçka për të cilën lexuesi bëhet i sigurt, teksa vëzhgon dhe ndjen ndryshimet e personalitetit në fazat e fundit të tij. Rritja e ndjeshmërisë ndaj asaj që sheh, asaj që dëgjon dhe asaj që ndodh rreth tij. Është sikur ka hyrë në një fazë letrare që e shtyn të bëhet një person i ri, ose të heqë dorë nga një pjesë e jetës së tij, për t’u rikthyer në të qenit i lirë. Ky është një transformim që i përket tërësisht krijimtarisë letrare dhe është e vështirë të shihet në realitet. Ato janë shpresat e letërsisë, jo rezultatet e jetës.
(Gazeta: “al-Arabi al- Jadid”, 12 shtator 2023) – përktheu nga arabishtja Ejup Ramadani)
Dërgoi për publikim, Anton Nikë Berisha, shkrimtar