Nga Gëzim Loka Lura
Më ka mbetur në mendje një thënie e biznesmenit të njohur, mikut luras, Kadri Haldeda, në takimin promovues të pesë vjetorit të krijimit të shoqatës “Lura jonë dhe të gazetës “Lura”.
Pasi vlerësoi gjithçka që kishim arritur të gjithë së bashku në këtë rrugëtim, ai midis të tjerave tha: “Lurasit janë të bekuar nga Perëndia, por të përçarë nga xhelozia” (si të gjithë muslimat e tjerë, shënimi im, AÇ).
Si parantezë, ai rrëfeu një ndodhi të vjetër të kohëve luriane, duke iu referuar librit të At Zef Pllumbit “Rrno për me tregue”, i cili në librin e tij brilant tregon një episod nga Lura, ku para se prisheshin kishat e xhamiat, kretari i këshillit dhe kryetari i Frontit, të dy myslimanë, shkuan tek Kryeprifti në Ipeshkvinë e Shkodrës dhe kërkuan një prift për Lurën, pasi bashkëlurasit e tyre katolikë kishin mbetur pa prift në kishën e tyre.
Miku im Kadri Haldeda, i cili ka qenë gjithmonë inkurajues dhe përkrahës i projektit për Shoqatën dhe Gazetën, donte të thoshte se të gjithë duhet të jemi bashkë kur nisim një punë për Lurën tonë, të mos xhelozojmë kush e nisi e kush e “bitisi”, por secili, sipas mundësisë dhe aftësisë, të japë një dorë që këto veprimtari tashmë të nisura dhe të sprovuara në pesë vite të mos mbeten në rrugë, por të vazhdojnë pa u ndalur…
Biznesmeni Musa Rriçku, pasi u angazhua të ndihmonte sado pak gazetën sipas mundësisë së tij, tha se biznesi lurianë duhet të bëjë gjithçka që gazeta të mbijetojë, pasi nuk është normale që një person i vetëm, siç është botuesi dhe kryeredaktori, të tentojë ta nxjerrë atë me pensionin e tij.
Ajo që dallon Lurën nga të gjitha malet e tjera të Gegnisë dhe nga çdo krahinë e truall tjetër në botën tonë, është harmonia fetare, ku në çdo fshat të Lurës,në çdo kullë e fis gjen lidhje të ngushta midis katolikëve e myslimanëve.Festat e dy besimeve festohen në një familje,nga myslimanê e të krishterë. Lura pasqyron ato vlera të traditës dhe përditshmërisë, që janë në gjithçka një model për t’u ndjekur dhe që i duhen njerëzimit të kulturuar në ditët e sotme.
Historia e Lurës dëshmon në çdo epokë dhe faqe të saj bashkëpunimin deri në vdekje midis lurianëve, ndihmën ndaj njëri-tjetrit, sakrificën e burrave më në zë për të mbrojtur kufijtë e Lurës, kufijtë e Dibrës dhe shqiptarisë.
Në të gjitha luftërat, betejat, konjukturat politike të kohëve, që nga luftërat kundër romakëve, sulmet kundër Maqedonisë, mësymjet e barbarëve drejt Epirit dhe rrethimin e tempullit të Dodonës, në gjithë luftërat e perandorive që e rrethonin kundër Ilirisë, Lura ka qenë e pranishme ose si pritëse e mbretërve e perandorëve, ose si dhënëse e luftërarëve më të mirë të saj, bijve më të shquar që kanë kontribuar për Ilrinë, Arbërinë dhe Shqiptarinë në të gjitha kohërat.
Lurasit janë bërë bashkë në të mirë e në të keq, në punë e në luftë, në festa e përvjetorë, në ide e projekte që kanë qenë dhe janë për të mirën e tyre.
Kjo traditë duhet ringjallur, duhet të bëhemi bashkë si gishtat e dorës për të ecur përpara. Të mos bëhemi xhelozë për njëri-tjetrin, të mos i hedhim gurë njëri tjetrit, por ti japim dorën e të ndihmojmë gjithëkënd, kushdo qoftë ai, që kërkon të vendos një gurë në themelet e Lurës sonë.
Shoqata nuk i shërben as një individi dhe aqs një grupi të caktuar, por gjithë Lurës sonë. Gazeta nuk është tribunë mburrje për njërin a tjetrin, por një zë për Lurën, një mundësi për të ngritur çështjet e Lurës, për të rrëfyer historinë dhe përditshmërinë e saj.
Nisëm një projekt për rrugën, bëmë shumë përpjekje, duke kërkuar me ngulm, me letra e shkrime në organe të ndryshme të shtypit të shkruar, që rruga e Lurës të mos mbetej një ëndërr në sirtar e më tej një projekt në letër port ë bëhej realitet dhe ia dolëm.
Të gjithë e duam rrugën, por jo të gjithë kishin besimin e duhur dhe jo të gjithë dhanë ndihmën e duhur, që rruga të mos mbetej në rrugë, por të kthehej në një projekt në zbatim, siç është aktualisht.
Lura është një tokë e bekuar, një oaz mrekullor që pret të zgjohet nga gjumi i këtij tranzicioni të tejzgjatur, një copë Zvicër plot bukurira të hapura e të fshehta, që pret dorën e shtetit dhe të njeriut, për të bërë që pulsi i saj të rrah fort dhe të zgjohet intersi i viztorëve vendas e të huaj për këtë perlë të harruar europiane, në gji të maleve tona krenare.
Lura, kjo krahinë me magji të fshehta e të hapura, një perlë e Gadishullit ballkanik dhe kontinentit të vjetër, me përkujdesje nga shteti dhe vetë banorët e saj, me investime të vendit apo të huaja, mund dhe duhet të kthehet në identitetin e saj natyral dhe të bëhet një trevë mikrpritëse plot resurse për të gjithë ata që kanë dëshirë të pushojnë e të argëtohen në gjirin e saj.
Kemi shumë punë për të bërë, shumë objektiva për të realizuar dhe sot më tepër se kurrë duhet ndihmesa e secilit prej nesh, e intelektualit dhe biznesmenit, e emigrantit dhe njeriut të thjeshtë, e të rinjve shumica e të cilëve kanë marrë dherat e huaj dhe e të moshurave që kërkojnë të mbajnë gjallë traditën e atyre pragjeve, që janë shtëpitë tona, degët dhe rrënjët tona.
Dërgoi për publikim, Denis Hata, gazetar