PASKAL KOTA – INTELEKTUALI ME TALENTE TË SHUMËFISHTA

0
348
Paskal Kota

Paskal Kota

Intelektualin e përkushtuar e me talente të shumëfishta e  kam njohur që kur ishte maturant në gjimnazin e Selenicës,sepse i jepja mësim në shkollën 8 vjeçare vëllait të tij të vogël Josif Kota që ishte i talentuar në artin e pikturës. Të dy si vëllezër ngjasonin shumë nga temperamenti i qetë që më shumë flisnin me heshtjen e tyre. Ashtu ishte edhe  vëllai i madh i ndjeri Thanas Kota që punonte me përkushtim në minierën e Selenicës dhe është larguar në moshë të re nga jeta. . Kishin trashëguar genin nga prindërit e tyre të urtë e shumë punëdashës  që flisnin pak duke u dhënë edukatën shëmbullore fëmijëve të dashur të familjes Llambi Kota  të bekuar edhe nga i madhi Zot.

Vite më vonë kur sapo kishte mbaruar universitetin intelektuali talentuar Paskal Kota  filloi punën me pasion e përkushtim në prosesin mësimor edukativ në shkollën 8 vjeçare “Qemal Hoxha” të qytetit minator Selenicë.. E kisha kolegun më të respektuar. U integrua shumë shpejtë me jetën pedagogjike me komunitetin mësues – nxënës – prindër. Me temperamentin e qetë, me maturi e urtësi, me thjeshtësi e kulturë në komunikim, fitoi admirimin e kolektivit pedagogjik dhe të gjithë nxënësve të shkollës.

Me punën me pasion në lëndën e muzikës gjallëroi jetën e shkollës jo vetëm në orët e mësimit të lëndës të bukur të muzikës por edhe duke zhvilluar veprimtari artistike jashtë programit mësimor. Me inisiativën novatore krijoji grupin e instrumentistëve të shkollës. Me talentin e tij që përdorte shumë mirë instrumentet muzikore përgatiti instrumentistët duke dhënë shfaqje artistike në shkollë e jashtë shkolle. Ishte e mrekullueshme kur shikoje nxënësit duke interpretuar në grup instrumentet muzikore të drejtuar nga mësuesi specialist i talentuar Paskal Kota.

Përkushtimi kolegut të talentuar Paskal Kota ishte maksimal. Nuk e njihte lodhjen.U jepte të gjithë nxënësve dashuri e dituri në fushën e muzikës dhe instrumentave muzikore. Në vazhdimësi kolegu talentuar Paskal Kota kompozoi këngë nga poezi të autorëve duke i orkestuar me suksese në veprimtaritë artistike edukative në shkollë dhe në qytetin e Selenicës. Kur punoja për hartimin e historikut dhe krijimin e muzeut të qytetit minator Selenicë, kolegu e miku dashur Paskal Kota më jepte shumë mendime me shumë dashamirësi. Në atë kohë Selenica kishte dy shkolla shkolla 8 vjeçare, kopshte parashkollore, një shkolle të mesme të përgjithshme,të  mesme bujqësore, teknikumin e minierës, ku jepnin mësim mbi 100 mësues me rreth 2000 nxënës.

Paskal Kota duke dirigjuar grupin e instrumentisve të shkollës në Selenicë, Vlorë.

Në godinën e pallatit të kulturës kishte veprimtaritë kulturore-artistike të larmishme, funksiononte trupa e estradës e teatrit, biblioteka e muzeu qytetit minator. Me kolegun e talentuar Paskal Kota u lidhëm me një miqësi të sinqertë të bazuar tek motivi punës në dobi të qytetit minator. Në kohën e lirë dilnim shëtitje në kodrat e qytetit së bashku me kolegun piktorin Vasil Bombaj.U gëzoheshim sukseseve të njëri–tjetrit. Nuk e njihnim xhelozinë apo smirën. Shpesh me kolegun e talentuar Paskal Kota shkonim në veprimtari kulturore jashtë qytetit të Selenicës në qytetet të tjera për të dhënë koncerte artistike.

Në vitet në vazhdim kur isha larguar nga qyteti Selenicës u gëzohesha sukseseve të kolegut të talentuar Paskal Kote që ishte emëruar drejtues i veprimtarive artistike-kulturore në Bashkinë Selenicë,jo vetëm të qytetit të Selenicës por edhe të gjithë zonës që administronte Bashkia e Selenicës, të zonës të Labërisë në Lumit të Vlorës. Me shumë përkushtim kishte shkelur në fshatrat e labërisë duke i publikuar në rrjetet mediatike sociale  qindra fotografi të veprimtarive kulturore të larmishme në qytetin antik Amantia.

E shikoja me gëzim që këndonte këngë me grupin folklorik duke interpretuar edhe vetë këngë të bukura për jetën në kompleksin etno-kulturor. Kam kujtimet më të mira për prindërit e urtë të kolegut Paskal Kota, të cilët me sakrifica e mundime rritën, arsimuan fëmijë të talentuar dhe shumë të edukuar.. Lagja ku ata banonin ishte bërë si shtëpia ime sepse muzue më lidhi me çdo familje vllahe, që ishin model në punë, në mikpritje dhe të respektonin shumë.

Paskal Kota duke kënduar me grupin artistik të nxënësve të shkollës Selenicë

Kolegu im i talentuar Paskal Kota është me talente të shumëfishta. Është jo vetëm mësimdhënës i talentuar i lëndës së muzikës në orët e mësimit në shkollë, por është interpretues i këngës duke kënduar me zerin e tij melodioz kantautor  dhe këngë popullore. Me pasionin e tij të spikatur në muzikë kompozonte këngë të bukura për edukimin atdhetar. Ai është këngëtarë, është kompozitor dhe dirigjent në koncertet e shumta duke gjallëruar jetën artistike në qytetin minator të Selenicës. Intelektuali përkushtuar me shumë talente Paskal Kota është pjesmarrës aktiv në festivalet e këngëve si dhe në festivalin kombëtar në Gjirokastër.

Në fotot që shoqërojnë këtë shkrim është midis nxënësve, midis grupeve artistike duke dirigjuar me suksese kompozimet në këngë të ndryshme. Personaliteti tij me veshje të bukur estetike në shkollë në procesin mësimor rrezatonte kulturën e karakterin solid të skalitur me punë dhe vetëm me punë.

Paskal Kota duke dirigjuar koncertin artistik në qytetin minator Selenicë.

Në shumë foto të bukura e shikojmë midis grupeve artistike me veshjet popullore duke kënduar në festival.

Paskal Kota me grupin e këngëve popullore në festival

Paskal Kota, pjesmarrës aktiv në Festivalin e Gjirokastrës

Krijimtaria e pasur artistike e kulturore e intelektualit të talentuar Paskal Kota është e publikuar në  YouTube, ku disa prej tyre janë;

1. “Nënë ti je jeta ime” – Muzikae Teksti: Paskal Kota
2. “Voskupula” – Teksti: Todi Mustaka, Muz. prod. muzikor: Paskal Kota.
3. “Purtek e Artë” Kantautor: Paskal Kota
4. “Lajkatare” Teksti: Bukurie Bucpapaj. Muzika, Prod muzikor: Paskal Kota.
5. Këngë për maturantët. Teksti: Lutfi Mema – Muzika dhe të tjerat: Paskal Kota
6. “Dashuria e parë” Interpretim, Paskal Kota në respekt dhe kujtim për këngëtaren e madhe Anita Bitri.
7. “Ëndër” Teksti: Lutfi Mema  – Muzika e të tjerat: Paskal Kota.
8. “Dau Fjati Di Kurçau” Kompozuar dhe realizuar: Paskal Kota.
9. “GRITS PI ARËMËNESHTI” Kantautor: Paskal Kota.
10. “CIMI CIMI CA” interpreton: Paskal Kota.
11. “PRINDËR FËMIJË ” Autor: teksti, muzika-Paskal Kota.
12. VDIQA DHE U NGJALLA. Teksti: Arben Duka, Muzika: Paskal Kota.
13. “Puthja e parë çeli si lule” Teksti: Lutfi Mema, Muzika etj. Paskal Kota.
14. “DADË LLA DADË”. Kantautor: Paskal Kota.
15. “TI DHE HËNA” Poezi nga Ismail Kadare, Muzika etj. Paskal Kota.
16. LULE NË DRITARE kënduar nga Paskal Kota.
17. “Pentagram gdhendur mbi valë “Teksti: Anila Karapidu, Muzika, Prod. muzikor: Paskal Kota.
18. “TE DIELEN” Teksti Sokol Olldashi. Muzika, Prod. muzikor: Paskal Kota.
19. “Mbi qepalla më troketë” Teksti: Ali Asllani – muzika, Prod. muzikor: Paskal Kota.
20. Jam i marrë – Teksti: Daniel Cana – Muzika, orks: Paskal Kota.
21. “KENGE PER SELAM MUSAIN” teksti Boro Nazaj, muzika Paskal Kota.
22. “STU NE DZUA TU LIVADI” Përshtatur në tekst dhe muzike, Paskal Kota.
23. “Lajkatare” Teksti:Bukurie Bucpapaj. Muzika, Prod muzikor: Paskal Kota.
24. “MALL PËR SELENICËN” Kantautor, Prod. muzikor: Paskal Kota.
25. “Sera jote Selenicë” Kantautor: Paskal Kota.
26. Elegji për vëllan Thanas Llambi Kota, 6-vjetori i vdekjes.

Vitet kalojnë shpejt, por kujtimet mbeten të paharruara. Ruaj mbresat më të mira për kolegun e mikun e dashur Paskal Kota që ka edhe një botë shpirtërore të pastër që u do të mirën të gjithëve. Me personalitetin e tij rrezatonte dritë, pozitivitet në punë e shoqëri. Fjalë pak e punë shumë kontribonte me pasion e përkushtim jo për tu dukur, por kishte virtytet e thjeshtësisë, të modestisë duke mbjellë vetëm harmoni e dashuri njerëzore.

Duke përfunduar këtë shkrim modest përshëndes me mall mikun e dashur Paskal Kota që e kujtoj vazhdimisht me respekte malli. Në vitet e vështira kur isha nëpër spitale Tiranë, Torino, Milano e Nju Jork  dhe luftoja me vdekjen, kolegu i talentuar Paskal Kota më dërgonte mesazhe optimiste duke më fymëzuar të sfidoja sëmundjen e zemrës.

I uroj jetëgjatësi me lumturi në familje dhe suksese në krijimtari.

Qatip Mara
North Carolina, USA, 6 nëntor 2023

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.