Konica.al, 19.07.2022
Vladimir Solovyov, që njihet si kryepropagandisti televiziv i Vladimir Putinit ka kërcënuar se Rusia do e shkatërrojë Anglinë me një raketë gjigante Satan-2, por do të lërë të padëmtuar Skocinë, Uellsin dhe ishullin e Irlandës.
Kërcënimet e fundit të Solovyov për ditën e gjykimit erdhën ndërsa drejtuesi i emisionit, ku ai ishte i ftuar tregoi se sa shumë kritika nga Boris Johnson dhe figura të tjera kryesore britanike po godasin Kremlinin.
Prezantuesi i televizionit ka kërcënuar më parë se do e shkatërronte Britaninë e Madhe me një “Sarmat” hipersonik, i njohur në Perëndim si Satan-2, një raketë balistike ndërkontinentale me shpejtësi 15,880 milje për orë.
Solovyov, i dekoruar nga Putin, kritikoi qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar, duke përfshirë shefin e Forcave të Armatosura Britanike, admiralin Sir Tony Radakin, duke i cilësuar si “arrogantë, injorantë, analfabetë të rinj, të cilët nuk mund të bëjnë asgjë përveçse të vjedhin”.
Ai tha: “Dëgjoni britanikë, zgjohuni… E vetmja arsye që nuk keni piramida egjiptiane në Muzeun Britanik është sepse fizikisht nuk mund t’i vidhnit ato. Ju vodhët gjithçka.”
Ai e përqeshi admiralin Tonin, i cili kishte paralajmëruar se Rusia përbënte një kërcënim për dekadën e ardhshme, pavarësisht se kishte humbur 50,000 trupa në Ukrainë.
“Admirali Tony Radakin. Çfarë jeni admiral? Çfarë keni arritur? Kur armët tuaja britanike mundën dikë? Kë keni mposhtur dhe ku, Admiral? E keni humbur plotësisht mendjen…. Dhe ata po na japin leksione, vendin që ne mund ta shkatërrojmë me një Sarmat”, tha ai.
Kolegu ekspert, profesor Andrei Sidorov, dekan i Fakultetit të Politikës Botërore në Universitetin Shtetëror të Moskës, e korrigjoi atë duke thënë se do të duhej më shumë se një Sarmat për të shkatërruar Mbretërinë e Bashkuar.
“Ne nuk do ta prekim Skocinë. Skocia do të jetë e pavarur”, u përgjigj Solovyov.
“Uellsi ka qenë i qetë deri më tani. Edhe Uellsi do të jetë i pavarur. Dhe me kërkesën e Bidenit, Irlanda e Veriut do të bashkohet me Irlandën… Union Jack do të përfundojë së funksionuari…”, shtoi ai.
Një tjetër propagandiste kryesore Margarita Simonyan, drejtuese e rrjetit televiziv pro-Putin në RT, i tha atij: “Shiko këtë Liz Truss, shiko Boris Johnson. Të dy janë personifikimi i politikës shumëvjeçare britanike”.