Nue OROSHI
Sot doli nga shtypi vepra enciklopedike: “Tomë Mrijaj një jetë në shërbim të nacionalizmit, humanizmit dhe kulturës shqiptare“. Vendosëm për këtë titull për faktin se vetë jeta e studiuesit, atdhetarit, veprimtarit, publicistit dhe humanistit Tomë Mrijaj për pesë dekada ishte i përcjellur në këto tri shtylla që me shekuj e kanë ruajtur shqiptarizmën. Shtylla e parë: Nacionalizma Shqiptare – Toma tërë jetën e tij e kaloj në shërbim të nacionalizmës shqiptare duke punuar që trojet etnike të bashkohen në një shtet të përbashkët dhe të lirohen prej komunizmit pansllavist. Kjo ka të bëj me faktin se Toma kishte besimin e qindra atdhetarëve e nacionalistëve të Shqipërisë Etnike, ai punoj me ata dhe u ndejti në krah shumë burrave të kombit shqiptarë.
Ai duke punuar dhe shkruar për ata atdhetar shqiptarë vetvetiu hyri në histori si njëri nder nacionalistët më të mëdhenj të Shqipërisë etnike. Shtylla e dytë është: Humanizmi – Toma gjatë gjithë jetës është treguar human në shumë drejtime. Në përkrahjen e qindra aksioneve për të ndihmuar Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptaret anë e kënd trojeve etnike shqiptare në shumë projekte të ndryshme, duke ju qendruar në ballë edhe shumë aksioneve të komunitetit shqiptarë në Amerikë.
Jo rastësisht gjatë tubimeve për grumbullimin e mjeteve për aksione të ndryshme Toma ishte i pari që e fuste dorën në xhep duke përkrahur aksionet dhe me pas kërkonte përkrahjen nga të tjerët. Një gjë që e dallon Tomën nga mërgimtarët e tjerë është mbështetja e kulturës shqiptare. Ai gjatë gjithë kohës për gjysmë shekulli bëri financimin e aktiviteteve kulturore dhe shkencore duke ndihmuar botimin e shumë veprave shkencore dhe kulturore qoftë autorëve në mënyrë individuale qoftë institucioneve e shoqatave të ndryshme.
Toma nuk hezitoj që tani e 18 vite me radhë ta përkrah financiarisht edhe shoqatën e intelektualëve shqiptarë “Trojet e Arbrit”. Libri që po i japim në dorë lexuesit është një libër i veçantë dhe i ndarë në tri pjesë. Në pjesën e parë: Tomë Mrijaj në fokusin e studiuesve mendimet dhe kujtimet e tyre i kanë paraqitur në këtë libër enciklopedik 25 studiues dhe studiuese. Gëzon fakti se autorët që shkruan për Tomën janë nga të gjitha viset etnike shqiptare dhe nga diaspora në Evropë dhe Amerikë. Kjo tregon se Toma ka krijuar një emër në të gjitha trojet etnike shqiptare dhe diasporë. Pjesa e dytë ka 13 analiza dhe recensione që kanë të bëjnë me librat e botuara të Tomës.
Këtu autorët kanë nxjerrur në dritë punën voluminoze që ka bërë Toma në ndriçimin e historisë shqiptare e në veqanti të portreteve historike të cilët kanë dhënë një aktivitet të shquar kombëtar. Shumë prej tyre Toma i ka njohur dhe ka vepruar bashkarisht me ata. Toma shumë rrallë jep intervista për opinionin e gjërë shqiptar. Në pjesën e tretë të librit kemi përfshirë pesë intervista të Tomës që kanë një vlerë jashtëzakonisht të madhe që japin dëshminë në vetën e parë per jetën dhe angazhimet e tij në aspektin kombëtar.
Toma përveç se ka zhvilluar një aktivitet të madh kombëtar ai ka krijuar edhe një familje të mrekullushme me katër fëmijë dhe shumë nipa e mbesa. E krejt në fund po e shprehi një falënderim personal si djalë i familjes së Bajraktarit të Oroshit familjes Koka për gjithë atë që ka bërë Toma për ndriçimin e historisë së familjes princore të Kapidanëve të Mirditës si personi më i besueshëm i Kapidanëve në Amerikë, ku e udhëheqi edhe funeralin dhe të pamën pas vdekjës së dy kapidanëve në Amerikë, Kapidan Ndue Gjonmarku dhe Kapidan Nikollë Gjonmarku, pasi e kishin lënë me gojë një veprim të tillë.
Falendërimi vjen edhe për atë që Toma ka bërë për Monsinior dr. Zef Oroshin. Këtë punë mund të bëjnë vetëm atdhetarët me zemër dhe shpirt të madh duke botuar katër vepra enciklopedike për Monsinior dr. Zef Oroshin dhe duke dhënë edhe idenë për ndërtimin e bustit të Monsinior Zef Oroshit që u konkretizue në vitin 2021. Dhe krejt në fund mund të them se vlera e një atdhetari, veprimtari e humanisti të mirëfilltë nuk mvaret asnjëherë nga fjalët që flet por nga punët që kryen për nacionalizmën shqiptare, për vlerat humane dhe përkrahjen kulturore. Pra, Toma i takon plejadës së nacionalistëve shqiptar, i cili çdo ditë, javë, muaj dhe vit jeton jashtë atdheut por punon për atdheun pa u ndalur asnjëherë.