Pak fjalë për përmbledhjen poetike”Erëra që s’flejnë kurrë” të poetit Avni Çunaku

0
207
Avni Çunaku - Erëra që sflejnë kurrë

Zymer Mehani

“Këtë përmbledhje poezish ia dedikoj babait tim të ndjerë, Salih Rexhep Çunakut, që për 47 vjet shërbeu mësues në shumë shkolla të trevës së Llapit e të Gallapit.

     Respekt punës suaj, babai im!
     T’u bëftë parajsë mundi yt!”

Autori

Në përmbledhjen poetike “Erëra që s’fle(j)në kurrë”, poezitë e Avni Çunakut përveç të kaluarës sonë historike, përmbajnë edhe frymën e aktualitetit të pasluftës, ku ai si poet, ndihet si një luftëtar i palodhshëm në atdheun e tij, që është Kosova, por që ai dëshiron që ajo të quhet nga të gjithë me emrin Dardani, ku ndeshet me kaos e trishtim, përjeton ndjenjën e vetmisë, për të cilat shkruan ai në këto poezi (te poezitë e ciklit për Dardaninë), duke vënë theksin te dyshimi në etikën e shoqërisë dhe të njeriut tonë përgjithsisht (te të gjitha poezitë e vëllimit në fjalë).

Në poezinë e tij, Avni Çunaku nuk zgjedh të jetë përkrahës i asnjë grupi shoqëror. Ai ka një shpirt atdhetari që shikon me trishtim mbetjet e atdheut të tij plot gjak e baltë. Duket se tek ai është shfaqur një rebelim i përkohshëm, me ç’rast me penën e tij u përpoq të trajtojë me një shprehje të re poetike tema dhe ide të reja nëpërmjet një gjuhe të qartë.

Prandaj disa nga poezitë e tij janë edhe ato një rebelim i indinjuar kundër pseudoatdhetarëve, të cilët e mohojnë qenien kombëtare, ndoshta edhe vetë atdheun duke folur për pakuptimësinë e sjelljes së tyre në raport me të tjerët në përgjithësi, e posaçërisht me armikun shekullor, që bëri krime deri në gjenocid në viset e ish-Jugosllavisë, siç bëri edhe në Kosovë.

Por jo e gjithë poezia e Avni Çunakut është e tillë. Në disa vargje, si te poezia “Një shtëpi në Dardani”, ai largohet nga temat e pasluftës dhe trajton tematikë paksa më individuale. Aty gjejmë udhëtarin mërgimtar, siç është vetë Çunaku, që duke qëndruar e punuar prej kohësh në një vend të huaj (në Gjermani) ndjen nostalgji për Dardaninë, ku dëshiron të ndërtojë një shtëpi, pra në vendlindjen e tij. Fati i tij prej mërgimtari i shërbeu atij si ide për këtë poezi.

Në disa poezi të vëllimit “Erëra që s’fle(j)në kurrë” Çunaku përshkruan atdheun e tij, duke e ringjallur vazhdimisht në kujtesën e tij, por kjo poezi është më shumë se vendlindja e tij. Flet simbolikisht për kujtimin e poetit për rininë e tij dhe gjithçka që ka humbur me ikjen e tij në kurbet në vitet ’90 të shek. XX. E vërteta është përcjellë besnikërisht në këtë poezi, e cila ka si motiv kryesor edhe nostalgjinë. Gjithashtu flet për jetën, bukurinë dhe kalueshmërinë e saj të përjetshme.

Në disa poezi të vëllimit në fjalë hasim përshkrime të subjektit lirik si një endacak “me trastë në krahë”, që kudo që të jetë, e kujton gjithmonë vendlindjen e tij. Këtë e shohim në vargun “Ritakim, ribashkim – kështjellë shekullore e kombit tim” Ky varg mund të nënkuptojë kthimin e një mërgimtari në vendlindjen e tij, pas një jete bredhjesh nëpër botë me dëshirë që të rrojë në një atdhe (shtet) të përbashkët me bashkëkombësit.

Në këtë përmbledhje poezish janë më dominuese ato motive që tregojnë atdheun e poetit. Prandaj, edhe në këtë vëllim poetik lajtmotiv është atdhedashuria. Ndryshe nga hapësira, e cila është shumë mirë e përcaktuar në poezi, Kosova, Shqipëria, Çamëria (Shqipëria natyrale); koha, nga ana tjetër, është e kaluara hisorike (te poezitë me motive nga Kruja) dhe e aktualitetit (te shumë poezi të tjera). Poeti gërsheton situatën e tanishme me kujtimet e së shkuarës dhe me aludimet për të ardhmen.

Edhe poezitë dedikuar personaliteteve të shquara nuk do të mungojnë në këtë përmbledhje poetike. Çunaku poezi u ka dedikuar veç të tjerëve mësuesit dhe prindit të tij, Salih Çunaku (të cilit edhe ia dedikon këtë vëllim poetik), i cili për 47 vjet me radhë s’pushoi së punuari me ditar në dorë për t’i ndriçuar me dije dhe me edukatë mendjet e voglushëve të kombit anembanë nëpër Llap e Gallap.

Babai im që rrahu këmbë fshatra të Llapit e të Gallapit
Një derë shkolle shqipe për ta mbajtur patjetër gjallë
Dyzet e shtatë vjet, kishte çdoherë të njëjtën dashuri

Nga fëmijët të bënte burra për të nesërmen plot dituri

Babai im dikur vonë, si Migjeni, me një biçikletë bizare
Trokiti derë më derë nëpër shumë fshatra shqiptare
Shqiptarisë t’i dëgjohet zëri, për të hapur shumë dritare

(Poezia BABAI IM)

Poeti Avni Çunaku një poezi ia ka dedikuar edhe Nënë Terezës, nëpërmjet kujtimit të emrit të së cilës është gravuar harta e Shqipërisë në zemrat e miliona njerëzve anekënd botës, ngase ajo është bijë e kombit tone dhe më shumë se një here e tha qartë se ishte shqiptare.

Poeti sikur bisedon me të:

Kur s’kishe kafshatë buke për t’u dhënë
U dhe një pjesë zemre, ua fale një përkëdhelje
Një buzëqeshje, një kohë jete…

(Poezia NËNË TEREZA)

Për t’ua rikujtuar të gjithë lexuesve se:

Vetë rrënja e farës së vetes sate ishte fisnike
Qytetërim ilir, me farefis të madh degëzimi
Me mëshirë, bujari dhe me virtyte
Trashëguar prej të parëve të etnisë

(Po aty)

Ajo sipas penës së poetit Avni Çunaku u bë nënë e njeriut të pambrojtur, nënë e njeriut të pashpresë, ajo u bë nënë e nevojtarit, e jetimit, e të sëmurit, e të pafuqishmit, nënë e të braktisurit dhe nënë e të gjitha qenieve fatmjera që kanë nevojë për përkrahje, çfarë edhe ishte në të vërtetë.

Dhe fare në fund, gjatë leximit dhe rileximit të  poezive të Avni Çunakut, seç na u kujtua ajo shprehja e të famshmit Zh. La Bryjer: “Kur leximi ju lartëson shpirtin dhe ju ngjall ndjenja fisnike e burrërore, mos kërkoni arsye të tjera për të çmuar atë vepër, ajo është e mirë dhe e ka shkruar një mjeshtër”.

Zymer Mehani, Besianë, më 30 gusht 2023

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.