Nga : Isak A H M E T I
I. Në vend të hyrjes
Romani: DËSHIRË E DJEGUR, vëllimi i dytë, në kërkim të rrugës së humbur, fq.451, i autorit Ramiz SELIMIT, është një vepër e mirëfilltë letrare-artistike, vepër gjithsesi me vlera shumështresore, që ia vlen të lexohet dhe rilexohet edhe për faktin se aty, siç e ka vlerësuar edhe Prend Buzhala, autori paraqet “sagën e një familjeje nëpër disa brezni” (Vep. e cit. fq. 444).
Romani: DËSHIRË E DJEGUR, vëllimi i dytë, në kërkim të rrugës së humbur, të cilin po e marrim në shqyrtim, ka një arkitekturë epike dhe përmban një gamë të gjerë temash dhe motivesh ku narratori sikur e merr rolin jo vetëm të sociologut por edhe të dëshmitarit për të dëshmuar mbi kohën e tij, mbi shoqërinë apo mbi komunitetin e tij, për të dëshmuar për fatin e individit, për ekzistencën e tij, duke depërtuar në substancën e shpirtit të këtij mjedisi e të mjediseve të ndryshme. Kështu, prandaj, autori, siç shihet edhe në faqet e këtij romani, narratori jo vetëm bashkëbisedon por edhe bashkëndjen me fatin e tyre (fq. 450)…
Isak Ahmeti dhe Ramiz Selimi
II. Pak biografi për autorin
I lindur më 1966 në fshatin Pjeterq i Epërm, Komuna e Klinës, Ramiz Selimi, pas shkollës fillor dhe Gjimnazit “Luigj Gurakuqi”, ku ishte i dalluar si nxënës ekselent, studimet do i vazhdojë në Fakulterin Teknik, dhe më pas për shkaqe politike ishte i detyruar ta merr rrugën e mërgimit. Rrjedh nga një familje e shquar atdhetare, e cilësuar si armike nga pushteti serbosllav dhe si e tillë jo vetëm që ishte e izoluar por edhe e përndjekur vazhdimisht.
Pas akomodimit në Austri, krahas punës ai vazhdon studimet për biznes dhe menaxhment në një kompani të njohur të sigurimeve. Pas adaptimit, akomodimit dhe integrimit në shoqërinë austriake, Ramizi arriti ta përfundonte me sukses edhe gazetarinë, në ç’drejtim ka dhënë një kontribut të shquar, duke shkruar për veprimtarinë dhe ngjarjet që ndërlidheshin me jetën e mergimtarëve. Ka shkruar dhe botuar qindra opinione dhe analiza mbi problemet e shoqërisë shqiptare. Është marrë edhe me përkthime.
Bashkë me miqtë e tij austriakë, ka themeluar “Shoqatën shqiptaro-austriake në shërbim të atdheut“. Ishte kryetar dhe nënkryetar i disa shoqatave në Austri. Gjatë kohës së luftës, me shumë miq atdhetarë dhe organizata humanitare ishte tepër aktiv në mbledhjen dhe dërgimin e ndihmave, personave të zhvendosur nga lufta. Ka marrë pjesë aktive jo vetëm në organizimin por edhe në promovimin kulturor të shqiptarëve në Austri. Ka kontribuar dukshëm edhe në instalimin dhe realizimin e disa projekteve sociale dhe zhvillimore në vendlindje.
Ai ka bërë emër jo vetëm si publicist, por edhe si romancier. Ka botuar librat: RRËNJËT E KUJTESËS”, vëllimi i parë i romanit biografik.Ka botuar edhe vëllimin e dytë të romanit: DËSHIRË E DJEGUR”, ndërsa ka përfunduar edhe vëllimin e tretë që pritet ta botojë në fillim të vitit 2024.
III. DËSHIRË E DJEGUR – ROMAN ME ARKITEKTURË EPIKE
Duke u marrë me leximin, analizën dhe vlerësimin e romanit: DËSHIRË E DJEGUR, Në kërkim të rrugës së humbur (të cilin autori ma ka dhuruar me dedikim me rastin e manifestimit : Ditët e Gonxhës në Letnicë, për çka e falënderoj nga zemra, edhe për ndejën miqësore tek Rest “Jozefi” në Stubëll), le të më lejohet të ritheksoj se ky roman, që ka një arkitekturë epike mjaft të përkryer, përmban një gamë të gjërë temash dhe motivesh ku narratori dëshmon për fatin tonë, pasqyron sagën e një familjeje nëpër disa brezni.
Kryepersonazh i romanit është Dardan Iliri, që bart idenë kryesore të romanit si dhe emblemën e njeriut shqiptar, gjeneratës që i ka rrënjët thellë në histori, njeriun autokton, që trashëgon traditat dhe vetë historinë si barrë, një ideal arketipor ky i autorit, kurse nga ana tjetër, siç ka vlerësuar edhe Prend Buzhala (Vep. e cit. fq. 445) ai përfaqëson gjeneratat, që kanë përjetuar dhunën serbosllave edhe në ushtri, përndjekjet e policisë e peripecitë sociale të jetës studentore si dhe të mashtrimeve për një jetë më të mirë.
Jo vetëm personazhin kryesor por edhe personazhet e tjerë që i hasim në këtë roman, që nga fillimi, në çdo hap të jetës, i përcjellin jo vetëm mashtrimi dhe shqetësimet për një të ardhme më të mirë, por edhe zhgënjimi, zemrimi dhe revolta…
Në roman kemi përshkrime shumë të bukura, realiste, jo vetëm të ambienteve të ndryshme, por edhe të jetës së rëndë, të personazheve që vuajnë, që goditen nga padrejtësitë, jo vetëm sociale por edhe kombëtare.
Pa hyrë në një analizë më të thellë të këtij romani, le të theksojmë krejt në fund se ai, ndonëse shumë vëllimor, me 451 faqe, lexohet me një frymë edhe për faktin se përmban vlera shumështresore për çka autori meriton një mirënjohje të veçantë!