NEVOJA E NJOHJES SË NJË PROZATORI TË MADH

0
573
Mikel Gojani - Nasi Lera

Mikel Gojani

(Në vend të fjalës paraprake)

Të flasësh për jetën dhe veprimtarinë letrare të shkrimtarit Nasi Lerës do të thotë të kesh shumë motivacione. Kështu për veprën e tij  më lindi kureshtja  qysh herët. Themi qysh herët, sepse që herët kisha lexuar dhe dëgjuar për këtë shtyllë të letërsisë shqipe, edhe pse atëbotë ekzistonte kufiri administrativ mes Kosovës dhe shtetit amë,  Shqipërisë. Ishin ato vite që ishte shumë zor nga “andej” kufirit të depërtojë ndonjë libër “këndej” kufirit. Sintagmat “andej” dhe “këndej”, edhe sot pas kaq shumë vitesh më tingëllojnë dhembshëm. Mirëpo,  ishte ai një realitet i kohës, që ndante një popull padrejtësisht, edhe fizikisht, por edhe në të gjithë fushat e jetës, po ashtu edhe në fushën e letërsisë, të artit dhe kulturës sonë kombëtare.

Për t’i njohur më nga afër vlerat tregimtare dhe romanore, përkatësisht poetikën e prozës së Nasi Lerës, më mundësuan dy librat e tij të para që pata fatin t’i lexoj shumë herët dhe të cilat qenë botuar në vitet 80 në Prishtinë:  libri me tregime, “Dita e tretë”, që u botua nga Ndërmarrja grafike botuese “Rilindja”, më 1980,  romani “Të jetosh kohën” (1980), të botuar nga kjo shtëpi botuese. Këto dy libra, atëbotë i pata lexuar me kureshtjen më të madhe dhe ishin dy arsye që më nxitnin për t’i lexuar: njëra ishte se këtë shkrimtar e preferoja edhe më parë me disa pjesë të shkëputura të tregimeve dhe novelave të tij, që i kishte shkruar shumë më herët, dhe se ishte një shkrimtar nga Shqipëria. Ndarja që kishte ndodhur mes këtij populli nga ideologjia e atëhershme ekstreme kishte diktuar që shkrimtarët e “andej” kufirit t’i preferojmë më tepër, edhe pse në Kosovë kishim mjaft shkrimtarë të talentuar dhe me vlera të mirëfillta.

Libri i parë me tregime “Dita e tretë”, kishte depërtuar tek lexuesit, mirëpo romani “Të jetosh kohën” atëbotë ishte bërë nga romanet më të lexuar, sidomos nga rinia shkollore, sepse edhe dukuritë që vështroheshin kishin bënin me motivi me jetën e të rinjve.

Pas leximit të këtij romani, edhe mua m’u shtua kureshtja  dhe fillova të interesohem dhe të gërmojë (për aq sa do të më lejonin rrethanat), rreth veprave të këtij shkrimtari. Pra, dëshira për leximin e romaneve të këtij shkrimtari u bë më i madh dhe kësaj rruge nuk iu ndala për asnjëherë.

Fakti që më mundësoi të jemi edhe më afër jetës dhe prozës së shkrimtarit Nasi Lera është takimi im i parë me të  në Lidhjen e shkrimtarëve dhe të artistëve të Shqipërisë në vitin 1999. Në këtë vit, me një vizitë turistike pata rastin ta vizitoj Shqipërinë, kuptohet edhe Tiranën, që ishte pikë qëndrimi ynë. Shkrimtari Nasi Lera në atë kohë ishte sekretar i LSHASH dhe në ambientet e Lidhjes më organizoi një pritje. Ishin të rrallë shkrimtarë në atë kohë që vizitonin Shqipërinë dhe çdo takim, kuptohet, zgjonte emocionet, mbase të ligjshme për kohën. Në takim ishin të pranishëm  edhe shkrimtari Bardhyl Londo (ish-kryetar i LSHASH), Skënder Buçpapaj, Adem Istrefi, Agim Gjakova dhe Adelina Mamaqi. Takimi kaloi në një pritje tepër vëllazërore; shkëmbyem mendime rreth rrjedhave të letërsisë si në Kosovë, po ashtu edhe të atyre në Shqipëri etj.

Nga ai takim lidhja me shkrimtarin Nasi Lera ka qenë e pashkëputshme. Nga ai kam pranuar disa libra të botuar (atë vit kishte botuar dy romane: “Balada e vetvetes” dhe “Nata e premierës”), të cilat m’i dhuroi. Komunikimi mes nesh ka vazhduar përmes letrave.  Ky komunikim dhe këto raporte kanë diktuar që unë edhe më tepër ta njoh veprimtarinë e këtij shkrimtari dhe më ka nxitur që t’i qasem me përkushtimin më të madh.

Në ndihmesë të madhe për t’iu qasur edhe më me përkushtim jetës dhe veprimtarisë së shkrimtarit Nasi Lera më ka mundësuar edhe puna e detyrueshme imja që me rastin e përgatitjes së temës së diplomës në Katedrën e Letërsisë dhe gjuhës shqipe, të Fakultetit filozofik të Prishtinës të hartoj temën nga: Proza e Nasi Lerës.

Në këtë rast për të përgatitur këtë studim një ndihmesë nuk më ka munguar as nga shkrimtari dhe kritiku i mirënjohur, prof. Prend Buzhala.

Ndihmesa nuk ka munguar as nga punonjësit e Bibliotekës kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, po ashtu edhe nga ata të Bibliotekës shtetërore të Tiranës.

Kështu, brenda këtij libri kam synuar për të thënë diçka rreth jetës dhe veprimtarisë së këtij shkrimtari të rëndësishëm dhe me vlera shumëdimensionale të letërsisë shqipe.

Meqenëse veprimtaria e tij tregimtare dhe romanore është aq i gjerë dhe shumë dimensione,  përmes këtij studimi nuk kam synuar  t’i vështroj të gjitha  veprat dhe dukuritë, por kam bërë zgjedhjet  përkatëse.

Ky libër ka për qëllim t’i prezantojë vlerat tregimtare dhe romanore të këtij shkrimtari, të hedh sado pakëz dritë mbi veprat e tij, këtë shkrimtar, në mënyrë që studiues të tjerë t’i qasen në mënyrë edhe më serioze dhe këtë libër ta kenë një mbështetje për punë të mëtutjeshme në përgatitjen e ndonjë studimi tjetër më të gjerë dhe më gjithëpërfshirës.

Besoj që ky qëllim imi i imi  të mirëkuptohet edhe nga ana e shkrimtarit Nasi Lera, për ndonjë mangësi apo lëshim që mund të këtë. Mundësitë kanë qenë të kufizuara që të thuhen të gjitha rreth jetës dhe veprimtarisë letrare të shkrimtarit, sepse për vlerat e veprave të këtij shkrimtari asnjëherë nuk do të mund të thuhen të gjitha.

Me pak fjalë, botimin e këtij libri, për veprimtarinë në prozë të shkrimtarit Nasi Lera, e çmoj një ndihmesë të përvuajtur përballë vlerave të shumta  dhe të mëdha që ngërthen ajo.

Klinë –Tiranë, 2016

Dërgoi për publikim, Anton Nikë Berisha, poet e shkrimtar

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.