Zymer Mehani
Enver Sahiti është nga ata poetë, që në horizontet e poezisë shqipe po vjen me fizionominë dhe profilin e vet të përcaktuar dhe të kristalizuar, qoftë me tematikën e motivet, qoftë me mënyrën e të shkruarit (stilin).
Fusha tematike dhe motivore në vëllimin “DRITHËRIMË JETE” të poetit Enver Sahiti ka evoluar me tematikat dhe motivet, qoftë nga e kaluara, qoftë nga aktualiteti, por duke menduar edhe për të ardhmen.
Temat që shtjellohen më tepër në këtë vëllim poetik janë: tema e atdheut, tema e kurbetit, tema filozofike dhe tema e dashurisë.
Poezitë refleksive (filozofike) autori i ka sistemuar në ciklin DRITA E MENDJES, ku do të merret me trajtim të çështjeve jetësore: sfidat, filozofinë e jetës dhe “pyetjes mijëvjeçare se kush jemi dhe nga shkojmë”, siç theksohet në parathënie të vëllimit poetik.
Motivi atdhetar është më kryesori dhe poezitë atdhetare të bëjnë për vete jo vetëm për përmbajtjen e thellë patriotike, me një theks të veçantë aktual, por edhe për nivelin artistik, për dinamizmin e brendshëm etj.
Tema e atdheut dhe motivi atdhetar edhe në poezitë e Enver Sahitit, sikurse te shumë poetë të tjerë, shpesh do të plekset me motivin e lashtësisë dhe gjurmëve të të parëve tanë (cikli i tretë, poezitë “GJURMËT”, “PSE KËSHTU JEMI TË NDARË”, “LISI I LASHTË I DARDANISË”, “ILIRIKU, TOKË E LASHTË” etj.
Poeti do të thotë se shqiptarët si autoktonë në trojet e veta qëndruan me shekuj të palëkundur, edhe përkundër pushtimeve e ripushtimeve të njëpasnjëshme.
Populli ynë u qëndroi të gjitha rrebesheve e furtunave gjatë historisë.
Ja si shprehet simbolikisht poeti për qëndresën e popullit tonë:
“Lis i lashtë i Dardanisë
Asgjë nuk të lëkundi
Furtuna ndër shekuj të rrahën,
Vetëm gjethet nga degët t`i shkundin
Por qëndrove i fortë
As murlan, as stuhi nuk të tundin
Pa lakmuar asgjë të huaj
Veç rrënjet mos t`i shkulin”.
(poezia “LIS I LASHTË I DARDANISË”)
Poezi të motivit atdhetar janë edhe “MALL NË ZEMËR”, “EDHE UNË SOT I PASHË”, “TË KËRKOVA ATY KU S’JE”, PSE KËSHTU JEMI TË NDARË”, DITA E FLAMURIT”, “ALFABETI” e ndonjë tjetër.
E alfabeti për poetin vërtet është një thesar….dhe amanet për çdo shqiptar… ngase:
“Shkronja të arta
Rrugëtuat ndër shekuj
Jeni një thesar
Trashëgimi e shenjt
Amanet për çdo shqiptarë,
të bukura si rreze dielli
Si dritë e syve tanë…”
(Poezia “ALFABETI”)
Dhe kjo është krejt e natyrshme, pasi që alfabet do të thotë gjuhë dhe kulturë.
Ndër poezitë, ku trajtohet motivi i kurbetit janë ato të ciklit të katërt. Nga më të bukurat janë “ECJE NËPËR SHI”, “ËNDRRA E MËRGIMTARIT”, “E SI PELIN KJO JETË KRUBETI”, “NË PERËNDIM TË DIELLIT”, “RRUGËTIMI LARG LINDJES”,PLAGË QË S’SHËRON” “NDARJE ME LOT E VAJ” etj., ku autori ka ravijëzuar me realizëm jetën e mërgimtarëve tanë nëpër vise të ndryshme të Evropës e më gjerë. Është kjo tematika dhe motivi që na e rikujtojnë të kaluarën dhe aktualitetin, ngase, për fat të keq, këto personazhe përditë po i hasim në qytetet dhe metropolet e botës, ngase valët e ikjes së të rinjve tanë nga atdheu s’po kanë të ndalur as sot e gjithë ditën. Këto karaktere autori i përshkruan pa fjalë të tepërta, me sens mase, me mjete të qëlluara artistike dhe me shumë emocionalitet.
Për autorin, rruga e kurbetit prore është:
“E idhët si pelin, e zbrazët
Si furkë e vjerrun ne murin e lashtë
E egër, e ftohtë
Si një shtrat betoni i vrazhdë”
(Poezia “E SI PELIN KJO JETË KURBETI”)
Edhe figura e nënës zë një vend të theksuar në poezitë e Enver Sahitit. Gjithsesi se figura e nënës do të jetë prezente dhe jepet me ndjenja të veçanta poetike, me ngrohtësi dhe mall:
“Emër i praruar me shkronja ari,
Nënë, ishe dhe përherë ke mbetë
Kalove nëpër luginën e vdekjes,
Vetëm e vetëm për të sjellë jetë”
(Poezia “NËNË, JETA IME“)
Është ky tipi i nënës sonë shqiptare, e thjeshtë, e dashur, e dhimbsur, thellësisht humane, por edhe atdhetare, e shqetësuar për të birin, me dëshirë që ta shohë dhe ta përqafojë, ta ketë pranë dhe të çmallet me të.
Po ashtu edhe babai, pas ikjes në amshim, poetit do t’i shfaqet në ëndrrat e tij:
“Në ëndërr m’erdhe Babë
Mu kur më kishte kaplu gjum’ i parë
Më erdhe ashtu siç ishe kur ishe gjallë
I gjatë, hije-rëndë, fytyrë-ndritur”
(Poezia “MË ERDHE N’ËNDËRR, BABË”)
Duhet theksuar se një pjesë e lirikave intime (të dashurisë) në vëllimin poetik “DRITHËRIMË JETE” të poetit Enver Sahiti gjenden në ciklin e fundit (të pestin), ku si sfond kanë si lagjen e fshatit (poezia “TE KAFENEJA E LAGJES”), pritjen, ëdrrat dhe vegimet dashurore etj. (poezitë “TË PRITA SA ISHTE DITA”, “N’ANDËRR T’PRITA”, “SIKUR N’SHESHIN TIM”, “RRUGËTIM JETE”, “AKREPAT E ORËS” e tij). Pra, mjaft poezi të vëllimit në fjalë i kushtohen dashurisë, që janë vërtet të bukura, si p.sh. poezitë “SE NGA M’VJEN SOT KY SHKËLQIM” dhe “PËRGJUMJE”, në të cilën autori Enver Osmani do të shprehet:
“Më erdhe si hije, por ike furishëm si tufan
Duke më larguar gjumin, që nuk m’u kthye kurrë”.
(Poezia “PËRGJUMJE” )
Edhe poezitë kushtuese zënë vend të rëndësishëm në vëllimin “DRITHËRIMË JETE” të poetit Enver Sahiti. Ato mund t’i ndajmë në dy pjesë: poezi kushtuese për familjarët (për të parët e për prindërit: nënën e babanë (cikli ATA QË NUK JANË MË), (poezitë “VALË MALLËNGJIMI”, “MË ERDHE N’ËNDËRR, BABË”, “NËNË, JETA IME”); dhe poezi kushtuese për nipat (Naelin e Noarin), me të cilët autori si gjysh është i lidhur fuqishëm, prandaj edhe do t’i quaj me plot të drejtë “SYTHAT E JETËS”, për të cilët, meqë janë në kurbet:
“Largësia (e) mbyt
Malli (e) djeg
Por largësi dashuria nuk njeh”
(Poezia “SYTHAT E JETËS”)
Përgjithësisht në vëllimin e poetit Enver Sahiti do të gjejmë poezi interesante, të shkruara me frymëzim, me ndjenja dhe realizëm.
Veçoritë teoriko-letrare që e shquajnë këtë vëllim poetik janë të shumta. Ne do të përmendim disa syresh.
Me pak përjashtime poezitë e Enver Sahitit shquhen me proliksitetin, ngase nuk i kalojnë 5-6 strofat, madje s’janë të pakta edhe poezitë me 2-3 strofa. Ky sens mase, kjo fuqi sintetike, është nga veçoritë dhe meritat e rëndësishme artistike të poetit.
Poeti Enver Sahiti e përdor me mjaft siguri dhe kujdes vargun, duke e shtjelluar me saktësi, pa e penguar spontanitetin e tij. Aty gjen figura të mjaftueshme, vërtet origjinale, të natyrshme, të sakta e të qarta, të kapshme, të kuptueshme nga të gjithë. Këto figura flasin për dëshirën pozitive të poetit Enver Sahiti për të qenë origjinal, por flasin edhe për kuptimin e drejtë që ai ka për figuracionin poetik.
Poezia e Enver Sahitit mund të merret edhe si dialog i afërt, i ngrohtë, miqësor i poetit me lexuesin, duke marrë herë pas here edhe karakter tregimtar. Prandaj poezia e tij shquhet edhe për komunikim të afërt.
Poeti Enver Sahiti treguar një kujdes të veçantë edhe për gjuhën. Fjalori i përdorur është mjaft i pasur, e mbi të gjitha, shprehës, i qartë dhe i saktë. Kryesisht poeti përpiqet që në vargjet e veta të përdor shprehje të përshtatshme, të marrura nga gurra e dëlirë dhe e pasur e gjuhës shqipe.
Zymer Mehani, Besianë, më 17 korrik 2023